Sunday, December 10, 2006

News: Miratohet ndërtimi i gazsjellësit rus

("sot"-10-12-2006
Image Brenda dy ditëve, në mënyrë të fshehtë dhe urgjente, Këshillat e Rregullimit të Territorit të pesë Qarqeve jugore të vendit kanë dhënë aprovimin e tyre për ndërtimin e gazsjellësit transballkanik me investimet e kompanisë gjigande ruse, Gaz-Prom. Me një rekomandim top-sekret, të dërguar pak ditë më parë nga Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, KRRT-t e Qarqeve Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Berat dhe Vlorë kanë miratuar në parim, gjurmët e këtij gazsjellësi, ndërtimi i të cilit do të sjellë zhvillime të papara për ekonominë e vendit.Sipas shkresës zyrtare të dërguar nga lartë, KRRT-t e Qarqeve të sipërpërmendur janë porositur të bëjnë urgjentisht miratimin verbal të zonave, ku mendohet të kalojë linja e këtij gazsjellësi transballkanik dhe këtë fakt të mos e bëjnë publik deri në miratimin përfundimtar të këtij projekti gjigand nga kompania shtetërore ruse Gaz-Prom. Por, burime në konfidencë thanë për gazetën se tashmë realizimi i këtyre investimeve në Shqipëri ka marrë formën e prerë. Vetë bosët e kompanisë Gaz-Prom, e kanë filluar këtë projekt me vlerë 320 milionë euro, në kuadrin e përpjekjeve për zgjerimin e tregjeve të saj, në vendet evropiane, në konkurrencë me kompanitë e fuqishme amerikane, që operojnë në këtë rajon. Sipas burimeve në konfidencë, investimet në Shqipëri janë pjesë e objektivave të Gaz-Prom, të cilat do të bëhen në kuadrin e kontratës, që ai ka nënshkruar me shtetin italian për furnizimin e tij me gaz për 30 vjet. Në fakt, për furnizimin e tregut Italian dhe më gjerë, Gaz-Prom ka nisur ndërtimin e një tjetër gazsjellësi gjigand, që sipas marrëveshjes trepalëshe, Bullgari, Maqedoni, Greqi katër linja gazi, do të mbërrijnë në Korfuz. Por, krahas kësaj linje, kompania gjigande ruse, që zotëron burimet e njohura gazmbajtëse, të Siberisë dhe pellgut të Detit Kaspik, synon të ndërtojë edhe një gazsjellës, atë të linjës rezervë, i cili do të nisë nga Kaspiku dhe do të përfundojë në Brindizi. Burimet në konfidencë e justifikojnë fshehtësinë e përkohshme të këtij plani për shkak të konjukturave politike ndërkombëtare dhe si një qejfmbetje të qeverisë greke.
Gjurmët e këtij projekti
Burimet në konfidencë shpjeguan se ky projekt është një nga objektivat e afërta të kompanisë ruse dhe që Shqipëria konsiderohet, jo vetëm një vend tranziti, por edhe si një treg i pa shfrytëzuar dhe si një stacion për shpërndarjen e gazit të saj në vendet evropiane. Kjo linjë rezervë do të niset nga Kaspiku dhe duke kaluar nëpër Bullgari e Maqedoni, do të mbërrijë deri në Janinë duke ndjekur të njëjtin itinerar me katër linjat e tjera, që do të shkojnë deri në Korfuz. Por, në Janinë, kjo linjë rezervë do të devijojë për në Shqipëri. Burimet në konfidencë sqaruan se kjo linjë në vendin tonë do të futet në Kapshticë dhe më pas gjurmët e saj do të prekin fshatra të rretheve Korçë, Përmet, Elbasan, Kuçovë e Fier. Gjurma shqiptare e këtij gazsjellësi gjigand do të përfundojë në brigjet e detit Adriatik, në zonën midis lumenjve Vjosë e Seman, por gjasat janë për në Fier-Seman. Pra, gjurmët e këtij gazsjellësi do të shkelin zonat fshatare të pesë Qarqeve jugore të vendit dhe sipas llogaritjeve paraprake, e tërë gjatësia e tij, në Kapshticë-Fier-Seman, do të jetë 189 km. Pas përfundimit të projektit shqiptar, Gaz-Prom do të ndërtojë linjën nga brigjet e detit Adriatik për në Brindisi, e cila është llogaritur të jetë vetëm 45 km.
Investimi në Shqipëri
Burimet thanë se për ndërtimin e këtij gazsjellësi transballkanik, Gaz-Prom ka llogaritur, të investojë në Shqipëri 320 milion Euro dhe se ndërtimi i këtij gazsjellësi do të bëhet nga një kompani zvicerane, e përzgjedhur nga kompania gjigande ruse. Ky gazsjellës do të ketë dy stacione në të gjithë gjatësinë e tij nëpër territorin shqiptar. Sipas shpjegimeve të Ministrit të Ekonomisë, Gaz-Promi do të ndërtojë në fshatrat e zonës së Dumresë, stacionin e saj ndërkombëtar, ku gazi i ardhur nga Siberia dhe pellgu i Detit Kaspik do të grumbullohet në dy vaska gjigande, të cilat do të futen 50 metra nën tokë. Thuhet se këta rezervuarë gjigandë do të jenë me kapacitet 27 miliardë metër kub gaz, aq sa Evropa do të konsumonte për një muaj. Është zgjedhur pikërisht kjo zonë e pabanuar për ndërtimin e këtij stacioni rezervë gazmbajtës për shkak se aty janë mbi 600 Ha toka bujqësore të kripura, të cilat mund të përmirësohen nga prania e gazit natyror. Ky stacion, në të ardhmen do të jetë edhe si një nyje nga ku ky gaz do të shpërndahet në disa vende të Evropës. I dyti stacion thuhet se do të ndërtohet midis lumenjve Vjosë e Seman, por me një kapacitet shumë herë më të vogël. Burimet në konfidencë thonë se ndërtimi i këtij gazsjellësi transballkanik do të nisë gjatë vitit që vjen dhe se përfitimet e Shqipërisë nga ky investim do të jenë tepër të mëdha. Përveç përfitimeve financiare, që do të vijnë nga taksat e kalimit të kësaj linje, pritet të ketë edhe zhvillime të reja të ekonomisë së vendit nga përdorimi i këtij gazsjellësi. Me ndërtimin e tij do të vihen në punë disa TEC-e, si TEC-i i Kuçovës dhe ai i Fierit, të cilët janë teknologji kineze dhe të ndërtuar për të shfrytëzuar gazin natyror dhe jo naftën për lëndë të parë, por dhe një TEC i ri që do të ndërtohet midis Vjosës dhe Semanit. Krahas tyre të gjitha qendrat e banuara, qytetet dhe fshatrat, që ndodhen në afërsi të linjës së gazit rus, do ta shfrytëzojnë atë për nevoja të ndryshme, si për ngrohje qendrore, sera , etj. Gjithashtu ky projekt do të krijojë mundësinë që të punësohen rreth 1000 persona. Ky projekt gjigand do të jetë i një teknologjie moderne dhe nuk do të sjellë pasoja në ndotjen e ambientit.

No comments: