Foto ne mes: Plazhi i Kakomese
Foto poshte: amje nga gryka e Kakomese
(fotot nga Jano Koci: guideturistike )
post by
"nesturi plator" [platornesturi@hotmail.com]
Botuar ne Revista Klan
Ka mëse 10 vjet, që nga koha kur Shqipëria filloi të lerë pas krahëve ndihmat e ndërkombëtarëve për emergjencën e bukës, që herë pas here zhvillohen tryeza e seminare me investitorë të huaj. Thirrjet e cilido kryeministri të rradhës për të investuar në Shqipëri duke shpallur lehtësirat që u hapen të huajve në tregun vendas , gjithësesi nuk e kanë ndryshuar gjendjen. Investitorët seriozë e shohin ende me dylbi këtë cep të Ballkanit. Kësaj drame nuk i ka shpëtuar edhe kryeministri aktual megjithë grishjet nëpërmjet nismave “Shqipëria 1 Euro” apo duke deklaruar në vizitat në vendet fqinjë se marrëdhëniet e tregëtisë dhe të shkëmbimit do të njohin rritje dhe se investimet e tyre mund të rriten në miliarda euro. Investimet e të huajve kanë mbetur vetëm në rangun e privatizimeve në sektorin shtetëror, porse në zhvillimin e inisiativave të tjera të lira, ndërhyrja e kapitalit të huaj është gati e papërfillshme. Arësyet e kësaj gjendjeje, sipas specialistëve tanë, më së shumti justifikohet ose prej (in)stabilitetit të brendshëm (dikur), korrupsionit dhe mangësive në legjislacion për mbrojtjen e interesave të të huajve, ose për faktin se jemi një treg i vogël dhe jo i formatuar. Porse arësyen e vërtetë do të na e thosh qartë dhe shqoqur delegacioni i investitorëve gjermanë i ardhur së fundmi në një seminar qeveritar të organizuar plot pompozitet, se ata nuk mund të investojnë në Shqipëri përderisa nuk është zgjidhur problemi i pronësisë mbi tokën. Vetëm nga deklarata të tilla brusko, mund të kujtohemi se i kemi hyrë rrugës së ekonomisë së tregut me paranojat e mendësisë otomane ku pushteti qëndror ishte zot i gjithshkaje e shpërndarja e pasurisë dhe tokës ishte në dëshirë të këtij vullneti. Ndërkohë harrohet se ndër obligimet kryesore që ndërkombëtarët kushtëzojnë integrimin e vendit në BE dhe stukturat euroatlantike, përveç zgjedhjeve të lira, drejtësisë funksionale dhe luftës ndaj krimit e korrupsionit, është në rradhë të parë zgjidhja e problemit të pronësisë mbi tokën. Deri më tani, klasa jonë politike thjesht ka fshehur kokën në rërë duke mos guxuar ta shohë në sy këtë problem, ndërsa për opinionin publik referenca e kësaj teme të nxehtë shpërfaqet sa herë niviciotët përplasen me ndërtuesit për gjirin e Kakomesë, atëherë kur kujtohet se fatura e ligjit të legalizimeve për pronat e zaptuara do të paguhet nga qytetarët e ndershëm, apo sa herë ish pronarët shqiptarë ftojnë cështjen në Gjykatën e Strasburgut.
Ndërsa flasim për të drejtën e pronës si një e drejtë e shkelur, abuzimet mbi të dhe pasojat që ka sjellë kjo gjendje në ecurinë e zhvillimit ekonomik, shpesh baza e konflikteve ka si zanafillë origjinën e saj. Në të vërtetë origjina e pronës e parë në evoluimin e saj përbën dhe terrenin ku mbështeten marrëdhëniet e tregut imobiliar e më tej në sferën e investimeve mbi të. Por sa e njohur eshte për ne shqiptarët origjina e pronave? Si pjesë përbërëse e perandorisë osmane, gjithshka, tokat bujqësore, livadhet, pyjet e malet, sipas normës së kohës, kishin një pronar të vetëm: Sulltanin. Sistemi i timareve që u përdor deri në gjysmën e shekullit 19, shpërblente me prona kasten ushtarake, që mblidhnin taksat dhe jepnin një numër i caktuar ushtarësh për në luftë, porse këto prona nuk ishin të trashëgueshme. Pas reformës së Tanzimatit, godina osmane pëson ndryshime të ndjeshme duke vendosur rregulla më moderne. Në vend të timarlijve, krahu i zgjatur i perandorise bëhen zyrat kadastrale që regjistrojnë gjithshka për të përcaktuar dhe taksat. Ndonëse sulltani ruan të drejtën e pronarit, në këtë kohë nisin dhe marrëdhëniet e ekonomisë së tregut, shitblerjes së pronave etj. Ligji i tokës i vitit 1858, përcaktonte këto marrëdhënie të reja dhe ishte i vlefshëm jo vetëm gjatë eksistencës së perandorisë por shërbeu dhe në vitet e para të shtetit të ri shqiptar. Madje mund të thuhet se nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912 dhe deri në 1921-22, baza ligjore dhe marrëdhëniet e tregut vijuan me inercinë e legjislacionit turk dhe dokumentet gjithashtu hartoheshin në gjuhën arabe. Është interesante se kalimi i së drejtës së pronësisë nga perandoria drejt shtetit të ri shqiptar u bë në mënyrë të butë dhe pa trauma të rënda. E pra, kjo nuk mund të thuhet në ditët e sotme, kur ndonëse trashëgojmë të njëjtin shtet, kalimi nga një sistem në tjetrin është përcjellur me kaq pasoja për shqiptarët e të drejtën e pronës së tyre.
Gjatë viteve 20 dhe periudhës së mbretërisë, autoritetet shqiptare vijuan të njejtën rrugë për evidentimin dhe regjistrimin e pasurisë shtetërore dhe të personave privatë. Dokumentet e kësaj kohe në Arkivat tona janë shembulli më i mirë i funksionimit te shtetit dhe që paradoksalisht, edhe pas 70 vjetësh shërbejnë si dokumenti parësor që vërteton pronësinë mbi pronën. Më tej historia është më e njohur. Instalimi i regjimit komunist, e shoqëruar me shtetëzimet, reformën agrare e më pas kolektivizimin e tokës, dihet se sollën atë deformim të madh që jo vetëm i zhveshi shqiptarët nga e drejta e pronës, por dhe traumatizoi zhvillimin ekonomik dhe tregun. Cështja që diskutohet sot, është përse, pas 18 viteve tranzicion, ende nuk gjendet zgjidhje per cështjen e pronës. Për menyrën si po veprohet, duket se Shqipëria sapo ka dalë nga viti zero, dhe historikun e pronës në të po e diktojnë abuzuesit me pronën dhe zaptuesit e rinj të tokave rreth qyteteve e në bregdet. Problemi që shtrohet është dhe sa kohë do të vijojmë në këtë rrugë dhe sa do të jetë fatura e humbjes së perpektivës së zhvillimit.
No comments:
Post a Comment