Tuesday, February 06, 2007

Himare: Fushata elektorale e pare me syte e shtypit shqiptar

KLAN

Kompleksi i Himares

Fushata zgjedhore, e nismuar me nje incident jo te kendshem, duket sikur nuk ka filluar kurre. Vec ndonje posteri elektoral, gjithcka te jep pershtypjen se ne ate vend nuk do te kete zgjedhje me 18 shkurt. Sa per kandidatet, vendasit duan rezultate, jo llafe...

nga Himara, Renato Kalemi

Dy postera elektorale, vendosur njeri pas tjetrit, me sfond krejt ngjyre blu te kthjellet, na kujtojne se jemi prane destinacionit tone. Deri ne keto caste, pervec disa mbishkrimeve te vjetra ne gjuhen helene, keto postera jane shenja e vetme elektorale qe na ndalin ne hyrje te Himares. E ndersa ora shenon 9:05 e mengjesit, nje lloj qetesie mistike te jep pershtypjen e pagabueshme se ai qytet i vogel bregdetar ende nuk eshte zgjuar nga gjumi. Kush me mire se sa rruget e boshatisura dhe lokalet ne “pike te hallit” mund ta rrefejne kete fakt?! Me sa dukej, askujt nuk ia kishte pasur enda ta prishte ate qetesi e aq me pak, gjumin e mengjesit… Per nje vizitor te larget, ne kete pjesez te vogel shqiptare jetohet vec ne stinen e veres. Kurse ditet me qiell te vranet qe fal bujarisht dimri, jane te teperta ne nje vend te tille, prandaj cdo himariot i shtyn me pahir dhe padurim, deri ne pranvere. Ne te vetmen kafene, nga dhjetra te tilla qe te kap syri pa veshtiresi ne qender te Himares, kater djem shijojne gjithe nge kafen e tyre te mengjesit. Pronari, nje qeraxhi fierak i ngulur per te punuar ketu, dic peshperit greqisht me te shoqen, dhe ulet me te rinjte per te vijuar nje bisede te lene pergjysme. E shoqja merr gjithe miresjellje porosine dhe per nje cast ndalet t’i hedhe nje sy televizorit dhe edicionit te rradhes se lajmeve.

“…kryetari i opozites ishte dje ne lagjen Ali Demi ne Tirane per te folur…”; “…komisioni qendror i zgjedhjeve eshte ne pergatitje te…”; “…disa postera te kandidatit te PD u grisen, ndersa autoret ende…”. Te tilla copeza lajmesh qe veshi arrin t’u kape lehtesisht, duket se nuk u bejne dhe aq pershtypje. Te zhytur ne ndonje mendim apo bisede te rendomte, nuk ua vene dhe aq fort veshin fjaleve te foleses edhe pse deri javen e shkuar, ne qender te ketyre lajmeve ndodhej bash qyteti i tyre, Himara. Ndoshta, kjo mosperfillje deri diku e qellimte ka lidhje me lodhjen nga e njejta retorike e politikes shqiptare, ose nga fakti qe pas tre ditesh ky qytet i vogel nuk e sheh veten ne krye te vemendjes mediatike. Dic kish ndodhur, ndersa tani askush nuk fliste me per te. Gjithsesi, jehona e ngjarjes se nje jave me pare ne mitingun e Partise Bashkimi per te Drejtat e Njeriut, nuk eshte shuar ende ne median shqiptare. E megjithate, ne Himaren e tre diteve me vone, ajo ngjarje duket sikur nuk ka ndodhur kurre. Madje cilido i mireinformuar mbi ngjarjen qe risolli ne vemendjen e te gjitheve se Himara eshte gjithnje nje kazan i nxehte ne kohe zgjedhjesh, do te zhgenjehej pa nje pa dy.

“Jemi bere tamam si ajo shkrepesja: Mjafton te na ndezin ne kohe zgjedhjesh dhe te gjithe o burra ne Himare. Por harrojne se ky qytet eshte i nje mije e nje halleve”, thote Alketi, pronari i njeres prej atyre dhjetra kafeneve qe rradhiten buze bregdetit.

Ndjesine e pare te nje fushate zgjedhore te saponisur na e dhane posterat e kandidatit te Partise Demokratike, Dhimiter Llazari. Pak metra me tutje nderteses modeste, ku aktualisht ne kolltukun e kryebashkiakut ulet Vasil Bollano, nje nga lokalet e qytetit nuk ka kursyer asnje copez te mureve e dritareve, per te ngjitur posterat ne te cilat ngjyra blu eshte mbizoteruese. Dicka me tutje, ne te njejten “derexhe” ndodhet edhe ndertesa e berberit te qytetit, nje minimarket, madje dhe nje dyqan fruta-perimesh. Duket se kandidati demokrat eshte kujdesur mjaft mire per imazhin e tij, ndersa ka zgjedhur hyrjen e qytetit per t’u ekspozuar. Por vetem kaq. Asnje flamur ku te dukej qarte stema e PD, as banderola me parrulla identifikuese per kandidatin e mbi te gjitha, askush nuk di nje zyre te mirefillte ku mund ta gjesh ate kandidat. “Ndoshta i kane lene per me vone”, te thote nje kalimtar i rastit, qe duket se i ka rene ne te vizites tone e mundohet te na jape nje dore te kuptojme me mire cfare po ndodh. Me idene se qendra e qytetit do te jete krejt ndryshe, dhe per here te pare do te ndjenim atmosferen e vertete te zgjedhjeve, marrim rrugen per ne vendin ku sipas te gjitha gjasave qe mbajtur mitingu i se shtunes, i drejtuar nga kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Por, mjaft shpejt u bindem se do te ishte thuajse e kote te gjeje shenja te mbetura te mitingut “famemadh e famekeq” njekohesisht. Madje, dhe ne kafenene e pare qe hasem posteri i vetem qe na doli para syve ishte i njejte me te meparshmit. “Do vendosja te gjithe posterat e mundshem ne xhamat e lokalit tim: te PD, PS dhe PBDNJ ne mes. As qe dua t’ia di fare. Keto nuk kane rendesi per mua. Mjafton qe ketu te vije dikush e te investoje per Himaren”, thote Alketi, 32 vjecari nga Fieri, qe para gjashte viteve u kthye nga Greqia per t’u vendosur ne Himare. Duket atij nuk i ben pershtypje e gjithe kjo fushate zgjedhore, perderisa fare pak i interesojne emrat. “Mesa duket, te madhit nuk i duhet zhvillimi i Himares dhe pse thote fjale te mira per ne”, shton ai.

Te vetmit flamuj qe lartohen ne Himare ne nje ndertese dykateshe, mu ne qender te qytetit, jane te Partise Demokratike dhe Levizjes Socialiste per Integrim. Me zyrat vendosur afer e afer, te cilat vec nje mur i holle i ndan nga njera-tjetra, stemat e PD dhe LSI i japin ngjyrimin e vetem parazgjedhor qytetit. Cuditerisht sipas vendasve, Partia Socialiste nuk ka nje zyre te sajen dhe Omonia, PD dhe LSI jane te vetmet qe kane nje te tille. Nderkaq, ndertesa e organizates Omonia ndodhet vec njeqind metra larg deges se demokrateve dhe po te mos ishte per dy posterat e vetem ne gjithe qytetin te kandidatit te PBDNJ, Vasil Bollano, per kedo te huaj ne Himare do te ishte e veshtire ta shquante. E vendosur ne sheshin qendror te qytetit, pa ndonje tabele institucion dhe as flamur, ajo ndertese qe strumbullari ku u organizua mitingu i PBDNJ. Tre dite me pas, ajo zyre eshte e mbyllur… “Nuk na intereson nese ketu ngrihet here pas here flamuri grek apo flitet greqisht. Kjo s’do te thote asgje”, thote Sokrati, i moshuari 74 vjecar, qe ndryshe nga te tjeret thyen heshtjen dhe fillon te flase. “E njejta rremuje ndodhi per shkollen greke, por edhe ajo ceshtje u mbyll shpejt. Shqiperia do vetem drita, uje e rruge. Po i dhe keto, mbetet e kenaqur”, vijon ai, qe si shume te moshuar te tjere himariote, merr nje pension prej 230 eurosh nga shteti grek, si shtese e 43 mije lekeve te vjetra qe i jep shteti shqiptar.

Gjithsesi, debati politik i diteve te fundit nuk mund t’i shpetoje aspak thashethemeve neper rruget e Himares. Kush me pak e kush me shume, te gjithe flasin per zgjedhjet e 18 shkurtit, mundesite e fitores se nje kandidati dhe per ato cfare keta qytetare presin nga politika vendore kater vitet e ardhshme. Ethet e fushates nuk kane perfshire vetem partite politike qe kandidojne ne Himare.

“PBDNJ ka nje mbeshtetje mjaft te madhe ne Himare. Veshtire se ky vit do sjelle fitoren e ndonje partie tjeter vec asaj”, te thote Pirroja, pronar i nje restoranti te vogel. “Megjithate, une jam per ndryshimin kete vit. Do ishte mire sikur te votohej kandidati i PD”, na rrefen para kohe voten e tij dhe drejtohet nga banaku i restorantit, per te komunikuar, sigurisht ne greqisht, me gruan dhe vajzen e tij te vogel. Ndryshe nga c’mund te mendohej, kandidati i PD shihet me nje sy te mire nga himariotet, qofte dhe per faktin e thjeshte se ai do te kete me shume akses ne qeveri dhe ndoshta do te shtoje investimet per Himaren.

“Per mua, PBDNJ ka 80 per qind te votave, ndersa 20 per qind do t’i marre kandidati i PD”, shton Alketi. “Nje gje te mire qe ka bere Bollano ne keto vite eshte se nuk ka lejuar asnje ndertim te vecuar, perderisa ne Himare nuk ka nje studim te plote te qytetit”. Por, megjithate, pakenaqesite ndaj Bollanos ne keto tre vjet qeverisje jane te shumta. Ne nje vit, Himara duket thuajse e njejte. Asgje nuk ka ndryshuar: jane po ato rruge, pa ndonje investim te madh ne infrastrukture, po ato probleme sociale, ekonomike dhe mbi te gjitha, sezoni i turizmit nuk ka pesuar rritjen e pritshme. “Une per nje muaj punoj ketu. Nga 15 korriku ne 15 gusht. Kaq e kemi sezonin turistik ne Himare. C’mund te bejme me shume?”, shton nje tjeter qytetar jo pak i zhgenjyer, i cili ashtu si Pirroja, thote se kete here do te votoje ndryshimin.

Duke e nuhatur kete, kandidati demokrat Llazari po luan prej tre javesh me fushaten e tij zgjedhore. Pa kursyer asgje, si nje biznesmen i fuqishem prej 16 vitesh, Llazari i eshte futur me seriozisht se kandidatet e tjere, betejes se 18 shkurtit. “Jam i sigurte se do te fitoj. Kryetari aktual ka punuar keq ne keto tre vite. Nuk eshte ndertuar asgje”, shton ai, ndersa piketon arsyet perse ne 18 shkurt do te dale triumfues. “Meqenese jam nga krahu i djathte, kam me shume perkrahje nga qeverisja qendrore. Fondet do te perdoren fillimisht per pastrimin e qytetit, rregullimin e kanalizimeve dhe ndricimin”. Por, nese Llazari e ka gjithcka te qarte ne koken e tij, kandidati socialist, Aleko Tato eshte dicka mbrapa. Ndoshta, ka menduar te fokusoje te gjithe energjite e tij ne dy javet e fundit te fushates, perderisa per kete te fundit nuk eshte kujdesur dhe aq. “Erdhi koha qe Himara te kete vendin e vet ne turizmin shqiptar. Duam ta fitojme ate, jo per hater te partive apo grupimeve politike, as te shovinizmave te ndryshme, por sepse jemi te vetmit qe mund t’i ofrojme vendin qe meriton”, shprehet Tato. Megjithate, me i sigurte nga te gjithe ne fitoren e tij eshte kandidati i PBDNJ, Vasil Bollano. Edhe pse nuk arritem t’i marrim ndonje koment apo prononcim, eshte e dukshme se mbeshtetja e PBDNJ dhe Omonias, e bejne ate favoritin kryesor edhe per kete vit.

Pas te gjitha ketyre, ngjarja e mitingut te PBDNJ duket shume e larget ne Himaren e ftohte te mesit te janarit. Jehona e saj eshte shuar ndersa fushata zgjedhore duket sikur nuk ka filluar kurre. Ajo qetesi mbizoteron edhe ne dreke, e ndoshta, keshtu do te vazhdoje deri me mbarimin e procesit zgjedhor.

Por nese gervisht pak heshtjen, nese dikush thyen akullin, te gjithe nisin dhe tregojne ngjarjen ashtu sic e dine, pa kurrfare problemi. Gjithsesi, nuk mund te shmangim rrefimin zyrtar te asaj cfare ndodhi: Mitingu i organizuar ne qender te Himares, degjeneroi ne fyerje per drejtuesit e PBDNJ dhe grushta mes pjesemarresve. Gjate atij takimi, mes turmes disa persona kane thirrur greqisht nepermjet nje megafoni fjalet “Zito Berisha!”, “Rrofte Berisha!”. Kjo ka mjaftuar qe turma te nise nga te sharat, ndersa mungesa e policise ka bere qe situata te degradoje ne rrahje dhe grushta mes qytetareve te pranishem ne miting. Ne fund, tre ishin personat qe u shoqeruan ne komisariatin e policise, te cilet u mendua se ishin dhe organizatoret e prishjes se tubimit. Ndonese kryetari i PDBNJ Vangjel Dule, nuk akuzoi asnje parti politike per prishjen e mitingut, dyshimet e para rane mbi kandidatin demokrat. E ky i fundit ka pergenjeshtruar gjithcka. “Situata eshte e qete per mua, pavaresisht atyre qe thuhen dhe ndodhen”.

Perpos te gjithave, qytetaret e Himares nuk shohin asgje te keqe ne thirrjen “Rrofte Berisha” ne gjuhen helene. Jane te shumte ata qe thone se mitingu ishte i qete deri ne castin kur dikush nisi te ofendoje kryetarin e PBDNJ dhe zyrtaret e tjere. Nderkohe, te tjere besojne se fjala e hapjes ishte ajo qe shkaktoi gjithcka, per te vetmen arsye se u mbajt greqisht, pa harruar se ne sfond kendohej himni helen. “Nuk e kuptoj se c’te keqe ka kur dikush therret ‘Rrofte kryeministri’ ne nje miting. Ne ate kohe nuk kam qene aty, por me sa degjova, ky ishte problemi qe coi ne prishjen e tij”, tregon Lefteri, ndersa gjerb kafen, i frenuar per t’i hedhe benzine zjarrit. Ndersa, me kritik tregohet nje prej policeve qe ishte prezent ne vendngjarje, i cili pa dashur te identifikohet tregon se pjesemarresit ishin mbi 200 veta. “Mitingu ishte i paautorizuar. Ata qe e organizuan nuk kishin leje per zhvillimin e tij. Pastaj, u lajmeruam se duhej te arrestonim tre personat qe kishin bere rremujen”. Duket sikur te gjithe kane nga nje version te tyrin per gjithcka ndodhi paraditen e se shtunes,por gjithsesi te gjitha variantet bashkohen ne nje pike te vetme: fjalet qe u thane ne greqisht ishin sebepi i gjithckaje. “Duhet te dini se trazirat fryhen shume nga te tjeret. Mos kujtoni se eshte kjo Himara qe shkruhet neper gazeta”, shton Kristo, nje tjeter klient i kafenese.

Ne kthim e siper, na kujtohen fjalet e nje te moshuari, te cilin e hasem ne dalje te Himares, bash ne kthesen qe te drejton per nga shkolla e shumedebatuar, ku prej nje viti ka nisur mesimi ne dy gjuhe; shqip dhe greqisht. “Cfare gjuhe degjuat se flitej ne Himare? Te gjithe flasin greqisht. Pse duhej te kishte ndodhur ajo qe ndodhi?”. Ndoshta nje pergjigje te sakte kesaj pyetjeje do te ishte e veshtire t’ia gjeje, por megjithate, Himara ka qene dhe duket se do te jete dhe per shume kohe, termometer i mbarevajtjes se cdo procesi zgjedhor, dhe mates i temperatures se marredhenieve shqiptaro-greke. Kjo vetem per nje muaj. Sepse pas cdo pale zgjedhjesh, himariotet do t’u kthehen halleve te tyre, duke i kthyer shpinen politikes. Qe kujtohet per ta vetem kur vjen koha e “termometrit”.

No comments: