Thursday, January 18, 2007

Emigrantët - Të ardhurat për 2006-ën sa gjysma e buxhetit të shtetit

Raporti i BB-së. Shqipëria një nga vendet me emigracionin më të lartë në botë

Në krahasim me përqindjen e popullsisë, Shqipëria është një nga vendet me emigracionin më të lartë në botë. Shifrat e larta të të ardhurave nga emigracioni në Shqipëri kanë ndikuar pozitivisht në uljen e varfërisë familjare dhe sigurimin e valutës së fortë. Sipas një raporti të kohëve të fundit të Bankës Botërore, shifra zyrtare e të ardhurave nga emigracioni është mbi 15 për qind e GDP-së, ose mbi 1 miliard euro, ndërsa parashikohet që dërgesat nga kanalet jozyrtare të shtojnë edhe më tepër këtë shumë. Nga dërgesat e emigrantëve, rreth 700 milionë euro vijnë nga emigrantët shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë në Greqi, ndërsa pjesa tjetër nga vendet e tjera. Banka e Shqipërisë regjistron atë pjesë të të ardhurave që kalojnë përmes rrjetit zyrtarë, që përfshin bankat dhe agjencitë e transferimit të parave. Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, rreth mbi 50 për qind e volumit të dërgesave të emigrantëve transferohen nëpërmjet këtyre kanaleve. Të ardhurat nga emigracioni sjellin përfitime si për familjet e emigrantëve, ashtu edhe për vendet e tyre të origjinës. Por kontributi financiar i emigrantëve shqiptarë mund të orientohet nga këtej e tutje brenda eurozonës, duke ndalur rrjedhën 15-vjeçare drejt Shqipërisë. Kjo për arsye të politikave që pritet të ndërmarrë Bashkimi Evropian, lidhur me integrimin e ekstrakomunitarëve që gjenden në 27 shtetet anëtare.

Rreth 40 milionë emigrantë, që punojnë dhe jetojnë sot në vendet e eurozonës, demografikisht dhe ekonomikisht janë të barazvlefshëm me vendin e 26-të sot në BE dhe të pestin për nga madhësia.

Për shumë nga vendet më të varfra të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, ato përbëjnë burimin më të madh të të ardhurave nga jashtë dhe kanë shërbyer si "amortizator" ndaj trazirave ekonomiko-politike të 15 vjetëve të fundit. Të ardhurat nga emigracioni përfaqësojnë mbi 20 për qind të GDP-së të Moldavisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe mbi 10 për qind të GDP-së për Shqipërinë, Armeninë dhe Taxhikistanin. Sipas raportit "Emigracioni dhe Të Ardhurat nga Emigracioni për vendet e Evropës Lindore dhe ish-Bashkimi Sovjetik", emigracioni brenda për brenda nga ekonomitë në tranzicion të Evropës dhe Azisë Qendrore ka qenë i lartë dhe ka gjasa të vijë në rritje, ndërsa rënia e ritmeve të lindjeve në pjesën dërmuese të rajonit do të sjellë rritjen e kërkesës për krah pune. Tashmë është i njohur fakti që emigracioni drejt Evropës Perëndimore është rritur ndjeshëm gjatë këtyre 15 vjetëve, ku Evropa Perëndimore ka pritur 42 për qind të emigrantëve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, si edhe një numër në rritje emigrantësh nga ish-Bashkimi Sovjetik. Një fakt më pak i njohur është se në nivel global, Gjermania dhe Franca janë të vetmet shtete të Evropës Perëndimore në renditjen e klasifikimit të 10-shes së vendeve pritëse të emigrantëve. Rusia renditet në vend të dytë dhe Ukraina, Kazakistani dhe Polonia janë gjithashtu pjesë e 10-shes (shihni tabelën). Rusia ka tërhequr emigrantë nga pjesa tjetër e ish-Bashkimit Sovjetik dhe kryesisht nga Kaukazi dhe Azia Qendrore, ndërsa shtresa më e varfër e punëtorisë në Azinë Qendrore ka emigruar në Kazakistan, një vend ky i pasur në burime. Si Ukraina, ashtu edhe Polonia kanë shërbyer si pika transiti për emigrantët drejt Evropës Perëndimore. Të ardhurat nga emigracioni sjellin përfitime si për familjet e emigrantëve, ashtu edhe për vendet e tyre të origjinës.

Gazeta "Shqip"

No comments: