Monday, April 23, 2007

DY KONCEPTIME RRETH GLOBALIZMIT PËRMES DEBATIT KADARE-QOSE

Dr. M. Gjoka

1. Ç’domethënë “pankosmiopiisi mama”

Avioni interatlatik Air Bus e la pas aeroportin Elefterios Venizello të Athinës dhe e para ngjarje interesante që vura re pas pak ishte kontradikta midis treguesit të orës sime dhe orës lokale. E ndërsa kalojmë meridianët drejt perëndimit ora lokale shënon gjithnjë e më pak në kundershtim me orën time të dorës. Lëmë pas Europën kontinetale dhe futemi në hapësirën atlantike duke përshkuar një hark me kurbature drejt ishullit të Islandës dhe pas dhjetë orësh fluturimi i afrohem Bostonit nga ku avioni merr rrugën drejt New Yorkut. Këto hollësira na i jepte harta në monitorin e montuar para çdo sediljeje si dhe një monitor qëndror. Disa mijëra metra mbi ujërat e oqeanit atlantik, përmbi re, ku termometri jashte shënon –59 grade celcius dhe shpejtësia e fluturimit rreth 950-1000 km në orë janë të mjaftueshme për ta ndjerë veten se po fluturon në një përmasë tjetër hapësire dhe kohe. Meditoja sa për rrotullimin e tokës dhe Ajnshtajnin aq dhe për gjithë atë mori popujsh dhe ujërash që po linim pas. Ndërkaq më tërhoqi vëmendjen një pyetje e një fëmije që ende nuk kishte hyrë në moshën e adoleshencës, drejtuar nënës së vet: ç’domethënë “pankosmiopiisi mama”(globalizëm). Nëna që me sa duket ishte sociologe po mundohej ti shpjegonte vajzës së vet por nga fytyra e hutuar e së bijës e kuptova që nuk arriti t’i krijonte një ide të qartë. Pas pak minutash vajza duke parë në korridorin e avionit një nënë krejt bionde me një fëmijë të vogël që kishte tiparet e një zezakeje me flokët rrodhe rrodhe dhe lëkurën krejt të zezë thirri: “mama, e kuptova, globalizëm dmth që mami është e bardhë dhe bebi i saj i zi!”. Pa dashur më shpërtheu një e qeshur që në këto orë të lodhëshme u përhap dhe tek bashkëpasagjerët e tjerë.

Avioni filloi të zvogëlonte lartesinë siç u kuptua nga një farë shurdhimi i përkohshëm për shkak të ndryshimit të presionit të ajrit dhe pas pak në sytë tanë u shpalos Nju Jorku dhe grataçielat të cilat ende na dukeshin si godina të vogla nga lartësia ku fluturonim dhe vetëm pas pak sekondash shkarazi pamë madhështinë e tyre, ndërsa aeroplani po i afrohej pistës së zbritjes.

2. Kasandra e mijëvjeçarit të tretë të erës së re

Disa ditë më pas po e përtypja me vehte gjithë atë lloj meditimi në mendjen time. Diku aty mes gratacileave ishin dhe dy kullat binjake që u rrëzuan në 11 shtator nga terroristët. Ishte pikërisht 11 shtatori i vitit 2001 kur bota filloi të mos ndjehej e sigurt as në metropolin e globit në Nju Jork. Kjo ide mu përforcua nga kontrolli i imët në doganë ku edhe ajo vajza e vogël e aeroplanit u detyrua ti hiqte këpucët nga këmbët e saj të vogla se mos fshihej në to ndonjë rrezik për Amerikën! Dhe një aparaturë tjetër veç asaj me rreze x kontrollonte në se kishte në bagazhet tona ndonjë lëndë radioaktive dhe padurimi im ishte i madh duke qenë se rrezikoja të humbja avionin tjetër për në Kaliforni ku ishte destinacioni im. Ashtu si Kasandra kishte parashikuar se kali i dhuruar nga akejtë do ti sillte fatkeqesi Trojës, një fat thënës i mijëvjeçarit të tretë, Samuel Hanigton me artikullin e tij të famshëm në botimin vjeshtor të revistes “Forign office” të 1993 dhe mandej në librin e tij “Ndeshja e qyteterimeve” e kishte parashikuar që bota perëndimore do të merrte një goditje që e kishte origjine e vet në botën islamike!11 shtatori tregoi se profecia e vet ishte e vërtetë, të paktën kështu u intepretua nga një pjesë analistësh ashtu sikurse nga një sërë të tjerësh kjo teori është quajtur e pa bazë.

Cili është Samuel Hunigton? Lindur në 1927, diplomuar Harvard në 1950 dhe bashkëthemelues i revistës Foreign Policy”, aktualisht profesor i “Shkencës së qeverisjes” në Harvard, konsulent politik i presidenteve Xhonson dhe Karter dhe konsulent me influencë në politikën afatgjatë të qeverive amerikane.

Cilat janë tezat që parashtron Hunigton në artikullin e vet që duket po aq epokal sa dhe artikulli i Kennan ne Foreign Affairs në 1947 që skicoi idenë e “Luftës së ftohtë” ?

3. Rrobat e reja të mbretit dhe klubi i Hanigtonit

Duke provuar një zbatim “matematik” të teorisë së Hanigtoni në Shqipëri, nuk është nevoja të kërkojmë shumë. Një model i tillë zbatimi gjendet nëpër faqet e përditëshme të shtypit shqiptar që kurse Kadare botoi sprovën e vet “Identiteti Europian i Shqipërisë” dhe korifeu tjetër i letrave shqipe Rr.Qosja morri vrullshëm penën për ta shkërmoqur bazën ideologjike mbi të cilin mbështetet Kadare.

Dhe përqark strubumllarit Kadare- Qose një tërësi shkrimesh pro dhe kundër, ku me motive argumentimi dhe ku të shkruara me një tifozllëk që i kalon dhe ethet e kampionatit botëror nga mënyra se si po zhvillohet. Dhe padashur bën pyetjen se në cilin klub do ta vendosësh veten, tek kadareanët (siç i quan Lubonja përkrahësit e tij) apo në klubin qoseizmi siç i quan M. Velo përkrahësit e profesor Qoses. Duke lënë mënjanë si ata që verbërisht e sulmojnë Kadarenë ashtu dhe ata që po verbërisht e mbrojnë atë me slloganet “nder i kombit”, “figura jonë e shquar”, “kandidati për nobelist” etj po përpiqem të bëj një revizion të argumentave pro dhe kundra tij.

Nuk do të desha ta vija veten në rolin e kritizerit të këtyre figurave që ngelen të shquar sido qoftë polemika që zhvillohet misi tyre, por kjo nuk besoj se pengon kërkënd të shprehë mendimet e tij me po atë naivitet të fëmijës tek përalla e Andersenit që konstatoi se “mbreti nuk kishte fare rroba të reja por ishte krejt lakuriq”.

Së pari do të më interesonte të mësoja se në cilin nga klubet e sipërme do ta vinte vetveten Samuel Hanigton po të njihej me replikat e famëshme rreth Kadare dhe Qose. Duke ndjekur vijën logjike të artikullit te tij, pasi të njihej me historinë e Shqiptarëve, Hanigtoni do të konstatojë se Shqipëria ndodhet pikërisht në atë kufirin ndarës midis dy qyteterimeve, atij perëndimor dhe atij musilman dhe jo vetëm kaq, tërësia e këtyre shqiptarëve, ka të dallushme brenda entitetit të vet të dy qytetërimet, perëndimor kristian (me dy nënqyteterimet, katolik dhe ortodoks) dhe musilman. Atij nuk do ti mbushin mëndjen argumentet e sociologut F. Tarifa që e redukton qytetërimin në doktrinë të krishterë dhe musilmane dhe që për pasojë kjo luftë doktrinash nuk ka gjasa të zhvillohet pikërisht ne Shqipëri. Po aq pa kuptim do ti duket konkluzioni që debati ka lindur sepse “Qose nuk e duron dot madhështinë e Kadaresë” planetar siç mendojnë P. Misha dhe disa të tjerë. Dhe ndonjeri, si S. Bejko e shpjegon Qosen duke sajur terma interesante si “komunistë bizantinë” (Hunigtonit do ti duhet mjaf mund për të kuptuar këta dijetarët tanë sidomos kur gjen konstatime të tilla se është bizanti ai që ka krijuar sintezën e orientit me oksidentin.Vërtet gjenden disa elemente të tillë që krijojnë këtë përshtypje, por ato janë anësore.

Thelbi i debatit lidhet me pikëpamjen e Kadaresë se identiteti i Shqipërisë është lidhur me krishtërimin, pra me Perëndimin dhe qëndrimin e Qoses, që kosideron se Shqipëria është udhëkryqi i dy kulturave, asaj të krishterë dhe asaj islamike, madje ajo islamike zë vendin më të rëndësishëm.

Koncepti i fjalës qytetërim sipas Hunigtonit përmban mjaft gjëra të lidhura me historinë, gjuhën, kulturën, traditën dhe me faktorin më të rëndësishëm, fenë. Dhe popujt e civilizimeve të ndryshme dallohen nga njeri tjetri nga marrëdheniet midis Zotit dhe njeriut, individit dhe grupit, qytetarit dhe shtetit, prindëve dhe fëmijëve, burrit dhe gruas si dhe konsiderata relative rreth të drejtës dhe përgjegjësisë. Dhe këto diferenca kanë prodhuar konfliktet më të dhunëshme në histori. E pikërisht konflikti 1300 vjecar midis qyteterimit perëndimor dhe islamik i ka kufijtë mes për mes shtylles vertebrale të truallit të shqiptarëve, ku shquan në këtë pellg shekullor gjaku si gur kilometrik i kohës periudhë- qëndresa 1450-1470 e shqiptarëve me Gjergj Kastriotin që i vunë fre qyteterimit islamik përkohësisht, ashtu siç konstaton dhe Kadare. Dhe Hunightoni “duke grumbullar” të dhëna për shqiptarët do të mësojë se para kësaj periudhe për rreth një mijwvjeçare e gjysëm kjo popullsi ishte pjesë e qyteterimit të herët dhe mesjetar europian, pra të krishterë. Hanigtoni s’do te ishte aspak dakord me ata që e kosiderojne si të importuar nga ndonjë pushtues fenë e krishterë. Kushdo që ka lexuar historinë e krishtërimit do të konstatojë se atë nuk e ka sjellë asnjë pushtues, siç na thotë analisti F. Lubonja. Ishin apostujtë, ashtu si Shën Pavllo dhe shën Asti ata që morrën përsipër barrën e përhapjes së krishterimit duke ju nënështruar terrorizimeve të romakeve që kishin forcën e legjioneve. Por pikërisht në këtë ndeshje midis musilmanizmit dhe krishterimit, që nuk u bë aspak në mënyrë paqësore në trojet me shqiptarë, siç pretendojne disa analistë, ndodhi fatalja për masën më të madhe të shqiptarëve, ata u “infektuan” nga qytetërimi musilman duke u bërë mbartës dhe shërbyes të perandorisë turke në skajin e saj të largët në Ballkan dhe jo vetëm.

Fund i pjesës së parë (Tribuna, d.t 13-04-2007)

No comments: