Wednesday, February 07, 2007

Hiperbola zgjedhore e mashtrimit

Nga Rexhep Meidani, 07-02-2007 (Shekulli)

Në fushata zgjedhore, edhe në vende të zhvilluara në botë, bëhen premtime të shumta, por asnjë politikan me mend, nuk ka kurajën t'i hiperbolizojë këto premtime. Sepse shumë shpejt vjen dhe koha e llogarisë dhe nga ajo mund të digjesh rëndë në sytë e opinionit publik. Madje, në mënyrë të rreptë e përfundimtare...

Në Shqipëri, ky element i rëndësishëm i kulturës politike, pothuajse nuk merret parasysh në nivelin qendror, por, deri-diku po pasqyrohet pozitivisht në garën vendore. Një ndryshim i tillë e ka bazën e tij. Me qeverisjen vendore lidhen më drejtpërsëdrejti interesat vetjake dhe të vogla të qytetarëve. Dhe kandidatët në garë për këtë përfaqësim, nuk mund t'i shmangin këto kërkesa. Por, ndryshe shihet "nga lart", prandaj dhe shformimin e këtij përafrimi vendor racional, e bëjnë më shumë e më qartë politikanët qendrorë...

***

Ndoshta, kjo lidhet edhe me faktin e një mbijetese në politikë pa prekje "qime floku" sepse me gjithë premtimet e pambajtura në fushata të ndryshme, një pjesë e shqiptarëve përsëri ka vazhduar të votojë në mënyrë partizane e militante. Po ashtu dhe media, sapo ka filluar të ritransmetojë e të krahasojë " të thënat dhe të bërat" në kohë të ndryshme. Ndryshe, nuk mund të shpjegohen brohoritjet e ovacionet për premtime të reja dhe të zhurmshme të një qeveritari qendror, kur në mes të një krize energjetike, që përlan dita-ditës para nga buxheti i shtetit, premtohen me të madhe (për më tepër dhe realizime të shpejta), diku një aeroport (në Vlorë, se në Sarandë është premtuar dhe afro 5 vjet më parë!), diku një port (në Shkodër, nëpërmjet Bunës), diku një autostradë e tunele të shtrenjta (Kukës, Fier-Vlorë, etj.), diku një termocentral (Vlorë apo Fier), diku një park industrial (Durrës, Elbasan, etj), diku një zonë e lirë, e diku ku ta dish çfarë! Bujë e madhe, por dhe oreks i madh, në kushte "dixhestioni" tepër të vështirë, madje dhe kur një pjesë e shiritave të prerë kohët e fundit, janë projekte të nisura shumë vite më parë. Apo kur dhe shumë projekte investimesh të huaja, të miratuara vite më parë nga qeveria socialiste, janë ende të bllokuara...

Aq më keq, që në këtë garë premtimesh (d.m.th., dhe mashtrimesh), në asnjë rast nuk bëhet fjalë për llogari ekonomike apo mundësi financiare. Kjo shfaqet shumë më problematike e me "shifra alarmante" me "lojtarë" të nivelit qendror. Individë kryesorë të qeverisjes qendrore, në kushte vetë-ngazëllimi, dehje e euforie individuale, por dhe të "emocionuar" apo tepër të kënaqur nga "entuziazmi i turmës", veçse premtojnë e premtojnë pa pushim, aq sa harrojnë shpejt dhe ato që thonë, madje pa u shqetësuar fare për ndërtimin e kësaj "hiperbole mashtrimi".

Kështu, gradualisht, në këtë fushatë, nga njëra anë, po "harrohet" krejtësisht që bëhet fjalë për zgjedhje vendore dhe, nga ana tjetër, nuk mendohet fare që edhe në kushte rrjedhjeje normale (me këto zgjedhje dhe atë Presidentit) zgjedhjet e tjera të përgjithshme mund të zhvillohen pas dy vjetësh. Kaq të zotë, deri "qiellorë" janë premtuesit, apo kaq shumë para kanë për të plotësuar kaq shumë gjëra të mëdha në dy vjet?! Apo në zbatim të "teknologjisë së mashtrimit" premtohet në zgjedhje vendore, premtohet përsëri në zgjedhje të përgjithshme, dhe vazhdohet ky cikël në vite derisa, dikur, diçka edhe mund të bëhet! Por, në nivelin qendror, ky është dhe "lapsusi" apo "bumerangu" i kësaj fushate zgjedhore: premtime të bollshme apo, më saktë, mashtrime hiperbolike të larmishme...

***

Pak kohë më parë u premtua eksporti i energjisë brenda një kohe të shkurtër, 2-3 vjeçare, por nuk u bë as dhe një bilanc ekonomik, apo ndonjë llogaritje kohore lidhur me procesin e projektimit, fizibilitetit dhe të realizimit të investimeve përkatëse.

Por, ky shembull është mjaft tipik. Prandaj, për të ilustruar hiperbolën e mashtrimit të premtimeve zgjedhore, po marrim në një analizë të shpejtë vetëm këtë problem, të lidhur me eksportin imagjinar të energjisë (natyrisht në lidhje me premtimin 2-3vjeçar).

Në përgjithësi, kostoja kapitale dhe e instalimit përmban të gjitha shpenzimet apo pagesat, që nga livrimi, deri në instalimin dhe përdorimin e teknologjisë konkrete energjetike, përfshirë ndërtimin përkatës, koston e tokës, etj. Madje, në koston kapitale, normalisht duhet të llogaritet pagesa e plotë për të gjitha pajisjet e nevojshme të sistemit të gjenerimit të fuqisë, deri në futjen e energjisë së prodhuar në rrjetin e shpërndarjes (kur ai tashmë ekziston). Në përgjithësi, kostoja e instalimit varet dhe nga teknologjia e përdorur. Megjithatë, sipas një analize të përafërt, gjykohet se shpenzimet e instalimit (jo vetëm si "hardware", por dhe si "software") janë, në mesatare, të rendit të 30% të kostos kapitale. Por nuk mungojnë rastet, kur ato arrijnë deri në nivelin e 100% të k ësaj kostoje.

Në kushte të konsideruara si të favorshme në lidhje me shpenzimet, kostoja për 1 kW fuqi të instaluar, mund të merret afërsisht e rendit të 1000 euro/kW, pa përfshirë këtu shpenzimet për procesin e mirëmbajtjes, mënjanimit të avarive, rehabilitimit apo rinovimit, etj. Duke bërë një llogaritje të përafërt me këtë vlerë, mund të thuhet se për instalimin e një fuqie prej 1 MW = 1000 kW duhet shpenzuar përafërsisht një shumë prej afro 1 milionë euro. Një instalim i tillë, në kushtet ideale të funksionimit pa asnjë ndërprerje, mund të gjenerojë në vit afro: 1000 kW x 365 (ditë) x24 (orë), pra afro 8.7 milion kWh në të gjithë vitin. Pra, nëse na duhen afro 8.7 milion kWh në ditë, kjo do të thotë që fuqia e instaluar, me llogaritje fare modeste, pa përfshirë humbjet teknike, duhet të jetë 365 herë më e madhe, që i korrespondon një investimi prej afro 400 milion euro. Ndërsa duke përfshirë dhe humbjet përkatëse, p.sh., të konsideruara afro 30%, mbi 500 milion euro. Është e qartë se, duke konsideruar dhe ndërprerjet e aktivitetit të gjenerimit, për arsye nga më të ndryshmet, (teknike ose jo) nevojitet një shifër shumë më e madhe. Pa e konsideruar këtë të fundit, nëse shuma prej 500 milionë euro merret si kredi, p.sh., me interes 10% dhe kohë shlyerje 10-vjeçare, atëherë pagesa reale për një investim të tillë thjesht dyfishohet, pra i kalon 1 miliardë eurot. Kjo dëshmon më së miri se çfarë largësie, më saktë "hendeku", kemi ne sot ndaj "dëshirës" së një eksporti vjetor mesatar të qëndrueshëm...

***

E rimorëm këtë shembull vetëm për të ilustruar se ekonomia, e pëlqejnë apo nuk e pëlqejnë politikanët tanë "hiperpolitikanë", nuk është një "show politik" permanent, as një "emocion i theksuar" individual apo disa gënjeshtra elektorale, por aftësi programuese, ekspertizë e ftohtë e profesionalizëm i lartë dhe, mbi të gjitha, është mundësi e llogaritje e detajuar dhe efektive, pra, një " nn",0] ); D(["ce"]); //--> punë shumë serioze numrash". Për fat të keq, numrat ekonomikë në dispozicion, sado që të "fryhen", e nxjerrin qartë në pah lakuriqësinë e premtimeve elektorale, nivelin hiperbolik të mashtrimit brenda tyre. Sidomos, po të flitet për projekte me realizim kohëshkurtër. Dhe votuesi i thjeshtë, që e ka provuar në kurriz dhe e kupton shumë mirë një gjë të tillë, nuk duhet të japë më votën për t'u gënjyer në vazhdimësi...

1 comment:

MATTOGI said...

merrni 2% kredi për të bërë biznes, për të blerë shtëpi dhe për të paguar shpenzimet tuaja kontaktoni selsumat@gmail.com