Monday, April 23, 2007

Kakomeja, Berisha ndryshoi qëndrim

(Albania-2104-07)


Një nga çështjet që mbolli më shumë polemika dhe u bë shkaktare për një debat të gjerë publik përsa i përket bregdetit jugor, ka qenë edhe ndërtimi i fshatit turistik në zonën e Kakomesë në rrethin e Sarandës. Qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano, në vitin 2004 miratoi dhënien e lejes për kompaninë franceze “Clube Mediterane” për ngritjen e një fshati turistik në këtë zonë. Por ky vendim i qeverisë së atëhershme ndeshi në pakënaqësinë e banorëve të kësaj zone, të cilët ishin edhe pronarët e ligjshëm të tokave në Kakome. Marrja e këtij vendimi dhe nisja e punimeve në Kakome u shoqërua me konflikte, protesta dhe incidente të shumta midis strukturave shtetërore dhe banorëve të zonës. Madje kjo çështje mori edhe ngjyrime politike, kur ish-lideri i opozitës së atëhershme dhe kryeministri aktual, Sali Berisha do të akuzonte Fatos Nanon se me anë të këtij projekti po pastronte paratë e veta. “Po vjedhin tokën e banorëve të zonës për të pastruar paratë e Fatos Nanos”, ishte deklarata e Berishës, pas së cilës, filloi me një debat dhe protesta të mëdha në zonë, kundër Club Med. Jo vetëm kaq, por ish-lideri i opozitës kërkoi edhe një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, duke kërkuar sqarime nga qeveria për hedhjen poshtë të këtij projekti. Pas protestave të banorëve të Kakomesë, që nisën në shkurt të vitit të kaluar, ku dhjetëra veta bllokuan rrugën dhe madje u konfrontuan dhe me policinë, për të mos lejuar punimet për ndërtimin e fshatit turistik, me kërkesë të opozitës së atëhershme u zhvillua një seancë dëgjimore. Në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese u dëgjuan pretendimet e banorëve, të cilët u shprehën se Kakomeja ishte pronë e tyre dhe u ishte njohur atyre mbi bazën e kadastrës. Pas ardhjes së tij në pushtet, Berisha ndryshoi komplet të gjitha qëndrimin e tij për këtë çështje. Kryeministri aktual e mbështeti këtë projekt, ndërkohë që një vit më parë me anë të ish-ministrit të tij Bujar Leskaj kërkoi rinisjen e punimeve nga kompania franceze “Club Mediterane” në Kakome.

21 Prill 2007

No comments: