Tuesday, December 12, 2006

News: largimi i yne i hap rrugen terrorizmit islamik

"Sot", 12-12-2006

Senatori De Gregorio: Largimi ynë nga Shqipëria i hap rrugën terrorizmit
Kreu i senatit Italian për mbrojtjen jep alarmin për situatën në Shqipëri. Ndërprerja e financimeve nga qeveria për Departamentin e Ekspertëve Italianë që trajnojnë ushtarakët shqiptarë, sjell frikën e aktivizimit të celulave terroriste. Pakësimi i ekspertëve nga viti në vit dhe shkurtimi i fondeve janë pasuar me një vizitë të një delegacioni Italian në Shqipëri, të kryesuar nga kreu i komisionit të mbrojtjes në senat, Sergio De Gregorio, të cilët kanë takuar kryeministrin Sali Berisha disa ditë më parë.“Qeveria ka ndërprerë fondet për ushtarakët tanë që qëndrojnë pranë forcave shqiptare dhe ky veprim nuk duhet kryer, pasi shton rrezikun që vendi i “Shqiponjave” të bëhet një bazë strategjike për terorizmin islamik, një bombë vetëm një hap larg Italisë”, është shprehur De Gregorio për gazetën vendase “Il Tempo”. Ky grup deputetësh, pas ankesave të ushtarakëve të dislokuar në Tiranë prej vitesh, i është drejtuar kryeministrit Romano Prodi për të marrë masat e duhura, pasi në rrezik gjendet edhe Gadishulli Apenin. Presidenti i Komisionit të Mbrojtjes në Senatin Italian, Sergio De Gregorio, ka takuar së bashku me kolegë të tij, Rosa Calipari të formacionit “Ulivo”, Gustavo Selva të “An” dhe Giulio Marini, të “Forza Italia”, kryeministrin shqiptar Sali Berisha, ku i kanë paraqitur edhe këtë shqetësim. Shteti Italian trajnon oficerët shqiptarë në kuadrin e plotësimit të kushteve për anëtarësimin në NATO dhe për masat antiterrorizëm. Madje forcat ushtarake shqiptare janë nën patronazhin e homologëve të përtej detit prej vitesh. Në Shqipëri sot punojnë 40 ushtarakë të DIE, Delegacionit të Ekspertëve Italianë, që përgatisnin forcat e armatosura të vendit tonë për t’u anëtarësuar. Por objektivi sipas De Gregorios është edhe ndihma në masat antiterrorizëm, kundër infiltrimeve të terroristëve islamikë. “Sot, 70 për qind e popullsisë në Shqipëri janë myslimanë dhe integralistët islamikë kanë nisur t’i kushtojnë vëmëndje këtij fakti. Ka myslimanë që studiojnë jashtë dhe më pas mund të kthehen të instruktojnë të tjerë”, është shprehur kreu i senatit për mbrojtjen për median italiane. Por edhe ushtarakët që gjenden në Tiranë me mision, konfirmojnë problemet vitet e fundit. “Në zonat më të dobëta mund të krijohen mundësi të ngritjes së celulave të terroristëve dhe kampe për të kaluar në luftë”, shpjegon De Gregorio. Numri i ushtarakëve italianë të DIE, nga viti në vit, vjen në ulje edhe si pasojë e problemeve financiare, duke hapur shteg për elementët e dyshimtë për të hyrë në vend. Krerët e misionit në Tiranë shpjegojnë se forcat e armatosura shqiptare ende janë duke bërë hapa të ngadaltë në integrimin drejt strukturave euroatlantike të NATO-s. Ata përgatisin ushtarët shqiptarë për në misione të ndryshme dhe momentalisht për në misionin paqeruajtës në Liban. Edhe gjendja e infrastrukturës lë për të dëshiruar, pasi pjesa më e madhe e mjeteve janë falur nga shtete të tjera për ushtrinë shqiptare. Objektivi është mundësimi i arritjes së standarteve nga ushtria shqiptare për t’u bërë pjesë e NATO-s shumë shpejt dhe në operacione të përbashkëta, ndërkohë që në 2007 do të angazhohen drejt Libanit.

No comments: