Wednesday, October 24, 2007

Bregdeti, shpronësimet pengojnë projektin

Ky artikull është i publikuar me po këtë titull në "gazetën shqiptare". Duke u përpjekur të lë menjanë cinizmin e qëllimshëm që përmban titulli, pyetjet që më lindin janë vetëm dy; "A e kanë idenë këta gazetarë, që arsyeja e vetme që pengon jo vetëm këtë projekt, po gjithë zhvillimin e Himarës është "mungesa e pronësimit" dhe jo shpronësimi? Si mund të shpronësohet dikush kur nuk është pronësuar akoma?"


VLORE -Një ekip i Bankës Botërore, i cili po harton draftin për planin turistik të bregdetit, ka mbërritur dje në Himarë dhe është takuar me përfaqësuesit vendorë. Projekti financohet dhe është iniciativë e BB-së dhe synon një plan urbanistik për gjithë bregdetin e Jugut, ku do të përfshihen rehabilitim rrugësh, ujësjellës, kanalizime, madje edhe një aeroport për Sarandën. Projekti i cili diskutohet prej dy vitesh, pritet të jetë gati në muajin dhjetor, pas turit që po bëjnë përfaqësues të Bankës Botërore në zonat konkrete ku do të implementohet. Momentalisht, projekti është në fazën e diskutimit. Do të merren parasysh edhe opsionet që do të jepen nga autoritetet lokale të zonave përkatëse, të cilat organizojnë takime me grupin e angazhuar pikërisht në këtë zbatim që nga pala shqiptare ka koordinator dhëndrin e Kryeministrit të vendit, Jamarbër Malltezi.

INSPEKTIMI Ekipi i Bankës Botërore gjatë gjithë javës do të qëndrojë në Himarë, për të parë dhe opsionet që do të jepen nga përfaqësuesit e Bashkisë së Himarës për zonën. Përfaqësuesi i ekipit që po harton draftin, Michael Bramman tha se projekti ka si qëllim bërjen atraktive të zonës, rregullimin e saj me qëllim që të jetë një burim të ardhurash për vendin dhe pikë strategjike e turizmit. Po sipas tij, projekti parashikon edhe ruajtjen e vlerave kulturore të zonës. PROBLEMET “Unë jam në dijeni të çështjeve të pronësisë, apo të pronarëve të ndryshëm të tokës, por neve nuk na është kërkuar të bëjmë vlerësim për këtë çështje. Mendoj se ka shumë mënyra praktike për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Në rast se këto probleme të pronësisë nuk zgjidhen, pavarësisht sa i mirë mund të jetë plani, do të jetë shumë e vështirë që ai të realizohet dhe të funksionojë siç duhet”, - tha përfaqësuesi i BB-së. Sipas tij, një tjetër problem është edhe ai i ndërtimeve pa leje në zonë. “Këtu nuk futen vetëm ndërtime që s’kanë leje, por edhe ato ndërtime që kanë marrë leje aty ku nuk duhet të lëshoheshin leje ndërtimi”, - tha ai. Më pas, Bramman tha se duhet të ketë rregullave strikte që këto ndërtime të mos lejohen më.

“Nuk jemi ne ata që vendosim çfarë duhet apo jo të prishet nga këto ndërtime. Me sa di unë, janë me qindra ndërtime ilegale të kryera në këtë zonë. Unë nuk i rekomandoj qeverisë të hedhë përtokë të gjitha këto ndërtime, por jam për ato ndërtime që dëmtojnë imazhin e panoramën e zonës. Qeveria duhet të fokusohet në të ardhmen, që të vendosen rregulla fikse që këto ndërtime të mos vazhdojnë”, - tha më pas përfaqësuesi i BB-së. KOSTOJA Në lidhje me këtë projekt madhor, nuk është bërë e ditur ende një faturë financiare.

“Varet nga çfarë kostoje do të marrim në konsideratë, pasi ky projekt zhvillimi i zonës së Jugut parashikon edhe vepra infrastrukturore, pasi janë disa pika që parashikon projekti, si rikonstruksion rrugësh, kanalizime, ujësjellës, aeroportin në Sarandë etj, dhe pikërisht duke parë ecurinë e projektit, do të përcaktohet edhe një kosto”, - tha Bramman. “Ne momentalisht bëjmë rekomandime, por do të propozojmë çmime të ulta, dhe më pas, me ecurinë e projektit do të rishihen kostot dhe fatura financiare”. Ndërsa kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano e ka cilësuar si pozitiv projektin. Por, ai ka kritikuar disa vonesa të Bankës Botërore, të cilat kanë të bëjnë me implementimin e 7 projekteve në rehabilitimin e infrastrukturës së zonës. Ai gjithashtu ka theksuar se duhet patjetër të zgjidhet problemi i pronësisë në zonën e Himarës.

(Gazeta Shqiptare)

No comments: