Wednesday, October 10, 2007

“Berisha po na grabit tokën tonë”

09/10/2007 - 09:00 (Gazeta Shqiptare)
Enrik Mehmeti

VLORE -Rikthehen sërish protestat në Himarë për një sipërfaqe toke, të cilën protestuesit pretendojnë se po ua marrin pa të drejtë. Duke kërcënuar “për mbrojtje me gjak të pronës së tyre”, protestuesit në Himarë kanë hedhur akuza edhe mbi familjen kryeministrore Berishë, “si e implikuar në këtë çështje”.
“Bijtë e Himarës që nuk falin mikun, si vallë mund të lënë gjallë armikun?” Kjo thënie e huazuar nga Bajroni, në kohën që ka kaluar në Shqipëri, ka qenë parulla kryesore si dhe fjalia që ka çelur protestën e qindra qytetarëve në qendër të Himarës, e cila u organizua prej banorëve që preken nga vendimi i gjykatave të Vlorës. Togat e zeza, sipas tyre, i kanë njohur pronësinë e 840 hektarëve Anastas Canit, që e trashëgon këtë sipërfaqe nga gjyshi i tij, Mihal Cani. Banorët e Himarës kanë protestuar për të dytën herë radhazi brenda muajit, në lidhje me çështjen e pronave. Kanë qenë më shumë se 200 banorë, të cilët me tone të ashpra kanë hedhur parulla kundër këtij vendimi, si dhe nëse do të preken tokat e tyre, ato do t’i mbronin me gjak. Të ardhur në mbrojtje të protestuesve himarjotë kanë qenë dhe banorë që nuk preken, por sipas tyre, protesta është drejtë. Ndryshe nga hera e parë, tonet e banorëve këtë herë kanë qenë më të ashpra. Gjithashtu janë hedhur dhe dyshime të një implikimi të mundshëm të familjes së Kryeministrit në këtë çështje.
Ka qenë një prej intelektualeve të qytetit të Himarës, e cila ka deklaruar se sipas të dhënave që ajo dispononte, “babai i dhëndrit të Berishës ka qenë përgjegjës në zyrën e pronave që përfshinte këtë zonë, ndërsa i biri i tij, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është përgjegjës aktualisht për zhvillimin e zonës. Nga ana tjetër, pronari që i ka dalë zonës në fjalë, është doganier”. Banorja ka hedhur dyshime në interesa të familjes Berisha me këtë çështje.
Ndërmjet parullave që mbaheshin në duar prej protestuesve lexohej, “Turizmin e ngremë vetë”, “Mafia, larg duart nga tokat tona”. Në radhën e banorëve ka pasur dhe nga ata, të cilët kanë deklaruar se himarjotët nuk janë vetëm këta që shihen këtu (në protestë), por janë shumë më shumë, dhe nëse qeveria do të vendosë duart mbi tokat e tyre, ata do të bëjnë thirrje që të gjithë himarjotët kudo që janë, të kthehen dhe të mbrojnë tokat e tyre, po qe nevoja dhe me gjak. Gjithashtu, ata kanë deklaruar se, “qeveria duhet të hetojë mirë të vërtetën për këtë çështje dhe jo të mbajë anën e saj, duke i bërë dhe gjërat fshehurazi banorëve, të cilët janë pronarët e vërtetë të 840 hektarëve të pretenduar si të zotët e zonës”.

No comments: