Monday, December 25, 2006

Ceka: Evropa fajtore për zgjedhjet e'96

Intervistoi Denion Ndrenika
25-12-2006
Neritan Ceka

Në pjesën e dytë të intervistës për zhvillimet 16-vjeçare të politikës në vend, Neritan Ceka rikthen në kujtesë zgjedhjet e manipuluara në 26 majit. Ai flet për tërheqjen e opozitës nga procesi zgjedhor dhe rolin e dobët të ndërkombëtarëve, sidomos të evropianëve, jo të amerikanëve. Madje, shton se nëse Sali Berisha do të frenohej nga evropianët, ata mund të kishin “evituar atë krizë dhe jetën e disa mijëra personave”. Thellësisht kritik, kurdoherë, ndaj ish-presidentit Sali Berisha, Ceka thotë se manipulimi përfshiu që nga burgosja paraprake e komisionerëve opozitarë, te grabitja e votës dhe deri te dhuna fizike. Sikurse dëshiron të mos ndodhte atëherë, Ceka thotë se kishte parashikuar ardhjen e 10 mijë trupave të paqes në Shqipëri, nëse ndërkombëtarët nuk do të ndalnin manipulimin. “Ndjesia që kam, gjithmonë nga ato zgjedhje, është pisllëku, njerëz të pisët nëpër komisionet, njerëz të pisët të armatosur, që ishin ulur brenda sallës së votimit, njerëz të pisët që lëviznin me makina pa targa rreth qendrave të votimit dhe në fund, një pisllëk i tërë në manipulimin e zgjedhjeve, përmes arrestimeve të komisionerëve të opozitës dhe daljes 150 për qind, në pjesën më të madhe të njësive të votimit” dhe “u kërkova partnerëve tanë perëndimorë të sillnin dymijë vëzhgues për zgjedhjet e pjesshme, se përndryshe do të detyroheshin të sillnin 10 mijë ushtarë së shpejti. Dhe, ishte numri fiks i operacionit “Alba!”,- thotë Ceka.



Dua të bëj një “thyerje” bisede. 1996-a, zgjedhjet e 26 majit, pika kyçe e zhvillimit politik zgjedhor, kryesisht, a është kjo?



Unë mendoj, se pika kyçe ka qenë referendumi për projekt-kushtetutën 1994, i cili i tregoi Berishës, që politika e tij nuk mbështetej nga shumica e shqiptarëve dhe veçanërisht, aspiratat autoritare që ishin materializuar në atë Kushtetutë. Që në atë moment, Berisha ndoqi rrugën për t’u imponuar, ose për të mbetur në pushtet me dhunë dhe 26 maji 1996, ka qenë apoteuza e SHIK-ut, policisë politike dhe e rrugaçëve. Ndjesia që kam, gjithmonë nga ato zgjedhje, është pisllëku, njerëz të pisët nëpër komisionet, njerëz të pisët të armatosur, që ishin ulur brenda sallës së votimit, njerëz të pisët që lëviznin me makina pa targa, rreth qendrave të votimit dhe në fund, një pisllëk i tërë në manipulimin e zgjedhjeve, përmes arrestimeve të komisionerëve të opozitës dhe daljes 150 për qind në pjesën më të madhe të njësive të votimit. Përballë kësaj, shfaqej në televizor Sali Berisha, president i Shqipërisë, i cili deklaronte se pavarësisht nga largimi i komisionerëve, do të numërohej ndershmërisht çdo votë. Më tragjik ishte edhe fakti që vendet perëndimore, përveç SHBA-së, të cilët kishin informacionin maksimal nga ato që ndodhën, heshtën, duke sanksionuar që nga ajo kohë, grabitjen e votave nga një parti e madhe, cilado qoftë ajo. Unë mendoj, që e gjithë kjo rridhte nga bindja e tyre se shqiptarët e varfër, që kërkonin të linin në çdo çast Atdheun për një jetë më të mirë, që nuk kishin ujë, drita dhe kushte minimale jetese, nuk meritonin më shumë, pra, ishin një popull i papërgatitur për demokraci, opinion, i cili nuk ka ndryshuar shumë deri në ditët e sotme, pavarësisht nga deklarata e tyre për standarde dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po ish-kryetari socialist, Fatos Nano, një ditë mbrapa 26 majit?

Tërheqja është vendosur pasdreken e datës 26 maj, sepse erdha nga Elbasani dhe nuk kisha çfarë të bëja atje. Kjo, pasi komisionerët e mi, ishin në birucat e policisë. Tërë llumi i Elbasanit, numëronte minutat e fundit para mbylljes së kutive të votimit, duke pritur edhe shpërndarjen e fletëve të reja të shtypura. Meqë duheshin mbushur kutitë, u zgjat me 2 orë mbyllja e tyre (e kutive) dhe u shpërndanë fletët me helikopterë. Jemi mbledhur tek Hotel “Tirana”, ne kryetarët e partive, përveç Partisë Republikane, sepse Nano ishte në burg dhe vendosëm tërheqjen e komisionarëve, si dhe denoncimin e dhunës dhe manipulimit të ndyrë të zgjedhjeve, të pisët. Ditën tjetër u pa qartë, që ishte një farsë e pashembullt në historinë e Evropës, fitorja totale e PD-së dhe lojërat që u bënë nga Berisha, për të korrigjuar ekstra-gafat e militantëve të tij injorantë. Në datën 27 maj pasdreke, është marrë vendimi për të demonstruar në sheshin “Skënderbej”, i cili u refuzua nga policia. Dhe natyrisht, nuk është e nevojshme, por 28 maji, ishte nisja e tragjedisë së 97-ës. Dikur, në një takim elektoral në fushatën e 26 majit, i thashë dëgjuesve që “ruhuni nga Berisha”, se “në fillim do t’u marrë votën, pas votës do t’u marrë paratë dhe pas parave do t’u marrë jetën”. Ishte thuajse profeci, si dhe thënia tjetër e imja në konferencën e shtypit në 28 maj, te Hotel “Tirana”, kur i kërkova partnerëve tanë perëndimorë të sillnin dy mijë vëzhgues për zgjedhjet e pjesshme, se përndryshe do të detyroheshin të sillnin 10 mijë ushtarë së shpejti. Dhe, ishte numri fiks i operacionit “Alba”!

Dhe, largimi i atëhershëm me gjendjen e sotme? Një rikthim?

Unë mund të them këtë, që skenari 1996 nuk mund të përsëritet më. Në 1996, nuk ishte bojkot, ishte largim i detyruar nga procesi zgjedhor. Mund të them shembullin tim në Elbasan, ku nga 27 komisionerë, më kishin arrestuar 22, pra ata që u larguan ishin vetëm 5, sepse largimi ishte bërë me kohë nga policia politike dhe SHIK-u. Bojkoti është shumë i kushtueshëm nga të gjithë pikëpamjet, nga organizatorët e tij, sepse në atë kohë kishte akoma pasuri shtetërore për t’u shpërndarë dhe të gjithë pisanjosët e manipulimit të vitit 1996, kush më pak e kush më shumë, u shpërblyen me privatizime. Natyrisht, tani nuk ka çfarë të ndahet, përveç atyre pak vendeve në dogana dhe në tatimore, që janë zënë nga militantët e 3 korrikut. E vetmja skemë e mundshme manipulimi, është ai nëpërmjet listave dhe certifikatave. Doris Pak, nuk ka si ta kuptojë faktin, që 5 mijë ose 10 mijë persona të pajisur me certifikata false, mund të vijnë nga Kamza, vetëm 10 minuta larg, për të votuar me emra të personave fiktivë që janë kaluar me kohë në listat e minibashkive që qeverisen nga PD, ose në vend të personave të cilët nuk gjenden në Shqipëri dhe që përbëjnë pothuajse 1/3 e votuesve. Doris Pak, nuk mund ta kuptojë, pse në Shqipëri mund të sjellin edhe materiale kimike për të lyer gishtin me antidodë përkatëse, të cilat e fshijnë gishtin për një votim të dytë. Unë mund të rreshtoj një numër trukesh të tjera, që nuk i bien në mend as Oli Rehnit dhe as Doris Pakut. Dhe, është e çuditshme, pse ata nuk bëjnë pyetjen se, përse Berisha ngul këmbë pikërisht në këta dy elementë?!

Përse këtë qëndrim? Nga Evropa ka deklarime. Madje, nga eurodeputeja Doris Pak dhe Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Oli Rehn…

Besoj se këta të dy, Pak dhe Rehn, janë zëdhënësit e pandërgjegjshëm të këtij opinioni. Pavarësisht nga konsiderata e lartë që kam për të dy këto figura, të mos harrojmë që Doris Pak, në shtator 1996 u bë një mbrojtëse e zjarrtë e Berishës, duke e konsideruar Sekretarin e dikurshëm të Partisë së Punës, si modelin e demokratit perëndimor dhe bëri presione që të vazhdonte procesi i dhunshëm zgjedhor, edhe në zgjedhjet e 20 tetorit 1996. Rrjedhimet ishin katastrofale, sepse Berisha u inkurajua në rrugën e tij të absurdit, të shkeljes së lirive dhe të drejtave elementare të njeriut dhe e çoi vendin në katastrofën e vitit 1997. E kundërta, pra një frenim i Berishës nga Doris Pak dhe përfaqësuesit e tjerë të Parlamentit Evropian, ndoshta mund ta kishte evituar atë krizë dhe jetën e disa mijëra personave.

Parlamenti Evropian, është fajtor!?

Parlamenti Evropian dhe përfaqësuesit e tij, janë natyrisht fajtorë, në masën që zbatojnë një politikë të vjetruar të patronazhit, të lidhjeve sentimentale miqësore me udhëheqës të djathtë apo të majtë shqiptarë, me përkrahjen e krahëve përkatëse politike dhe i drejtojnë minimumin e vëmendjes standardeve të institucioneve demokratike. Shikoni deklaratat e tyre në lidhje me ndërhyrjen brutale të Berishës, kundër Presidentit të Republikës, kundër sistemit gjyqësor në Shqipëri, kundër autonomisë së Akademisë së Shkencave dhe të universiteteve dhe në rastin e fundit, të imponimit të standardeve tashmë të kaluara në zgjedhjet e ardhshme, sipas parimit: “Siç ka qenë do të jetë, Selanik e tatëpjetë!”. Ndërkohë, shikoni sa të kujdesshëm janë me çdo gjë që ka të bëjë me ekonominë, se si zbatojnë kriteret për heqjen e doganave me BE-në, me synimin për të krijuar një treg për mallrat e tyre dhe sa të rreptë janë me standardet e prodhimeve tona, që duhet të “kalojnë në vrimën e gjilpërës” për në tregun evropian. Përse?! Përse nuk zbatohen të njëjtat kritere, edhe për çështjet që kanë të bëjnë me institucionet demokratike, në radhë të parë që kanë të bëjnë me votën, por u bërtasin shqiptarëve që të votojnë me fletët e bakallit, të cilat u diskredituan në zgjedhjet e kaluara?

Atëherë, të kuptojmë se tani nuk bëhet fjalë për bojkot?

Në këto zgjedhje nuk ka bojkot, sepse opozita është angazhuar në të gjithë procesin, mori pjesë në punimet e stërzgjatura të Komisionit Parlamentar të Reformës, arriti bashkimin duke dalë me kandidatë të përbashkët për kryetarë bashkie e komune, dhe të veçantë për këshillat. Opozita ka caktuar dhe ka gati listën e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe komunave, dhe çdo parti ka gati listën e këshilltarëve. Ndërsa ai që vendos të bojkotojë, natyrisht do të kishte bojkotuar në radhë të parë, që në fillim, Komisionin Parlamentar dhe nuk kishte pse t’i futej angazhimit për seleksionime kandidatësh. Ajo që dua të shënoj, është se herën e fundit në Parlament, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ritvan Bode na bëri thirrje të shkojmë të votojmë në 20 janar, me listat që kishim kërkuar ne dhe me certifikatat e posaçme, pavarësisht se mund të ndryshohet nga ODIHR-i, por që ne ishim për këtë certifikatë. Pra kuptohet, që të dyja argumentet, listat dhe certifikatat, janë bllokuar në mënyrë artificiale nga PD, me shpresën se opozita do të bojkotonte zgjedhjet. Kurse opozita kishte marrë rrugë tjetër, atë të dokumentimit të të gjitha shkeljeve të ligjit. Tani është pikërisht PD-ja, sepse për aleatët e saj “nuk ia vlen barra qeranë” që t’i përmendim dhe personalisht kryeministri Berisha, që janë përpjekur të na fusin në rrugën e bojkotimit, por që sot gjenden plotësisht të bojkotuar. Mendoj se kanë lidhur këmbët e tyre me Kodin Zgjedhor, në bazë të të cilit, nuk mund të ngrenë KZQV-të, nuk regjistrojnë dot kandidatë, nuk mund të marrin vendime në lidhje me fituesin, qoftë për kryetarë bashkish apo komunash, apo qoftë edhe për këshilltarë, sepse për këtë duhet një votim në raportet 2 me 5. Kështu që, në fakt ne po shkojmë në shkrirjen e Kodit Zgjedhor, edhe në avullimin e vetë zgjedhjeve. Këto do të jenë zgjedhje të avulluara.

Jeni pa rrugëzgjidhje, a ka të tillë?

Jo, jo ka, madje dy në këtë moment. E para, është se mandati 3-vjeçar i të zgjedhurve vendorë nuk është taksativ. Pra, është mandat, i cili në përgjithësi zgjatet derisa mbarojnë zgjedhjet dhe ne kemi raste që pushteti ka kaluar nga një dorë te tjera, edhe pas tre muajsh pas zgjedhjeve, apo pas mbarimit të mandatit kalendarik. 20 janari 2007, është vetëm një konvencion i vendosur në Kodin Zgjedhor, i cili mund të shtyhet pa krijuar asnjë problem. Kjo është edhe arsyeja që Presidenti ka shprehur gatishmërinë për nxjerrjen e dekretit të ri, në një datë të re zgjedhjesh, nëse partitë do t’ia kërkojnë atë. Do të thosha që Doris Pak, merr e-mail-e dhe flet në telefon vetëm me memurët qeveritarë dhe nuk i di ligjet më elementare shqiptare. Një zgjidhje e dytë, është një ndryshim në Kushtetutë, i cili nuk është sakrilegj, sepse do të jetë vazhdim i ndryshimit kushtetues të propozuar për nenin 109, ku mandati i të zgjedhurve vendorë që do të dalë nga këto zgjedhje do të jetë 4-vjeçar, pra jo më 3-vjeçar. Lehtësisht, mund të vendosej një dispozitë kalimtare, që të përcaktonte zhvillimin periodik të zgjedhjeve vendore gjithmonë në mars ose prill dhe për të zgjedhurit lokalë aktualë, të jepte një zgjatje kalimtare të mandatit prej 2 ose vetëm 3-muajsh. Këtë, Parlamenti mund ta bëjë edhe të hënën, duke i lënë shqiptarët të qetë për të festuar fundin e Vitit të Ri dhe për t’i çliruar nga presionet arrogante të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

E keni kërkuar këtë tek opozita?

Të gjitha ia kemi kërkuar! Edhe këtë ia kemi kërkuar! Por, unë nuk mund t’ia fal Pakut këtë ndërhyrje! E kam mike Pakun, por nuk thuhet se shqiptarët, në zgjedhje “do të shkojnë dhe pikë”!

Jeni pjesë e Opozitës së Bashkuar Shqiptare. Shumëkush drejton sytë nga marrëdhëniet mes krerëve…

Nuk është kjo aktuale, Rama apo Meta, sepse ne kemi një hall të përbashkët; realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në kohën kur Berisha e tërheq shtetin përsëri drejt kaosit dhe në kohën kur Bashkimi Evropian po përgatit festat e Krishtlindjes dhe po e quan “bezdi” të merret qoftë edhe ca minuta, me atë që po ndodh në Shqipëri. Unë mendoj që koalicioni që arritëm ne si opozitë, është një garanci e madhe për lirinë e shqiptarëve, në kushtet kur pushteti aktual i kryesuar nga Berisha, po afirmohet gjithnjë e më shumë si armik i të gjitha lirive, duke nisur nga ajo universitare, akademike, të medias dhe pavarësia e gjykatave, e kështu me radhë. Nuk ka asnjë akt të kësaj qeverie, që të ketë një ndriçim lirie, por madje-madje, janë vetëm akte errësire.

Nano?

U pa në Kuvend. Shfaqja e tij u asgjësua nga Bamir Topi me një batutë disasekondëshe, gjë që provon se pak nga pak, po ikën nga moda një brez politikanësh mesianikë, që shfaqen si shpëtimtarë të situatave dhe që nuk e kanë konceptuar ndonjëherë politikën, si profesion dhe përkushtim.

No comments: