Monday, February 11, 2008

Si kujtohet nga vunjotesit projekti i Banges Boterore

j6.JPG

http://www.peshkupauje.com/ishte-njehere-jala/2007/04/26/

Shkruan nga Jala, Kristi Pinderi

Banorët pretendojnë se shteti ka shkelur të drejtat e tyre. Qeveria deklaron se i intereson ligji dhe zbatimi i tij. PBDNJ akuzon Berishën për interesa vetjake në Jalë, Bollano kërcënon me rezistencë.

Vasilika Koka, ishte para kompjuterit të saj në një universitet të Kanadasë ku punon prej pak kohësh, kur pa në internet fotografinë e shtëpisë së shkatërruar të prindërve të saj në Jalë! Zemra dhe frymëmarrja i ndalën për pak sekonda, e zmadhoi aq sa mundi fotografinë dhe… nuk po u besonte syve! Ishte pikërisht shtëpia e prindërve të saj, pak metra larg bregdetit në Jalë ajo që në foto dukej gërmadhë! Pa mundur të lexojë lajmin që shoqëronte foton deri në fund, nisi të qante. Ndjeu se diçka e tmerrshme kishte ndodhur në bregdetin ku ajo kishte kaluar fëmijërinë e ku ishte rritur… Mori telefonin dhe tentoi deri në dëshpërim që të fliste me Shqipërinë, por nuk mundi… Vendosi të lerë punën, bëri gati në shpejtësi disa tesha e ushqime, dhe i hipi avionit të parë që do ta sillte në anën tjetër të oqeanit.

j1.JPGKur shkuam në Jalë, e gjetëm duke pirë cigare e ulur në një nga degët e shkatërruara të arrës mbi 200 vjeçare, të mbjellë nga të parët e saj me mbiemrin Koka, në oborrin e shtëpisë. Nga arra e moçme (që për vjetërsinë do të duhej të ishte një monument natyre), kishin mbetur vetëm degët e prera dhe rrënjët e gërmuara dhunshëm nga ganxha e një vinçi të Policisë Ndërtimore.

Ajo që ndodhi në 17 dhe 18 prill në Jalë, ishte realisht një precedent që nxorri në pah disa shqetësime: A mund të funksionojë ligji aktual i Legalizimeve në Shqipëri? A ka mundësi që ky ligj të zgjidhë përfundimisht problemet e pronësisë dhe të informalitetit në Shqipëri? A siguron realisht ky ligj një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit shqiptar? A e pengon (apo e lejon) politikën që të ndërhyjë në fushën e turizmit për interesa të individëve të veçantë?

Janë pyetje të cilat ndoshta përgjigjen mund ta marrin vetëm me kalimin e kohës dhe në përfundim të këtij proçesi që në çdo aspekt, duket se është një eksperimentim!

Mëngjes…

Rreth orës 4 të mëngjesit, të datës 17 prill, rruga tejet e ngushtë dhe gjarpëruese që të zbret në Jalë, u “pushtua“ nga disa dhjetëra mjete të Policisë Ndërtimore dhe të Forcave Speciale. Në mëngjes, rreth orës 8:00, një punonjës i Ushtrisë, i cili ndodhej në hotelin e ngritur në kodrën bri fshatit Jal, pronë e Ushtrisë, zbriti poshtë për t’i thënë banorit të parë që do të takonte, se Jala do të shkatërrohej! “Ai më tha se të gjitha mjetet e policisë ishin parkuar te hoteli i ushtrisë“, thotë për MAPO znj. Athina Andoni, personi që pak minuta pas kësaj do të përballej i pari me policët dhe me mjetet e tyre.

j2.JPGNë fakt, bëhej fjalë për shkatërrimin e ndërtimeve që sipas ligjit të ri për Legalizimet, jo vetëm që quhen të paligjshme, por nuk mund as edhe të legalizohen. Janë ndërtimet e tilla në bregdetin shqiptar, bregdet, i cili, në fakt, nuk nis dhe as nuk përfundon në Jalë!

Në 2 prill, Policia Ndërtimore u kishte nisur një shkresë banorëve duke u deklaruar se ndërtimet e paligjshme do të shkatërroheshin, dhe se ata kishin afat disa ditë për t’u përgatitur. Në 5 prill, shumica e 15 prej familjeve që jetojnë në Jalë, kërkuan Mbrojtje nga Gjykata. Por asgjë nuk ndodhi, as para dhe as pas shkatërrimit të ndërtimeve në Jalë, nga Policia Ndërtimore. Ajo që duket absurde, ndonëse dhe shumë njerëzore, është fakti se punonjës të Gjykatës ua bënë të qartë banorëve të Jalës se: “mund të nisni një proçes gjyqësor, por ju sigurojmë se do të humbisni dhe veç kësaj do të duhet të paguani shtrenjtë shpenzimet”. Duket se ky fakt, i cili pohohet për MAPO nga banorët e Jalës, i ka ndalur ata për të nisur proçedura gjyqësore pas shkatërrimit të shtëpive dhe ndërtesave të tyre.

Përballja me ligjin

Por në të vërtetë, përballja me gjykatën dhe me ligjin, për këta banorë ka ndodhur qysh më herët, në kohën kur kuptuan se sipas ligjit të ri për Legalizimet, ndërtimet e tyre nuk mund të legalizohen. Familja e Andon Kokës, për shembull, u gjend mëngjesin e 17 prillit pa një strehë mbi kokë, ndërsa ishte në mes të një proçesi gjyqësor të papërfunduar, pikërisht për këtë çështje!

Znj. Andoni tregon se, kur pa vincin dhe trupat speciale të ndërhyrjes së shpejtë që kapërcyen gardhin e shtëpisë së saj, nuk mundi t’u besojë syve! “Ishim vetëm, nuk mund të rezistonim vërtet“, thotë ajo. Megjithatë duket se falë rezistencës modeste, duhet thënë, që bëri, mundi të shpëtojë një pjesë të godinës me tre kate që ajo e përdorte si strehë banimi dhe njëkohësisht si hotel për pushuesit gjatë verës.

j4.JPGPasi e nisën shkatërrimin e ndërtimeve pa leje pikërisht me këtë familje, ndërtimorët, të shoqëruar nga forcat speciale, shkuan në familjet e tjera. Në familjen Koka, gjetën vetëm të zotin dhe bashkëshorten e tij. Kjo e fundit, nuk mundi të shpëtojë asgjë: doli e terrorizuar vetëm me celularin në dorë. Gjithçka tjetër ngeli poshtë rrënojave, që u krijuan brenda fare pak minutave.

“Mora vajzën në telefon, e cila jeton në Gjermani, por nuk arrinte të kuptonte se çfarë po ndodhte”, thotë zonja e kësaj familje, për MAPO. Vajzat e saj mundën të vinin menjëherë në Shqipëri. Mes tyre, edhe Vasilika, e cila ka emigruar në Kanada ku duket se bën një jetë të qetë. Ajo e ka të pamundur të flasë, madje, duket se e ka ende të pamundur të kuptojë se çfarë ka ndodhur, ndërsa nuk i fik cigaret që tymos njëra pas tjetrës, në oborrin e asaj që dikur ishte shtëpia ku kishte përjetuar kujtimet e fëmijërisë dhe të adoleshencës!

Pro dhe Kundër!

Kur pamjet e këtij aksioni u shfaqën në ekranet e televizioneve, duhet thënë se një pjesë e mirë e shqiptarëve menduan se një veprim i tillë ishte mëse i nevojshëm për të shpëtuar bregdetin shqiptar nga shkatërrimi që i është bërë këto vjet. Por, shumë të tjerë u çuditën nga fakti, që një aksion i tillë nisi pikërisht në Jalë, e mbi të gjitha, ndonëse u argumentua nga qeveria si një ndërhyrje që bëhej për t’i paraprirë sezonit turistik, askush nuk dha shpjegime se si një fshat, i bërë gërmadhë, mund të sjellë një turizëm më të mirë këtë vit!

Nën rrënojat e ndërtimeve të prishura (sipas disa banorëve, policia ka shkatërruar ndërtimet e atyre që quhen në Jalë si banorë autoktonë dhe ka prekur pak ose aspak disa ndërtime të bëra nga banorë që kanë ardhur në Jalë gjatë viteve ’90-të), duken frikshëm të gjitha orenditë e një banese të zakonshme, të mbetura aty poshtë gërmadhave, si pas ndonjë tërmeti të fuqishëm apo si pas ndonjë bombardimi!

Të ulur në oborrin e mbushur me sende dhe orendi nga ato që kanë shpëtuar, arrijmë të flasim me pothuajse të gjithë banorët e mbetur atë pasdite të heshtur, në Jalë, buzë detit që me dallgët e vogla duket se nuk do t’ia dijë për asgjë…

Ndonëse ndihemi të zënë ngushtë: a ka ndonjë ngushëllim apo shprehje që mund të thuhet në të tilla raste…?

j5.JPGAta ende nuk e kanë kuptuar se ajo që ka ndodhur është e vërtetë, dhe jo ëndërr. Disa prej tyre, nuk u ka ngelur më asnjë strehë ku mund të kalojnë natën. Kuptohet se, çdo fjali që artikulojnë është një përmbledhje e mundimshme e dufit, trishtimit, depresionit dhe pamundësisë për të pranuar atë që ka ndodhur. “Ne e dinim se ndoshta ndërtimet buzë rrugës për në Jalë, kryesisht lokale apo ambiente shërbimi për turistët do të prisheshin, por që të na shkatërronin dhe shtëpitë, këtë nuk e kishim shkuar asnjëherë në mend”, thotë Athina Andoni, e cila, në çdo fjali, nuk harron të shtojë: “Mjerë ju të rinjtë që do të jetoni në këtë vend”.

Banorët duket se janë zënë në befasi sidomos për faktin se asnjëherë nuk kanë menduar se dikush mund t’u prishte shtëpitë apo ndërtimet në tokën që ata deklarojnë se e kanë në pronësi familjare qysh prej 300 vjetësh, kur sipas tyre, kanë nisur të banojnë në këtë vend paraardhësit e familjeve të Jalës.

Pikëpyetjet…

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule akuzoi menjëherë pas këtij aksioni, se prishja e këtyre ndërtimeve po bëhet për interesa të kryeministrit Berisha dhe deklaroi se kjo çështje do të shkojë deri në Parlamentin Europian! Në këtë kontekst, Dule bëri dhe një krahasim me Kakomenë, në kohën e qeverisjes socialiste…

j3.JPGI menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë. Përmes një zëdhënësi të saj, qeveria deklaroi se “Kryeministri Sali Berisha ka një interes dhe vetëm një: ligjin dhe zbatimin e ligjit. Cdo interpretim tjetër jashtë kontekstit ligjor është spekulim dhe i pavërtetë”.

Aksioni i nisur në Jalë, vazhdoi edhe në disa pika të tjera të bregdetit shqiptar, por sërish, askush nuk sqaroi se si ka mundësi që ai u zhvillua fare pak ditë para çeljes së sezonit të ri turistik…

Pak të rinj që kanë mbetur në Jalë, pas takimit me ne, thanë se do të niseshin urgjent në Himarë. Sipas tyre, Vasil Bollano, kryetari i Bashkisë së Himarës, kishte takuar disa prej banorëve të qytetit duke i autorizuar që të rezistonin! Bollano, duket se këto ditë ka qenë vërtet aktiv në opinionin publik. Ishte i njëjti moment, kur ai tha se do të ishte e natyrshme që çdo vend I banuar nga minoritarë grekë të kërkonte pavarësi, “të njëjtën gjë që sot Shqipëriaa kërkon për Kosovën”. Të ketë qenë ky aksion në Jalë dhe tentative e një aksioni të njëjtë edhe në Himarë, një tregim i tensionuar dhëmbësh që shteti shqiptar i drejtonte këtij politikani lokal e përmes tij, faktorëve të tjerë të mundshëm politikë që e mbështesin? Apo deklarata gati e frikshme e Vangjel Dules, i cili akuzon Berishën si të implikuar përmes interesave vetjake në këtë aksion, të jetë e vërteta?


Akuza e PBDNJ:

Vangjel Dule tha se çështja e ndërtimeve në bregdetin e Jalës do të shkojë deri në Parlamentin Evropian: “Aty fshihen interesa tė mbrapshta, siç ishin interesat në Gjirin e Kakomesë gjatë qeverisjes socialiste, por që i paralajmėruam dhe i arritëm ato. Paralajmëruam qė nuk do të realizohen pa vullnetin e banorëve të vendit dhe nuk u realizuan asnjëherë. Paralajmërojmë zotin Berisha, i cili është drejtpërsëdrejti pas interesave të paligjshme, të cilat rrënojnë Jalën këto ditë. Askush nuk mund të realizojë planet e tij të mbrapshta kështu. Do të ngrihet në këmbë i gjithë opinioni publik, siç është ngritur këtu, e gjithë opinioni ndërkombëtar: çështja do të shkojë në Parlamentin Ndërkombëtar”.

No comments: