Sunday, February 10, 2008

Ku janë gardianët e të drejtave të njeriut


Plator Nesturi "nesturi plator" [platornesturi@hotmail.com]

Dikur, në fillim të viteve ’90, ndërsa shoqëria jonë po bënte hapat e parë drejt demokracisë, shqiptarët ishin së tepërmi të vëmendshëm ndaj çdo norme dhe risie të koncepteve perëndimore që po niste të adaptohej. Nëse ju kujtohet ajo kohë, po aq të rëndësishme sa aktivitetet dhe qëndrimet e opozitës së re demokratike, ishin dhe deklaratat e Komitetit të Drejtave të Njeriut që denonconte shkeljet e lirisë qytetare. Të gjitha këto merreshin seriozisht duke gjykuar se për ta “bërë Shqipërinë si Europa”, me të njëjtin seriozitet duhen trajtuar si vendosja e sistemit pluralist ashtu edhe të drejtat e njeriut në një shoqëri të hapur. Ishte koha e idealizmit porse dhe rasti më i përshtatshëm për të inkorporuar në mentalitetin e ndrydhur postkomunist, normat tashmë të ngulitura nëpërmjet një procesi të gjatë të shoqërive demokratike perëndimore. Njëkohësisht besohej se përqafimi i këtyre vlerave, do të çlironte energjitë e shqiptarëve, do i bënte më të mirë, të lirë dhe më vitalë për të hyrë denjësisht në realitetet moderne si pjesë e familjes europiane.

Tashmë kanë kaluar 17 vjet nga ajo periudhë. Termin “monizëm”, 20 vjeçarët e sotëm nuk arrijnë ta kuptojnë, duke menduar se demokratët e socialistët kanë qenë jetë e mot duke alternuar njëri tjetrin në pushtet. Gjithësesi ata e ndjejnë se nuk janë të njëjtë me bashkëmoshatarët e tyre të këtij kontinenti. Të drejtat që gëzojnë, të prindërve apo të fqinjit pranë, kurrsesi nuk mund të barazohen me të drejtat e një qytetari europian. Madje edhe emigranti në këto vende, ka të garantuara më shumë të drejta se në shtetin e tij.

Është e tepërt të thuash se vendosja e sistemit pluralist ka garantuar respektimin e të drejtave të njeriut. Në Shqipëri sot, ende klasa jonë politike po imponohet prej ndërkombëtarëve për të vendosur një shtet ligjor dhe jo më të pretendohet se të drejtat qytetare janë të respektuara nga ky shtet. Problemi qëndron se ku janë gardianët që duhet të garantojnë këto të drejta duke denoncuar dhunimet? A ka vërtet të tillë dhe nëse ka çfarë peshe zë fjala e tyre në këtë tranzicion pafund drejt demokracisë? Me një shtet ende të pakonturuar, ku reformat kanë qenë gjysmake e të deformuara derisa priten të kryhen të tjera për t’i vënë gjërat në vend, edhe të drejtat e shtetasve kanë qenë të gjymtuara. Që nga liria e votës dhe deri tek e drejta e jetës, janë argumenta pa fund që institucionet apo organizmat shqiptarë që merren me të drejtat e njeriut apo me liritë qytetare, të mbushin kapituj të trashë çdo fund viti. Ndoshta këto kapituj edhe mbushen por sa peshë zënë këto denoncime shkeljesh për të ndikuar në ndërgjegjësimin e opinionit publik në mënyrë që të krijohet një barrierë ndaj tyre? Humbja e e zërit denoncues të filialeve shqiptare të respektimit të të drejtave, duke e lënë këtë në dorë të vullnetit politik të pushtetit, i bën bashkëfajtorë dhe kontribues që shoqëria shqiptare të mbetet e deformuar.

Cfarë nuk shkon dhe pse shqiptarëve u mungon avokatia për mbrojtjen e të drejtave të tyre? Më së shumti shtesatit e këtij vendi i mësojnë të rejat në mënyrë të renditur se ku u mohohen liritë e të drejtat e tyre, vetëm nga raportet e organazatave të huaja. Jo se në Shqipëri nuk ka të tilla. Komiteti i Helsinkit natyrisht ekziston por shqiptarët ia kanë harruar emrin prej kohësh. I vetmi rifreskim kujtese, ishte deklarata e tyre për ndërhyrjen e shtetit në institucionin e Akademisë. Lëvizja Mjaft, e cila pati aq popullaritet fillimisht në denoncimin e shumë fenomeneve shqetësuese të jetës, e ka ulur ndjeshëm kurbën e aktivitetit. E njëjta gjë mund të thuhet për komitetin e Mbrojtjes së Qytetarit, çka i nxjerr disi zbuluar këto lëvizje nëse do të gjykosh se intensiteti i aktiviteteve të tyre ndikohet nga frymëzimet politike dhe kur misioni quhet i mbyllur, zëri protestues shkon për konvaleshencë. Ekziston gjithashtu edhe Zyra e Avokatit të Popullit porse detyra e tij është specifikisht e kornizuar nga ligji përkatës.

Në këto kushte shtetasit shqiptarë janë pa asnjë avokat mbrojtës në rast të dhunimit të drejtave të tyre nga segmentet e pushtetit. Madje ca më keq nëse mendohet se organizmat egzistues të së drejtës janë akaparuar prej politikës. Kjo ka sjellur që kredencialet e tyre të jenë të ulëta dhe opinioni publik të jetë mosbesues ndaj tyre. Si ka mundësi të mos ketë reagim kur një foshnjë 2 muajshe vdes nga të pangrënët teksa policia ka ndaluar për orë të tëra nënën në birucë. Si është e mundur të mos shqetësohesh për rastet e vetvrasjeve dhe shkaqeve të tyre. Varfëria ka pllakosur në mënyrën më të egër dhe është një e drejtë themelore që populli të ketë të drejtën për të jetuar dhe jo të vetëvritet si pasojë e skamjes, papunësisë dhe humbjes së shpresës e të perspektivës. Kush nga organizmat e së drejtës është shqetësuar për çmimet e katapultuara të shportës ushqimore, për mungesën dhe ngritjen e çmimit të energjisë. Kujt po i bën përshtypje vdekja e minatorëve në zgafellat e Bulqizës, apo vrasjet për Kanun dhe ngujimet e familjarëve. E pra edhe këto janë të drejta që këta shtetas nuk i gëzojnë dhe ëfarë është më e keqja nuk ka avokat të mbrojë interesat në emër të tyre. Është po aq moderne dhe perëndimore e drejta që komuniteti të pyetet për çka do të ndërtohet në territorin e tij. Porse nuk dihet nëse është relatuar diku nëse është shkelje mohimi i të drejtës për referendum vlonjatëve për ndërtimin e TEC-it? Po ndërprerja e transmetimeve të një televizioni si A1? E drejtë e dhunuar është dhe mohimi i të drejtës së pronës, ndaj shqiptarët i besojnë më së tepërmi gjykatës së Strasburgut sesa institucioneve të tyre. Askush nuk e sheh të nevojshme të ngrejë zërin për sorollatjet e qytetarëve nëpër zyrat e shtetit të tyre për dokumentacionin që që kanë të drejtë ta kenë në dispozicion. Edhe kjo është shkelje sic është po ashtu shkelje e rëndë mungesa e transparencës e qeverisë dhe institucioneve se si përdoren taksat e e qytetarëve në veprat publike që realizohen. Lista është tepër e gjatë aq sa do tëpërbënin argumenete të mjaftueshëm për revolucion për ndryshime rrënjësore. Të mos harrojmë, se edhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u bë në emër të mbrotjes të së drejtave të njeriut.

Për fat të keq, Shqipëria e sotme është po kaq e mbyllur si dikur, por çështja nuk përmbyllet me kaq, pasi duket se nuk ka një zë të të denoncojë shkeljet dhe të amplifikojë protestën qytetare. Ndaj dhe protesta e shqiptarëve është e lodhur pasi vetë ata janë mosbesues dhe me frikën se do të përdoren. Zhgënjimi në këto 17 vjet, ku janë lënë rrugëve ëndrrat për shtetin ligjor dhe të drejtat e qytetarisë së botës moderne, i bën të ndihen të vetëm. Madje edhe nga të huajt. Dikur, në vitet 90 kur kish vetëm një televizion shtetëror dhe gjithshka kontrollohej nga strukturat shtetërore, një lajm të jepte “Koha Jonë” për shkelje të të drejtave, bëhej një problem me jehonë ndërkombëtare. Ndërsa sot, në kohën e internetit, belbëzimat e instituteve të së drejtës humbin në eter, ndërsa akuzat e shtypit, pavarësisht se skandalet mbivendosen mbi njëri tjetrin, janë të pandijshme duke mjegulluar shpresat se dikur ky vend do të ndreqet.

Dikush mund të shprehet se denoncimet për shkeljet e të drejtave i bën edhe opozita. Padyshim, kjo është pjesë e së vërtetës, pasi është e kuptueshme që denoncimi I dhunimit të të drejtave nga ana e pushtetit I shërben interesave të saj: dëmtimit të kundërshatrit dhe rritjes së kredos së saj politike në elektorat. Porse opozita është pjesë e politikës dhe nesër kur të jetë në pushtet, llogarinë për mbrojtjen e të drejtave do të duhet t’ia kërkosh pikërisht asaj që sot po i denoncon ato. Gjithashtu, vijimin e luftës për mbrojtjen e tyre nuk ke si ta lësh në dorë as të opozitës së nesërme ndërsa në pushtet kish qenë e pandijshme. Në Shqipëri mungojnë strukturat, qoftë edhe nga shoqëria civile, që të shërbejnë si arbitër me ndikim të drejtpërdrejtë, jo thesht për të monitoruar por dhe të ndikojnë në opinionin publik për të krijuar një front qytetar të mbrojtjes së të drejtave kur konflikti shtet- shoqëri nështë një realitet. Fatkeqësisht, realiteti dëshmon se domenin për të folur në emër të qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave e ka në mënyrë eskluzive klasa politike e cila veçse alternon fjalorin dhe qëndrimet në varësi të pozicionimit në shumicë apo opozitë. Atëherë pa frikë mund të thuhet se në Shqipëri ka një Autokraci politike pluraliste, ku mungojnë alternativat e tjera në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të tyre.

Cfarë duhet bërë për të ndryshuar kjo gjendje? Siç u bë e ditur në media, ulja e çmimeve ushqimore në Maqedoni u mundësua vetëm nga presioni i sindikatave, ndërsa në Shqipëri ndonëse ka organizma dhe sindikata shumëngjyrëshe, asnjëra nuk ka peshë reale për të ndikuar në ndryshimin e vendimeve qeveritare. Atëherë organizmat në funksion të shoqërisë duhen riformatuar ose duhen të krijohen të tjera sipas modelit perëndimor dhe po aq luftarake sa to. Në formën e tanishme, ato janë jashtë loje dhe aspak të besueshme. Porse mungesa e institucioneve ku qytetarët të kthejnë sytë për ndihmë sa herë u shkelen të drejtat, rrezikon që në këtë anormalitet të abandonohen edhe institucionet shtetërore dhe klasa politike që dhunon dhe luan me fatet njerëzore. Nëse vijon kjo situatë, të drejtat e shqiptarëve që synojnë integrimin në strukturat europiane do të mbeten thjesht në letër dhe deformimi shoqëror i njëjtë. Gjithashtu edhe tranzicionit drejt demokracisë do t’i zgjatet trajektorja.

No comments: