Wednesday, December 06, 2006

Qeveria britanike shpalli dje rregullat e reja për lejen e qëndrimit në Angli.

(marre nga gazeta "Panorama", 6-12-2006)

Qeveria britanike shpalli dje rregullat e reja për lejen e qëndrimit në Angli. Rregullat e reja për emigrantët mësohet se do të zbatohen për të huajt me qëndrim në Angli, që nga 2 prilli i vitit 2007.

Kushdo që kërkon një leje qëndrimi duhet të plotësojë ato që dje janë cilësuar nga qeveria britanike “kushte të domosdoshme”. Bëhet fjalë për gjuhën angleze, e cila duket se është kushti themelor për të fituar një leje qëndrimi në Angli. Të gjithë aplikuesit për leje qëndrimi, duhet t’i nënshtrohen një provimi të rregullt, ku duhet të dëshmojnë njohuritë e tyre në komunikim dhe në të shkruar në gjuhën angleze. Një tjetër kusht veç njohjes së mirë të gjuhës, është edhe niveli i njohurive mbi Britaninë, kulturën dhe historinë e saj. “Të gjithë ata që duan të marrin një leje qëndrimi, duhet që para se ta zotërojnë atë, t’i nënshtrohen një provimi të gjuhës angleze dhe njohurive mbi jetën në Britani”, kanë pohuar zyrtarët. Në kategorinë e atyre që preken nga rregullat e lejes së qëndrimit janë edhe qindra emigrantë nga Shqipëria dhe Kosova, që kanë emigruar dhe janë vendosur në Angli, ku vazhdojnë të punojnë dhe të presin lejen e qëndrimit. Njoftimi për ndryshimin e rregullave dhe kërkesat e reja për përfitimin e lejes së qëndrimit, është bërë dje nga qeveria e Londrës, përmes ministrit të Imigrimit, Liam Byrne. Ai konfirmoi se rregullorja e re do të zbatohet që në muajin prill të vitit të ardhshëm 2007 për të gjithë të huajt me qëndrim në Angli.

No comments: