Monday, May 05, 2008

Mesha Ortodokse u mbajt në gjuhën shqipe


Nga Frrok Çupi (Tribuna)



Pas Ditës së Pashkëve, gjatë gjithë kohës kam vëzhguar ekranet dhe faqet e gazetave për të gjetur ndonjë shënim sado të shkurtër rreth Meshës së Mesnatës për Pashkët Ortodokse, në Kishën e Tiranës. Mesha u mbajt e tëra në gjuhën shqipe. Ndoshta profesioni i gazetarit më bënte të vemendshëm; ose më mirë një ide e re e gazetarisë së kohës që po vërtitet nëpër vendet më të përparuara të Europës. Ideja europiane i dedikohet një “gazetarie të dobishme” dhe kundër “gazetarisë acid”.

Prej një kohe shumë të gjatë është vërtitur në të gjitha letrat, sheshet dhe kafenetë, kërkesa e ethshme për “gjuhën shqipe në Liturgjinë Ortodokse”. Që nga viti 1991, kur u rivendos Kisha Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, pas 34 vjet të ndaluar, janë zhvilluar mijëra përpjekje, herë satanike e herë “patriotike”, rreth të vetmes dobësi që kishte Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë: Gjuha.

Në vitin 1994, një projekt-kushtetutë e formuluar dhe “e bekuar” prej dorës së Presidentit të Republikës (sot kryeministër) kishte qëmtuar djallëzinë për rëzimin e Kishës dhe sidomos të kryepeshkopit, Anastasis, i cili “duhej të linte territorin e Shqipërisë” për arsye se nuk plotësonte “konditat”: Gjuhë shqipe, origjinë shqiptare, vendlindje në Shqipëri, etj. Në mijëra fletë gazetash dhe mitingje politike me ngarkesa nacionaliste, Kisha Ortodokse është akuzuar si “kali i Tojës” i Greqisë në Shqipëri. Në vitin 1995, me një iniciativë të pakontrolluar të Presidentit të Republikës, Kishës iu premtua kthimi i pronave, por që nuk u arrit me atë rast. Gjithë armiqësia ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë vinte nga fjala, dmth. gjuha që përdorej në liturgji, e cila nuk ishte shqipja por greqishtja.

Këtë vit, në Pashkët Ortodokse, në Kishën e Tiranës, mesha e mesnatës u mbajt tërësisht në gjuhën shqipe, nga Hirësia e tij Anastasis, kryepeshkop i Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Për këtë shënova në fillim se po prisja edhe një ditë pas celebrimit të Pashkëve, nëse dikush e kishte vënë re këtë fakt. Ideja dhe parimi i ri i gazetarisë moderne europiane, e ka vënë në themelin e vet kërkesën e “dobishmërisë”. A mund ta shkruajmë lajmin e mirë, ne gazetarët e një periudhe kur ka shumë “acid” mbi vlerat? Kjo është çeshtja.

Pas kësaj vjen edhe çeshtja madhore e principit të Autoqefalisë, të Gjuhës dhe të Ortodoksisë; të cilat në Shqipëri kanë pasur një rrugë shumë të vështirë. Në analet historike të Botës janë shënuar fakte tragjike që i kanë ndodhur Religjionit në përgjithësi, por edhe Ortodoksisë, gjatë shekullit të sapo kaluar. Autoqefalizmi i Kishës së Shqipërisë është më i riu në Kishat e Lindjes; të tjerët e kishin realizuar idenë shumë kohë më parë. Një prift, poet dhe politikan i shquar si Fan Noli, e themeloi autoqefalizmin e Kishës në vitin 1922, ndërsa në vitin 1967 tërë besimi u rrëzua prej dorës së shtetit. Që nga viti 1852 deri në 1965 Fan Noli kishte punuar me vullnet të hekurt për përkthimin në shqip të Liturgjisë Ortodokse; kjo u lexua kësaj here në meshën e Mesnatës prej kryepeshkopit Anastasis. Menjëherë pas vitit 1991, kur Shqipëria ndryshoi regjimin politik nga shtet ateist në shoqëri të hapur e plurale, nisi procesi për ndërtimin dhe funskionimin e 250 kishave ortodokse në të gjithë vendin. Në vitin 1992, me 24 Qershor, Patriarkana e Përgjithëshme emëroi Anastasin si kryepeshkop të Kishës Ortodokse. Që nga kryepeshkopi i fundit, Kristafi, i cili u gjet i vrarë në vitin 1952, Kisha Ortodokse nuk kishte pasur më një kryepeshkop. Anastasi, përmes paragjykimesh dhe pasionesh nacionaliste, mundi të ngrejë më këmbë një Kishë ku njeriu ndriçohet, edukohet, pasurohet dhe zhvillon dituritë në fushat e humanizmit, të shkencës dhe kulturës.

Mesha e fundit, në gjuhën shqipe, ishte edhe një argument për “mungesën” e plotësuar. Principi i dobishmërisë, kundër “acidit” mbi vlerat, kërkon që kjo të vihet re, të paktën.



E Premte, 02 Maj 2008

No comments: