Monday, April 23, 2007

Jala u prish për t’u ndërtuar një fshat i ri turistik


Njerëz pranë kryeministrit kontrollojnë projektin shumëmiliardësh të rindërtimit dhe zhvillimit të bregdetit të Jugut
(Gazeta Albania, 21-04-07)

Shaban Sulçe
Prishja e ndërtimeve pa leje në Jalë nuk është e rastësishme. Mbi rrënojat e objekteve të shkatërruara katër ditë më parë do të investohen miliona euro të firmave të huaja. Gjithçka lidhet me projektin ambicioz të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore. Projekti i quajtur “Bregdeti i Jugut” përfshin hartimin, planin rregullues të tw gjithë bregdetit jugor të vendit tonë. Pala shqiptare përfaqësohet në nivelin e saj më të lartë nga dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili mbulon detyrën e drejtorit për palën tonë në projektin e përbashkët me Bankën Botërore. Projekti që përfshin hartimin e planit urbanistik të bregdetit krijon gjithashtu hapësira për ngritjen dhe ndërtimin e disa fshatrave turistike, investimi për vlerat e të cilave kapin shifra miliona euro. Pikërisht për të investuar në këtë drejtim, duket se janë të interesuara kompani amerikane dhe franceze, por për emrat, kapitalin dhe projektet e tyre janë në dijeni vetëm një numër shumë i kufizuar njerëzish. Burime shumë të sigurta për gazetën “Albania” pohojnë se informacioni “top-sekret” për backgraundin dhe kapitalin e këtyre firmave qarkullon vetëm midis njerëzve të ngushtë të kryeministrit Berisha, ku përfshihen dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, vajza, Argita Berisha, ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, si dhe sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, Marin Biçoku. Edhe pse plani urbanistik i Bankës Botërore për bregdetin jugor nuk ka përfunduar ende, duket se tashmë janë piketuar vendet, ku do të investohet fuqishëm në sektorin e turizmit nga këto kompani të huaja.
Plani
Ekziston një plan ambicioz për ta transformuar pjesën më të madhe të bregdetit jugor në një zonë tejet të zhvilluar për turizmin, gjë e cila do të sillte përfitime të shumta për vendin tonë dhe ekonominë e tij. Por fakti që informacioni për të dhënat e këtyre firmave mbahet sekret, ose më saktë posedohet nga njerëz të afërt të Berishës, lë hapësira për dyshime aferash dhe favoresh klienteliste, ndërkohë që dyshimet shtohen edhe më shumë po të merret parasysh faktin që në krye të palës shqiptare për negocimin e projektit është dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi. Prishja e ndërtimeve në Jalë është vetëm maja e ajsbergut, pasi shumë shpejt në të gjithë territorin e bregdetit jugor shqiptar do të nisë një shkatërrim në masë të këtyre objekteve. Të paktën një gjë e tillë parashikohet edhe në planin urbanistik të BB-së, ku gjithashtu është projektuar edhe ndërtimi i fshatrave turistike. Zëvendësimi i ndërtimeve shqiptare me ato të huaja është pranuar edhe nga ministri i transporteve, Lulëzim Basha, i cili në një intervistë për gazetën “Albania” ka pohuar se ”objektet që u prishën do të zëvendësohen me ndërtime të tjera”.
Aksioni në Jalë
Çështja e prishjes së ndërtimeve pa leje në bregdetin jugor tërhoqi vëmendjen e medias dhe opinionit publik gjatë kësaj jave, pas aksionit të Policisë Ndërtimore të Vlorës dhe Drejtorisë së Përgjithshme në Tiranë. Ky aksion ka nisur katër ditë më parë dhe në të ishte planifikuar prishja e rreth 60 objekteve që shtriheshin në zonën bregdetare të Himarës. Ai ka nisur fillimisht në fshatin Jalë, aty ku është planifikuar edhe ngritja në një të ardhme të afërt të një fshati turistik. Në ditën e parë të këtij aksioni, sipas burimeve zyrtare, u prishën 15 objekte pa leje dhe 3 shtëpi banimi, përfshirë këtu edhe hotele luksoze, ndërkohë që gjatë ditëve të afërme është parashikuar prishja edhe e 36 ndërtimeve të tjera pa leje. Aksioni u shoqërua me indinjatën dhe protestën e banorëve të kësaj zone, një pjesë e mirë e të cilëve dispononin dokumente dhe akte pronësie për objektet e prishura. Kundër këtij aksioni të Ndërtimorëve reagoi edhe pushteti lokal në Himarë, të cilët kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të tij, ndërsa deklaruan se një pjesë e mirë e këtyre objekteve janë në proces legalizimi. Prishja e objekteve të para në bregdetin jugor u shoqërua nga një tension i lartë, por edhe mobilizim i forcave policore, por për fat të mirë nuk u shënuan incidente të rënda.


21 Prill 2007

No comments: