Është i vetmi kryetar bashkie, që sulmohet nga të gjithë, përvec popullit të vet që e ka zgjedhur. Sulmohet nga të gjithë dhe nga gjithcka, që me Himarën nuk ka asnjë lidhje. Mezi presin të flasë, dhe akoma pa u ragrupuar mirë fjalët e tij në një fjali, komentohet si shkelës i kushtetutës. Dikush propozon shkarkimin e tij prej presidentit, dikush tjetër prej kryeministrit duke lënë të kuptojnë se kjo është dicka që bëhet, që kushtetuta e përmban një veprim të tillë. Më e bukura është se askush prej këtyre nuk është votues i Bollonos, madje askush prej tyre nuk është Himariot. Gjithnjë më lindin pyetjet: “I kanë kushtuar vallë kaq kohë sa i kushtojnë Bollanos, kryebashkiakut te tyre, kushdo qoftë ai? I kanë bërë ndonjëherë ndonjë vërejtje personit për të cilin kanë votuar, apo në bashkitë e tyre gjithcka shkon në rregull?”.
E lemë per një moment mënjanë arsyen për të cilën kërkojnë shkarkimin e tij. Le të lëmë mënjanë edhe kushtetueshmërinë e një veprimi të tillë. Lemë mënjanë edhe etikën e ulët dhe diktatoriale që mund të përcjell nje gest i tillë, ku një person i zgjedhur me votë nga populli i tij, shkarkohet me vendim(dhunë) nga persona të tretë. Atëherë, nese gjithcka qënka kaq e thjeshtë dhe kaq e kushtetueshme, a është normale që një propozim i tillë nuk vjen nga komuniteti që ka dhënë votën, po nga persona që jo vetem nuk janë Himariotë, po nga mënyra se si flasin dhe nga tonet arkaike turkoshane që përdorin, është e pamundur të dinë dhe not? Në se nga njeriu popull, nga ai fjala e të cilit vlen vetëm një votë, nuk vjen asnjë ankesë(si nga shumica që votuan pro ashtu edhe nga pakica që votoi kundra), po përkundrazi ka mbështetje, si mund të dalin persona të tjerë te kërkojnë një gjë të tillë? Apo komuniteti, populli direkt i interesuar është rrota e fundit e karros? Pa vënë në dyshim vërtetësinë e frazës së fundit, mendoj se arsyeja e vërtetë e një kundërvënie të tillë të pallogjikshme dhe amorale, duhet kërkuar tjetërkund.
Le te kthehemi tek faktorët që pak më lart i anashkaluam.
Arsyeja, ose më saktë, shkaku i radhës për gam-gamin e fundit, ishte prononcimi i Bollanos në një emision televiziv, ku u shpreh si gjithnjë në mbrojtje të të drejtave dhe kërkesave të komunitetit grek ne Shqipëri, komunitet që ai e perfaqëson në dy pozicione, si nën-kryetar i organizatës Omonia dhe si kryetar i bashkisë së Himarës. Ishte ky një prononcim as më pak dhe as më shumë i ndryshëm nga të gjitha prononcimet e mëparëshme të Bollanos. Pra i pozicionuar si gjithnjë në bindjet dhe të drejtat që ai mbron dhe çon përpara në emër të komunitetit që përfaqëson me ftohtesine dhe shqipen e tij tejet të pastër, që shumë bashkiakë dhe politikanë shqiptarë duhet ti zërë turpi kur hapin gojën. Rjedhimisht nuk pati asnjë reagim nga komuniteti dhe as që pritej të kishte, pasi ai komunitet, mund të ketë vërrejte të ndryshme për ti drejtuar bashkiakut të vet për sa i përket strategjive të zhvillimit, dhe kjo për arsye që mund të jenë nga më të ndryshmet si personale ashtu edhe për bindje të mirëfillta profesionale e social-kulturore, po kursesi nuk është dhe nuk ka për të qenë kundra lirive dhe të drejtave të tij, pasi është popull që të drejtat e veta, i ka pasur gjithnjë të shkruara si në pllaka bronzi ashtu edhe në letër, të bardhë mbi të zezë dhe është marëzi të mendohet se nuk i dimë apo i kemi harruar.
Nuk pamë të kishte reagime nga asnjë zonë e Vorio-Epirit, asnjë “revoltë”, asnjë mospëlqim apo çudi, as nga komunitetet jo-greke të Vorio-Epirit, madje nuk u dukën as ata flamur-djegësit në stil arabo-marsian të Sarandës. Të vetmet zëra ishin ato të përhershmet, kori i famshem “Godo-Lsi-Brokaj-parlamentarë anonimë”. Vinin gishtin tek paralelizmi i paqëndrueshëm Kosovë-VorioEpir.
Besoj se të gjithë e kemi vënë re se sa panik krijon tek shqiptarët kur flitet për fakte të tilla, nje panik i pashpjegueshëm. Eksperiencat shumë pozitive të shteteve federale, si ato europiane (Zvicra dhe Austria) ashtu edhe ajo Amerikane, janë ende si një fik deti në dorën e një malësori per mentalitetin shqiptar, që e kupton se është një frut i mirë, po nuk ka idenë se si haet.
Përveç këtij paniku te shkaktuar nga injoranca dhe prapambetja, që është një nga arsyet e reagimeve të tilla, mendoj se disa shtresa të shoqërisë shqiptare, kanë dhe frikën e parhapjes së fenomenit Bollano edhe në ato zona ku mbizotëron injoranca, prapambetja, skamja dhe ku kryetari i bashkisë është pak më shumë se analfabet dhe pak më pak se me tetëvjecare. Po të përhapet në gjithë Shqiperinë, sindroma e kryetarit Bollano, që i thotë të zezës e zezë dhe të bardhës e bardhë, që mbron të drejtat humane dhe të pronësisë së qytetarëve të vetë nga grabitjet politike dhe të më të fortit, atëhërë do ta kishin shumë të vështirë këto shtresa të vazhdonin të pinin gjak mbi gangrenën që i kanë krijuar popullit të tyre. Edhe kjo mund të renditet si arsye mjaft e fortë, për të shpjeguar gjithë këtë histeri që derdhet mbi cdo frazë te Bollanos. Unë e kam thënë shumë herë që Himariotët e kanë marë në dorë vetë fatin e tyre dhe sado veshtirësi dhe shkopinj nëpër rrota që ti fusin të tjerët, nuk e ndalin dot ecjen tonë përpara. Kush është mik i Himarës, duhet vetëm të na respëktojë dhe jo të na gjykojë. Kush tregohet i tillë, do fitojë bashkë më ne. Gjithë të tjerët duhet ta dinë se ne do fitojmë dhe ata do humbasin. Të gjithë ata Shqiptarë që e duan vëndin e tyre dhe duan ecjen përpara të tij, duhet të ndjekin me shpirt parullën “Një Bollano për çdo bashki!”.
Edvin Qirici
No comments:
Post a Comment