Wednesday, March 21, 2007

Hapet për emigrantet shqiptare kufiri shqiptaro-grek me rastin e pashkeve


Ministria greke e Rendit me një qarkore të saj lejon daljen edhe rikthimin në Greqi që nga dita e dielë 25 marsi deri më 25 prill të gjithë emigrantëve shqiptare që aktualisht ndodhen në Greqi pa leje qëndrimi.

Pa kaluar as një muaj nga afati i mëparshëm njëjavor per zgjedhjet e pushtetit vendor, pikëkalimet e kufirit shqiptaro-grek hapen sërish për kalimin e lirë edhe të emigrantëve pa leje qëndrimi me qëllim festimin e Pashkëve pranë familjeve te tyre. Ministria greke e Rendit me një qarkore të saj lejon daljen dhe rikthimin në Greqi që nga e diela e ardhshme 25 mars dhe për një muaj me radhe deri më 25 prill të të gjithë emigrantëve që aktualisht ndodhen ne Greqi pa leje qëndrimi. Një mundësi e tillë, që krijohet për të pestin vit me radhë, kësaj here me afat më të madh, i bën Pashkët një festë të shumëpritur për të gjithë masën e emigracionit shqiptar, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare.

Një rregullim i tillë, kësaj radhe pa takimin dhe kërkesën paraprake të autoriteteve konsullore shqiptare me ato të ministrisë greke të Rendit, sic bëhej më parë, reflekton sigurisht edhe një atmosferë më të gjerë pozitive që ekziston rreth emigracionit. Një masë e tillë lehtësuese nuk mund të mos konsiderohet si shpërblim minimal për kontributin të tij prej më se nje dekade e gjysëm, siç na thotë për Deutsche Welle Andrea Petromilo, për të theksuar njëkohësisht edhe anën humane por edhe simbolike të një gjesti të tillë.

Me një mbledhje të thjeshtë aritmetike rezulton se për katër muaj të vitit kufiri hapet për të gjithë masën e emigrantëve. Një testim por edhe një përkujtesë për të dyja qeveritë, që të miratojnë vendosjen e qarkullimit të lirë pa pritur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç ndodhi me Bullgarinë edhe Rumaninë. Me ekuilibrin e vendosur në fluksin e emigracionit shqiptar, siç u tha nga vetë ministri grek i Rendit Polidhoras, në takimin e fundit me ambasadorin shqiptar Vili Minarolli, por edhe me fillimin e procesit të dhënies së nënshtetësisë greke pjestarëve të minoritetit grek të Shqipërisë, zgjidhja definitive e qarkullimit të lirë, që do tu japë fund rregullimeve të përkohshme dhe anakronike, bëhet edhe më e afërt.

Deri atëhere edhe kësaj radhe kufirin do ta kalojnë lirisht emigrantët me leje të skaduar qëndrimi por edhe ata që kanë aplikuar për herë të parë, qoftë edhe për arësye bashkimi familjar. Mjafton të jenë të pajisur me vërtetimin me ngjyrë blu se kanë paraqitur të gjithë dokumentacionin dhe posedojnë pasaportë të paskaduar. Kujdes, veçse, të mos shkelin afatet, pra të dalin nga Greqia pas datës 25 mars dhe të rikthehen brenda datës 25 prill.

Deutsche Welle

E. Q

No comments: