Tuesday, June 17, 2008

Finaly the dream of funs "anti-bollano" is in the first step

Gazeta shqip (17-06-2008)

Vasil Bollano, sot ne gjyq per heqjen e tabelave

Nis procesi ne ngarkim te kryebashkiakut te Himares

Vasillaq Bollano, kryetar i Bashkisë së Himarës dhe kryetar i organizatës së minoritet grek në Shqipëri OMONIA, do të dalë sot përpara Gjykatës së Vlorës për t‘u përballur me akuzën për shpërdorim detyre. Kancelari i Gjykatës së Vlorës, Albert Pashaj, konfirmoi dje se gjyqi në ngarkim të shtetasit Vasillaq Bollano është caktuar të zhvillohet të martën më 17 qershor në orën 09:00. Gjyqtari i kësaj çështjeje do të jetë Shkëlzen Selimi, ndërsa akuza do të përfaqësohet nga kreu i Prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj. Ndërkohë, është konfirmuar se kreu i Bashkisë së Himarës do të mbrohet nga avokati Petraq Curri. Ka pak shanse që Vasillaq Bollano të paraqitet personalisht në gjykatë sot, por sidoqoftë kjo është përballja e tij e parë me drejtësinë, pas një serie akuzash që shpesh janë shndërruar në shprehje mllefesh nacionaliste dhe e kanë ngritur më lartë figurën e Bollanos në sytë e pasuesve të tij.

Prokuroria e Vlorës, e përfaqësuar në këtë rast nga kreu i saj, Sokol Malaj, e akuzon Vasillaq Bollanon për veprën penale "Shpërdorim detyre", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Prokuroria e ngriti këtë akuzë pas publikimit në gazetën "Shqip" të të ashtuquajturit "Skandali i tabelave".

Në vjeshtën e vitit 2007, kryebashkiaku i Himarës urdhëroi policinë bashkiake të shkulte të gjitha tabelat turistike-kulturore të vendosura në rrugën nacionale që kalon përmes territorit të Bashkisë Himarë, nga Palasa në Qeparo. Në dosjen mbi të cilën organi i akuzës ka ngritur padinë nuk trajtohet fakti që tabelat u hoqën me pretekstin se ishin të shkruara vetëm në shqip dhe anglisht dhe jo në greqisht. Por ky fakt është konfirmuar nga prefekti i Vlorës, Xhevahir Rexhepi, i cili në një intervistë për gazetën "Shqip" ka sqaruar se shkulja e tabelave ka ardhur pasi prefektura i ka refuzuar Bollanos dy kërkesa për të shtuar edhe gjuhën greke në tabelat që ishin vendosur në rrugën nacionale me miratimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Ky fakt është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të cilët e kanë diskutuar këtë çështje me Vasillaq Bollanon në një takim që kanë pasur në Himarë.

Kjo është një çështje që vlen më shumë për opinionin publik se sa për organin e akuzës, që tashmë ka krijuar bindjen se është konsumuar vepra penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Akuza ka në dispozicion si prova shkresore dokumentet që faktojnë urdhrin e dhënë nga Bollano dhe si provë materiale tabelat e shkulura nga një pjesë e rrugës nacionale Vlorë-Sarandë. Bollano nuk mund t‘i mohojë këto dy fakte, madje ai e ka pranuar tashmë këtë publikisht. Por kjo situatë nuk e nxjerr domosdoshmërisht fajtor kreun e Bashkisë së Himarës.

Që nga dita kur gazeta "Shqip" ngriti akuzën ndaj Bollanos, ai u justifikua me faktin se Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, u njeh edhe autoriteteve vendore disa të drejta mbi sinjalistikën në akset e rrugëve nacionale. Bollano thotë se ligji i lejon të vendosë tabela dhe për rrjedhojë nuk ia ndalon heqjen e tabelave nga aksi i rrugës që kalon në territorin e administruar prej tij. Në fakt Kodi Rrugor, ashtu siç thotë Bollano, lejon vënien e tabelave nga autoritetet vendore, por aty nuk ka asnjë nen që përcakton se kush e ka të drejtën të shkulë tabela.

Për këtë çështje, gazeta "Shqip" kërkoi në muajin mars 2008 një interpretim nga Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, por edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj, ministria nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Ky vakum në Kodin Rrugor, që mbetet ende i pasqaruar, pritet të jetë pika më e fortë e mbrojtjes së kreut të OMONIA-s, i cili gjithnjë ka ditur të gjejë rrugëdalje përballë akuzave që i bëhen shpesh në debate publike.

Neni 248 i KP

Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale apo jomateriale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300000-1000000 lekë.

No comments: