Wednesday, February 04, 2009

Jali, vendi ku ndërthuren perlat me gërmadhat

shenim per zgjerimin e fjalorit nga gazetaret: emertimi i zones bregdetare ne vuno eshte Jal (trajta e shquar jali ne perdorimin shqip te ketij emertimi dhe jo "jala" sic e sjell gazetarja A. Peci.
Jal vjen nga greqishtja Jalos (theksi ne fund) -dmth breg det me rrere e zhavor, anglisht coast, beach.


Anila Peçi | 04/02/2009 |Shekulli on line

Banorët, lumë akuzash mbi qeveritarët


VLORË - Asgjë nuk i ka ndryshuar rrugës që çon për në Jalë. Janë po ato gropëzime të mëdha në atë pak asfalt, që i lë vendin më pas aksit të pashtruar.


E megjithatë, gjelbërimi i këndshëm e pas kësaj tatëpjeta gjarpër drejt gjirit të vogël, ku panorama shfaqet mahnitëse, ta shkëpusin vëmendjen nga rruga.


Valët shkumbëzohen drejt zhavorit të imtë në breg dhe deti çuditërisht nuk e ka humbur kaltërsinë as në grinë dimërore. Drejtojmë sytë nga fshati, ndërsa banorët që kanë mbetur në Jalë, mblidhen të gjithë aty sapo mësojnë se jemi gazetarë. Lajmërimi bëhet shpejt.


Kanë mbetur pak familjarë. Janë vetëm 6 shtëpi të banuara. Të tjerët, pas prishjes së banesave, kanë marrë plaçkat dhe shumica i janë rikthyer kurbetit. Ata që kanë mbetur, për gati dy vjet rrinë me frikën e prishjeve të tjera. Shtëpitë në katet e lartme janë thuajse gërmadha, ndërkohë që ata ende shpresojnë se do të vijë një ditë që të gjejnë drejtësinë. Informacioni se çfarë do të bëhet më tej vjen thjesht nga mediat e pakta, të cilat mundin të futin valët e tyre në fshatin që mund të quhet një perlë.


Akuzat


"Dëgjuam ato që u thanë në parlament, por edhe ato që shkruhen në gazeta, - thonë banorët për Bankën Botërore, - dhe tashmë shpresojmë vetëm tek ajo.


Emri i Jamarbër Malltezit shqiptohet me nervozizëm, ndërkohë që një prej tyre thotë se ai së bashku me Berishën janë kuçedrat që përpinë investimet e tyre dhe ato çka kishin nxjerrë me gjak nga puna disavjeçare që kishin bërë në Greqi. "Asnjë qeveritar nuk ka ardhur të na shpjegojë se çfarë po bëhet.


Asnjë nuk ka ardhur të na pyesë dhe të komunikojë me ne, edhe pse jemi autoktonë",- thonë ata. Një nga gratë nuk i mban dot lotët, teksa tregon për jetën që vijojnë të bëjnë që prej vitit të cilin ajo e cilëson "viti i zi".

"Është paradoksale, - tregon gruaja, - që ndërsa shtëpitë tona u prishën, Ylli Pango, ministri që është nip këtu, mori lejen nga KRRT-ja e bashkisë për të pasur vilën pikërisht këtu në Jalë". Banorët thonë se nuk janë prishur madje as shtëpitë e të ardhurve, por ato të vendasve. "Është tmerr të të prishin shtëpinë ku jeton, - tregon Andon Koka, mjeku 74-vjeçar, sot në pension.


- Është një jetë e tërë djerse, e cila na është hedhur poshtë dhe sa herë që shikojmë si u konvertua djersa e mundi ynë me gërmadha, aq herë ne ndiejmë si na shkurtohen jetët këtu". Mblidhen të gjithë në shtëpinë e 64-vjeçares Sanije Halilaj. "Tani që jemi kaq pak, mblidhemi me njëri-tjetrin.


Kujdesi për zonën mungon. Kushtet mungojnë, përfshi këtu edhe ndriçimin që mund të ketë një zonë e banuar. Ndaj përpiqemi të mbajmë njëri-tjetrin, por edhe mendjen e kokës pas gjithë atyre milionave lekë që na i "grisën" para syve.



Fat i keq në këtë vend të izoluar, por shumë i mirë që jetojmë brenda një perle, - vijon i moshuari. Ai tregon se ka një shtëpi, e cila është gati 200-vjeçare në zonën e Jalës. - Është akoma, si dëshmi për të vërtetuar se jemi autoktonë.

Të vetmit që nuk duan ta pranojnë këtë, janë pushtetarët tanë, ata që kanë interesa personale për Jalën, duke na zbuar nga trojet në të cilat kemi lindur". "Ka ardhur turku dhe nuk ka ndodhur kjo, kanë ardhur të tjerë të huaj. Pushtimi që mund të zgjaste kohë, nga pushtetarët tanë u bë brenda 24 orëve.


Në 17 prill të 2007-s ata na dërguan dhjetëra policë duke na tmerruar. Shoqëruan ndërtimorët, të cilët na prishën ato çka i kishim ndërtuar me mund e me djersë, - thotë Athina Andoni, e cila shton, - 15 vjet i kemi bërë në Greqi.


Kemi bërë punë që nuk i bënte dot jo një grek, por asnjë i huaj tjetër. U kthyem në trojet tona, por nuk i gëzuam dot shtëpitë dhe ato para që me thonj i kishim mbledhur andej. Kush e ka fajin? Qeveritarët tanë.


Berisha e Malltezët, të cilët duan të na nxjerrin në rrugë. Jo se ne nuk e duam zhvillimin e vendit. Por zhvillimi nuk arrihet me shkatërrim. Kur na erdhi policia ndërtimore, nga Tirana, së bashku me policë të tjerë, na thanë se do të hamë me lugë floriri, pasi do të bëhet këtu një projekt i Bankës Botërore.


Asnjë nuk erdhi të ndante me ne çfarë do të bëhej në këtë zonë. U paraqit si një zonë që nuk ka pronarë, në një kohë që ka. U abuzua hapur. Me këmbënguljen tonë, gjetëm mënyrën për të komunikuar me përfaqësuesit e Bankës Botërore. Kanë qenë të vetmit që kanë ardhur këtu dhe një panel inspektimi ka marrë të dhëna mbi gjithçka që po bëhet në Jalë".



Jetesa

"Kjo verë nuk ishte si të tjerat, - tregojnë banorët. Imazhi që u përcoll për Jalën ndikoi te pushuesit. -Megjithatë, bukuria në verë sfidon gërmadhat dhe kemi punuar, - shton një banore. "Në verë jemi të ngarkuar me punë.

Ndërsa tani në dimër merremi me rrjetat e peshkimit, ullinjtë, agrumet, ndonjë bimë që e mbledhim, apo edhe pak bagëti që mund t'i mbajmë. Peshku ka ditë që është i bollshëm, madje vijnë me makina nga Vlora që na e marrin këtu, - vijojnë banorët.

Gati dy vjet më parë, disa nga ndërtimet në Jalë u prishën nga një aksion policisë ndërtimore. Në listën e prishjeve, sipas banorëve, ishin 14 vendime, por u ekzekutuan më pak. Nga banorët për këtë nuk mungojnë as akuzat se ndërtimorëve u janë dhënë edhe shuma parash. 74-vjeçari Andon Koka thotë se janë dhënë deri në disa mijë euro.

"Thanë se u bënë dhe prishje në Bunec e Borsh, e zona të tjera, por ato ishin thjesht prishje barakash. Këtu janë bërë prishje pallatesh". Sot në Jalë banorët e përditshëm kufizohen në 6 familje, për shkak të prishjeve që ndodhën. Largohemi nga Jala duke lënë pas konturet e ngrëna të ndërtesave disakatëshe, por edhe mrekullinë e natyrës që rrethon vendin e vogël. Po ajo rrugë e ngushtë, e prishur, që gjarpëron...


Shpëtimi i pritur


Banorët thonë se ata presin këto ditë që përfaqësuesit e huaj të vijnë për të komunikuar edhe konkluzionet. "Është e tmerrshme ajo që ndodhi në Jalë",- tregojnë banorët. "Ne iu themi qeveritarëve dhe çdo lloj Malltezi, se këtu do ta kenë të vështirë. Ne sërish jemi treguar qytetarë dhe po presim çfarë do të bëhet.

Duke i lënë kështu siç na i katandisën shtëpitë tona. Kërkojmë vetëm drejtësi. Por nuk është se çështjen e kemi lënë këtu. Ne kemi denoncuar të gjitha veprimet, të cilat janë tërësisht abuzive. Përse gjithçka po bëhet fshehurazi nga ne?


Pse është raportuar sikur tokat tona janë pa pronar? Pse u është thënë përfaqësuesve të bankës se do të ndërtohet aty ku nuk ka prishje ndërtimesh të tilla?" Pse-të e banorëve të paktë që kanë mbetur në Jalë, mbushin më pas bisedat. Mllefi dhe revoltimi nuk fshihet dot teksa kujtojnë mënyrën si u veprua me ta.



Kryetari i Vunoit, Bala: Nuk ka asgjë zyrtare

Leonard Balën, kryetarin e kryesisë së fshatit Vuno, e gjejmë në Jalë. "Nuk kam asnjë dijeni në mënyrë zyrtare për atë çka ndodh në Jalë dhe kjo nuk më duket se është diçka normale". Ai shpjegon se ka kërkuar kontakte me bashkiakët e Himarës, madje edhe me përfaqësues të Bankës Botërore. "Kjo e banorëve është një çështje delikate. - tregon ai, - dhe duhet parë me vëmendje.


Realisht, - sipas tij, - banorët janë autoktonë aty, por nuk kanë pasur lejet e ndërtimit. Duhet të funksionojnë më mirë strukturat. Ata kishin ndërtuar prej vitesh dhe nuk patën asnjë sinjal nga vendorët.


Këta të fundit duhet të kenë një peshë jo të vogël për të tilla vendimmarrje". Gjithsesi, banorët nuk lënë pa përmendur edhe kreun e bashkisë së Himarës. "Bollano na tha në ligjëratë të drejtë: Kur unë copëtohesha në Spille, ju flinit rehat, - thotë një banore. Ajo tregon se nuk kanë votuar për të dhe sot vuajnë një pjesë të pasojave, pasi vendori ka ndenjur indiferent për këtë çështje.

Fëmijët vuajnë frikën

Fëmijët janë po kaq të ndjeshëm për atë çka ndodhi dy vjet më parë në Jalë. Marinela Halilaj është vetëm 11 vjeçe dhe është në klasën e katërt në shkollën nëntëvjeçare të Vunoit. Ajo tregon se jo vetëm ka përjetuar frikë kur iu prish shtëpia, por edhe tani ka frikë. Vajza e vogël me bishtaleca të tregon madje se i ka hedhur në vargje të gjitha përjetimet e saj.


Të bën përshtypje toni që përdor, brenda të cilit gjen edhe zemëratën, por edhe frikën. Marinela dhe Nazifi, motër e vëlla, janë dy nga 5 fëmijët që çdo ditë shkojnë në shkollën e Vunoit. "Ndonjëherë shkojmë edhe në këmbë, kur nuk është babi, - tregon ajo, ndërsa të rriturit shtojnë se shkolla është rreth një orë larg.


Ndërsa Banka Botërore u shpreh për pezullimin e projektit për bregdetin e jugut shqiptar, për shkak të shkeljeve të shumta në të, banorët rrëfejnë se megjithëse janë autoktonë, askush nuk ka denjuar të flasë me ta, duke u dhënë përparësi vetëm lidhjeve me pushtetin, siç është rasti i ministrit të Kulturës, Ylli Pango

No comments: