Thursday, December 14, 2006

Nasa do të ndërtojë nje stacion të përhershëm në Hënë

Autori i Lajmit:VOA
Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, thotë se ka në plan të ngrejë bazën e parë të përhershme me njerëz në Hënë në vitin 2020. Planifikuesi i NASA-s për eksplorimin e Hënës, Dagllas Kuk tha dje se baza ka shumë mundësi të ngrihet në njërin prej poleve të Hënës.

Polet kanë zona që ndriçohen pa ndërprerë nga dielli dhe të tjera që janë vazhdimisht të errëta e që mund të shërbejnë për të ruajtur akullin i cili do të përdorej për jetesën e njerëzve dhe për t'u zbërthyer në oksigjen e hidrogjen në rolin e karburantit. Zoti Kuk thotë se një zonë e mundëshme për ngritjen e bazës është poli i jugut megjithëse ajo do të përcaktohet përfundimisht pasi të jetë kryer hartimi i topografisë së Hënës që do të fillojë në vitin 2008. Plani i NASA-s është për të filluar me 4 astronautë që do të ndërmerrnin misione njëjavëshe në Hënë. Me dërgimin e pajisjeve shtesë, periudhat e qendrimit të njerëzve mund të zgjaten deri në 180 ditë deri sa të vendoset një bazë e përhershme.

No comments: