Sunday, December 24, 2006

Fluks emigrantësh në pikat kufitare

Koha jone, 24-12-2006
Shkruar nga Administrator

Radhë të gjata automjetesh në Kakavijë dhe Kapshticë. Ditët e para të Krishtlindjeve kanë shënuar dhe kulmin e kthimit të emigrantëve shqiptarë në atdhe nga Italia, e kryesisht nga Greqia. Qindra makina janë rreshtuar këto ditë sporteleve në pikat doganore të Kapshticës e Kakavijës. Kështu Dogana shqiptare e Kapshticës në Devoll ka regjistruar gjatë 24 orëve të fundit hyrjen e rreth 12 mijë emigrantëve shqiptarë nga Greqia, që kthehen në atdhe me rastin e festive të fundvitit, ndërkohë që vetëm gjatë pardites së djeshme kanë mbërritur 4 mijë të ardhur nga Greqia. Sipas burimeve zyrtare, deri në orët e paradites së djeshme kishin hyrë në doganë 1330 automjete. Kurse në pikën kufitare të Kakavijës në 10 orë kishin hyrë rreth 15 mijë emigrantë.

Kapshticë
Dogana shqiptare e Kapshticës (Devoll) ka regjistruar gjatë 24 orëve të fundit hyrjen e rreth 12 mijë emigrantëve shqiptarë nga Greqia, që kthehen në atdhe me rastin e festave të fundvitit, ndërkohë që vetëm gjatë paradites së djeshme kanë mbërritur 4 mijë të ardhur nga Greqia.

Shaban Dervishi, komandant i policisë kufitare në Kapshticë tha se "gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri mbi 12 mijë shtetas shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve gjatë orëve të natës". Sipas tij, deri tani numri i automjeteve që kanë hyrë përmes kësaj dogane ka arritur në 1330.

Komandanti i Policisë Kufitare të Kapshticës shtoi se fluksi i emigrantëve ka vazhduar dhe në orët e paradites së sotme, ku u regjistruan gati 4 mijë të ardhur nga Greqia. Për të përballuar këtë situatë, nga ana e palës shqiptare po punohet me 7 sportele dhe nga pala greke me 3-4 të tilla, me qëllim kryerjen sa më shpejt të procedurave të kalimit kufitar. Burimet nga Kapshtica thanë se vonesat që mund të krijohen në doganë janë pasojë e dyndjes së menjëhershme dhe numrit të madh të emigrantëve.

Kakavijë
Rreth 15 mijë emigrantë shqiptarë kanë hyrë në pikën kufitare të Kakavijës, gjatë 10 orëve të fundit, një numër ky i rritur ndjeshëm në krahasim me ditët e tjera. Komandanti i pikëkalimit kufitar të Kakavijës, Enea Gjergjani tha se "pas mesnatës së djeshme dhe deri në mëngjes përmes këtij pikëkalimi kanë hyrë në Shqipëri rreth 15 mijë emigrantë, ndërkohë që për të përballuar këtë fluks kemi hapur dhe sportele të tjera".

Sipas tij, gjatë së njëjtës periudhë është regjistruar dhe hyrja e 50 autobusëve dhe e mbi 600 automjeteve. Ndërkohë, nga ana e doganës greke radha e automjeteve të emigrantëve, në pritje për të hyrë në tokën shqiptare, ka arritur në rreth 4 km. Gjergjani thotë se policia greke po punon me ritme të shpejta për të përballuar numrin në rritje të emigrantëve.

Ai vuri në dukje se në rritje është dhe numri i shtetasve që largohen nga Shqipëria drejt Greqisë. Sipas tij, gjatë 10 orëve të fundit janë regjistruar 3000 shtetas që kanë dalë nga territori shqiptar përmes Kakavijës. Komandanti i pikëkalimit kufitar të Kakavijës theksoi se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin në rritje të emigrantëve, që hyjnë në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit.

Qafë Prush
Lëvizja e njerëzve në doganën e Qafë Prushit, e vetmja që lidh rrethin e Hasit me Kosovën, është rritur ndjeshëm gjatë javës së fundit. Drejtuesit e doganës thanë se një situatë e tillë lidhet me festat e fundvitit, ku një numër i madh kosovarësh kanë hyrë në Shqipëri për të vizituar të afërmit e tyre.

"Ditët e fundit mesatarisht kanë hyrë nga Kosova në Shqipëri mbi 100 persona me 55 automjete, ndërsa kanë dalë nga Shqipëria në drejtim të Kosovës mbi 80 persona me rreth 25 mjete", thanë burime nga dogana e Qafë Prushit. Të njëjtat burime bënë të ditur se regjistrohet një rritje e ndjeshme e lëvizjeve, në krahasim me një muaj më parë, kur përmes kësaj dogane lëviznin 6-8 mjete dhe 15-25 persona, gjatë 24 orëve.

Tregtia e lirë përmes doganës së Qafë Prushit nuk është e lejuar. Nisur nga kjo drejtuesit e kësaj dogane, por edhe kryebashkiaku i Krumës Bardhyl Peka, thonë se nëse përmes Qafë Prushit do të lejohej ushtrimi i tregtisë së lirë, fluksi i lëvizjes së njerëzve do të ishte shumë më i madh dhe një gjë e tillë do të ndihmonte në rritjen ekonomike të zonës.

Nga ana tjetër, ata vënë në dukje domosdoshmërinë e përmirësimit të parametrave të aksit rrugor Krumë-Qafë Prush, ndërsa theksojnë se dogana e Qafë Prushit është më e vjetra në kufirin Shqipëri-Kosovë.

No comments: