Monday, April 23, 2007

Lukovë, banorët bllokojnë fadromat

23/04/2007 - 09:38 (gazeta shqiptare)


Himare – Rreth 70 banorë të komunës së Lukovës, por dhe nga Himara, kanë bllokuar për dy orë mjetet e Policisë Ndërtimore, mbrëmjen e së shtunës. Nisur nga informacionet e marra se fadromat do të shembnin lokalet e hotelet e tyre që kanë ngritur në këtë zonë, ata kanë zënë pritë në rrugë, rreth orës 19.00. Në momentin që fadromat e ndërtimorëve po lëviznin nga Jala për t’u parkuar në Himarë, protestuesit u kanë ndërprerë rrugën. Të trembur për fatin e banesave të tyre, banorët nuk kanë lejuar mjetet që të shkonin në destinacionin e caktuar. Ndërkohë, drejtues të Policisë Ndërtimore në Qarkun e Vlorës sapo janë njoftuar për situatën e krijuar kanë shpejtuar të shkojnë në vendngjarje. Me të mbërritur në aksin rrugor ku ishin bllokuar fadromat, ndërtimorët kanë filluar të negociojnë me banorët. Vetëm pas më shumë se dy orë bisedimesh, përfaqësues të Policisë Ndërtimore kanë bindur protestuesit që të hapnin rrugën. “Sapo ka përfunduar aksioni në Jalë dhe mjetet tona do të parkohen në një pikë të qytetit të Himarës. Sonte nuk do të shembet asnjë objekt”, - u kanë thënë ndërtimorët banorëve të irrituar. Këta të fundit pasi janë qetësuar, janë kthyer tek banesat e tyre. Ndërsa mjetet që kishin mbaruar prishjen e ndërtimeve të paligjshme në Gjirin e Jalës, janë parkuar në një pikë të portit të qytetit të Himarës. Por burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë Ndërtimore në Qarkun e Vlorës, bëjnë me dije se pas shembjes së 45 ndërtimeve në Jalë, aksioni do të rinisë mëngjesin e së hënës. Po të njëjtat burime, sqarojnë se sot në ora 7.30, fadromat do të nisin punën për prishjen e 25 objekteve pa leje në fshatrat Bunec dhe Borsh të komunës së Lukovës. Burime jo zyrtare pohojnë se do të shemben objekte të ndryshme dhe në Himarë, por nuk përjashtohet as zona e Zvërnecit në Vlorë.

No comments: