Thursday, November 08, 2007

Emigracioni nën hijen e krimit

Plator Nesturi*


Një krim i shëmtuar mund të cënojë rëndë edhe marrëdhëniet midis dy vendeve. Kështu ndodhi ditë të shkuara në Itali ku vrasja e një gruaje nga shtetas rumunë me motiv grabitjen, solli shpërthimin e vale protestash të vendasve kundër krimit në përgjithësi dhe kryesisht atij me origjinë nga emigracioni. Në një vend të qytetëruar si Italia nuk munguan dhe rastet e ksenofobisë, parrulla që shkonin deri në racizëm dhe në rrugë pati madje edhe përleshje nga grupe të rinjsh italianë me rumunë që janë vendosur në gadishullin apenin në kërkim të një jete të re. Acarimi i situatës në rrugët e qyteteve italiane u përcoll dhe në aulat e politikës ku nuk munguan zërat për një fushatë spastrimi të emigrantëve. Në rastin konkret, për vetë freskinë e ngjarjes makabre të ndodhur, zemërata u drejtua nga emigracioni rumun në Itali. U përfol madje për një operacion në shkallë të gjerë për kthimin në masë të shtetasve rumunë në drejtim të vendit tyre, aq sa kjo nismë e mbetur në tentativë krijoi përplasje dhe fërkime midis dy shteteve, të cilat pavarësisht nivelit të tyre të zhvillimit ekonomik, i përkasin një familjeje me të drejta të barabarta.

Rumania, e cila së bashku me shtetin tjetër ballkanas, Bullgarinë, janë pas 1 janarit 2008, anëtarë me të drejta të plota të Bashkimit Europian, nuk do të jetë ndier mirë që në fillim të rrugëtimit të saj europian, të vihet përpara sfidës së poshtërimit të qytetarëve të saj të cilët për shkak të nivelit të lartë të krimit, mund të restriktohen duke u përzënë në masë nga vende të tjera anëtare të BE-së. Kryeministri rumun nxitoi ti shkruajë letër kryeministrit Prodi që qeveria e tij të mos veprojë me masat e “përzënies në masë” dhe menjëheru u drejtua drejt Romës për një takim me homologun e tij. Takimi i Prodit me Tariceanu ishte dje në qendër të vëmendjes dhe kjo shpjegonte dhe trysninë që ushtrohej nga opinioni puiblik dhe politika e secilit vend mbi dy kryeministrat të cilët ditën të mos iu shmangen përgjegjësive të tyre. Kryeministri italian e siguroi Tariceanun se qeveria e tij nuk ka ndërmend të ndërmarrë “ekspulsione në masë”, por “do të adoptojë masa koherente dhe jo të improvizuara për sigurimin e qytetarëve, përveç masave për përfshirjen sociale”. Pas këtij takimi, të dy kryeministrat, i drejtuan një letër të përbashkët Barrosos ku i kërkojnë që Europa të bëjë më tepër për sigurimin dhe emigracionin. Por deri sa kjo letër t’i shkojë në dorë Barrosos dhe më pas ai të ndërmarrë ndonjë nismë për këto çështje, Italia mund të mos e ndalë dorën të nisë një përzënie “jo në masë” të emigrantëve të paintegruar, qofshin këta rumunë apo ekstrakomunitarë.

Kjo mund të quhet kronika e përmbledhur e konfliktit të parë ndërqeveritar midis dy vendeve të BE-së që ka për bazë jo më normat e prodhimit të verës apo vajit të ullirit, as koefiçentët e prodhimeve industrialë në tregjet europiane, por që ka të bëjë me emigracionin e brendshëm. Në fakt, nëse Rumania më 1 janar llogaritet si shtet anëtar i BE-së, shtetasit e saj të shpërndarë në këtë treg të madh pune nuk duhet të quhen emigrantë, por qytetarë europianë me të drejta të plota. Sidoqoftë kjo nuk e pengon aspak Italinë të marrë masa ( ndonëse jo përzënie në masë), ndaj shtetasve të një vendi tjetër europian të cilët nuk arrijnë të integrohen në shoqërinë e vendit.

Nëse e përthyejmë sipas prizmit të oponionit shqiptar dhe interesave të tij, problemi më alarmant që shtrohet pas kësaj ngjarjeje është se çfarë mund të ndodhë me emigracionin e ardhur nga shtete që nuk janë pjesë e bashkësisë europiane. Kur kjo gjë i ndodh Rumanisë, anëtare në BE, me kushte dhe standarte të vlerësuara më lartë sesa vendi ynë, atëherë c’mund të presin qytetarët shqiptarë në emigracion kur shteti i tyre mezi ka kaluar provimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe raportet e fundit të Komisionit Europian e përjashtojnë mundësinë që në vitin 2009 Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për në BE? Nuk mund të mendohet se emigracioni shqiptar, mund të gjejë zgjidhje nga shtetarët e vet kur ata nuk po mundin të zbusin problemet e brendshme e të rregullojnë imazhin e shkalafitur të vendit. Nuk mund të presin gjë nga vendi i tyre kur në raportin e komisionit Europian, Shqipëria sërish merr nota pakaluese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe kur ky imazh për shqiptarët vlen në vendin e tyre ku ka shtet, polici dhe gjykata vendase, merret me mend se sa i pambrojtur ndihet shtetasi ynë në emigracion. Nga kjo çfarë ndodhi me emigrantët me kombësi rumune, nuk mund të thuhet se emigracioni ynë është imun. Ka patur edhe ndër shqiptarë raste të krimit absurd siç ishte ai i tre të droguarve që kishin vrarë një çift italian disa muaj më parë. Natyrshëm akte të tilla nuk mund t’i venë damkën një komuniteti të gjerë që përpiqet të ndërtojë të ardhmen me punë të ndershme dhe duke u integruar në jetën sociale të vendit mikpritës. Por sensibiliteti që krijojnë ngjarje të tilla si dhe shfrytëzimi i tyre nga forca të ndryshme për interesa politike, padyshim do të sjellë incidente si midis komuniteteve ashtu edhe shteteve. Atëherë si mund t’u vij në ndihmë shteti dhe qeveria shqiptare, emigrantëve tanë jashtë për të përballuar situata të tilla. Natyrisht Kryeministri Berisha ( nëse do të ndodhte, larg qoftë, nesër një problem i ngjashëm me Italinë psh.), nuk mund të shkonte aq shpejt në Romë sa homologu i tij rumun Tariceanu për të takuar Prodin. Kjo sepse Shqipëria nuk është as vend anëtar dhe as kandidat për në BE dhe vështirë se mund ti akordohej një takim i shpejtë, ashtu siç nuk pritej që masat ndaj emigrantëve të mos mbuloheshin as nga etiketa e mirësjelljes. Qeveria shqiptare nuk mund të zbusë këto masa ndaj emigrantëve tanë as nëse përdor ndonjë mjet presioni, si bie fjala ndonjë tender privatizimi apo dhënie koncesioni, pasi ekonomia jonë e varfër është e ndërvarur tërësisht nga jashtë dhe nga fraktura në marrëdhëniet shtetërore me vendet e BE-së, e humbur del padyshim Shqipëria.

E vetmja ndihmë që qeveria mund ti japë emigracionit tonë jashtë, është të punojë për fuqizimin e ekonomisë së vendit, të luftojë korrupsionin dhe të demokratizojë me tëj shoqërinë. Por kjo nuk mund të arrihet ndërsa klasa jonë politike, e cila është e gatshme të firmosë gjithshka në Bruksel por pa vullnet për t’i zbatuar detyrimet e saj, vijon të mendojë se ashtu siç gënjen shqiptarët mund t’ua hedhë edhe partnerëve europianë me tullumbacet demagogjike. Me këtë lloj papërgjegjshmërie, problemet në këtë vend vetëm mund të shtohen. Pasi përveç krizës së thellë ekonomike dhe energjitike, rritjes së çmimeve, inflacionit, papunësisë dhe mungesës së perspektivës, një incident që mund të pjellë krizë në marrëdhëniet e emigracionit shqiptar në një vend fqinj, mund të shkaktojë një krizë të re sociale e të eksportuar që në tenxheren me presion të problemeve shqiptare, mund të çojë drejt pikës së vlimit.


* z Plator Nesturi, me origjine nga Palasa, ka nje kualifikim te gjere pasuniversitar ne fushen e gazetarise dhe diplomacise dhe nje karriere korresponduese ne keto dy fusha.
Aktualisht eshte analist dhe konsulent prane te perditeshmeve Shqip, Shekulli, Gazeta shqiptare, Tirana observer, ABC dhe revistave KLAN dhe MAPO


2 comments:

Anonymous said...
This comment has been removed by a blog administrator.
Anonymous said...

komenti i fshire ishte vendosur gabisht ne kete artikull, ate do te gjeni ne artikullin "Filosofia ...

akroqeravnos