Monday, April 23, 2007

Legalizohen vilat e fshatrave turistike

Modeli i grabitjes se himares gjendet tek vilat e fshatrave turistike

21/04/2007 - 07:58 (gazeta shqiptare)

Genc Kondi
Hapet drita jeshile për legalizimin e vilave, që tashmë janë blerë nga individë privatë e që ndodhen në territore, për të cilat ishte dhënë më parë liçenca e fshatit turistik. Pronarët e tyre do të kenë shansin të kryejnë blerjen e tokës me çmim tregu e, më pas, këto banesa mund të hipotekohen. Ka qenë vetë kryeministri Berisha, i cili ka bërë të ditur dje, gjatë punimeve të konferencës kombëtare me temë “Refoma rregullatore për përmirësimin e klimës së biznesit, detyrim dhe angazhim madhor i qeverisë shqiptare”, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, se qeveria po përgatit një projektligj të ri për zonat e bregdetit. Me qëllim, pikërisht, një legalizim të ri, këtë herë, për ndërtimet pa leje në zona të caktuara të bregdetit. Gjatë këtij aktiviteti, atij iu bë pyetja, nga një kompani që merret me aktivitete turistike, në se parashikohet të normalizohet situatë në zonën bregdetare të Golemit, ku 22 subjekte kanë kryer ndërtime për fshatra turistike, por ndërtesat kanë ndryshuar destinacion. Në këtë formë, ato nuk mund të legalizohen, tha përfaqësuesi i saj.
Sipas Berishës, tashmë qeveria ndodhet përballë një fakti të kryer. Shumë ndërtesa, të ngritura gjatë viteve nga kompani të liçencuara për të ndërtuar fshatra turistikë, kanë kaluar në pronësi të individëve privatë e tanimë përdoren vetëm si vila për fundjavë. Duke e ndryshuar tërësisht destinacionin fillestar të zonave të tëra, ku dallon ajo Rrashbull-Golem-Karpen.
Pas dy vjetësh studim të këtij fenomeni, qeveria Berisha është tërhequr, duke pranuar se e vetmja zgjidhje duket se është ajo e legalizimit.
Deklaratat
Me këtë deklarim, Berisha duket se ka ngritur duart përballë asaj, që ai, dy vjet më parë, e ka cilësuar si “ekonomi kriminale”. Në një nga mbledhjet e KRRTRSH të vitit 2005, ai ka thënë se “Golemi është dëshmia më flagrante e dominimit të krimit mbi ligjin, të mafies mbi shtetin. Por, duhet të kemi durim, sepse të jeni të sigurt që kjo qeveri nuk ka ndërmend të pajtohet me fakte të kryera. Jemi të vendosur t’i qëndrojmë ligjit, jemi të vendosur të mos përdorim të njëjtin standard për legalizimin në zonat turistike. Ata që kanë para, të cilët duan t’i derdhin sa më shpejt ku të munden, pasi nuk dinë ku t’i fusin, shkojnë dhe bëjnë batërdinë e Golemit, Sarandës, Ksamilit dhe me rradhë. Unë mendoj se këta njerëz i kanë hesapet shumë të gabuara dhe po kryejnë një krim të shëmtuar. Ata po korruptojnë sot një polic ndërtimor, segmente të pushtetit, por ligjin nuk mund ta korruptojnë. Nuk do të mundin”.
Kryeministri Berisha kishte deklarua, me atë rast, se “duhet të marrin të gjitha penalitetet ata që kryen këtë krim të shëmtuar në Golem”.
Ata, të cilët marrin përsipër për të zhvilluar turizmin dhe, në emër të zhvillimit, e shkatërrojnë turizmin, do të përballen me ligjin, jo vetëm në Golem, por në të gjitha zonat. Në të kundërt, nuk mund të ketë zhvillim, por vetëm kaos, një sulm të tërbuar kundër territorit. Ne nuk mund të pranojmë ekonominë kriminale, tha ai.

No comments: