Tuesday, December 12, 2006

Përvetësimi i modelit shqiptar-A. Klosi

Nga Adrian Klosi
11-12-2006 (Shekulli)

Shumë pak vetë mund ta kenë dëgjuar qytetin e vogël hollandez, Makkinga. Por duket se do ta dëgjojnë gjithmonë e më shumë, në të ardhmen. Ashtu si sivëllai i tij provincial, Maastrichti, edhe Makkinga po lëshon një shembull fluturues në gjithë Europën, i cili një ditë ndoshta do të përfshijë krejt kontinentin dhe rruzullin.

Po, qytetthi verior i Vendeve të Ulta, ka hequr dorë nga... tabelat, semaforët dhe gjithë shenjat e qarkullimit. Si gjësende krejt të panevojshme tabelat e qëndrimit, njëdrejtimit, përparësisë, kryqëzimit, parakalimit, shesh-pushimit, shpejtësiuljes, ecjes në hap, ndalim-qarkullimit, ndalim-kthimit, ndalim-rrotullimit, ndalim-parkimit etj bashkë me shtyllat dhe kafazët e semaforëve po mblidhen togje-togje në magazinat e bashkisë dhe rajonit të policisë së Makkingës, në pritje për t’u ricikluar për ndonjë punë më të dobishme sesa disiplinimi i njerëzve në trafik.

Në pritje, pasi projekti është ende në fazë eksperimentale. Por deri tani, mëse të suksesshme. Me një ndjenjë të veçantë krenarie, shefi i Qarkullimit Rrugor pranë bashkisë së Makkingës, H. van der V., shpjegonte para kamerave të një stacioni publik gjerman, idenë dhe sistemin e projektuar prej tij. Drejtuesit e automjeteve, si zotërues të një patente, i njohin fare mirë Rregullat e Qarkullimit. Ata s’kanë asnjë arsye për të kapërcyer vija të bardha, në kohën që aty po kalon dikush. Po kështu, s’kanë arsye të mos ia lënë përparësinë atij që udhëton në rrugë kryesore, nëse vetë dalin nga një rrugë dytësore. Në rast se është vështirë të dallohet rruga kryesore nga rruga dytësore, shoferi lejon të kalojë atë që ka në krah të djathtë dhe niset para atij që vjen nga krahu i majtë. Nuk kanë si të mos ecin me shpejtësi hapi, kur kalojnë pranë një sheshi lojrash për fëmijë. Nuk kanë si të mos ia lënë përparësinë këmbësorit ose biçiklistit, kur kthejnë në të majtë ose në të djathtë dhe tjetri po kapërcen rrugën. E kështu me radhë, nuk ka arsye... pse të shkelësh Rregullat e Qarkullimit.

Në shumë qytete europiane, sidomos në ato të vjetrat e piktoresket, me gjelbërim, me rrugica e ndërtesa historike, njerëzit ankohen për dendurinë e tabelave, me njëqindlloj ndalesash e lejesash. Po të kalosh, bie fjala, nëpër një lulishte gjermane, lexon nëpër tabela se lejohen këmbësorët të ecin mbi bar, por nuk lejohen biçikletat, se qentë dhe macet nuk duhet ta lëshojnë nevojën në lëndinë, por në qeska të posaçme që ndodhen anë rrugicave, se mund të hedhësh për riciklim shishe nëpër kazanë të posaçëm, vetëm në orë të caktuara të ditës, asnjëherë të shtunë e të diel, e kështu me radhë. Pra, duke i ndjerë tablat si diçka jonatyrore dhe të panevojshme për njerëzit me arsye të shëndoshë, makkingasit japin sinjalet drejt atij emancipimi dhe vetëdisiplinimi për kah duket se po shkon krejt Evropa.

Dy janë shtyllat e sistemit të z. H. van der V.: E para, përparësinë e ka gjithmonë këmbësori; e dyta, njerëzit që qarkullojnë nëpër Makkinga, e shohin njëri-tjetrin në sy në çastin e vendimit. Një kontakt me vështrim, dhe merret vesh se kush ia lëshon rrugën kujt.

Tek ndiqja shpjegimet e z. H. van der V., më kapi një indinjatë e vogël. Ky shef i Qarkullimit Rrugor në provincën hollandeze, po mburrej më kot. Nuk është çudi që nesër ai të shkojë në Zyrën Europiane të Patentave dhe të kërkojë autorësinë për shpikjen e tij. Padrejtësi e madhe! Po kaq gabim u shpreh ai kur deklaroi para kamerave, “jemi qyteti i parë në Europë, që e rregullon trafikun pa tabela“. Këtë gjë e tha sigurisht nga padija dhe jo nga ligësia. Pasi ai nuk e di se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ka kohë që e rregullon (ose më saktë, e kryen) qarkullimin pa tabela dhe këtë e bën pa pasur fare nevojë për shembullin e njëfarë... Makkinge.

Në Tiranë, ndoshta edhe në shumicën e qyteteve të tjera shqiptare, e djathta nuk ecën para së majtës, kur del nga rrugë dytësore s’ke pse të presësh automjetin në rrugë kryesore, kur kthen në të majtë ose në të djathtë, nuk ke asnjë arsye që të ndalësh e të presësh këmbësorin, plakun me bastun, a nënën me foshnjen në krah sa të kalojnë këta rrugën, sepse janë ata që të presin ty, në kryeqytetin tonë rruga njëkalimshe ka kuptim vetëm kur është e ngushtë fare, sepse kur është e gjerë sa për një makinë e gjysmë, aty ecet në të dy krahët për mrekulli. Në Tiranë vërtet ka semaforë, por pritja në dritë të kuqe është përjashtim, pasi rregulli është që makinat më të forta (d.m.th., fuoristrada të mëdha, makina policie, makina politikanësh, makina mafiozësh etj.) kalojnë edhe me dritë të kuqe, rregulli është që s’ka drita dhe përjashtimi është që ka drita të kuqe dhe jeshile. Në Tiranë, shoferët nuk ndalojnë para tabelave “Stop”, por ndalojnë kur kanë ndonjë punë për të kryer, e lënë makinën me sinjale ndezur, bie fjala, në mes të “Rrugës së Kavajës” dhe të “Durrësit” dhe shkojnë të gërvishtin me fitore; ose ndalojnë për të bërë pak muhabet me komshiun, që për çudi ka blerë edhe ai të njëjtin “Benz”; ose ndalojnë për të shkëmbyer ca para te kambistët e bulevardit, apo te Albtelekomi etj. etj.

Në Tiranë nuk ka tabela për sheshe lojrash, sepse nuk ka sheshe lojrash, pasi aty ku duhej të kishte, në oborret e pallateve, janë ndërtuar pallate të tjera. Në Tiranë, në rrugë të mëdha e të shpejta, nuk ka tabela për mbikalime ose nënkalime, pasi nuk ka as mbikalime as nënkalime. Kalimtarët përfitojnë me zgjuarsi nga ndonjë rast, kur trafiku është aq i ngecur, sa mund të hidhesh lehtë si dre, nga njëri trotuar në tjetrin, ose kur rruga është bosh (me rrezikun që s’e vë re një musketjer, i cili atbotë po të avitet nga kthesa në kulmin e shpejtësisë). Në rrotullamet e mëdha si ato të sheshit “Uilson” ose te “Zogu i Zi”, këmbësori është një njësi që nuk ekziston, për atë nuk është parashikuar asnjë semafor, edhe lufta politike për “Zogun e Zi” u bë që të vendosej nëse makinat do të kalonin mbi apo paralelisht me makinat e tjera, jo nëse duhet bërë ndonjë tunel i vogël për këmbësorët. E përse duhen atëherë tabelat? Po semaforët?

Edhe në Tiranë vlejnë po ato dy parime si në Makkinga, d.m.th., parimi i përparësisë dhe parimi i të vështruarit sy më sy. Me pak ndryshime: në rastin e parimit të parë, nuk është kryesor njeriu, por makina. Njeriu është një dykëmbësh që mund ta kalojë rrugën, vetëm me hirin apo mirësinë e shoferit. Rrugët janë bërë për makinat, thotë truri i shoferit shqiptar, kush i kapërcen ato, e bën këtë gjë me kokën në torbë. Simbol i këtij realiteti është pamja e fshatarit që kapërcen autostradën: njërën këmbë këndej e tjetrën andej murit prej betoni, ai mbledh herdhet me njërën dorë dhe e bën trupin petë që të mos e kapin rrufetë e makinave, të cilat në korsitë e shpejta ngasin me 120 e më shumë në orë.

Edhe parimi i dytë, është krejt i ngjashëm: Në Tiranë, në mungesë të tabelave dhe respektit për ndonjë shtrembësirë, që rri aty sa për sy e faqe, këmbësorë e shoferë vështrohen për një hop në sy: Ndryshimi i vetëm, është se ndërsa në Makkinga, pas këtij vështrimi të shkurtër, i hapet rruga atij që është më i dobët (dhe pastaj atij që ka të drejtë), në Tiranë rruga i hapet gjithmonë më të fortit (përjashtim përbën rasti, kur i forti le të kapërcejë rrugën një femër e hijshme). Tek të fortit, siç u përmend më lart, hyjnë ata me makina të mëdha sikurse janë “Fuoristradat” dhe “Mercedesët” e vjedhur luksozë, makinat e policisë, të mafiozëve, makinat me targë DR etj. Vështrimi sy më sy dhe njëfarë mirësie natyrale e shumë njerëzve, bën që në rrugët e Tiranës të ketë shumë më pak aksidente sesa mund të mendohej. Atëherë, derisa rezultati është pothuajse i njëjtë (pavarësisht se ne nuk kemi as rrugë për këmbësorë, as korsi për biçikleta, as nënkalime as mbikalime, as korsi për autobusë ose tramvaje, as sheshe lojrash për fëmijët) d.m.th., fare pak viktima, përse të quhet Makkinga më e përparuar se Tirana?

Europa i shpiku gjithë ato tabela nëpër qindvjeçarin që kaloi, nga qarkullimi me kuaj e llandonë tek automjetet moderne. Sot, kur të gjithë; shoferë, këmbësorë, biçiklistë, e kanë gjetur veten mes rregullave që qeverisin vetiu lëvizjen, tabelat dhe sinjalet e ndryshme po bëhen të panevojshme. E gjithë kjo është e mundur për arsye se nuk ka humbur, madje është rritur humanizmi, apo ta themi më turçe, njerzillëku.

Tirana kaloi nga gomerët dhe mushkat e Pazarit të Vjetër, nëpërmjet një intervali biçikletash dhe autobusësh urbanë të ngjeshur ding, në orgjinë e sotme të veturave, nga më luksozet, te më karakatinat e kontinentit. Në këtë kakofoni, gjithmonë dhe më shumë po dikton “i forti”, gjithmonë e më tepër po humbet njerzillëku. Është pikërisht kjo, shpejtësia që na largon nga Europa.

No comments: