Saturday, April 05, 2008

Midis Shkupit dhe Athinës

"Pra edhe ne qenkemi të ndjeshëm kur na preket dinjiteti ynë, ashtu siç qenka dhe Bullgaria, kur akademia e saj u kujton "maqedonasve" rrënjët e tyre bullgare. Atëherë pse një qëndrim kaq dashanirës ndaj këtij shteti(FYROM-it-shenim i blogger)), gjë të cilën nuk e kemi për herë të parë, dhe pse për hir të tij duhet të armiqësohemi me të tjerë."

Shqiperia qe njohu shume kohe para edhe nga USA FYROM me emrin e "Maqedoni" merr persiper te kontriboje ne zgjidhjen e konfliktit FYROM -Maqedoni-ky fakt do të përbënte lajm për rubrikën e humorit



Plator Nesturi

Marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO ishte padyshim një sukses i rëndësishëm për Shqipërinë në vijimësinë e rrugës së integrimit. Pas kësaj ngjarjeje të shënuar, natyrshëm ka vend për të festuar hyrjen në një stad të ri të vendit, çka nënkupton një proces të pakthyeshëm drejt demokratizimit të mëtejshëm të tij. Gjithësesi festa e shqiptarëve dhe veçanërisht e klasës sonë politike nuk ka vend për ditirambe të shumta dhe as kohë të tepërt për parë në qiell fishekzjarret shumëngjyrëshe e gëzimndjellës. Delegacioni shqiptar ndërsa u nis drejt Bukureshtit kish lënë pas Gërdecin e shkrumbuar nga predhat, një vend me probleme të shumta ekonomike për tu kapërcyer dhe reforma në sistem të ngecura prej kohësh. Ajo çfarë do të ish më e ndershme përballë bujarisë së aleatëve të NATO-s për të qenë pjesë e së njëjtës familjeje, do të ishte jo turravrapi për të marrë meritat se hir të kujt krahu politik na jepet besimi i ftesës për në Aleancë, sesa ngutja për të përfunduar axhendën e reformave të nisura dhe plotësimin e kushteve të vendosura. Kjo do të ishte shprehje e mirënjohjes por dhe garanci për aleatët se ne e meritojmë vërtet ftesën për në NATO.
Në vend të kësaj rruge, si jo rrallëherë, klasa jonë politike në vend të modestisë kaplohen nga një megallonani boshe dhe e pakuptimtë. Kryetarja e Kuvendit, znj, Topalli shprehet se tani që morëm ftesën në NATO, përfundoi edhe periudha e tranzicionit, thua se një ftesë e stampuar mjafton që të mbarojnë hallet e vendit dhe Shqipëria të konsiderohet me një demokraci të konsoliduar. Ndërkohë, ende pa qenë anëtarë me të drejta tëplota të Aleancës, Tirana zyrtare dhe media e lidhur pas saj, duken më tepër të interesuara për konfliktin midis Shkupit dhe Athinës sesa për problemet e brendshme. Aq e pakuptimtë bëhet ky fakt sa mund të konfondohesh lehtë se kush e kish marrë nën patronazh hyrjen e "Maqedonisë' në NATO, Shqipëria apo SHBA.
Së fundmi, analiza të shumta dhe faqe të tëra gazetash po i kushtohen marrëdhënieve të acaruara midis Shkupit dhe Athinës lidhur me çështjen e emrit të republikës ish jugosllave. Si vend fqinj, padyshim që kjo cështje duhet të gjejë pasqyrim por qëndrimi i njëanshëm i vërejtur së shumti në median tonë apo në deklarata politikanësh, vështirë të thuhet se i vlejnë politikës sonë të jashtme. Për këdo që jeton në Shqipëri, madje ca më tepër për shqiptarët që banojnë në mes-shtetin e Ballkanit, është mëse e qartë se çështja e emrit të "Maqedonisë" është problemi më i thjeshtë e më sipërfaqësor. Cështjen e emrit klasa politike e atjeshme e pati të mjaftueshme kohën për ta zgjidhur. Problemi më i mprehtë i "Maqedonisë" mbetet padyshim ndasia etnie që ekziston atje dhe përderisa dy etnitë kryesore, maqedonasit dhe shqiptarë, nuk do të kenë dëshirën për tu integruar me njëri tjetrin, cdo integrim tjetër do të ish fals. Ndaj ndërsa klasa politike e shqiptarëve të "Maqedonisë" nuk ndien ndonjë përgjegjësi për mosmarrjen e ftesës në NATO, duket e pakuptimtë që këtej kufirit të Republikës së Shqipërisë, rreshtimi të bëhet në krah të "maqedonasve" dhe kundër fqinjit tonë jugor, Greqisë. Siç vëren dhe kryetari i PDSH, Menduh Thaçi, "Maqedonia" nuk ka vetëm probleme vetëm me Greqinë për punën e emrit, por edhe me Serbinë, edhe me Kosovën për çështjen e kufirit, ndërsa Bullgaria nuk u tregua në mbështetje të anëtarësimit të saj në NATO.
Mbetet e dyshimtë pra kjo mbështetje symbyllasi për maqedonasit, ndërkohë që ky shtet 16 vjeçar dhe në kërkim të identitetit të vet, ka probleme me të gjithë fqinjët që e rrethojnë dhe me vetë shqiptarët brenda saj. Ca më keq akoma kur në këtë aksion politik në mbështetje të Maqedonisë, shantazhon dhe mban qëndrim negativ ndaj një vendi si Greqia me të cilen ke interesa të mëdha ekonomike dhe që është njëkohësisht anëtar i NATO-s, ku Shqipëria ka marrë rrugën të anëtarësohet. Nuk dihet se çfarë qëndrimi do të kish mbajtur klasa jonë politike apo dhe opinini i vendit nëse "maqedonasit" do të përpiqeshin të përvetësonin ndonjë simbol tonin kombëtar, por diçka duhet marrë me mend. Së fundmi në "Maqedoni" është botuar “ Enciklopedia e përgjithsme dhe maqedonase”, një vepër prej katër vëllimesh me sponsorizim të ministrisë së kulturës. Në të tentohet të argumetohen rrënjët kombëtare të atyre që sot quhen maqedonas. Në rastin më thjeshtë, mund të tregoheshim indiferentë në përplasjen midis atyre që e konsiderojnë të tyren termin “maqedonas”. Por çështja komlikohet kur në skenë hyjnë dhe historianët dhe akademikët shqiptarë në "Maqedoni" të cilët akuzojnë se në enciklopedi janë bërë shtrembërime historike. Dhe në këtë rast zëri ngrihet për ato cështje të trajtuara të cilat bien ndesh me historiografinë shqiptare dhe me simbolet e tyre kombëtarë, që nga Skënderbeu dhe deri tek Nënë Tereza. Historianët e universitetit të Tetovës, nisur nga këto falsifikime të histroisë, do të paraqesin në 7 prill një memorandum për anulimin dhe daljen nga qarkullimi të kësaj enciklopedie. “ Nuk do të lejojmë, thuhet në letrën e tyre, që shqiptarët të injorohen, të përgënjeshtrohet e kaluara e tyre dhe të shtrembërohet e vërteta historike e prejardhjes së tyre”.
Pra edhe ne qenkemi të ndjeshëm kur na preket dinjiteti ynë, ashtu siç qenka dhe Bullgaria, kur akademia e saj u kujton "maqedonasve" rrënjët e tyre bullgare. Atëherë pse një qëndrim kaq dashamirës ndaj këtij shteti, gjë të cilën nuk e kemi për herë të parë, dhe pse për hir të tij duhet të armiqësohemi me të tjerë. Klasa jonë politike deri më tani është mburrur se ka luajtur një rol konstruktiv duke qenë faktor stabiliteti në rajon. Kjo është mëse e vërtetë përderisa jemi ende një shtet i dobët, i pafuqishëm për të ndikuar dhe të gatshmë për të ndjekur orientimet faktorëve globalë të politikës. Fakti që tashmë jemi pranë NATO-s, nuk do të thotë se nuk jemi po aq të dobët sa dje. Nuk do të thotë që pas kësaj të na dalin trutë sipër flokëve dhe të mendojmë se jemi faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në rajon.
Ndaj kur së fundmi në media lançohet idea se Tirana zyrtare mund të marrë përsipër një rol negociues për të pajtuar Athinën dhe Shkupin për zgjidhjen e çështjes së emrit, ky fakt do të përbënte lajm për rubrikën e humorit sesa do ti jepte seriozitet zgjidhjes së problemeve të rajonit. Nëse shqiptarët në "Maqedoni" do të ishin pjesë e problemeve në mosmarrëveshjet midis dy shteteve fqinj, një rol i Shqipërisë mund të ish i mirëpritur. Por kur qeveria shqiptare ka një mijë halle mbi kurriz brenda vendit, kur kryeministrit të saj ndërkohë i kërkohet dorëheqja për shkak të Gërdecit, tryeza e kompromisit të Tiranës do të ish tepër e vogël për një konflikt shumëvjeçar që zgjat midis Shkupit dhe Athinës. Ndaj të jemi më seriozë, pasi kështu duket se na ka kapur shpejt megallomania e anëtarit të NATO-s

1 comment:

Anonymous said...

FYROM- rrezikon të zhbëhet

Pas dështimit në Samitin e Bukureshtit

Halit Ajdini
Foto: Kryeministri i FYROM, Nikolla Gruevski, brenda më pak se 24 orëve u kthye nga kishte ardhur...





Liderët e NATO-s vendosën Shqipëria dhe Kroacia të marrin ftesë për anëtarësim në NATO, ndërsa vendimi për Maqedoninë të shtyhet për shkak të vetos greke lidhur me kontestin e pazgjidhur të emrit. Tani për tani Greqia nuk pajtohet me pranimin e Maqedonisë në NATO”, deklaroi ministri spanjoll i punëve të jashtme Miguel Moratinos. Ky ka qenë lajmi më shokant që ka mundur të dëgjojë çdo qytetar i FYROM-t, lajm që për hir të së vërtetës të gjithë e kanë pritur, por nuk kanë menduar se deri në idiotësi mund të shkojë inati pervers i krerëve të Shkupit zyrtar dhe konkretisht i kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe kryeminsitrit të FYROM-t dhe Nikolla Gruevski & Company dhe presidentit të shtetit Branko Cërvenkovskit.

“Fëmijës mos i thuaj se muri vret, se muri i tregon vetë”. Kjo thënie popullore që përdoret për të edukuar fëmijët që të jenë të pavarur dhe të qendrojnë në këmbët e tyre, shkon më shumë se për çdo kënd për politikën fëminore të krerëve të Shkupit të cilët për hirë të vërtetës asnjëherë nuk kanë bërë politikë të burrave të shtetit, por politikë inatesh, diskriminuese, përfituese dhe shtypëse. Inati i krërëve të FYROM-t për të gjithë këto vite, ka kthyer FYROM-n në të gjithë aspektet në një vendë stresi, depresioni dhe varfërie dhe kjo thënie do t’u shërbejë që të edukohen, pasi ata shkuan në Bukuresht duke u përgatitur që të godasin më kokë në mur.



Shqiptarët e FYROM-t të ofenduar dhe të nëpërkëmbur

Për shtatëmbëdhjetë viteve rresht, shqiptarët janë injoruar në këtë proces. Shqiptarët janë injoruar edhe në vetë Samitin e NATO-së, pasi as kryeministri dhe as presidenti nuk mori asnjë shqiptar në delegacion dhe asnjë deputet të opozitës.

Parlamentarët kritikuan mospërfshirjen e tyre në delegacionin qeveritar, pasi vlerësojnë se pikërisht Parlameti, ka qenë institucioni që ka dhënë më shumë kontribut në integrimin e vendit në NATO, ndërsa është marrë vetëm zëdhënsi personal i Nikolla Gruevskit në Parlamentin e FYROM-t, deputeti Vllatko Gjorçev i cili njihet si një ndër politikanët më ultra nacionalistë sllavo-maqedonas. Partia e Ali Ahmetit, tha se shqiptari i vetëm në këtë delegacion Imer Selmani, nuk i përfaqëson interesat e shqiptarëve dhe multi-etnicietin e Maqedonisë. Të njejtin mendim ka ndarë edhe Besim Dogani nga PDSH-ja i cili tha se kryeministri Gruevski do të bartë pasojat në këtë drejtim.

“Maqedonia dihet se prej sa etniteteve përbëhet shteti dhe delegacioni duhet të pasqyrojë etnitetet e Maqedonisë”, tha Besim Dogani nga PDSH.

BDI-ja Imer Selmanin nuk e ka vlerësuar si shqiptar. “Ka marrë në delegacion zotin Imer Selmani i cili nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve. Ne mendojmë se nuk përfaqëson edhe interesat e PDSH-së. Mendojmë se qasja e Nikolla Gruevskit në këtë mënyrë që menaxhon politikën do të ketë pasoja mjaft të mëdha për vendin në të ardhmen”, akuzoi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti. Edhe opozita maqedonase shpreh revoltën e saj në drejtim të mos përfshirjes në delegacionin qeveritar që po merr pjesë në samitin e NATO-s në Bukuresht. “Nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës në atë delegacion dhe e dyta që edhe njëherë e ka ulur shumë poshtë parlamentin e Maqedonisë. U dëshmua se vetëm Qeveria apo vetëm Gruevski janë të rëndësishëm në Maqedoni. Pushteti ligjvënës nuk përfillet”, u shpreh Oliver Saposovski nga LSDM.



Besnikëria naive e shqiptarëve

Në anën tjetër, të dy partitë shqiptare dhe partitë sllavo-maqedonase opozitare nuk akuzuan presidentin e shtetit Branko Cërvenkovski i cili poashtu nuk kishte asnjë shqiptar në delegacionin e tij. Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë. As pro-bullgarët dhe as pro sërbët, pra as kryeminsitri dhe as presidenti nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën multikulturore dhe asnjëher nuk kanë respektuar qytetarët e tyre shqiptarë.

Pyetja logjike që duhet të analizohet është, pse shqiptarët duhet të jenë kaq besnikë dhe pse duhet të jenë kaq të heshtur për ofendimin permanent. Më e keqja e gjithë kësaj është se, edhe pse shqiptarët kanë sakrifikuar çdo gjë për sllavo-maqedonasit, kanë sakrifikuar ardhmërinë e tyre për emrin e FYROM-t, mbrëmjen e të mërkurës në të ashtuquajturin “marsh paqësor”, pa parulla dhe pa fjalime, u brohorit “jashtë shqiptarët”. O Zot. Mund të mendojsh një idiotësi dhe një pisllëk më të madh se ky?

Në të vërtet, kush duhet të lëshojë FYROM-n. Kësaj pyetje duhet t’i përvishen mirë shqiptarët të cilët kanë besimin e popullit. Duhet të lëshojnë FYROM-n shqiptarët, të cilët me të gjitha argumentet dhe faktet kanë treguar se janë ata dhe lojaliti i tyre që mban të gjallë një popull i cili s’ka as identitet, as kulturë, as gjuhë, as kishë, apo ky popull që e quan veten sllavo-maqedonas, kur ka të bëjë me sërbët dhe rusët dhe maqedonas antik kur ka të bëj me kulturën perendimore, apo ky popull i cili ka mbi 250 mijë pasaporta bullgare dhe mbi 150 mijë kërkesa për të fituar një pasaport bullgare, apo ky popull i cili kryeminsitri i tyre dhe 7 deputet kanë pasaporta bullgare. Cili duhet të lëshoj FYROM-n?

Kjo logjikë e sllavo-maqedonasve u nis për në Bukuresht për të goditur murin. Kjo logjikë sllavo-maqedonase është jomirënjohëse ndaj sakrificës së shqiptarëve për të emrin e tyre dhe identitetin e tyre etj.



Skenarët

Politikan me përvojë sllavo-maqedonas deri të ish-kryeministra siç është rasti me Vllado Buçkovskin kanë deklaruar se nëse nuk fitojmë NATO-n, logjikisht shqiptarët do të mendojnë për alternativa tjera. Është e vërtetë se shqiptarët në këtë shtet nuk kanë asnjë perspektivë dhe sipas të gjitha gjasave do të mendojnë për një alternativë tjetër. Cila do të jetë kjo alternative, kjo mbetet të shihet. Ndërsa deklarata e tij, mund të thuhet se ka shumë kunj. Në fakt, si zakonisht edhe tani për ndarje dhe bashkim janë akuzuar dhe vazhdojnë të akuzohen vetëm shqiptarët me të famshmen “Shqipëri e Madhe”, sa që edhe gazetarët slave gjatë raportimeve nga Bukureshti kur sqaronin reklamën greke ku shihej Nikolla Greuvski para hartës së Maqedonisë së Madhe, raportonin se Greqia ka publikuar një reklamë ku shihet Nikolla Gruevski para Shqipërisë së Madhe. Në fakt, nga të gjitha argumentet del se sllavo-maqedonasit dëshirojnë që FYROM-i të zhbëhet dhe t’i bashkangjiet Bullgarisë dhe Sërbisë, ndërsa në këtë rastë sigurisht se edhe shqiptarët do të shohin fatin e tyre.



(Tribuna-Athine)E Premte, 04 Prill 2008