Wednesday, October 17, 2007

"Digjni vilat e politikanëve të korruptuar…"

Ja modeli qe propozon M. Nano per tipa si patrioti i "shquar " Anastas Cani qe ka gllaberuar 860 hektare toke ne bregdetin e Himares ku nuk ka pasur asnjehere latifondiste te ketij tipi

"Digjni vilat e politikanëve të korruptuar…"


Elona Demollari
13-10-2007 (Shekulli)















Mustafa Nano

"Vetgjyqësi popullore për të larguar cubat nga politika"

Mustafa Nano rikthehet në Shekulli këtë rradhë në "ligjëratë të drejtë". Aq të drejtë sa nuk lë vend për keqkuptime. Gazetari dhe publicisti i njohur, këtë herë është më "rebel" se kurrë, thuajse në kufijtë e anarkisë, duke u bërë në fakt zëdhënësi i një revolte të fortë anti-politikë që ndoshta miëra shqiptarë të tjerë e ndjejnë t'u ziejë përbrenda, por nuk e shfaqin. Ka që s'munden. Ka që s'duan. Ka që s'dinë.. E megjithatë është koha e duhur. Dhe vendi i duhur. Për të bërë një thirrje që pak shqiptarë kanë guxuar ta bëjnë: "Një pjesë e kësaj klase politike e meriton të bëhet pre e një vetgjyqësie të madhe popullore.."

Disa ditë më parë në një fjalë përshëndetëse për ndërrimin e drejtuesve të Lëvizjes MJAFT, thatë disa gjëra jo fort të zakonshme.. Po ju citoj "Digjini shtëpitë e politikanëve të korruptuar…", "Digjini makinat luksoze të politikanëve..", "Qëllojini me gurë makinat "RSH" kur kalojnë me të kuqe në semafor…", "Prejini telat me të cilët ata marrin energji elektrike ekstra në shtëpitë e tyre ndërkohë që ne të tjerët marrim racionin e përditshëm…". Janë korrekte citimet?

Po, janë pak a shumë korrekte, veçse janë të shkëputura nga (kon)teksti. Fjala ime në aktivitetin e "Mjaft"it ishte më tepër një britmë metaforike, se sa një apel mobilizimi për aksione konkrete në stilin guerrilas. Megjithëse, t'ju them të drejtën nuk do të më vinte keq (përkundrazi, do të më bëhej qejfi), po të dëgjoja se militantët e Mjaftit kanë qëlluar me gurë makinat "RSH", kur këto të fundit nuk respektojnë dritat e kuqe të semaforëve në kryqëzime rrugësh, apo se ata kanë prerë telat, me anë të të cilëve pallatet e kryeministrave e të ministrave furnizohen 24 orë non stop me energji elektrike.

Kjo arrogancë e pafytyrësi e dinjitarëve shqiptarë, të cilët kanë drita gjithë kohën mú në pikun e krizës energjitike, të cilët kanë makina super të shtrenjta mú në pikun e mjerimit e të varfërisë, të cilët rrethohen nga roje trupi pafund, a thua se gjithë terroristët ndërkombëtarë po planifikojnë t'u marrin jetën xhuvelëve të politikës shqiptare, të cilët s'kanë turp e flasin kundër korrupsionit, teksa të gjithë e dinë që ata vetë janë të zhytur në korrupsion, kjo arrogancë e kjo pafytyrësi pra vjen prej mendësish banditësh e cubash. E me banditë e me cuba të këtij lloji, nuk do të ishte mëkat që metafora ime të mos merrej dhe aq si një metaforë.

A mund të konsiderohen anarkiste mendime të tilla?

Anarkiste? Jo, nuk besoj. Këto mund të quhen qasje jo legale. Po punë e madhe. A mos vallë këta vetë janë legalë? Këta vjedhin çdo gjë; vjedhin pasuri e prona publike, vjedhin pushtetin, vjedhin postet (me që ra fjala, edhe kryetari i shtetit e ka vjedhur atë post. Ai procesi i ndyrë i votimit, nëpërmjet të cilit u zgjodh Presidenti i Republikës, p.sh. nuk ishte gjë tjetër, veçse një vjedhje e postit), vjedhin ligjet, vjedhin institucionet, vjedhin shpresën tonë, të tashmen e të ardhshmen. E sikur të mos mjaftojë kjo, kanë paturpësinë edhe të na kapardisen e të marrin poza arrogante. Ndoshta ka ardhur vërtet koha, që këta njerëz të kapur me thonj pas pushtetit e pas parasë, të përballen njimend me një turmë të madhe shqiptarësh të zemëruar e të revoltuar, të cilët nuk ka pse të tremben prej formave jo legale të protestës. Një pjesë e kësaj klase politike e meriton të bëhet pre e një vetgjyqësie të madhe popullore. Ky quhet revolucion? Po, mund ta quajmë dhe revolucion. Banditët e cubat nuk mund të ikin ndryshe nga skena e historisë, të cilën e kanë uzurpuar. Është tamam kështu. E kanë uzurpuar.

Meqënëse përmendët Presidentin, çfarë mendoni saktësisht për të?

Ua thashë. Ai votim i pistë, nga i cili doli fitues Presidenti, është një njollë e zezë në jetën e parlamentit e të Presidentit. Ky i fundit ka në dorë të na bëjë ta harrojmë njëfarësoji atë ngjarje të turpshme, por me ç'duken bathët, kjo s'ka gjasa të ndodhë. Zoti Topi do të jetë në postin e Presidentit ai që ka qënë në postin e funksionarit të partisë demokratike, dmth vegël e sejmen i zotit Berisha. Kam frikë pra, se ne do të jemi pa President në pesë vitet e ardhshme. Kur them "pa President", kam parasysh një President të prerjes e të formatit kushtetues, dmth simbol i unitetit kombëtar. Do ta vajtojmë gjatë Alfred Moisun.

Jam e bindur që shumë qytetarë ju aprovojnë për ato që thatë më sipër, por njëkohësisht po këta qytetarë as që do lëvizin gishtin.. Pse kjo sjellje, pse kjo apati sipas jush në një vend ku votojnë përherë e më pak qytetarë dhe ku tendenca për emigrim është akoma rruga e vetme që shqiptarët gjejnë për ndryshimin e dëshiruar…?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje nuk kam fuqi të jem original. E dini cili është mëkati basilar i shqiptarëve? Shqiptarët nuk dinë të protestojnë në mbrojtje të së mirës publike apo të përgjithshme. Shqiptarët dinë të protestojnë veç në mbrojtje të së mirës së tyre individuale. Thënë me fjalë të tjera, ne nuk e bëjmë qejfin qeder as për të mirën e përbashkët, as për vështirësi që na takojnë që të gjithëve; ne dimë të merakosemi veç kur na marrin diçka nga xhepi ynë. Në këtë rast, edhe mund të vrasim dikë, edhe mund të vihemi nën komandën e çdo bande gangsterësh për të bërë tutje. Viti i turpshëm e i mbrapshtë 1997 është ilustrimi më i mirë i gjithë kësaj: Shqiptarët u çuan vetëm se humbën paratë e tyre. Nëse regjimi i gangsterit Berisha nuk do të ishte aq budalla, sa të toleronte kompanitë piramidale, ne do të ishim sot duke celebruar vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të pandërprerë të tij. Ironia është se Shqipëria sot ka në krye prapë atë gangster, i cili – kjo po që është ironi e shkuar ironisë – po tenton të ribotojë pikë për pikë regjimin e vitit 1992-1997. Pse ka ndodhur kjo? Ka ndodhur ngaqë – këtu po përpiqem të sintetizoj atë që thashë më sipër – ne shqiptarët jemi një popull me shpirt mercenaresk. Shtoji kësaj dhe natyrën tonë tribale, shtoji dhe injorancën, shtoji dhe varfërinë, dhe gjithçka bëhet e kuptueshme. Bëhen të kuptueshme ato frazat lapërdhare, që kanë dalë tradicionalisht nga gojë shqiptarësh: "ky vend është i mallkuar", ose "ky vend nuk bëhet". Bëhet i kuptueshëm edhe fakti, që pikërisht në këtë situatë, kur njerëzit nuk dalin për të protestuar kundër mizerjes ku jetojnë, gjenden megjithatë njerëz, të cilët s'e kanë për gjë të ndalojnë në rrugë gazetarë si puna ime, e t'u drejtohen me fjalët: hë mor zagar, çfarë dreqin ke me doktorin? Zagari merret vesh që jam unë. E dini kush është doktori? Doktori është një nga personazhet më turpshme të historisë së këtij vendi. Quhet Sali Berisha.

Pra si do të mund të shpëtojmë nga politikanët e këqinj…?

S'ka asnjë recetë në këtë mes. Siç lashë të kuptohet pak më sipër, nuk është çështje politikanësh të këqinj. Është çështje e një prapambetjeje strukturore të të gjithë shoqërisë, e cila në këte stad të zhvillimit të vet nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të prodhojë politikanë të këqinj. Në këto rrethana, ose duhet të presim emancipimin e ngadaltë, tmerrësisht të ngadaltë, të shoqërisë, ose duhet të organizojmë atë revoltën kolektive, për të cilën fola në fillim. Mirëpo kjo puna e revoltës (quajeni revolucion, po të doni) është një "shpresë" më e largët akoma. Në kundërshtim me ç'mund të mendohet, "revolucionet" nuk janë punë për popuj të mjerë e të prapambetur. Ne s'jemi të prerë e të gatshëm për të bërë revolucione; ne jemi të prerë e të gatshëm për të bërë surrogato të shpifura të revolucionit, të llojit të revoltave të vitit 1997. Më mirë nën hyqmin e këtyre politikanëve të këqinj, se sa me "revolucione" të tilla.

E pastaj, edhe nëse do të binim dakord që në këtë vend mund të gjenden nja pesë mijë vetë, të cilëve s'u ka ngordhur nervi i qytetarit (unë bie dakord me këtë gjë), problemi është se nuk ka asnjë leader e asnjë grupim politik që mund t'i inspirojë ata e që mund të përfaqësojë kauzën e tyre. Por fajin për këtë nuk duhet ta kërkojmë tek ndonjë factor divin; përkundrazi, duhet ta kërkojmë edhe tek këta pesë mijë vetë.

Siç shihet, për pyetjen tuaj, nuk kam asnjë përgjigje që mund t'ua ngrohë zemrën.

Si vëzhgues i përditshëm i politikës, verini një notë maxhorancës dhe opozitës..

Ç'notë mund të pritet pas atyre që thashë? Dhe duhet thënë këtu, se ato që thashë nuk i kam vetëm për maxhorancën. Shikoni, realitetet politike e kombëtare janë shumë koherente. Dua të them se, përsa kohë kemi një maxhorancë politike si kjo që kemi, opozita nuk mund të jetë kushedi se çfarë e ndryshme. Më tej, përsa kohë kemi një klasë politike si kjo që kemi, është e kotë të presësh të kemi një mass-media të ndryshme, një sistem arsimor të ndryshëm, një sistem shëndetësor të ndryshëm, e kështu me radhë. Në themel të të gjithave është shoqëria jonë e prapambetur. Konkluzion i kollajtë? Po, është i kollajtë. Aq i kollajtë, sa mund të nxirret edhe nga një mendje fare e thjeshtë dhe e papërpunuar. Por ja, që kjo është e vërteta.

Keni kontakte me shumë lexues ?

Jo, nuk kam. Edhe nuk di si t'i vendos këto kontakte, edhe nuk jam i sigurtë nëse më lipsen. Të vetmet kontakte janë ato me lexues që më ndalojnë në rrugë, më përgëzojnë apo më shajnë. Mirëpo e kam të vështirë që këto dy nënkategori t'i klasifikoj tek kategoria e madhe e opinionit publik. Lexuesit e vërtetë, të cilët përbëjnë tharmin e opinionit public, nuk duhen kërkuar as ndër ata që vetëm përgëzojnë, as ndër ata që vetëm shajnë. Lexuesit e vërtetë janë ata që dinë të kenë një qasje kritike mbi çfarë shohin e mbi çfarë lexojnë. Dhe këtë qasje mund ta kenë ata që kanë në radhë të parë njohje të gjërave, në radhë të dytë ndjeshmëri civile e civike. Këta të fundit më duken shumë të paktë. Ose bën vaki që janë më të shumtë, se sa unë i përfytyroj, por për një arsye apo për një tjetër janë të pazëshëm e nuk bëhen të gjallë. E duke qënë të pazëshëm, ajo ndjeshmëria civile e civike u duhet vënë në diskutim.

PER MEDIAN

"Në TV kam zgjedhur të bëj një emision jo të lodhshëm…"

Ju drejtoni një emision televiziv vetë. Ju duket edhe juve që televizionet në Shqipëri kanë shumë talk show, emisione opinionistikë, ku flitet e flitet, ku është e vështirë të ndash faktin nga subjektivizmi dhe demagogjia.. E ndërkohë ka fare pak "dritare" për emisione ku të serviren fakte, investigime, punë e mirëfilltë gazetareske… ?

Po, është e vërtetë, edhe ky programi im është thjesht një talk show. Por dua ta diferencoj nga të tjerët. Nuk është e thënë, që të gjithë programet e klasifikuar si "talk show" të kenë për synim depërtimin thellë në zemër të problemeve të mëdha të vendit, gjë që mund të bëhet (siç thoni ju) me fakte të dokumentuara, investigime, etj, etj. Është e mira që këtë synim të fundit ta kenë ato studio, ku zhvillohen debate midis palëve politike, e ato programe që transmetohen në "prime time". Unë kam zgjedhur të bëj një gjë të ndryshme, "të lehtë, jo të lodhshme e jo shumë pretencioze", e për këtë arsye e kam fshehur "déjà vu"-në time pas orës 23.00 të ditës së premte.

MIQTE


"Më lodh pafuqia për të ndryshuar realitetin e kallkanosur"

Keni më shume miq apo armiq?

Për mua, koncepti "mik" është më i vagullt e më i paqartë se sa koncepti "armik". Në këtë kuptim, as që e kam idenë nëse kam miq, por jam i sigurtë amá që kam armiq me bollëk. Ngushëllohem me faktin, që shumicën e armiqve, dmth të atyre që s'më shohin dot me sy e që donin që unë të mos kisha lindur, nuk i njoh fare.

Një ditë e zakonshme?

Zgjohem, bëj gjërat routine, ngrysem, dhe ia fus gjumit me shpresën tek Zoti se do të zgjohem sërish.

Një ditë e jashtëzakonshme?

E ç'është një ditë e jashtëzakonshme? Dita, kur ndonjërit prej nesh "i qëllon"të vihet në kontakt me Atë atje lart? Mua s'më ka qëlluar ende një gjë e tillë.

Një gjë përballë së cilës ndiheni i pafuqishëm?

Kjo "gjë" në veçanti është njeriu. Në përgjithësi janë misteret e botës. Më saktë, të botëve. Edhe të botës me emrin "Shqipëri".

Çfarë ju lodh më shumë?

Pafuqia e pamundësia për të ndryshuar realitetin e kallkanosur ku po jetoj prej qindra vitesh.

Raporti me

"Hera e parë që bëj një deklaratë dashurie për prindërit…"

Tiranën…?

Kur jam në Tiranë, më nxihet jeta. Kur jam jashtë Tirane, mezi pres të kthehem.

PRINDERIT?

Sjellja ime me ta është gënjeshtare. Dua të them se në dukje jam i ftohtë me ta e i larguar prej tyre, por në të vërtetë nuk është kështu. Dhe kështu, me këtë frazën e fundit, është hera e parë që bëj një deklaratë "dashurie" për ta.

Gazetat…?

Të përditshmet shqiptare i lexoj çdo mëngjes, por se ç'ndjej kur zbuloj se 4-5 sosh nuk më mbeten në duar më shumë se 30 minuta.

Televizionin…?

Shoh televizion vazhdimisht. Por vetëm mbrëmjeve amá. Shoh filma, shoh sport, ndjek talk-show. Siç mund të merret me mend, nuk jam një ndjekës pasiv i programeve televizive. Kam një sy shumë kritik edhe ndaj programeve të huaja.

Paranë…?

Më pëlqen t'i kem, por nuk kam. E megjithatë, paradoksalisht nuk kam as ndonjë vuajtje, që nuk i kam, as ndonjë tundim për t'i patur me çdo kusht.

Pijen…?

S'është për mua. Edhe dy gota verë më trazojnë. Kjo s'do të thotë se unë asnjëherë nuk pi dy gota verë.

Duhanin..?...

Pi cigare në mënyrë kafshërore. Veçse kam një zakon: cigaret i pi gjithëherën përgjysmë.

No comments: