Sunday, December 24, 2006

Fragment nga intervista e Neritan Cekes

Dua të bëj një “thyerje” bisede. 1996-a, zgjedhjet e 26 majit, pika kyçe e zhvillimit politik zgjedhor, kryesisht?

Unë mendoj, se pika kyçe ka qenë referendumi për projekt-kushtetutën 1994, i cili i tregoi Berishës, që politika e tij nuk mbështetej nga shumica e shqiptarëve dhe veçanërisht, aspiratat autoritare që ishin materializuar në atë Kushtetutë. Që në atë moment, Berisha ndoqi rrugën për t’u imponuar, ose për të mbetur në pushtet me dhunë dhe 26 maji 1996, ka qenë apoteuza e SHIK-ut, policisë politike dhe e rrugaçëve. Ndjesia që kam, gjithmonë nga ato zgjedhje, është pisllëku, njerëz të pisët nëpër komisionet, njerëz të pisët të armatosur, që ishin ulur brenda sallës së votimit, njerëz të pisët që lëviznin me makina pa targa, rreth qendrave të votimit dhe në fund, një pisllëk i tërë në manipulimin e zgjedhjeve, përmes arrestimeve të komisionerëve të opozitës dhe daljes 150 për qind në pjesën më të madhe të njësive të votimit. Përballë kësaj, shfaqej në televizor Sali Berisha, President i Shqipërisë, i cili deklaronte se pavarësisht nga largimi i komisionerëve, do të numërohej ndershmërisht çdo votë. Më tragjik ishte edhe fakti që vendet perëndimore, përveç SHBA-së, të cilët kishin informacionin maksimal nga ato që ndodhën, heshtën, duke sanksionuar që nga ajo kohë grabitjen e votave nga një parti e madhe, cilado qoftë ajo. Unë mendoj që e gjithë kjo, rridhte nga bindja e tyre se shqiptarët e varfër që kërkonin të linin në çdo çast atdheun për një jetë më të mirë, që nuk kishin ujë, drita dhe kushte minimale jetese, nuk meritonin më shumë, pra ishin një popull i papërgatitur për demokraci, opinion, i cili nuk ka ndryshuar shumë deri në ditët e sotme, pavarësisht nga deklarata e tyre për standarde dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

No comments: