Tuesday, March 20, 2007

DUKE EKSPLORUAR HIMARËN E LAKONISË




(Sipas origjinalit e gazeten "Tribuna", Athine, 16-03-2007)

Dr M. Gjoka


Një të diel dhjetori vendosëm të rrugëtonim drejt Lakonisë Jugore, së bashku me arkeologun J. Koçi dhe autorin e disa vëllimeve Dh. Gjoka. Pas një udhëtimi të gjatë duke përshkuar gjithë gadishullin e Peloponezit, u ndalëm në një nga gishtat jugorë të krahinës së Lakonisë në qytezën bregdetare në Aeropol. Aty pyetëm se si mund të shkonim për në fshatin e quajtur Himarë. Pas dhjetë minutash filluam ti ngjiteshim një maloreje të ëmbël duke lënë djathas tabelën që shënonte rrugën për në shpellat e famëshme të Diros dhe kapërxyem në një grykë nga ku shihej deti rreth 2-3 km larg. Ndokush mendonte se kishim ngatërruar rrugë dhe na bënte me shenja drejt Diros. Por ne kishim si objekt kërkimi Himarën e Lakonisë. Pikërisht në një grykë në lartësi rreth 200 m mbi nivelin e detit për gjatë pjesës rrënëse të shpatit ishte ngritur ky fshat rreth 320 km larg nga Athina. Kishte një numur të vogël shtëpish tip kulle disa të rrënuara dhe thuajse të pabanuara. Por dalloheshin dhe disa ndërtime të reja me gurë dhe tip kulle që janë karakteristike për krahinën e Manit. Studjuesi i nohur A. Kola e lidh këtë ngjashmëri me kullat e Shqipërisë së veriut.

...Tre kilometra djathtas rrugës që të çon në Himarë ndodhen shpellat e famëshme të Diros, nga më të bukurat në botë të cilën nuk munguam ti vizitojmë pas eksplorimit tonë etnografik në Himarë. Rajoni për rreth shpellës ishte krejt i virgjër dhe shkëmbenjtë binin drejt e në det në lartësi maramendëse. Për një çast mu dha të besoj se Helena dhe Parisi ishin arratisur drejt Trojës pikërisht nga këto brigje. Në hyrje të shpellës gjendet Muzeu i Epokës së Neolitit ku janë ekspozuar gjetje interesante arkeologjike që dëshmojnë se shpella ishte e banuar rreth 5300 vite para Krishtit. Vetëm një nga këto shpella, që quhet Vrima e Dhelprës ka një sipërfaqe rreth 33400 metra katrore. Gjatë udhëtimit me varkë që merr gjithsej 8 veta përshkohet një distancë rreth 1300 m për 25 minuta mes stalaktiteve dhe stalakmiteve plot ngjyra dhe reflekse si dhe ngjalave që rrëshqasin nën varkë e ky udhëtim ngjan më shumë me një udhëtim përrallor. Mandej 400 m ecën me këmbë. Temperatura brenda shpellës është 16 gjer 20 gradë celcius, kurse ajo e ujit 12 gradë dimër e verë dhe thellësia arrin herë herë gjer në 30 m. Vetëm natyra ka ditur të krijojë të tillë bukuri!

Duke marrë përsëri rrugën e kthimit po mundohesha të rindërtoja në mendjen time eksplorimin që realizuam në Himarën e Lakonisë. Aty takuam disa nga pleqtë e pakët që ishin akoma në këtë fshat. Pyetjes sonë në se dinin ndonjë gjë lidhur me prejardhjen e banorëve të këtij fshati ju përgjigjën në mënyra të ndryshme. Dikush na tha “nuk e dimë jemi ne të ardhur nga Himara apo nga krahina jonë kanë shkuar në Himarën e Epirit”. Por e para gjë që vumë re në dialogje ishte përdorimi i tingujve dhe i shprehjeve karakteristike edhe për gjuhën greqishte që flitet në Himarë. Kështu shprehja mohuese “όχι ” shqiptohej “oshi”, lidhesa greqishte “και” shqiptohej “çe” dhe ngjashmëri të tjera që na habitën.

Një çvendosje e mundëshme e popullsisë nga një rajon i tillë kaq i largët duhet të ketë dhe përafrime toponimike ashtu siç e ka treguar historia, (psh. Arta, Nea Arta-Narta). Duke vëzhguar fshatrat përqark Himarës vihen re në hartë këto toponime të tjera të ngjashme me ato të Himarës në Epir : Dri, Driales (Drimades), Kiparisos dhe Qipula (Qeparo-Qiparo), Spilea (Diros), Kamares (Kamareza), Haliqe(Haliqe), Pirgos (Nën Pirg). Një kërkim më i gjërë mund të nxjrrë dhe të tjera toponimë që nuk janë regjistruar në hartë. Por emërtime të tilla mund të shpjegohen edhe me faktin që terene të ngjashme marrin emërtime të ngjashme për njerëz që flasin të njëjtën gjuhë sado larg qofshin ata.

Mendimet për të spjeguar këto afërsi gjuhësore po dhe zakonore janë ndarë në disa kampe. Opinioni i parë vjen nga Mustaqidhi që ka botuar një artikull ku dëshmon të dhënat gojore të disa himarjotëve të cilët kanë dëgjuar nga gjyshërit e tyre se janë me prejardhje nga Mani (N. Mustakidi. “Himara”, Imerologio “Iperitikos astir”, Athinai 1904, f.273). Këtë pikëpamje e mbështesin dhe Zotos-Molloso dhe Dh. Evangjelidhi (V.D.Zotos-Molosos. Hpeirοtikai meletai. Vëll. 4, Athinë 1878, faqe 77).

Edhe gjuhëtari danez Hoëg, duke studiuar gjuhën e himariotëve të vendosur në Korfuz pranon afërinë e të folmes së himariotëve me greqishten jugore të Manit. Por sipas tij e folmja greqishte e Himarës ka afërsi me të folmen e manjotëve të shpërngulur nga Mani dhe të vendosur në Pulje dhe që pas pas disfatës së turqve në Otranto në vitin 1480 u shpërngulën nga Pulja dhe u vendosën në Himarë. (Itali Jugore) në shek. XV (Hoëg, Athianai,, vol 36 (1925), f.291

Kurse rektori i Universitetit të Athinës (1926) M. Dede, me origjinë ng Vunoi, konsideron se vendosja e elementit grek në të dy anët e Otrantos, dmth në Pulja dhe Himarë i takon një kohe të herët duke e rrëzuar kështu tezën e linguistit danez Hoëg se maniotët “Puljanë” janë vendosur në Himarë. M. Dede thotë se: “Është më e besueshme të pranojmë se himariotët janë pasardhës të banorëve të vjetër të periudhës mesjetare bizantine, kurse tradita që flet për prejardhjen e tyre nga Mani ka rrjedhur nga ngjashmëria që këto dy krahina kanë patur në fushën e të drejtës zakonore dhe nga rezistenca e tyre e përbashkët përballë invazionit turk” ( M.Dede .Apoulia kai Himara, Gllosikai kai istorikai skesis elenikon afton plithismon ATHINAI vol.38 (1926) f 76.

Tezën e M. Dede e mbështeti historiani gjerman G. Stadtmüller (Stadtmüller, Hpeirwtika Cronika vol 9,1934, faqe155). Ai ndër të tjera shkruan në vitin 1934 se: “Ishulli gjuhësor (gllosiki nisi) i Himarës nuk është koloni, një ngulim i helenizmit Puljan i themeluar nga fundi i shek. XV, por më i vjetër. Ishulli gjuhësor- vazhdon historiani gjerman, - është më tepër i rrethuar, i bllokuar nga nënshtresa bizantine dhe është ruajtur që nga epoka kur grupi i dialekteve greko-veriperëndimore dhe jugo-greke e mbizotëruan krahinën vazhdimisht.”

Krejt ndryshe interpretohet nga K. Frashëri kjo ngjashmëri, ai nuk niset fare nga konsiderata gjuhësore por apriori arrin në përfundimin se gjuha greqishte e Himarës është importuar si rezultat i largimeve të herëpashershëm drejt ishujve përballë gjatë inkursioneve turke (“Bisedë me historianët grekë”) . Kjo tezë është e ndryshme nga shpjegimet e deritanishme zyrtare në Shqipëri që konsiderojnë se gjuha është importuar gjatë zhvillimit të marrëdhënieve tregëtare të Himarës me Korfuzin në 200 vjetëshin e fundit. Të dy pikëpamjet e sipërme janë lehtësisht të rrëzueshme, sepse marrëdhënet tregëtare të Himarës me Korfuzin nuk u zhvilluan dyqind vjetët e fundit, por gjatë gjithë historisë së egzistencës së saj tremijëvjeçare dhe njësoj i mundshëm si zhvillimi i marëdhënieve tregëtare ashtu dhe largimi drejt ishujve edhe i fshatrave që flasin si gjuhë kryesore shqipen.

Sipas A. Petridhitnë greqishten e tyre (himarjotëve –shënimi im) ka elementë (fonetikë dhe leksikë) që tregojnë për ndikim të dialektit dorik” (A.Petridi, Neoelenika dhialekta, Athinai 1871, f. 37), duke i shpurë rrënjët e të folmes greqishte deri në lashtësi. Pra siç shprehet dhe Haxhiantoniu (“Himara”, Athina, botim i vitit 2000), ka të ngjarë që kjo afëri e të folmes së Manit me Himarën i detyrohet rrënjëve të përbashkëta dorike përderisa himariotët ose kaonët janë me preardhje të largët dorike. Sidoqoftë shpjegimi i ngjashmërië gjuhësore dhe lidhjeve të mundëshme të Himarës së Lakonisë dhe e Epirit ngelet ende një problem i hapur.

No comments: