Friday, January 09, 2009

Legalizimi i dokumenteve në ambasadën greke, tani me postë

Posta shqiptare merr në dorë shërbimin e legalizimit të dokumenteve për shtetasit që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Puna për zbatimin e aktmarrëveshjes midis Postës dhe Ambasadës Greke në Tiranë ka nisur nga dje.

Dritan Laci

Marte, 06 Janar 2009 09:39:00 (Shekulli)

Posta merr përsipër shërbimin e legalizimit. Dokumentet greke, nga dje qytetarët duhet të drejtohen në filialet postare në rrethet përkatëse

Tarifat dhe mënyra se si do të bëhet aplikimi në postë. Gazeta “Shekulli” bën të ditura procedurat

Posta shqiptare merr në dorë shërbimin e legalizimit të dokumenteve për shtetasit që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Puna për zbatimin e aktmarrëveshjes midis Postës dhe Ambasadës Greke në Tiranë ka nisur nga dje. Marrëveshja midis palëve pritet të ulë radhët e gjata në sportele, si edhe burokracitë që kanë hasur deri më tani emigrantët shqiptarë në vendin fqinj.

Me marrjen përsipër të shërbimit të legalizimit të dokumenteve, Posta Shqiptare garanton korrektësinë për të kryer në kohë shërbimin për të gjithë qytetarët, që deri ditë më parë rropateshin dyerve të ambasadës.

Qytetarët, të cilët kërkojnë të kryejnë procedurat e legalizimit do të kenë mundësi të marrin këtë shërbim, duke u adresuar në të gjitha zyrat postare në çdo qytet të vendit, sikurse bëhet e ditur, duke nisur nga dita e djeshme e në vazhdim, pa pasur nevojën të paraqiten në Tiranë.

Mjaftonte një vëzhgim rutinë në sportelet e Ambasadës Greke në Tiranë, për të parë vuajtjet që hiqnin qytetarët shqiptarë që shqyheshin nga rrobat në radhë për të marrë një firmë apo vulë që do t’u mundësonte legalizimin e dokumenteve. Si të luanin në teatrin absurd, përpëlitja për të ecur pak centimetra në radhë, ndodhte në shi dhe në diell.

Legalizimi i dokumenteve ka qenë temë bisedimesh në muajin nëntor të vitit 2007, edhe midis krerëve të dy vendeve. Në vizitën e tij në Greqi, Presidenti Bamiri Topi i kërkoi homologut të tij grek, Karolios Papulias, lehtësimin e procedurave të legalizimit për emigrantët shqiptarë që jetojnë në fqinjin jugor.

Kërkesa u bë më e ngutshme, pas vendimit të palës greke, që detyronte emigrantët shqiptarë me banim në këtë vend, të kryenin legalizimin e dokumenteve jo në konsullatën shqiptare në Athinë, por në Ambasadën Greke në Tiranë, gjë që solli edhe reagimin e ashpër të komunitetit shqiptar rezident në këtë vend.

Në vija të përgjithshme kjo ishte situata deri pak ditë më parë, ndërkohë që marrëveshja e fundit midis palëve pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm në shërbimin që do t’u ofrohet qytetarëve. Marrëveshja, në këtë rast, pritet t’i vijë në ndihmë edhe vetë Ambasadës Greke, çka do të sjellë lehtësimin e punës në selinë diplomatike, si edhe garancinë për t’iu përgjigjur në kohë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.

Shërbimi i ri do të shtrihet në të gjithë vendin ku ndodhen filialet e Postës shqiptare. Qytetarët, të cilët kanë vendbanimin në rrethe, mjafton të paraqiten pranë zyrave postare në qytetin ku ata banojnë për të postuar dokumentet për legalizim, pa qenë nevoja që të vijnë në kryeqytet për të ndërmarrë një veprim të tillë.

Ofrimi i shërbimit nëpërmjet Postës, jo vetëm që do të shmangë radhët në sportelet e ambasadës, por do të kursejë në këtë rast kohën dhe shpenzimet e individëve, të cilët kërkojnë të kryejnë procedurën e legalizimit të dokumenteve në ambasadë. Posta Shqiptare premton se me anë të shërbimit më të fundit postar, dorëzimi i dokumenteve për legalizim në Ambasadën Greke në Tiranë do të bëhet brenda 48 orëve nga momenti i postimit të tyre, ndërkohë që bën të ditur se të gjitha format e aplikimit, duke nisur nga java në vazhdim, do të jenë të afishuara në sportelet e filialeve të këtij institucioni.

Mënyra e aplikimit:

1.

Për çdo shtetas që është prezent në legalizimin e dokumentit, kërkohet, përveç dokumentit që do të legalizohet, një fotokopje e pasaportës së tij. Dokumenti të jetë i legalizuar më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, si dhe të jetë kryer pagesa e detyrimit për Ambasadën Greke pranë Alfa Bank, në shumën 2500 lekë për çdo dokument që do të legalizohet në këtë ambasadë.

2.

Për shtetasit shqiptarë, të cilët nuk janë prezentë, përveç dokumentit që do të legalizohet, kërkohet një deklaratë përgjegjësie, e cila merret në autoritet policore Greke ose pranë bashkive të këtij shteti, si dhe fotokopja e pasaportës të personit të autorizuar për kryerjen e këtij shërbimi. Theksohet që deklaratat e përgjegjësisë duhet të jenë vetëm nga autoritet greke.

3.

Dokumentet e mësipërme duhet të futen në një zarf, i cili do të plotësohet me adresën e dërguesit (emër, mbiemër, personi), dokumentet e të cilit do të legalizohen me adresë të plotë, dhe për marrës Ambasadën Greke Tiranë. Tarifa e shërbimit me pullë do të vendoset që në momentin e pranimit. Në rast se mungon njëri nga këto dokumente, Ambasada Greke ka të drejtë të mos legalizojë dokumentet.


Tarifat e shërbimit postar janë:

380 lekë

për qytetarët në rrethe

240 lekë

për qytetarët e Tiranës

1 comment:

Anonymous said...

Koregjim:

Deklarata e pergjegjesise nuk merret ne policine greke sic thote gazetarja , por policia greke verteton se eshte firma jote ne deklaraten qe ploteson vete
M. Ziu