Monday, February 11, 2008

Shoqata "Bregdeti" denoncon: Pushtetarët, makinacione për të përvetësuar pronat


(Gazeta "sot"-

Nga Niko NESTURI*
- Politikanët që drejtojnë Qeverinë dhe Shtetin, vazhdojnë të shkelin parimet bazë të të “Drejtave të Njeriut”. Ata e dinë shumë mirë, se ligjërisht kanë detyrimin ligjor të respektojnë titujt e mirfilltë të pronësisë, sipas dokumentave të Kadastrës, të Arkivit të Shtetit, të regjistrave të shpronësimeve dhe të kthejë pronën tek i zoti, duke lënë në një kohë të dytë për kompensim, ato prona, që përpara vitit 1991 janë tjetërsuar e janë zënë për godina banimi dhe; ato prona që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, konformë ligjit në fuqi.

Qëndrimet zyrtare e politike të (mos)kthimit të pronave
Ligjet për (mos)kthimin e pronave, deri tani kanë krijuar anarkinë e titujve të pronësisë, sepse sipas mentalitetit të gabuar të politikanëve, pronat e grabitura vazhdojnë të konsiderohn „prona” të shtetit dhe të shpronësuarit, duhet t’i presin vendimet e komisioneve për kthimin e pronave, si “bamirësi dhe zemërgjerësi” të kryetarëve të këtyre komisioneve. Ka ardhur koha, që institucionet ndërkombëtare të imponojnë qeverinë dhe politikën e papërgjigjëshme, të respektojë titujt e mirfilltë të pronësisë, të përfundojnë kthimin, pastaj kompensimin. Vetëm kështu do të respektohet e drejta e shkelur dhe zgjidhet problemi i pronës, në përputhje me detyrimet kushtetuese, me Konventën Europiane dhe plotësohet kërkesa e nenit 191, të dokumentit nr.11115 datë 25. 12 1996, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Çuditërisht edhe dy projektligjet e fundit, të propozuara nga qeveria, në Janar 2008 e konsiderojnë shtetin “pronar” dhe për pronat e shtetëzuara me dhunë e pa të drejtë nga regjimi komunist. Si Shoqata “Bregdeti”, por dhe Shoqata “Pronësi me drejtësi”, që përfaqësojmë palën e dëmtuar e të keqtrajtuar gjatë diktaturës, qoftë formalisht, nuk jemi thirrur për ndonjë konsultim si palë e interesuar dhe nuk e dimë, cili qenka grupi i punës që ka “punuar” për këto dy projektligje. Nuk kuptojmë, se kush i komandon këta politikanë, që sot në vitin 2008, pas 17 vjetësh, pas gjithë atyre kërkesave dhe nga institucionet ndërkombëtare, të marin guximinn të propozojnë projektligje që tentojnë të ligjësojnë vjedhjet dhe prapaskena mbetet, përfitimi i paligjshëm në tokat tona turistike. Ky është qendrim konstant plotësisht anti-Kushtetues, anti-BE dhe anti-NATO.
Projektligj, apo projekt-vjedhje e pronave?!
Sipas Projektligjit: “Për një shtesë në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”, që paska miratuar qeveria, nëse pronar të bën Vendimi i Këshillit të Ministrave, atëhere ku janë Kushtetuta (neni 181/2 , neni 41 neni 4/3 etj), ku janë titujt e pronësise, respektimi i të drejtës së pronës dhe Konventat?! Qysh në nenin 1, projektligji tregon qartë, se është tentativë për ligjërim e vjedhjeve te tokave të NB-ve, të bëra me Dekretin e Presidentit, nr 1431. Ky dekret është pa vlerë juridike, sepse nuk ka kaluar në Parlament, por është zbatuar dhe i mbrojtur me fanatizëm, nga politikanë në të dy krahët e politikës. “Avokati Popullit”, duhet ta thotë përsëri fjalën e tij për këtë dekret, që sot kërkohet të kalojë në Parlament, si shtesë në ligjin nr. 8053.
Nëse politikanët nuk janë kundër futjes në BE dhe NATO, duhet menjëherë të zbatojnë kërkesën e Asamblesë Parlamentare të KE. Problemi i pronës në Bregdet, zgjidhet brenda pak javësh. Për këtë, shteti me instrumentat e tij, si Zyra e Kadastrës dhe ZRPP, duhet të ndaj çfarë është pronë e shtetit përpara vitit 1945 dhe çfarë ka grabitur shteti dhe që, ka vazhduar t’a mbajë e ta trajtojë si pronë shtetërore, në shkelje te detyrimeve Kushtetuese të vitit 1991 dhe nenit 181/2 të Kushtetutës në fuqi. Pasi të përfundojë procesi i kthimit të prnave, le të fillojë procesi i kompensimit. Çdo pronë, që mund dhe duhet t’i kthehet të zotit, por që nuk po i kthehet, me justifikimin demagogjik, se pronarit do t’i kompensohet, “de fakto” kthehet në një faturë të rëndë financiare, për të gjithë popullin. Kështu, kompensimi vetëm për zonat turistike, për trojet që ka përfituar padrejtësisht “oligarkia e politikanëve”, kërkon thuajse të gjithë buxhetin e shtetit për një periudhë mbi 1000 vjet. Por politikanët e pas vitit 1991, që lakmojnë pronat tona, mund ta kenë përgatiur skenarin. Të mbështetur nga disa media “ortake” me ta dhe nga zëdhënës e deputetë mercenarë, që janë kamufluar si mbrojtës të pronarëve, mbasi të ligjërojnë, se çdo gjë do të zgjidhet nëpërmjet përpjekjeve maksimale, për të kompensuar pronarët “me tokat e askujt në bregdet”, ose me para. Por, siç dihet, prona të askujt nuk ka, as në Bregdet, as në gjithë Shqipërinë e as në ndonjë shtet tjetër. Nëse do të gjejnë të tilla politikanët, le të kompensojnë veten e tyre dhe personat e tretë me këto prona, por jo pronarët e ligjshëm të Bregdetit.
Shoqata e ka atakuar publikisht në media, deputetin Arjan Madhi, por ai nuk ka mundur të përgjigjet, sepse nuk ka si t’i mbrojë ato që ka thënë. Pas këtyre politikanëve, dikush tjetër do të fillojë të justifikohet, duke arsyetuar, se “meqenëse, nuk mund të zbrazim buxhetin e shtetit për të kompensuar pronarët”. Edhe analfabeti e kupton, se kështu siç është konceptuar deri tani kompensimi është antikushtetues dhe i pa mundur të zbatohet. Tokat turistike që pushtetarët i kanë përfituar padrejtësisht nuk mund të justifikohen si “nevoja publike”.
Platforma jonë e çliron shtetin nga bara financiare e kompensimit
Alternativa jonë, që kërkohet prej vitesh nga Shoqatat Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe Shoqata “Bregdeti”, nuk ka faturë financiare, pasi shteti, nëse do të kthej pronat dhe do të çliroj pronat e tij nga mbajtësit e paligjshëm, realisht ka rrezerva të mëdha (shteti është pronar i ligjshëm në 52% të tokave ) dhe vetëm me një pjesë të vogël të tyre, kompenson fizikisht të gjitha pronat e pronarëve, të zëna me godina banimi përpara vitit 1991 dhe ato, që shfrytëzohen për nevoja publike, përfshi dhe familjet (nëse ka mbetur ndonjë), që vazhdon të jetojë në fshat dhe nuk paska pronë. Edhe për projektligjin e dytë, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, vërejtjet e shoqatës “Bregdeti”, në parim janë të ngjajshme, me ato për projektligjin më sipër. Ndaj themi dhe kërkojmë e do të kërkojmë deri në fund, që reforma e parë që duhet bërë është kjo: ”Prona tek i zoti” dhe e dyta ”pastrimi i drejtësisë”, pastaj reforma, pasi nuk mund të bëjnë reformë ata që i kanë kthyer vendimet gjyqësore për pronat, në burime fitimi dhe biznesi. Të diziluzionuar dhe të distancuar nga qëndrimi abuziv i klanit të politikanëve, që pengojnë qëllimisht zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës private, ne denoncojmë këto dy projektligje dhe kërkojmë mbështetjen e të gjithë institucioneve demokratike brenda dhe jashtë vendit, për ta imponuar Qeverinë Shqiptare, të respektoj pa mashtrime dhe pa vonesë, kërkesat e nenit 191, të dok. Nr 11115, datë 20 dhjetor 2006, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që është kusht bazë, për antarësim në NATO dhe përafrim në BE.

Konstatime
1. që lidhet me nenin 1 është se e drejta e pronës dhe titujt e pronesisë egzistojnë dhe këtë, e ka të shprehur qartë legjislacioni në fuqi, por pjesa e shëndoshë në ligjet tona nuk respektohen, sepse i tillë është vullneti politik, sipas të cilit vazhdon dhuna shtetërore mbi pronën private, duke kujtuar vendimin e Kolegjeve te Bashkuara, të Gjykatës së Lartë të vitit 2002, për unifikimin e praktikës gjyqësore.
2. Për hartuesit e këtij projektligji , për të mbajtur në fuqi ligjin 7501, manovrohet për t’u shkelur Kushtetuta, e drejta e pronësisë dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, zbatimi i të cilave është i detyrueshëm. Viktima të mungesës absolute të vullnetit politik, për të respektuar të drejtën e pronës, mbeten ata qytetarë, të cilët pritën nga shteti postkomunist, të ju kthente pronat e grabitura.
3. Mashtrimi qëndron në faktin se titujt e pronësisë sipas këtij projektligji, nuk janë në përputhje me detyrimet kushtetutuese si dhe në përputhje me Konventën dhe po ashtu shpronësimet. Ne kërkojmë që në zonat turistike të marë fund sa më parë, imoraliteti politik dhe vjedhja e pronës.
4. Përmbajtja e nenit 11, kërkon ndërlikime me akte plotësuese, lejon politizimin e kthimit të pronës, sipas interesave të klaneve të politikës. Ligji duhet të respektojë titujt e mirëfilltë të pronësisë, në përputhje me detyrimet kushtetuese, të vitit 1991 dhe me Kushtetutën në fuqi.
5. Neni 12 i projektligjit është komplet i pazbatueshëm dhe vlen për të mashtruar pronarët, mbasi ata që kanë përfituar padrejtësisht prona, janë oligarkia e pushtetarëve dhe persona, pas të cilëve janë kamufluar politikanët.

* Kryetar i Shoqatës AK ”Bregdeti” (nga Palasa)

No comments: