Thursday, February 19, 2009

BB: Skandali i Jalit është tronditës-reagime nga skandali

gazeta shqip on line


Malltezi: Nuk i urdhërova unë shkatërrimet

Institucioni më i lartë vendimmarrës i Bankës Botërore pranoi dje raportin e shumëpërfolur të Panelit të Inspektimit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Jal dhe urdhëroi fi llimin e procedurave për të ndihmuar familjet e rrënuara fi nanciarisht, ndërkohë që hetimet për korrupsion në stafi n e Bankës Botërore vijojnë.
"Gabimet e Bankës Botërore që nga fillimi deri në fund me këtë projekt qenë rrëqethëse", - deklaroi presidenti i grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick.
"Ne nuk do të lejojmë që kjo gjë të përsëritet më kurrë", - vijoi ai. Edhe menaxherët e Bankës Botërore, të cilët qenë thirrur para bordit për të dhënë versionin e tyre, pranuan gabimet. Banka Botërore ka filluar menjëherë procedurat për të shqyrtuar situatën në Jal, duke vlerësuar dëmet e pësuara prej banorëve dhe për të parë rrugët se si ato do të ndihmohen. "Ne jemi gati të ndihmojmë familjet, të cilave iu shkatërruan ndërtesat", - deklaroi Zoellick.
Në Tiranë, Ministria e Transporteve, e cila është pala shqiptare në projekt, deklaroi se "vendimi i Bordit të Drejtorëve është problem i brendshëm i BB".
Sipas ministrisë, hetimi i panelit nuk ka të bëjë "aspak me çështje të lidhura me qeverinë e Shqipërisë apo Zyrën e Koordinimit të Projektit". Por ndryshe nga sa thotë qeveria, presidenti Zoellick ka urdhëruar edhe nisjen e hetimeve për të zbardhur nëse gabimet në projekt ishin gabime njerëzore apo të lidhura me akuzat për korrupsion. Si rregull, Paneli i Inspektimit nuk heton për korrupsion.

Departamenti i Integritetit Institucional tashmë ka për detyrë të hetojë në lidhje me akuzat për keqpërdorim të projektit. Në rast se gjen fajtorë, masa administrative do të ndërmerren kundër personave përgjegjës, ndërsa në rast se gjejnë shkelje të ligjeve shqiptare, ky departament mund sërë masash do të ndërmerren me mbështetjen e bankës, përfshirë:
një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimin e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve", deklaroi BB. Gjithçka do të fillojë me një vlerësim të humbjeve të banorëve të Jalit, ndërsa një studio ligjore do të analizojë përgjegjësit e shkaktimit të këtyre humbjeve dhe do të punojë për të detyruar përgjegjësit të shlyejnë këto humbje.

Jo zyrtarisht mësohet se avokatët e banorëve të Jalit, të cilët do të paguhen nga BB, mund t‘i drejtohen gjykatës shqiptare për të kërkuar dëmshpërblim jo vetëm për ndërtesat e shembura, por edhe për fi timet e munguara.
Burime nga qeveria bëjnë të ditur se BB i është lutur jo zyrtarisht qeverisë të mos ndërhyjë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të mos vonojë gjyqet. Banorët e Jalit mund të përfi tojnë edhe nga grantet e Bankës Botërore për zhvillim, pra nuk përjashtohet mundësia që BB të financojë pjesërisht punime publike në zonë. I gjithë procesi i trajtimit të këtij problemi do të mbikëqyret nga një institucion i pavarur nga menaxherët dhe qeveria. Pas tre muajsh, në Bordin e Drejtorëve Ekzekutivë do të raportohet për masat e marra.



NGJARJA E JALIT

Më 17 prill 2007, policia ndërtimore shkoi në Jal, e shoqëruar nga policia e rendit dhe shkatërroi pesëmbëdhjetë objekte. Ministri i Transporteve në atë kohë, Lulzim Basha, deklaroi në Kuvend se "prishjet janë pasojë e projektit të Bankës Botërore" dhe se "BB na kërkoi t‘i prishnim". Deputeti i zonës dhe ish-ministri i Drejtësisë, z. Spiro Peçi, deklaroi: "Unë i kam parë dokumentet e banorëve të Jalit. Shembjet kanë qenë të paligjshme. Në bazë të ligjit "Për Urbanistikën", nuk mund të shemben ndërtesa pa leje në zonat ku nuk ka plan urbanistik".
Katerina Koka, e cila banon në Kanada, ku gëzon titullin PHD në Ekonomiks nga Universiteti Guelph, pa në internet shtëpinë e shembur të prindërve të saj. Që nga ai çast nuk rreshti së dërguari ankesa te Banka Botërore. Një prej ankesave të saj ra në dorë të Panelit të Inspektimit. Paneli pyeti fi llimisht menaxherët e projektit nëse shembjet në Jal kishin apo jo lidhje me projektin. Përgjigjjaqe negative. Pas kësaj, një punonjës brenda projektit, dorëzoi te Paneli dy letra, të cilat Koordinatori i Projektit i pati dërguar krerëve të qeverisë shqiptare, përfshirë policinë ndërtimore. Letra e pare qe nisur më 26 mars 2007, rreth një muaj para shembjeve: "Siç mund të shihni nga fotot bashkangjitur, ndërtimet pa leje po vijojnë të ndërtohen në bregun e Jonit... duke marrë parasysh rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm, ju lutem merrni masat e nevojshme sa më parë të jetë e mundur".
Letra shoqërohej nga fotografi ajrore të zonës dhe sipas Panelit të Inspektimit, këto fotografi identifi kuan ndërtesat që u shembën. Në përgjigje të kësaj letre, policia ndërtimore njoftoi më 10 prill 2007 se "kemi marrë të gjitha masat dhe vendimet për shkatërrimet e ndërtimeve". Sipas Panelit, Koordinatori i Projektit nuk e njoftoi Bankën Botërore menjëherë mbi letrat që i dërgonte në emër të projektit policisë ndërtimore. "Vetëm më 20 prill, pasi ndërtesat qenë shembur, menaxherët e projektit u njoftuan për letrën e koordinatorit", thotë raporti i Panelit. Një letër e dytë, e nisur më 24 maj, kërcënonte qeverinë shqiptare se "ndërtimet pa leje në bregdet vënë në dyshim vijueshmërinë e fi nancimit të projektit". Sipas konkluzioneve të panelit, Koordinatori i Projektit qe "aktiv në nisjen e shkatërrimeve nga policia ndërtimore dhe po funksiononte si ekzekutuese". Për më tepër, projekti ka pajisur Bankën Botërore me Pajisje të Pozicionimit Global dhe me mjete të tjera për të identifi kuar dhe shembur ndërtimet pa leje. Koordinatori i Projektit, z. Jamarbër Malltezi, ka deklaruar se "konkluzionet e Panelit të Inspektimit qenë të njëanshme dhe të pabazuara në fakte".
Ministria e Transporteve ka deklaruar se z. Malltezi ishte i detyruar të dorëzojë fotografi të te Policia Ndërtimore për shkak se produktet e projektit janë pronë e shtetit shqiptar. Ngjarja pritet të vijojë me hetime të mëtejshme nga ana e Bankës Botërore, kësaj here për të shqyrtuar akuzat për korrupsion


Malltezi: Nuk i urdhërova unë shkatërrimet e Jalit

Koordinatori i Projektit të Jalit në Bankën Botërore, Jamarbër Malltezi, ka mohuar çdo përgjegjësi për prishjen e banesave të banorëve lokalë. Në një intervistë për VOA, Malltezi deklaroi se në projektin e BB nuk përfshihet asnjë plan për prishjen e banesave dhe ka theksuar se nuk i ka dhënë asnjë udhëzim policiesndërtimore.
"Unë nuk e kam udhëzuar policinë ndërtimore. Këto janë spekulime të grupeve të botuesve dhe ndërtuesve. Gjithashtu, në projekt unë nuk pashë asnjë kërkesë për prishje. Si qeveria, ashtu dhe policia ndërtimore, kanë qenë në përputhje me ligjin", ka pohuar Malltezi.Paneli i inspektimit, në faqen 30 thotë: Koordinatori i Projektit qe aktiv në nisjen e shkatërrimeve dhe policia ndërtimore po funksiononte si ekzekutuese e tij".
Sipas Malltezit, lajmet e publikuara në media të ndryshme, që e bëjnë atë përgjegjës për prishjen e banesave, janë vetëm spekulime dhe sulme tëndërtuesve. "Në raportin e saj në 2004-ën, BB kërkoi heqjen e ndërtimeve të paligjshme. Ky është një problem i bankës. Nëse një klan Brenda bankës mendon se nuk duhet ta kishte ndihmuar planin, prapë ky është problem I bankës", ka shtuar Malltezi



Banorët e Jalit thonë se BB rrafshoi jetën e tyre

Banorët e Jalit thonë se BB rrafshoi jetën e tyre Arrin t‘i shohësh fëmijët e mi? Dallohen atje në majë të malit dhe po mbledhin
sherebel". Bashkim Andoni, një prej banorëve të Jalit, na tregoi të shtunën se si jetohet tashmë në atë fshat, dy vjet pas shkatërrimeve që la pas policia ndërtimore. Sherebela është një bimë mjekësore që eksportohet me shumicë nga Shqipëria. Fshatari që e mbledh arrin të marrë 15 lekë të reja për kilogram të tharë dhe në një ditë pune, zor se mund të bësh shumë lekë. "Për të shkatërruar një shtëpi nevojitet jo më shumë se gjysmë ore, por për ta ndërtuar, nuk mjafton
gjithë jeta", tha Nasi Simoni, një kapiten marine në pension, I cili banon në Jal që nga vitet ‘90. Nasin e gjetëm duke bërë gati rrjetat për të peshkuar me një varkë të vockël. Frytin e punës së vet e shet në Himarë.
"Unë pata marrë një kredi për të ndërtuar një lokal", - thotë ai, duke shtuar se lokalin e kishte me leje të rregullt. "Tani banka më jep vetëm 3 mijë lekë nga pensioni prej 17 mijë lekësh, sepse pjesa tjetër më shkon për të shlyer kredinë". Lokali i tij qe nga ndërtesat e shembura në prill 2007.
"Qiratë që merrnim nga turistët gjatë verës qenë si një konservë për në dimër", - thotë ai. "Kur na i shkatërruan shtëpitë na thanë se së shpejti do të hamë me lugë argjendi për shkak se ai qe pjesë e një projekti të Bankës Botërore.
Policia ndërtimore po punonte për llogari të projektit të Bankës Botërore për mbrojtjen e bregut të Jugut. Por në fakt, projekti përfundoi me shembjen e një pjese të fshatit, duke lënë familje të pastreha. Disa prej familjeve vijojnë të jetojnë në shtëpitë e rrënuara. Në njërën prej tyre, tavani pikon sa herë që bie shi. Vendasit thonë se banesat e tyre i ndërtuan falë kursimeve të mbledhura gjatë kohës që punonin si emigrantë në Greqi. Jetë të rrënuara Jali gjendet në bregun e Jonit dhe gjerësisht konsiderohet si gjiri më i bukur i rivierës shqiptare. Dy shkrimtarë shqiptarë nga ajo zonë kanë shkruar gjerësisht për ujërat e kaltra dhe plazhet ranore, duke krijuar një imazh idilik. Shumë prej familjeve kanë banuar aty që prej 300 vjetësh. Në një kishë të vogël në anë të fshatit gjenden edhe varret e paraardhësve të tyre. Pas rënies së komunizmit, shtëpitë e fshatit qenë diçka më shumë se kasolle dhe banorët u larguan për në Greqi në kërkim të një jete më të mirë.
"Unë punoja tek Eleftero Tipia, (e përditshme greke), 15 orë në ditë për 11 vjet. Paketoja gazetat gjatë së gjithë natës. Askush nuk pranonte ta bënte atë punë përveç shqiptarëve", - tregon Athina Andoni. Përgjatë shumë viteve, banorët kapën mundësinë për të ndërtuar ekonomi të vogla turistike, duke ndërtuar restorante dhe pak dhoma që i jepnin me qira. Por pjesa më e madhe e turistëve në Jal qëndronin në çadra.
"Unë kam punuar për 35 vjet si mjek ligjor. Unë e kuptoj fuqinë e ligjit, por ajo që na detyroi të ndërtonim pa leje qe vetë ligji", - thotë Andon Koka. Banorët dëshironin të merrnin leje ndërtimi, por autoritetet nuk i dhanë ato nën argumentin se zona nuk kishte plan urbanistik. Dy dekada pas rënies së komunizmit, qeveria nuk ka hartuar ende një plan urbanistik, ndërsa pretendon se njerëzit duhet të jetojnë në shtëpitë që kishin në vitin 1990. Duke pranuar realitetin, Parlamenti miratoi një ligj të ri "Mbi Urbanistikën" në vitin 1998, ku thuhej se ndërtimet pa leje mund të legalizoheshin nëse respektonin distancat urbanistike dhe zotëronin titull pronësie mbi tokën.
"Motra ime më la një cope tokë këtu, por qeveria nuk dëshiron ta regjistrojë dhe të na jape leje ndërtimi", tha Vora Rrenja, një mësuese në pension.
"Djali im, i cili jeton në Greqi, mendoi se, duke qenë se të gjithë po ndërtonin pa leje, ne mund të bënim të njëjtën gjë. Por jemi të vetmit që e paguam".
Në kodrën që mbikëqyr gjirin e Jalit, një hotel nën pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, ka shtuar dy ndërtesa katërkatëshe, pa kurrfarë leje ndërtimi, por ato nuk u shembën nga Policia Ndërtimore. Vendasit thonë se zyrtarët më të lartë të ministrisë vinin aty me helikopterë e me skafe për pushime. Në një rast, në gusht 2006, organizuan një garë me kuaj në plazh, pavarësisht se aty gjendeshin disa dhjetëra pushues. Bashkia e Himarës nuk e komentoi nëse ndërtimet e Ministrisë së Mbrojtjes qenë me leje apo pa leje. "Kishte aq shumë policë atë ditë në Jal. Kishin ardhur pa zbardhur. Banorët nuk dolën nga shtëpitë, sepse menduam se mos bëhej fjalë për ndonjë operacion antitrafik. Sipas tyre, një prej inxhinierëve të policisë ndërtimore dha dorëheqjen në vend kur iu kërkua lëshimi i urdhrave
të prishjes për të gjitha ndërtesat. "Ata kishin një taktikë hutuese. Shkatërronin një pjesë të ndërtesës, lëviznin pak më tutje dhe ktheheshin sërish", rikujton Andoni. "Ne nuk mund t‘i luftonim ata; kishte 30 policë për çdo plak në fshat". "Ne punuam si emigrantë në Greqi për shumë vite dhe djersitëm gjak për të kursyer para", - tha Bashkim Andoni. "Ne u kthyem këtu për një jetesë më të mirë, por qeveria na shkatërroi shtëpitë. Ne gjithmonë i paguajmë taksat me korrektesë, por qeveria nuk na e shlyen ndershmërinë", - tha Bashkimi, i cili tregon se pati kërkuar në Bashkinë e Himarës një certifikatë lindjeje, por nuk ia kishin dhënë për shkak se nuk kishte paguar dy vjet taksa për hotelet që ndërtimorët ia kishin shembur.
Vora Rrenja, një ish-mësuese, mendon se qeveria shqiptare u tregua më brutale kundrejt tyre sesa pushtuesit e Luftës së Dytë Botërore. "Unë jam 75 vjeçe dhe mbaj mend luftën italo-greke; Erdhën italianët dhe pas tyre gjermanët, por nuk na i shkatërruan shtëpitë".
Mafi a e tokave? Dy vjet më pas, Jali është ende përplot me rrënoja dhe shtëpi gjysmë të shembura. "Ne u përpoqëm t‘i pastronim, por hoqëm dorë kur një nga vajzat tona u sëmur me hernia, duke hequr blloqet e betonit", - thotë Athina Andoni. Kur doli raporti i Panelit të nspektimit, Kryeministri Sali Berisha e konsideroi atë si një raport të mbushur me gënjeshtra dhe të ndikuar nga mafia e tokave. Banorët ndjehen shumë të fyer nga kjo gjë. "Unë jam një pensionist, jo një mafioz", thotë Andon Koka, i cili tregon se Paneli i Inspektimit pati pyetur në fillim "menaxherët" se pse u shembën ndërtesat. Përgjigjja qe: "I përkisnin mafi es, qenë bërë me para droge".
"Unë kam punuar si mjek ligjor gjithë jetën. Kam parë hetuesi, por kurrë si ajo e Panelit të Inspektimit", - thotë Koka. "Më pyetën për më shumë se pesë orë, për gjithçka kisha bërë që kur linda. Erdhën në shtëpi, kërkuan të shohin edhe banjon".
Banorët thonë se do të vijojnë të luftojnë për të drejtën e tyre. "Ne jemi pronarë të ligjshëm. Kjo tokë është trashëguar nga prindërit te fëmijët për shumë breza", - tha Bashkim Andoni. "Ky vend është i yni dhe ne do të luftojmë për të. Nëse nuk ia dalim ne, fëmijët tanë do t‘ia dalin".

Berisha: "Inspection Panel" është i korruptuar Paneli i Inspektimit është korruptuar nga mafi a e betonimit të bregut të Jugut". Ky ishte komenti i kryeministrit Sali Berisha, dhënë mbrëmë në një konferencë për shtyp. "Banka Botërore ka bërë transparencën e procesit ku merr të gjitha përgjegjësitë e veta. Presidenti i BB-së është një personalitet i shquar dhe ka përcaktuar se ai do të nxjerrë përgjegjësitë për ata që kanë gabuar. Por ka një moment: Ka një kohezion të mafies së ndërtimit të Shqipërisë. Qeveria ruan të drejtën e ndjekjes deri në fund të hetimit të këtij komisioni", u shpreh Kryeministri. "Banka Botërore bëri shumë mirë që qartësoi çdo gjë, por qeveria do t‘i kërkojë bankës të hetojë korruptimin e ‘Inspection Panel‘".
Sipas Kryeministrit, Banka Botërore ka parashikuar në project shkatërrimet e ndërtimeve pa leje. "Ajo çfarë banka nuk parashikoi, janë dëmshpërblimet. Ky është një problem i bankës", tha Berisha. Ai dha një përgjigje indirekte ndaj kërkesës së BB për kompensim të banorëve të Jalit, duke deklaruar se një masë e tillë mund të bëhet vetëm në bazë të ligjeve të vendit dhe për të gjithë qytetarët, duke përmendur shembjen e disa shtëpive në Tiranë në zonën e Maternitetit të Ri, nga Bashkia e Tiranës. Sipas tij, mbulimi mediatik i problemit është një sulm i iniciuar nga Edi Rama, media është e kontrolluar nga mafi a "për të intoksikuar hapësirën mediatike". Ai akuzoi kryetarin e opozitës se "ka qenë aksioner 40 për qind" në një fshat turistik të projektuar për zonën e Jalit.


LSI: "Të dëmshpërblehen banorët e Jalit"

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje që të zbardhet skandali i Jalit dhe masakra e bërë me pronat atje. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, theksoi se është e patolerueshme që edhe sot e kësaj dite nuk kemi asnjë veprim konkret as nga ana e qeverisë dhe as nga prokuroria shqiptare për të zbardhur të vërtetën dhe përgjegjësit e saj. "Qëndrimi i qeverisë shqiptare është absurd dhe i kompromentuar për sa kohë që ajo bën të paditurin dhe vazhdon me një kokëfortësi të thotë edhe me gojën e Kryeministrit se ky është një problem I brendshëm i Bankës Botërore dhe gjoja klaneve brenda saj", nënvizoi Vasili.

Ministria e Transporteve: Nuk jemi nën hetim
Ministria e Transporteve reagoi me një deklaratë zyrtare ndaj vendimit të Bankës Botërore për të pranuar konkluzionet e Panelit të Inspektimit. "Deklarata e Bankës Botërore rikonfi rmon faktin që problemet me projektin janë probleme të brendshme të Bankës Botërore. Deklarata për shtyp sqaron qartësisht se këto probleme kanë të bëjnë me përputhshmërinë, me politikat dhe procedurat e vetë bankës qysh gjatë konceptimit të projektit në vitin 2004 e në vijim dhe aspak me çështje të lidhura me qeverinë e Shqipërisë apo Zyrën e Koordinimit të Projektit", - tha ministria në një deklaratë.

2 comments:

Anonymous said...

ORE KUSH ESHTE ADMINISRTATOR I HIMARES BLOG. JENI NE VETE? NE DEPARTAMENTIN AMERIKAN DISKUTOHET NJE FSHAT I TERE VORIO EPIRIOT NE KRAHINEN E HIMARES ESHTE RENUAR NGA URDHERI I QEVRRISE SHQIPTARE NGA ANA TJETER SHTYPI SHQIPTAR THOTE SE JALI ESHTE NE RETHIN E VLORES, ASGJE TE JETE NE BASHKINE E HIMARES?...CFAR BEHET TA MARIM VESH..DO TE PAGUHEN ATA NJEREZ QE U ESHTE SHKATERUAR RPNA NE TOKEN E VETE DHE CFAR PERGJEGJESIE KA BERISHA...........?
TJATER INTERNET HIMARA ISHTE, TJATER SHIKOJE TANI..TE LUTEM SHUME ADMINISTRATOR ...NUK MBANE ME PILAFI...

akroqeravnos said...

I dashur mik (qe bere komentin e siperm), Artikujt qe paraqiten jane nga shtypi shqiptar te cilet sic e shikon pasqyrojne me "paanesi" ngjarjet e Jalit, por nuk do as mend shume as kalem qe mafiozet e qeverise shqiptare perpiqen te fshihen mbas banges borerore.
Megjithate informacioni gjendet lehte edhe ne artikuj e pa-anshem dhe prndaj paraqiten ne bloger.

Mirepresim verejtjet dhe komentet tuaja e pse jo edhe artikuj te plote