Thursday, December 07, 2006

“Tedi Papavrami është ambasadori i Raymond Well, në Shqipëri….”

note: A ka lidhje T. papavrami me Himaren? Sigurisht, perderisa e ka nenen nga Qeparoi. Pra talenti i tij ka lidhje dhe me magjine himarjote

Shqiptarët e quajnë ambasadorin e tyre në botë, Well - ambasadorin e vet në Shqipëri.Elegant që ia shton edhe më shumë e zeza që mban veshur, Tedi Papavrami, delikat në sjellje, pozon për një mori kamerash dhe aparatesh në një mëngjes me diell të ngrohtë dhjetori, në një nga hotelet më luksoze të kryeqytetit shqiptar…

Thjesht dhe më tepër se artist, qenia e tij transmeton qetësi sidoqoftë pak enigmatike. Në krah të tij, sot mungon violina, shoqëruesja e tij fisnike, që e njohu që në fillimin e viteve ’80 të shekullit të kaluar kur në Tiranë, në shtypin e pakët u fol për një djalë me talent të jashtëzakonshëm dhe të pasionuar pas violinës.

Blicet ndriçojnë fytyrën e Papavramit, teksa ai pozon me qetësi olimpike.

Storcklli Caser, menaxhere e Raymond Well, një firmë botërore orësh, e lidhur nga themelimi i saj në tri gjenerata pazgjidhshërisht me artin dhe muzikën, u bën me dije gazetarëve të mbledhur si rrallë herë:



“Tedi Papavrami është ambasadori i Raymond Well, në Shqipëri….”

Pasi ka shëtitur në 90 vende të botës, firma zviceriane, me seli në Gjenevë, ka zgjedhur edhe Shqipërinë, këtë vend ballkanik që ajo e cilëson si “një vend me ekonomi dinamike dhe në zhvillim , me popullsi të re…”,

“Filozofia e modeleve dhe koncepteve tona i adaptohet shumë mirë Papavramit, një artist me famë botërore”, vazhdon znj.Caser, e cila nuk harron të përgëzojë edhe mirëkuptimin e bashkëpunimit që ka gjetur në Tiranë me përfaqësuesin zyrtar të firmës së njohur, Agron Gjikondin.

Iki në kohë…!

Tedi Papavrami ka pasur një jetë të dyzuar mes vetmisë, fëmijës së rritur vetëm në Parisin sqimatar dhe mikes së tij, violinës.

Kur e sheh, vetiu të kap mendimi se kush ia dha famën djaloshit që i iku Shqipërisë kur ishte 12 vjeç.

Tedi, apo violina Tedit…

Simbiozë e dyshimtë…!

Pas hapjes së Shqipërisë me botën, kur kishte kaluar koha kur Tedit dhe familjes së tij iu ofrua fillimisht ‘përkëdhelja’ e familjes Hoxha (kur ai studionte vetëm në Paris) dhe pas kësaj rrënimi, mbasi familja e tij kërkoi azil politik në Francë, ai mundi të vinte për herë të parë në Shqipëri vetëm në vitin 1993.

Kësaj here si një muzikant i njohur në qarqet e muzikës pariziene, por edhe me një CV koncertore për zili në botë, ai u shpreh në atë kohë për shtypin se, nga Shqipëria ruante kujtime të mjegullta; kujtimet e një fëmijërie me studime këmbëngulëse, por edhe të lumtur, sidomos gjatë pushimeve të verës kur shkonte në një fshat të Himarës e, sidomos, shëtitjet e gjata me motoçikletë me babin e tij.

Vizitat e tij do të shpeshtoheshin pas këtij viti në Shqipëri. Pjesëmarrës në spektakle të mëdha, si “Dua më shumë Shqipërinë”, një serie spektaklesh ku dyshja e njohur Grabocka & Gjebrea do të sillte në skenën shqiptare emrat shqiptarëve me famë në botë, si dhe një serie koncertesh dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, shtypi i pas-viteve ’90, një shtyp tashmë i çideologjizuar dhe i lirë do ta konsideronte pa ngurrim Papavramin, “Ambasador të Shqipërisë në botë”.

Djali i Robert Papavramit, një violinist virtuoz, një ndër pedagogët më të mirë të violinës në Shqipëri, me prejardhje nga një familje aristokrate, pak a shumë kundër rrymës së regjimit komunist, tek ai që i vogël do të kultivohej një kulturë ndryshe nga ç’ofronte kuadratizmi i regjimit komunist.

Tashmë që jeton mes Parisit dhe Gjenevës, përkthyesi zyrtar i veprave të shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, nga viti 2000, por që ka sprovuar talentin e tij edhe në film, shprehet se “lidhja e tij me Raymond Well kishte ardhur më shumë se natyrshëm”. Presidenti i saj, Oliver Bernheim, e kishte përgëzuar pas një koncerti të tij në Gjenevë, pas kësaj, një darkë dhe biseda të gjata për muzikën dhe enciklopedinë që ofron ajo.

Pa drojë, me buzën në gaz, ai u tregon gazetarëve orën që mban në dorë, një Don Govanni, prodhim i ri i Raymond Well.

”Unë gjithnjë kam pasur koleksione orësh… Në arkivin tim ruaj me fanatizëm pesë gjashtë orë që para luftës së Dytë Botërore, dhuruar nga im atë. Por preferoj sidomos orë të punuara në mënyrë artizanale”, thotë Papavrami, i cili kohët e fundit ka qenë aktiv me koncertet e tij edhe në vendet të tjera ku jetojnë shqiptarë si në Prishtinë (Kosovë), Tetovë (Maqedoni) .

“Unë e kisha vështirë të pozoja si model; nuk jam model, më kanë fotografuar me violinën time, kur unë kam qenë i përqendruar tek ajo”, tha Papavrami, i cili edhe në filmin “Les Liaisons Dangereuses” një serie televizive të shfaqur në TF1, interpreton rolin e një violinisti.

I ‘dashuruar’ sidomos mbas Paganinit, ai ka interpretuar me virtuozitet nga Prokofiev, Brahms, Bach, ndërsa është fitues i disa konkurseve të rëndësishme në Francë, ku ka interpretuar në vende të ndryshme të Evropës, në Turqi, Izrael, Afrikën e Jugut, shoqëruar nga orkestrat më të mëdha të këtyre vendeve.
Papavrami, i cili ka mbaruar studimet e larta në Paris (Francë), pranë "Conservatoire National Superieur de Musique", në mënyrë modeste thotë se ka në duar përkthimin e një vepre të re të Kadaresë , “Verbimi hyjnor”, që, siç cilëson ai, ”do të dalë në qarkullim nga shtëpia botuese franceze “Fayard” që gëzon të drejtën e botimit të Kadaresë në Francë, në muajin prill të vitit 2007”.
Libri i fundit i Kadaresë "Dantja i pashmangshëm" ose (Një histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligierin) përkthyer në frëngjisht nga Tedi Papavrami, me titull "Dante, l’inconturnable" ou ("Brève historie de l’Albanie avec Dante Alighieri") është pritur mjaft mirë nga mijëra lexues, ndërsa shtypi francez i ka bërë jehonë këtij libri përkthyer nga Tedi Papavrami, muzikanti që i iku fëmijë Shqipërisë.

Nuk është patetike…, shqiptarët e quajnë ambasador të Shqipërisë në botë, bota, ambasador të sajin në Shqipëri… ATSH

No comments: