Monday, February 09, 2009

Interviste e znj. Dora Bakojani

Robert Rakipllari (gazeta Panorama)

Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojani ka theksuar dje edhe njëherë shqetësimin e OSBE, BE dhe Këshillit të Evropës për ligjin e pastërtisë së figurave. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, shefja e diplomacisë greke ka folur hapur për pasojat e këtij ligji në sistemin gjyqësor të Shqipërisë. Bakojanis, e cila viziton sot Tiranën është shprehur pro mandatit aktual të OSBE-së si dhe ka pranuar të komentojë çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi, ratifikimin e protokollit të Shqipërisë në NATO, emigrantët dhe pavarësinë e Kosovës.
Znj. Bakojanis, Ju vizitoni Shqipërinë si kryetare e radhës e OSBE-së në prag të zgjedhjeve parlamentare. Cila është axhenda e kësaj vizite në Tiranë dhe cilat do të jenë pikat kryesore ku ju do të fokusoheni gjatë bisedimeve me autoritetet shqiptare?
Kam kënaqësinë të vizitoj Shqipërinë në një nga udhëtimet e mia të para, pasi Greqia mori Presidencën e OSBE-së. Duhet t’ju them se në kuadrin e Presidencës greke, do të vizitoj brenda vitit, të 19 misionet e OSBE-së dhe është e natyrshme që ta filloj nga miqtë dhe fqinjët. Mendoj se kemi çështje të shumta dhe të rëndësishme për të diskutuar. Midis të tjerave, Mandati i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, kandidatura e Shqipërisë për Presidencën e Organizatës, zgjedhjet e pritshme parlamentare të 28 qershorit 2009, shteti i së drejtës dhe liria e shtypit janë ndër çështjet e para të axhendës sonë.
Ka pasur një debat për mandatin e misionit të OSBE-së në Shqipëri. A do të jetë kjo çështje pjesë e bisedimeve tuaja në Tiranë dhe a e përkrahni kërkesën e qeverisë shqiptare për reduktimin e mandatit të misionit të OSBE-së?
Sigurisht, ashtu siç përmenda, Mandati i Misionit të OSBE në Shqipëri, do të jetë një nga çështjet kryesore për diskutim. Jam në dijeni të dëshirës që ka shprehur qeveria Shqiptare për adoptimin e një mandati të ri, me të kufizuar. Me duhet t’ju them se mandati ekzistues ka mbështetjen si të shumicës së shteteve anëtare të OSBE –se, ashtu dhe të Bashkimit Evropian si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në çdo rast, duke marrë seriozisht parasysh dëshirat dhe shqetësimet e qeverisë Shqiptare, misioni i OSBE në Shqipëri bën përpjekje të rëndësishme për të koordinuar veprimtarinë e tij me përparësitë strategjike të vendit mikpritës.
Misioni i OSBE-së në Tiranë ka përkrahur shqe-tësimet e disa kancelarive ndërkombëtare lidhur me ligjin për Pastërtinë e Figurave, të miratuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar. A e keni planifikuar si temë të bisedimeve me autoritetet shqiptare këtë ligj dhe si ministre e Jashtme e një vendi të BE-së a e rrezikon procesin e integrimit në ligj i tillë?
Tema së cilës i referoheni, është e qarte që përfshihet në çështjet, që jam e predispozuar të diskutoj me autoritetet Shqiptare. Ne përshëndesim vendosmërinë e Shqipërisë që të bëjë çdo përpjekje të mundshme në drejtim të perspektives së vet evropiane. Sigurisht që në këtë kuadër, Shqipëria duhet të vazhdojë nismat e saj pozitive dhe të bëjë hapat e domosdoshëm, në mënyrë që të arrijë objektivat e veta. Siç e dini, OSBE në marrëveshje të plotë me BE dhe me Këshillin e Evropës ka shprehur shqetësimin e vet për ligjin në fjalë dhe pasojat eventuale të tij në sistemin gjyqësor të Shqipërisë.
Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në 28 qershor të këtij viti. Sa të rëndësishme do të jenë këto zgjedhje dhe a planifikon OSBE-ja një mbulim të gjerë me vëzhgues të tyre?
Zgjedhjet parlamentare në një vend, janë gjithmonë shumë të rëndësishme. Ora e kutisë së votimit është e shenjtë. Është ora gjatë së cilës shprehen qytetarët dhe japin verdiktin e tyre në lidhje me të ardhmen që dëshirojnë për vendin e tyre. Sigurisht që OSBE do të jetë prezente. Në këtë kuadër është e rëndësishme që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen në bazë të parimeve dhe rekomandimeve të Zyrës kompetente të Institucioneve Demokratike dhe të së Drejtave të Njeriut të OSBE (ODIHR), por dhe në bazë të kritereve ndërkombëtare. Adoptimi i kodit të ri elektoral dhe hartimi i listave të reja të zgjedhësve në bazë të regjistrit të ri, përbëjnë hapa pozitivë dhe të domosdoshëm në këtë drejtim.
Parlamenti grek sapo ratifikoi MSA-në e BE-së me Shqipërinë, ndërsa keni në proces protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Si do t’i vlerësonit disa komente në Shqipëri që Greqia ka qenë e fundit në ratifikimin e MSA dhe po rezulton si një prej shteteve të fundit që po ratifikon protokollin e NATO-s?
E dini që ratifikimi i një konvente ndërkombëtare nga ana e parlamentit grek, ashtu dhe prej çdo parlamenti tjetër, u bindet procedurave konkrete dhe limiteve kohore që përcaktohen në legjislacionin kombëtar. Pra këtu qartësisht, nuk kemi të bëjmë me gara. Se kush do ta ratifikojë i pari dhe kush i fundit, mund të jetë një rezultat krejtësisht koniunktural. Radha e ratifikimeve nuk lejon, dhe as që duhet të na çojë në konkluzione të pabaza. Në rastin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, u shfaqën, siç jeni në dijeni ndërkohë, probleme teknike për Greqinë dhe për Gjermaninë që lidheshin me përkthimin e tekstit të Marrëveshjes, të cilat duheshin kapërcyer. Procedura e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO përfundon në pak ditë në Parlamentin grek. Por më duhet ta risjell çështjen në dimensionet e veta reale dhe të përsëris faktin, se Greqia mbetet mbështetëse e qëndrueshme dhe konsekuente e perspektives evropiane të Shqipërisë dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor. Mbështetem dhe mbështesim kandidaturën e Shqipërisë për anëtarësim ne NATO dhe gëzohemi posaçërisht për faktin se shumë shpejt, marrëdhëniet tona do të forcohen akoma me tepër nëpërmjet aderimit të Shqipërisë në organizëm.
Para se të ratifikohej MSA-ja, organizata OMONIA i dërgoi një memorandum Parlamentit grek, ku i kërkonte që të mos miratohej kjo marrëveshje dhe se Shqipëria duhej të plotësonte disa kushte në lidhje me minoritetin, madje pati dhe protesta para godinës së Parlamentit. Pse nuk u mor parasysh ky memorandum dhe a mendoni se qeveria shqiptare nuk ka bërë aq sa duhet për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri?
Sigurisht, pikëpamjet e shfaqura nga përfaqësuesit e minoritetit etnik grek merren seriozisht parasysh dhe gjykohen respektivisht gjatë procedurës së marrjes së vendimeve konkrete. Jemi të sigurt se e njëjta gjë bëhet dhe nga ana e qeverisë shqiptare. Në çdo rast, kujdesi i shtetit grek për çështjet e minoritetit është i padiskutueshëm, i qëndrueshëm dhe esencial. Greqia, siç e theksova më lart, mbështet ngrohtësisht perspektiven evropiane të Shqipërisë dhe kemi bindjen se nëpërmjet progresit që shënohet në kuadrin e kësaj ecurie, u shërbehet dhe çështjeve të minoritetit. Ne e njohim se Shqipëria ka shënuar progres në çështjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, ndërsa inkurajojmë dhe mbështesim njëkohësisht përpjekjet e qeverisë shqiptare për hapa të mëtejshëm progresi të dukshëm në këto fusha.
Si do t’i konsideronit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë në këtë moment? Megjithëse sapo është nënshkruar marrëveshja për varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ka komente se Greqia nuk ka respektuar nenin 15 te Traktatit të Miqësisë mes dy vendeve lidhur me pronat e shtetasve shqiptarë atje. A ekziston një kërkesë nga autoritetet shqiptare për këtë çështje dhe cila është zgjidhja sipas jush?
Jemi shume të kënaqur që viteve të fundit, me përpjekje të përbashkëta të të dyja palëve, kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira dypalëshe dhe punojmë në një klimë besimi reciprok dhe predispozicion bashkëpunimi të ngushtë, ashtu siç vërtetohet nga të gjitha kontaktet tona me qeverinë shqiptare. Në këtë kuadër u bë i mundur nënshkrimi i Marrëveshjes me qeverinë Shqiptare për Varrezat Ushtarake të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të 1940–‘41. Bëhet fjalë për një çështje të natyrës humane dhe kam shprehur ndërkohë publikisht falënderimet e palës greke për qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që treguan, duke çuar në një përfundim të mbarë një çështje që vazhdonte prej vitesh. Përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, do të dëshiroja të theksoja se Greqia u përmbahet atyre për të cilat ka rënë dakord dhe është tërësisht e obliguar nga të gjitha Marrëveshjet që ka nënshkruar. Kjo për politikën e jashtme greke është një çështje parimore. Probleme eventuale pronësie të qytetarëve shqiptare mund të zgjidhen para drejtësisë greke, ashtu siç parashikohet në çdo shtet modern demokratik dhe ligjor.
Në Greqi jetojnë rreth 700 mijë emigrantë shqiptarë. Si e vlerësoni kontributin e tyre në ekonominë greke dhe a keni ndonjë plan të afërt për të lehtësuar procedurat e integrimit të tyre në shoqërinë greke?
Në Greqi jeton dhe punon një numër i madh emigrantësh ekonomikë dhe punëtorësh sezonale nga Shqipëria, të cilët janë integruar normalisht në shoqërinë greke. Kontributi i tyre në ekonominë greke është thelbësor dhe i njohur, por ata kontribuojnë në po të njëjtën masë dhe për ekonominë shqiptare, me remitancat qe dërgojnë shpesh duke mbështetur ekonomikisht familjet e tyre. Administrimi i mirë i prurjeve emigratore përbën një sfidë për Greqinë tashmë prej 15 vjetësh. Në periudhën që isha kryetare Bashkie e Athinës zbatuam një sërë programesh të suksesshme për të lehtësuar emigrantët. Qeveria greke bën përpjekje sistematike dhe të sinqerta për të lehtësuar në praktike emigrantët në çështje të ndryshme, që i preokupojnë dhe që janë kompetencë e ministrive greke.
Cilat janë disa nga arsyet kryesore që Greqia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës edhe pse njeh pasaportat e këtij shteti. A mendoni se shteti i Kosovës është një realitet i ri në Ballkan?
Ashtu siç theksova dhe gjatë vizitës që realizova para disa ditësh në Prishtinë, Greqia është e ndërgjegjshme për përgjegjësitë e saj të shtuara në Evropën Juglindore dhe punon për avancimin e paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit. Mbështesim në mënyrë të qëndrueshme perspektiven evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, dëshirojmë që banorët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirisht në Evropë dhe, rrjedhimisht, akordojmë viza mbi një fletë të veçantë letre, të vlefshme vetëm për territorin grek, për poseduesit e pasaportave të reja kosovare. Qëndrimi i Greqisë në çështjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i orientuar qëndrueshëm ndaj ruajtjes së stabilitetit në rajonin më të gjerë dhe gjithashtu ndaj ligjshmërisë ndërkombëtare. Ne besojmë tek zgjidhjet reciprokisht të pranueshme, tek zgjidhjet që janë rezultat i dialogur dhe i diplomacisë.
Ju keni pasur mosmarrëveshje të forta me FYROM për çështjen e emrit. Si i vlerësoni negociatat e deritanishme dhe a shikoni një zgjidhje të shpejtë të këtij ngërçi?
Greqia i qendrën me devocion, në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme, procedurës së negocimit, nën Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje reciprokisht të pranueshme sa më shpejtë që të jetë e mundur, në favor të marrëdhënieve tona dypalëshe si dhe të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Të një zgjidhjeje pa fitimtarë dhe të mundur. Për fat të keq, qeveria e Shkupit ka përzgjedhur që të investojë tek nacionalizmi i skajshëm dhe ka bërë shumë veprime dhe deklarata provokuese, duke ndjekur politikën e zvarritjes së problemit. Këto praktika sigurisht nuk favorizojnë krijimin e një klimë pozitive dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. I referohem për ilustrim problemit që lindi me financimin e segmentit te Korridorit Panevropian 10-të, i cili përshkon territorin e FYROM. Qeveria greke kishte bërë të ditur predispozicionin e vet për të financuar me 50 milionë euro këtë segment. Ndërkohë, tashti së fundi, qeveria e FYROM–it vendosi t’i japë këtij segmenti emrin «Aleksandri i Madh». Veprime të tilla minojnë për fat të keq krijimin e klimës së besimit dhe të mirëkuptimit dhe vështirësojnë perspektiven e zgjidhjes së çështjes së emrit.

No comments: