Thursday, January 18, 2007

Ndërtimi në bregdet, me procedura korruptive

Ekspertët e BB-së: Ligji mbi zonat me prioritet turizmin i paaftë të mbrojë investimet dhe ambientin

"Sistemi i një roli të dyanshëm të shtetit si rregullues dhe si partner në marrëveshje investimi ka treguar nivel të lartë korrupsioni në të gjitha strukturat". Është ky konkluzioni në të cilin kanë arritur ekspertët e Bankës Botërore lidhur me zbatimin e ligjit për zonat me prioritet zhvillimin e turizmit. Duke analizuar dy rastet më të bujshme të zonave turistike bregdetare atë të Kakomesë dhe të Golemit në Durrës, këta specialistë kanë vërtetuar mënyrën e mashtrimit të kryer, si dhe kundërshti të tjera të ngjashme të përsëritura edhe në një sërë zonash të tjera bregdetare. "Duket se zinxhiri administrativ është i paaftë që të zgjidhë konfliktet në lidhje me pronësinë e tokave dhe në adresimin e çështjeve të planifikimit dhe mbrojtjes mjedisore", thuhet në një material të përgatitur nga ekspertët e BB mbi statusin e reformës së tokës dhe tregut të pronave të paluajtshme në vendin tonë. Sipas tyre, ligji mbi zonat me prioritet zhvillimin e turizmit përcakton një regjim special për përdorimin e zhvillimin e tyre, me qëllimin që të sigurojë se investimi aty do të japë përfitim më të gjerë për shoqërinë shqiptare dhe nuk do të jetë vetëm për pronarët dhe investitorët. Ligji, gjithashtu, përfshin nevojën për një regjim të veçantë për mbrojtjen e mjedisit në këto zona. Aty përcaktohet se në çdo rast kur një aktivitet i promovuar propozohet, Ministria e Punëve Publike dhe ajo e Turizmit mund të ndërhyjë "si përfaqësuese e pronarit të tokës" për të mbyllur një kontratë qiraje për zhvilluesin e projektit. Në këtë mënyrë, ministritë luajnë një rol të dyfishtë si planifikues apo rregullues dhe si partnerë biznesi. Por "shembuj të paaftësisë ligjore në të dyja drejtimet janë evidentuar në rastet e Kakomesë dhe të Golemit", pohojnë ekspertët. Për të parin, KRRTRSH shqyrtoi aplikimin për të aprovuar vendin dhe për të autorizuar planifikimin e projektit për një resort të madh. Ekspertët theksojnë faktin se aprovimi i kësaj leje do të kishte efektin ligjor të rezervimit të tokës për përdorim, sipas propozimit dhe për përdoruesin gjatë periudhës së planifikimit dhe dizenjimit të projektit. KRRTRSH-ja i kërkoi aplikantit që të mblidhte dokumentimin e pronësisë së tokës nga arkivat e komiteteve rajonale dhe lokale nga arkivat e Komitetit për Kthim të Pronave dhe nga ministritë e tjera, por jo nga IPRS-ja e rrethit. Më pas, KRRT-ja e deklaroi shtetin si pronar të të gjithë tokës, pavarësisht se dokumentet tregonin se kishte konflikt ndërmjet disa palëve si pronarët e tokës, fshatarët e zonës nga njëra anë dhe agjencitë shtetërore, si dhe Ministria e Mbrojtjes nga ana tjetër. "Procedura e pazakontë dhe inkonsistente me Kodin Civil u bë subjekt i gjyqësorit", pohojnë ekspertët e BB-së. Po kështu, në një pjesë tjetër të bregdetit në jug të Durrësit, zyrtarët komunarë dhe rajonalë të administrimit të tokës ndërruan kategorinë kadastër për një pjesë toke, e cila u emërua nga pyjore në bujqësore, duke lejuar pronësinë private. Më pas, IPRS-ja e rrethit regjistroi transaksionet, duke ndryshuar pronarët për parcelat e tokës në fjalë. Zyra e planifikimit urban të komunës nxori një aprovim studimi, njëlloj si të ishte bërë një studim i pjesshëm për t‘i dhënë një certifikatë që i verifikonte autoritetit administrativ të drejtën për ndërtim në tokën në fjalë, njëlloj si të ishte për ndërtim. Ky aktivitet do të bëhej dhe me një aplikim si "për fakt të kryer" dhe KRRT do të legalizonte ndërtimin.

Gazeta "Shqip"

No comments: