Friday, April 27, 2007

“HAPJA" E SEZONIT TË RI TURISTIK NË HIMARË

Tiranë, Kiço Vasili

Për buon connaisseur-ët (njohësit me gusto), Jali është një nga gjiret më joshëse të Jonit. Nuk besoj se ka ndonjë të tillë në bregdetin Adriatik të Shqipërisë. Por edhe kur sjell ndër mënd shumë nga gjiret e Jonit - Dhërmiun, Alevran, Gjipenë, Livadhin, Bunecin, etj.etj. - Jali është i veçantë. Pa mohuar aspak bukurinë e të tjerëve. Nuk është aq i madh sa Porto Palermo, apo i mbledhur si Gjipeja, i ekpozuar ndaj kalimtarëve si Llamani, me lumin që i shkon përmes si Buneci. Sido që te jetë, pamja e tij është “addictive”, pra do ta shohësh prapë.

Por jo më. Jali nuk është më i tillë. Atë që e krijoi natyra dhe e zbukuroi puna shumë-vjeçare e himariotëve u dhunua javën e tretë të Prillit të viti 2007, që do të ngelet në historinë e Himarës si Java e zezë, për turpin e atyre e atyre që e bënë, përfshi vesh-pëshpëshpëritasit, urdhër-dhënësit dhe jo më pak urdhër-zbatuesit. Jali është tashmë një i sëmurë që është plagosur nga ziliqarët, urdhërmarrësit, të paditurit, bajlozët, xhahilët dhe sejmenët e shumtë që nuk i kanë munguar kurrë kësaj toke.

Të shtunën në datë 21 prill 2007 pa gdhirë mirë u nisa dhe kalova Vunoin. Ndërsa makina zbriste ngadalë nëpër rrrugën që ndalet nga ajo kombëtare për në Jal, e ndërtuar që shumë kohë përpara dhe e pa vënë dorë nga askush, mendoja skenat që vetëm disa televizorë kishin transmetuar. Prishja e ndërtimit është e vështirë edhe kur e bën e zoti i punës, jo më kur ta bën dikush tjetër dhunë. Mendoja edhe se si do të ishte hoteli-restorant i Petraq Balës, ku shkela për herë të parë në 1998. Kisha njohur në televizor, ndërsa ndiqnim të shqetësuar , mamanë e Sofisë së vogël që u miqësua me vajzën time, të dyja moshatare, që po qante dhe vajtonte.

Më kishin thënë se askush nuk ishte lejuar të shkonte në Jal. Policia kish ndaluar tërë mjetet dhe lëvizjet javës së shkuar. Ndaj kisha kujdes. Por rruga qe e lirë, dhe me ngadalë përmes gropave kalova fushën me ulli të Vunoit dhe morra shpatin perëndimor që të çon për Jal. Qe ende muzg dhe nuk duhej qartë, por bukuria ishte atje, me detin e qetë, ajrin e freskët dhe aromën e maleve të Himarës.

Për ata që nuk kanë ndonjëherë në Jal, duhet thënë se ai nuk shihet nga rruga kombëtare. Vetëm pasi kalon rreth 2 km, atëhere, mund të shohësh gjirin. Por siç thashë qe muzg dhe nuk shihej gjë ende. Rruga gjarpëruese që të çon atje qe ende.

Kalova lerën e ndërtuar dhe morra një foto, pasi mu duk interesante, ndonëse drita nuk qe optimale. Por ngjyrat e shumëllojshme luleve dhe pema në sfond sikur më joshi. Dhe vazhdova rrugën deri sa dola në në kthesën nga shihet tërë Jali. Dhe .....

Pamjet e shfaqura në fotot e botuara ne www.himara.eu flasin vetë. Shtëpia të shkatërruara në mes të një bukurie mahnitëse. Madhështia natyrore e gjirit qe shëmtuar nga mbeturinat e shkatërimit njerëzor. Godina të gjymtuara dhe përçudnuara nga ndërhyrja e e policisë shtriheshin në tërë pjesën lindore të gjirit. Mbase arkitektët dhe urbanistët mund të kenë të drejtë të gjykojnë mbi atë që kishin qenë ish-ndërtimet, por ajo që të kapte syri tani ishte pa dyshim jo vetëm jo e pëlqyeshme, e zymtë, por edhe makabre. Të dukej sikur shihje një fushë lufte apo pandemi. Mbase edhe ata që kanë parë Austerlicin apo Vaterlonë kanë patur para syve të tyre një pamje të ngjajshme, por në përmasa më të mëdha.

Poshtë nuk kishte shenja lëvizje. Qe ende herët dhe dielli në Himarë del vonë. Pa dyshim, lodhja dhe stresi i kaluar nga njerëzit po çfaqej. Dhe befas mendova sikur të isha në vëndin e tyre. Mendova se është tepër e trishtë të shohësh shtëpinë, apo pronën tënde të shkatërruar në atë mënyrë. Por matanë kësaj është dhunimi kolektiv që i bëhet tërë banorëve të Vunoit dhe tërë Himarës. Është arroganca e këtij dhunimi që të revolton dhe që të bën të mendohesh thellë. Ç’ndodh në mëndjen e atyre njerezve që japin urdhëra të tilla që shkatërrojnë jetën e të tjerëvë pa brengën më të vogël? Nuk mund të shohin veç mëndjes së tyre? Vallë kaq keq kish dëmtuar Jali imazhin turistik apo shtetin ligjor të Shqipërisë sa të mos kursehet asgjë???? Dhe mbi të tëra a nuk mund të bëhej ndryshe edhe nëse banorët kishin “shkelur ligjin’, që e kanë shkelur me këmbë mbi 200.000 familje shqiptare që presin të legalizohen nga ALUIZNI, sipas të dhënave zyrtare?? Apo nuk mund të pritej sa të mbaronte ky sezon turistik??? Kaq maraz kish ky shtet me këtë vënd?? Dhe atëhere e kuptova pse ka dalë kuja me të cilën vajtojnë nënat himariote, kur duan të zbrasin jashtë pikëllimin që i mbart shpirti kur sheh mynxyra të tilla.

Ndërsa makina kaloi përroin e vogël malor, u këmbeva me një makinë të vogël të kuqe të vjetër që po e ngiste një djalë i vogël i cili më hapi krahun, për të më lejuar kalimin. Sapo zbrita në fushën e Jalit syri më kapi vetëm shkatërrime. Rruga u thellua papritur kur u futa në onën e rërës- siç duket nga pesha e rëndë e makinave që kishin zbarkuar për të kryer shkatërrimet. Në krahun e majtë të rrugës, një ndërtesë dykatëshe e sapo ndërtuar ishte bërë rrafsh dhe hekurat e saj kishin dalë jashtë si zorrë metalike. Parkova në një vënd, dhe dola nga makina, pasi qendrova disa minuta brënda në makinë me motorin ndezur për të mbledhur veten.

Nga një shtëpi doli një burrë, që pasi më pa, u afrua të më përshëndeste. Ishte Paskal Bala, i zoti i një hoteli-restorant tashmë të kthyer në gërmadha. Më tregoi ngadalë si kish ndodhur duke ndalur shpesh tregimin. “Më kanë lënë vetëm një dhomë ku të fle” më tha duke treguar gërmadhat e asaj që kish qenë bukë-dhënësja e familjes së tij. Mua më erdhi turp që nuk mund ta ngushëlloja më shumë. Por nga ana tjetër a duhej ta ngushëlloja???

Paskali fliste ngadalë i lodhur, megjithëse qe mengjes – i lodhur nga stresi i kësaj jave raskapitëse. E mbase me tepër nga mendimet raskapitëse që vinë nga halli që i kish rënë në kokë. Por mendimet i kish të qarta. “Kisha leje që nga 2001. Policia e ndërtimit më solli letrën dy ditë më parë. Nuk bëri fajde, as paraqitja e letrave. Policët më thoshin grekët e m..... Një ditë pasi nisi aksioni i policisë u takuam me policinë dhe Vasilin (Bollanon) dhe deputetin (Spiro Peçi) që na qëndroi pranë gjatë kësaj kohë. U ra dakord që të prisheshin vetën ato që qenë në rërë. Nnuk kishim as më të voglin kundërshtim. Por na hëngrën në besë. Bisedimet qenë vetëm për të futur makinerinë. Dhe e nisën nga unë. Shihe si është bërë!! Ç’do të bëhet tani me ne?? Kjo do të mbahet mënd në histori.”

Paskali u largua për të larë sytë dhe unë ngadalë eca në atë pjesë që kish qenë hoteli i tij. Vetëm një mace më pa me kurreshtje tek u fut nëpër gërmadhat nga delnin telat që kishin mbetur jashtë si heshta. Macja më pa me mosbesim sikur do të më thoshte “po ti nga ata je”. Më pas u zhduk nëpër rrënojat.

Ngadalë dola anash restorantit. Pashë fshatin turistik “Gerbi”, i cili kish paketuar materialet, kabinat me çatinë e prishur. Një djalë doli doli fërkuar sytë dhe shkoi për të ndezur makinën. Më pa dhe mu duk sikur po mendonte “neve na digjet mjekra, ndërsa ju merrni fotografi’. Morra foto edhe dhomën që i kishin lënë Paskalit. Sende ishin rrëmujë andej këtej, nga bimët e mbjella dikur me aq kujdes dikur (vetëm tre ditë më parë) kishin ngelur vetëm dy palma, të mbjellat e reja ishin shkelur (ja thashë me vete si duhet të jetë kalimi i ushtrive armike) dhe vetëm një nga shqiponjat që zbukuronin gardhin që rrethonte tre ditë më parë qëndronte ende në këmbë.

Ndërsa merrja fotografitë dhe u rrotullova rreth grumbulllit të gërmadhave, dielli kish nisur të dalë. Mu duk sikur dëgjova zhurma dhe kisha të drejtë. Gjashtë vetë ishin mbledhur pranë makinës time dhe po biseduar, midis tyre edhe një grua. Paskali qe atje pasi i kish hedhur një dorë ujë syve. U drejtova drejt tyre me një ndruajtje, pasi më shkoi ndër mënd se mund të ishin bezdisur.

Nuk qe kështu. Ata kishin nevojë për ngushëllim. Ai shkatërrim që sillte vaj donte njerëz që të mund të ngushëllonin. Mundi i derdhur për shumë vjet, djersa e mbledhur qelb nga puna në atdhe apo në mërgim, e shkatërruar tashmë kërkonte miq. Dhe mu duk se i’u plotësua kjo dëshirë kur u thashë se isha Himariot. Dhe u hapën dhe folën duke nxjerrë tërë marazin dhe pezmin që sa vinte dhe shtohej, ndërsa flisnin me radhë.

Bashkimi foli më tepër se të tjerët, ndërsa Paskali, Andon Koka, Miço Dhimogjini dhe Arjan Halili rrini pranë. Kishte ndërtuar tre banesa dhe në tokën e tij. Nisi te shpjegonte, “Fillimisht fshati i bllokoi forcat e policisë. Duke parë këtë,u bë një takim midis drejtorit të policisë, deputetit të zonës dhe kryetarit të bashkisë ku u ra dakord që do të shëmbeshin vetëm ndertesat në rërë. Edhe ne qemë dakord pasi në rërë ishin vetëm baraka të vogla. Por ne hëngrën në besë. Pasi i hap rruga, tanksi (kështu ishte për të makineria çekiç) iu fut Paskalit dhe e kthyen me rrotat përpjetë. Pastaj i’u kthyen seleniciotit. Pastaj i ranë Neço Dhimogjikës, vazhdoi më tutje times dhe të tjerëve. Për të shëmbur një ndërtesë, hyri përmes pronës së një bashkëfshatari, pa marrë leje, dhe më pas shkatërroi”.

“ Nuk mund të them gjë për Bollanon dhe deputetin. Qenë këtu dhe na kanë qëndruar afër. Bënë punën që duhet të bënin. Dhe ne jemi me ta, le të thonë ç’të duan. Kjo është një gjë që na ndodhi dhe nuk e kthejmë dot pas, por nuk do të lemë kusur për të gjetur të drejtën tonë ».

Unë dëgjoja dhe doja ti pyesja nëse ishin njoftuar dhe nëse kishin leje ndërtimi. Pyetjes së parë, iu përgjigjën se disa kishin marrë njoftim dy ditë më parë. « Mos mendo kishte rëndësi njoftimi. Mua më kish ardhur vetëm për njërën nga ndërtesat. Nëndrejtori i policisë ndërtimore (nuk ja mbaj mënd emrin, por qe nga Dukati) u kërkoi inspektorëve që të priste fletën në vënd. Ata, sidoqoftë, nuk pranuan duke thënë se nuk ta bënin këtë pasi qe në kundërshtim me ligjin. U treguan burra. Sa për dukatasin, turp. E sa për lejet, Paskali e ka marrë në 2001, unë e kam marrë që në 1996, ... Zahoja (Andoni që rrinte i ulur pa folur në një gur i mërzitur) e ka shtëpinë ekzistuese”.

Duhej të flisja edhe unë. E ç’thoja dikujt që nuk ka se ku të flejë pasi ka punuar për 15 vjet duke mbledhur lekët në mërgim dhe që shkatërrohet për një gjysëm orë. Heshta.

Burrat flisnin pa u ngutur. “Nuk na duan neve. Nuk arrijnë të kuptojnë pse i kemi votuar kundra. Ende nuk e dinë se Himariotët janë kundra arrogancës dhe dhunës”. U mundova që ti kundërshtoj duke thënë se mbase nuk është kjo. Por ata qenë të bindur. Dhe të qetë. “Se ç’kanë me ne. Nuk është ligji motivi. Nuk na duan sepse votuam si deshëm ne. Jo si donin ata. Duan tu dalë patjetër e tyrja. Por nuk do të mbarojë këtu. Ne do të shkojmë në gjyq dhe do të paraqesim letrat që kemi. Edhe deputeti këtë na këshilloi. Askush nuk mund ta kalojë aq lehtë të qarat e fëmijët tanë dhe djersën tonë”.

Dikush i thirri duke me lehtësuar. Do të qe e vështirë të largohesha kur nuk kisha fjalë për të ngushëlluar para asaj të ndodhi. Dhe morra rugën e kthimit. Dielli kish dalë dhe malet qenë larë me dritën e tij. Dhe mendoja për atë që kisha parë dhe atë që kish ndodhur tek këta njerëz. Ata që kishin ardhur u kishin prishur atë që kishin bërë, por jo atë që do të mund të bëjnë. Kishin ardhur me zëmërimin e madh kundër “grekërve” pa e ditur se Vunoi nuk flet greqisht duke i bashkuar sërisht Himariotët kundër vandalizmit dhe dhunës së pallogjikshme.

Por në mendje më ngeli fraza e Paskal Balës kur e takova në mëngjes herët. Pasi më tha “Vunoin e dogji gjermani tre herë, por ama muret ja la .. për ti prishur këta”.

Tiranë, Kiço Vasili

No comments: