Friday, December 15, 2006

NEWS: nga fronti i "luftes" elita katolike -dhe elita musilmane

Katedralja ne Prishtinë...

Nga Ardian Ndreca (Shekulli)
15-12-2006

Në Prishtinë duket se të gjithë merren me çeshtjen e ndërtimit të katedrales, jo pse asht edhe aq e randësishme, por pse duket se qenka fort e bezdisshme. S’e kuptoj pse prish punë katedralja në Prishtinë, në nji kohë që shumë prej atyne që e “sulmojnë” e dinë mirë se, jo mungesa e saj, por kundërshtimi i ndërtimit të saj në Prishtinë e damton të ardhmen e Kosovës. Me kundërshtue ndërtimin e katedrales në Prishtinë domethanë me u vu në nji vijë me disa vende të Lindjes së Mesme ku s’mund të ndërtohen vepra kultesh alternative, e sigurisht asnji prej këtyne vendeve nuk asht model për t’u ndjekë sot për nji copë sado të vogël Europe siç asht edhe Kosova. Ajo çka më habiti pa masë ishte fakti se ndërtimi i katedrales katolike në Prishtinë në nji artikull të fundit të gazetarit Migjen Kelmendi krahasohej dhe barazohej me ndërtimin e kishës ortodokse në vitet e fundit të Millosheviçit. E njoh verve-n intelektuale të Migjenit, ashtu si edhe pasionin e tij për paradokset dhe për idetë me spec, por si mund të mendohet se akti politik i Millosheviçit për me ndërtue nji kishë ortodokse të ketë të njejtën vlerë me atë të ndërtimit të katedrales katolike!

Katolikët në Kosovë janë në shtëpi të vet dhe jo në nji geto – i dashtun Migjen – prandaj nuk mund t’u caktohet territori dhe metrat katrorë ku me ndejt dhe ku me u lutë! Nji françeskan shqiptar, filologu i hollë At Viktor Volaj, e kishte zakon me perifrazue nji shprehje të Terencit, e thonte: albanensis sum, albanensis nihil a me alienum puto! Pra: jam shqiptar e kurrgja që asht shqiptare nuk asht e huej për mue. Katolikët e Kosovës janë jo mâ pak shqiptarë sesa pjesa tjetër e popullsisë, janë në shtëpi të vet e duen çka u takon, ata s’janë të ardhun e s’janë të huej. A u harrue ndihma që Kisha katolike me organizmat e saj bamirëse i dhanë popullit të Kosovës në kohën e luftës dhe mbas saj: në Kosovë, në Shqipni, në Itali, Gjermani, Austri dhe në vende tjera europiane! A u harrue përkrahja politike dhe ushtarake që pati ky popull e fakti se vetëm falë kësaj përkrahje sot Kosova po shkon drejt pamvarsisë! Pse, sjellja e katolikëve në përgjithsi ndaj Kosovës asht e njejtë me atë të ish leader-it serb?

Katedralja katolike nuk mund të duhet në Prishtinë njilloj si nji MacDonalds apo si nji dyqan i Zara-ës – siç e bjen Migjen Kelmendi, ashtu si asnji xhami apo teqe bektashinjsh s’mund të konsiderohet si nji ndërtesë e njejtë me nji dyqan ku blehen e shiten mallna! Besimi asht çeshtje ndërgjegjet dhe kurrkush nuk ka të drejtë me cënue dhe me gjykue ndërgjegjen e të tjerëve. Për me ndërtue nji kishë në Kosovë mjafton që kosovarët katolikë ta duen nji gja të tillë e kjo gja të respektojë parametrat administrativë, lejet e ndërtimit, rregullat e sigurisë etj. Sa për debatin e miratimin qytetar të popullit të Kosovës, jam dakord, por tue qenë se populli në Kosovë ka zgjedhë përfaqsuesit e vet të denjë, të cilëve u ka besue nji mandat me pushtet dhe me limite të caktueme, atëherë u takon këtyne me e thanë edhe mâ qartë sesa e kanë thanë deri tashti fjalën e tyne për ndërtimin e katedrales në Prishtinë. Nuk ka referendume për çeshtje të këtilla që i përkasin respektit ndaj ndërgjegjes së tjetrit, asnji vend europian nuk ka ngrehë referendum për me lejue ndërtimin e xhamijave apo pagodave në Europë, por i ka pranue si shenjë tolerance, mbasi numri sasijor i referenduesave jo gjithmonë përkon me cilësinë e parimeve demokratike siç asht toleranca fetare dhe bashkëjetesa paqsore. Por, siç shkruen Migjen Kelmendi te Java,: “Kush na garanton neve në Kosovë, se nesër, nëse ndërtohet katedralja pa debate qytetare, pa miratimin e shumicës muslimane, pa përpjekjen ma të vogël me ia spjegue qytetarëve të qytetit të Prishtinës arsyet pse duhet katedralja, dhe pa – referendum për ndërtimin e saj – se nji djalë i ri musliman, 20 vjet ma vonë, në shembullin e godinës së katedrales nuk ka me e pa materializimin dhe arrogancën e përçmimit ndaj Islamit dhe besimtarëve muslimanë, prandaj i bindun si fidai don me e rivendosë nderin dhe namin e Islamit në këte qytet? Kush në të vërtetë e ban ate djalë me u flijue? Islami apo Kadare me Ali Podrimën e me ata infantila shqiptarë që menduen se po i ndihmojnë europianizimit të Kosovës?” – në qoftë se asht kështu, atëherë ai djalë i ri me idena të stërvjetra, nuk ka me ba kurrgja tjetër veçse ka me vërtetue teoremat serbe.

Asht verbni shpirtnore me pa te nji katedrale e krishtenë në nji qytet me shumicë myslimane përçmimin dhe arrogancën ndaj Islamit, pse un besoj se xhamijat në Europë nuk janë ndërtue si shenja sfidash por si vende të përshpirtshme ku besimtarët falen dhe i afrohen Zotit! A mund të ndërtohet e nesërmja e Kosovës tue e mbajtë veten peng prej atij 20- vjeçarit hipotetik dhe gjithë atyne që pranojnë me u lëvizë prej dikujt si gur shahut, jo për me shkatrrue nji katedrale gurësh (e sa e sa janë shkatrrue deri më sot pa mujtë me trand aspak at’ besim që vijon tash 2000 e sa vjetë!) por me shkatrrue idenë e shqiptarizmës, idenë e tolerancë dhe të mirëkuptimit, idenë se nuk jemi tribu barbarësh por jemi popull që drejtohet me ligje dhe këto ligje shprehin qytetnimin tonë dhe të Europës së cilës i përkasim me rranjë. Mendoj se shumica myslimane e shqiptarëve e din fort mirë se nderi dhe nami i Islamit nuk mbrohet tue cënue kishat katolike, prandaj nuk besoj se në gjinin e besimtarëve tolerantë ka me pasë vend për idena që janë të importueme prej jashtë.

Më erdhi shumë keq kur lexova në nji intervistë të para disa ditëve të shkrimtarit të njohtun gjerman Hans Magnus Enzensberger, i cili kur e pyetnin se cili ishte gabimi mâ i madh gjatë gjithë jetës së tij, thonte se ishte fakti që ka mbështetë UÇK dhe rezistencën e saj (La Repubblica, 6 dhetor 2006, fq. 61). Me siguri kundërshtimet e ndërtimit të katedrales s’kanë të bajnë me faktin se për faj të ndokujt po humbim përkrahje dhe miq, por këto fjalë të shkrimtarit gjerman duhet me na ba me mendue gjatë.

Nëmos tjetër katedralja në Prishtinë asht si nji «ambasadë» që e nderon kryeqendrën e atij vendi, nemos tjetër e nderon për kujtimin e të parëve, të cilët nuk besoj se mohohen as si kujtim historik e as si nji e vërtetë e së kaluemes së popullit shqiptar!

Ka disa gjana që kanë nji vlerë që shkon përtej funksionit të tyne të mirëfilltë, kjo gja ndodh edhe me katedralen e Prishtinës, dhe ketë gja e kanë kuptue mâ së miri të gjithë Alitë, Ismailat, Bajramat e Mehmetat – që përmend Migjeni e që duen që ajo të ndërtohet: ata janë fytyra e vërtetë e islamit përparimtar dhe demokrat, tolerant dhe atdhedashës, të atij islami që i nevojitet si shembull mbarë Europës. Mos me pasë katedrale në Prishtinë nuk ndodhë asgja, me e kundërshtue ndërtimin e saj vetëm humbim, me e lejue ndërtimin e saj vetëm fitojmë, si popull – merret vesht.

No comments: