Tuesday, February 17, 2009

Kokëdhima në MAPO: Raportet me politikën

Në një intervistë botuar dje në revistën “MAPO”, Koço Kokëdhima flet për raportet me Berishën, Ramën, Metën.
Akuzat e PD-së ndaj tij pas konfliktit për buxhetin e Tiranës, analizon marrëdhëniet PS-LSI dhe shpall qëndrimet e mediave ku investon, gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit

Marrë nga revista “MAPO”

Z. Kokëdhima, e nisim me një pyetje mbi situatën politike të para pak ditëve, kur PD-ja dhe LSI-ja rrëzuan buxhetin e Bashkisë së Tiranës në Këshillin Bashkiak dhe PD-ja e motivoi këtë me deklaratën se ai ishte buxheti i Kokëdhimës, buxheti Rama-Kokëdhima, etj. Kanë ndonjë bazë të vërtetë këto deklarata, sipas jush?

A kanë ndonjë bazë? Kanë sytë që t’u pëlcasin karagjozëve në PD. Më kanë informuar bile, edhe se një komunikatë shtypi ishte printuar e shpërndarë nga zv/ministri i Brendshëm në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme!
Shkaqet pse Meta dhe Berisha e kanë kundërvotuar buxhetin, duhet t’i thonë publikisht, qofshin këto teknike, qofshin politike. PD-ja nuk e ka garën me biznesmenët, e aq më pak me mua. Unë jam privat, punoj për biznesin tim, përpiqem si të bëj fitime, mendoj për njerëzit, klientët e furnitorët e mi.
Është e paprecedentë në historinë e demokracive kushtetuese, që një parti në pushtet dhe një Kryeministër, të sulmojë e anatemojë një qytetar të republikës së vet. Një qytetar përgjigjet para institucioneve të shtetit e, sipas ligjit, përgjigjet para gjykatës. Asnjë qeveritar, parti politike apo shoqatë, nuk mund të organizojë sulme morale, psikologjike e fizike, mbi ndonjë shtetas të republikës. Shkurt, Berisha dhe shërbëtorët e tij, nuk duhet ta zënë me gojë emrin tim, pa autorizimin dhe lejen time! Sa i përket buxhetit të bashkisë, nuk e njoh, nuk e kam lexuar, dhe nuk e kam këshilluar.


Atëherë, pse ky sulm nga PD-ja, sipas jush?

Sulmi i selisë së PD-së synon të deformojë qëndrimet e shtypit tonë. Me këtë rast, po jua them edhe një herë: Asnjë politikan a grupim politik i ndonjë krahu, nuk mund ta rrudhë lirinë edituese të gazetarëve dhe redaktorëve tanë. Asnjë formë presioni mbi interesat e mia të biznesit, nuk do të ndikojë mbi shtypin tonë. Mediat që unë drejtoj në përgjithësi dhe “Shekulli”, në veçanti, kurrë nuk do t’i shërbejnë ndonjë Kryeministri në dëm të interesave publike. Përkundrazi, ato do t’u shërbejnë besnikërisht qytetarëve të thjeshtë e të pambrojtur të këtij vendi, në përpjekjet e tyre të mundimshme për të kontrolluar qeveritarë të mallkuar! Po ta dojë “Shekulli”-n Berisha, të vijë e ta blejë. Ia shes unë dhe le ta bëjë edhe “Shekulli”-n si “RD”-në pastaj!


Ndofta, në këto qëndrime, PD-ja ka dashur të spekulojë me miqësinë tuaj të njohur me zotin Rama?

Unë kam bërë miqësi edhe me zotin Berisha, edhe me zotin Meta, edhe me zotin Nano. Megjithatë, jeta më ka ndihmuar t’i shoh gjërat gjithnjë më qartë. Politikanët e karrierave të suksesit nuk bëjnë miqësi. Ata bëjnë marrëveshje e aleanca të përkohshme, por jo miqësi. Kjo nuk është diçka e keqe apo e mirë. Thjesht është kështu. Historia nuk dëshmon ndryshe. Kjo nuk ua heq të drejtën figurave të tilla të bëjnë miq dhe miqësi.

Atëherë, si botues, pra si person afër informacionit politik, po ju pyesim, si e komentoni bashkimin e votës së LSI-së me PD-në për rrëzimin e buxhetit të bashkisë?


Për sa shoh e kuptoj unë, LSI-ja ka bërë shumë bashkime vote me PD-në, jo për vendime e ligje të rëndësisë për jetën e në të mirë të komunitetit. Ajo ka bërë shumicë me PD-në për të ndarë e marrë pushtet, poste e përfitime.
Kujtojmë bashkimin e votës së LSI-së me PD-në në Vlorë, Fier, Berat, Tiranë, etj. Nuk po ndalem në aspektin se sa etikë politike ka këtu. As nuk do të përpiqem të fajësoj dikë. Bashkëpunimi i LSI-së me PD-në, sot tingëllon më natyral e më i pranueshëm se sa një marrëveshje e mundshme e saj me të majtën. Është punë e Metës si i gjykon çështjet. Këto aksione të përbashkëta të tij me PD-në, vërtet mund t’i kenë dhënë ndonjë kryetar qarku, kryetar këshilli apo drejtor ujësjellësi, por kanë krijuar gjithnjë e më shumë një perceptim se, Meta dhe partia e tij, janë arratisur nga spektri i majtë opozitar. N.q.s. kjo nuk është një strategji e menduar për ta marketuar LSI-në si një aleate në hije e PD-së, Meta duhet të reflektojë.
Largimi i tij nga PS-ja kohë më parë, i bëri vërtet shërbim të çmuar PS-së, sepse kjo ndihmoi në reformimin e saj dhe në çlirimin e udhëheqjes së PS-së nga avujt e alkoolit, qejfi i kumarit dhe nga betejat e paprincipta të gladiatorëve me brekë të shkurtra, me ngjyrë të kuqe, që prodhuan absurditete të paimagjinueshme. Sidoqoftë, në analizë të fundit, kjo i dha Metës dhe partisë së tij një vend të nderuar brenda së majtës.
Ndërsa largimi përfundimtar i LSI-së nga koalicioni i majtë, siç po kuptohet nga aleanca e saj me PD-në në Këshillin Bashkiak të Tiranës, besoj se në terma afatgjatë, është diçka e dëmshme për vetë LSI-në në radhë të parë. Në LSI janë bashkuar kryesisht një pjesë e emërtesës së qeverive socialiste, kontestuesit e dikurshëm të Nanos, nanoistët, që deri tani nuk gjetën ndonjë shpresë a begenisje për riformulim të karrierës së ndërprerë politike nga rënia e Nanos brenda PS-së dhe rioshët që promovoi Meta në drejtimin e agjencive qeveritare, apo në kabinetin e tij, kur bëri Kryeministrin e Shqipërisë.
Kjo përbërje e LSI-së nuk do mundësonte marketimin e saj të suksesshëm në ndonjë pozicion tjetër jashtë spektrit të majtë. Nuk ka për të pirë ujë demagogjia e Metës: Unë jam i majtë, për taktikë, po ha djathtas!
Në LSI ka patriotë të mirë, intelektualë e njerëz të ndershëm, burra solidarë, mirënjohës e të devotshëm. Këto asete nuk do t’i mbulojnë dot frakturat e politikave dritëshkurtra. Meta është një politikan i ri, me potenciale shumë të mira. E majta ka akoma nevojë për Metën. Por, Meta duhet ta kuptojë se ka gjithmonë e më shumë nevojë për të majtën. Të mos harrojmë se në LSI ka edhe shumë persona që nuk i lidh asgjë me të majtën. Në këtë grup bëjnë pjesë, kryesisht, njerëzit anonimë, që u ngritën në poste të rëndësishme për asnjë meritë, por vetëm sepse deshi Kryeministri i atëhershëm.
Këto prurje të rastësishme, që u pasuruan nga korrupsioni dhe shpërdorimi i pushtetit në kohën e qeverisë së Metës, janë edhe pjesa më malinje që e bëjnë shumë më të keqe klimën e marrëdhënieve të LSI-së me spektrin e majtë.


Meta e justifikon armiqësinë ndaj PS-së me ndryshimet e kodit elektoral që realizuan dy forcat e mëdha politike, PS-ja dhe PD-ja…

Absurde. Unë bashkohem me ata që mendojnë se ndryshimet në kodin elektoral ishin të domosdoshme. Ato ndryshime përmirësojnë integritetin e përfaqësuesve të popullit, realizojnë kohezionin e formacioneve politike, zgjidhin problemet që lidhen me autoritetin e lidershipit të mazhorancës dhe opozitës, nxisin reformimin pozitiv të partive të mëdha dhe shmangin gjithë këto deformime e shfaqje të turpshme në fushatat elektorale dhe gjatë ushtrimit të pushtetit. Komisionet zgjedhore duhet të ishin edhe më të ngushta.
Çdo parti duhet të kontribuojë me burime njerëzore e ekspertizë brenda aleancave politike, ose në kontrollin e procesit zgjedhor. Partitë duhet të punojnë për një proces zgjedhor të pastër e korrekt në raport me zgjedhësit dhe jo me veten e tyre. Kam bindjen se ndryshimet në kodin elektoral nuk e zgjidhin situatën plotësisht, vetëm e përmirësojnë atë.
Fushata e Metës kundër Ramës dhe PS-së, dëshmon në mënyrë të qartë mungesën e ofertës politike. Ai, përveç të shajë opozitën, nuk ka ofertë politike, nuk u ofron asgjë shqiptarëve. Meta bën opozitë me opozitën! Ai, me një mungesë të qartë të etikës politike, promovoi me daulle dhjetëra suksese të politikës kanibaleske për kafshimin e PS-së.
Kujtoni se sa kryetarë komunash, kryepleq a kryetarë fisesh i ka marrë Meta PS-së! Ai pa tek PS-ja mundësinë kryesore për zgjerimin e radhëve të partisë së tij. Sigurisht, edhe disa drejtues të PS-së nuk u kanë rezistuar gjithmonë këtyre provokimeve, por edhe kur janë përfshirë në akte të ngjashme, ata kanë vepruar sipas parimit: hidh gurin e fshih dorën!

Në vlerësimin tuaj, mosmarrëveshjet e PS-së me LSI-në, mund të ndikojnë negativisht në rezultatin e zgjedhjeve të qershorit?

Inteligjenca kolektive e shqiptarëve ka prodhuar vendime të drejta në çdo fushatë elektorale. Unë nuk dyshoj aspak se PS-ja do t’i fitojë zgjedhjet, me ose pa Metën. Ne do të mbështesim pa asnjë mëdyshje këtë fitore jo vetëm se PS-ja, pavarësisht nga problemet, mbetet kapitali më i çmuar politik i elektoratit shqiptar, mbetet partia më civile e më e përgjegjshme për qeverisjen e vendit. Partitë e tjera politike janë si sh.p.k, janë si ndërmarrje të familjeve të kryetarëve. Vetëm PS-në nuk mundi ta zotëroje si të tille asnjë i ashtuquajtur lider.
Rama pritet të sjellë një zhvillim sinjifikativ në politikën e vendit. Rama është njeri i punës. Rama, Kryetari historik i Bashkisë së Tiranës, është i pari lider politik që vjen në pushtet me besimin tek puna, dijet dhe kapitalet e shqiptarëve, pa ambicie negative e urrejtje për sipërmarrësit, me aftësinë e mirë të të dëgjuarit të njerëzve, me dëshirën e madhe për të bërë një sistem edukimi të arrirë dhe një zhvillim entuziast të ekonomisë.
Në zgjedhjet e kaluara ne përkrahëm PD-në dhe zotin Berisha. Zhgënjimi që prodhoi qeverisja e tyre i tejkaloi të gjitha parashikimet. Ai i gëlltiti e harroi shumë premtime elektorale që javën e parë në pushtet dhe ia kaloi edhe vetë shokut Nano në shumë sjellje e veprime, që u kishin ardhur në grykë shqiptarëve. Jam i lumtur që do ta kundërvotoj zotin Berisha në qershor!
Të bindur se kjo kulturë qeverisjeje duhet të marrë fund në Shqipëri, ne e përkrahim zgjerimin e koalicionit të majtë me LSI-në dhe me çdo parti të vërtetë opozitare. Ky do ishte një zgjerim natyral, pavarësisht se interferencat e ambicieve dhe interesave personale të politikanëve, e deformojnë këtë ndjesi. Gjithsesi, elektorati shqiptar do t’i tejkalojë aritmetikat e liderëve dhe do t’i hapë rrugë procesit historik të ndërrimit të pushteteve në Shqipëri, në qershor të vitit 2009.

Por, qeveria raporton projekte shumëmiliardëshe, zhvillim të madh, rritje ekonomike, etj. Si e vlerësoni ju këtë lloj promovimi?

Çdo qeveri bën të njëjtën gjë, promovon ato që i konsideron arritjet e veta. Ndofta kështu do të vepronte kushdo. Por duhet të kujtojmë që kemi 10-12 vjet (kam parasysh këto 12 vitet e fundit) që përjetojmë të njëjtat sjellje nga qeveritë, e, megjithatë, ekonomia e Shqipërisë mbetet në një krizë të rëndë e të përhershme. Është koha të pyesim: Pse? Pse vendi ynë është i mbuluar nga papunësia, injoranca, paaftësia, sëmundjet, padrejtësitë, krimi, shkatërrimi i mjedisit dhe cilësisë së jetës. Kryeministri këndon sukseset e mëdha, por plagët e rënda, të cilat përmenda më lart, nuk janë rregulluar pothuajse aspak në qeverisjen e tij.
Për historinë e shteteve, 20-30 vjet ndofta s’janë asgjë. Për një qytetar, 20-30 vite është vetë jeta. Në këtë kontekst, kryeministrat e Shqipërisë më duken si predikuesit e jetës së përtejme. Pavarësisht gabimeve e të metave të qeverive në formulimin dhe zbatimin e programeve, pavarësisht diferencave të kryeministrave në të gjitha kuptimet, është e qartë se diçka nuk shkon, diçka që i bën të gjitha qeveritë të pasuksesshme.
Ajo gjëja që nuk shkon është politika që ndjekin qeveritë për zhvillimin e vendit dhe mungesa tronditëse e një vizioni të qartë e të pranueshëm për Shqipërinë. Pyetini shqiptarët nëse e dinë se kush është vizioni i Kryeministrit tonë për Shqipërinë e pas 10 apo 30 viteve. Pyeteni vetë Kryeministrin tonë t’ua thotë se ç’do të jetë Shqipëria e pas 20 vjetëve, vendi që rrit deve, vendi që prodhon centrale e bomba atomike, vendi i përpunimit të plehrave të Italisë, apo çfarë?

Pra, ju mendoni se qeveria e zotit Berisha ka ndjekur politika të gabuara për zhvillimin e vendit?
Padyshim.

Edhe qeveritë e majta..?
Po. Programet ekonomike të PD-së dhe PS-së, në këto 12 vjet, janë pa diferenca të rëndësishme. Situata është e qartë. Ajo që arrihet është e papërfillshme në raport me nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve. Vetëm klientelat e ministrave dhe kryeministrave dhe një grusht sipërmarrësish, që pasurohen janë të lumtur. Populli masivisht është i mërzitur. Kudo që shkon takon njerëz të zymtë. Nëse politika që ndjekim është e duhura, pse nuk po ndërtojmë dot një sistem të besueshëm edukimi, por po e katandisim vendin pa specialistë, zanatçinj e njerëz të ditur, të ndershëm e të devotshëm për punë. Kush do të punojë në këtë vend?
Pse nuk prodhojmë dot ushqimin tonë, pa le më që, edhe duhet të eksportojmë? Pse nuk i punësojmë dot njerëzit në një nivel të pranueshëm dhe pse nuk e reduktojmë dot informalitetin, pabarazinë para ligjit dhe mungesën e konkurrencës së lirë e të ndershme? Sepse rruga e ndjekur është e gabuar. Tanimë, kjo është testuar. Vetëm qorrat s’duan ta shohin. Rruga antiinflacioniste na ofron një zhvillim mjeran, por të qëndrueshëm!
Përpjekjet për të bërë një shtet të mirë, të drejtë e me rol të madh në ekonomi, duken joeficentë. Është shumë më realiste dhe e dobishme të dobësosh rolin dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Shteti duhet të ketë kontroll rigoroz mbi edukimin, mjedisin dhe zhvillimin e territorit. Shqipëria duhet të jetë një vend pa taksa, të ketë dogana dhe jo marrëveshje të tregtisë së lirë, sidomos për prodhimet bujqësore, blegtorale, peshkimin dhe industritë përpunuese të tyre. Nëse ne nuk adaptojmë një politikë inflacioniste në një vend pa taksa dhe me dogana, të paktën për ushqimet që mund të prodhohen këtu, ekonomia jonë kurrë nuk do ketë investime të kënaqshme dhe shoqëria e shanseve të barabarta do të mbetet një premtim pa asnjë përmbajtje reale. Inflacioni mbetet një skemë zhvillimi objektive, pa kosto dhe e drejtë në një shoqëri klanore, të pakulturuar e të varfër si kjo e jona.

Meqë jemi te ekonomia, në këto momente, kriza globale financiare është në kulm. A mendoni se ajo ka ndikuar në ekonominë e vendit tonë?

Sigurisht. Ne jemi një vend i hapur, që mbahemi me importe, pa dogana dhe me një emigracion të lartë. Tregu ynë financiar është një zgjatim i tregut financiar global. Pothuajse të gjitha bankat e Shqipërisë apo shoqëritë e sigurimeve, janë degë të bankave austriake, greke, italiane, franceze, turke, etj. Besoj se është e qartë për këdo se ne bashkëjetojmë me të gjitha problemet e tregjeve globale.

Dhe në fund, një pyetje personale, nëse na lejohet. Për ju personalisht, si ka nisur viti 2009? Kemi dëgjuar që keni patur probleme shëndetësore…


2009-a ka nisur shkëlqyeshëm. Faleminderit që më pyesni. Për më shumë se një vit kam luftuar me një sëmundje të vështirë dhe, falë ndihmës së mjekëve, e kam fituar plotësisht këtë betejë.
Ndihem entuziast e i lumtur që tani do të mund t’i rikthehem jetës normale me të dashurit e mi, me kolegët e bashkëpunëtorët. Munda t’ia dal me mbështetjen dhe kurajën e jashtëzakonshme të mikes së pazëvendësueshme të jetës sime, Brixhidës. Tani do të rigjej edhe miqtë e mi të vjetër të sportit, profesor Pavllon dhe Guçen. Këtë vit po e nis duke rimarrë të plota përgjegjësitë e mia familjare, shoqërore e të biznesit.

1 comment:

Anonymous said...

Teorikisht mire flet z. Koco por ka nje konflikt interesi. Psh si afarist ai eshte i motivuar te ngrere pallate edhe njeqind kateshe, sepse fiton me shume, por si botues, pra shprehes ne nje fare menyre i opinionit publik ai do ta konsideronte veten nje ndotes medioker te ambientit ne Himare kur ngre pallate me lartesi te tille qe logjika normale dhe ligji nuk e lejon.
mendimtari