Emri i deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, ka dalë gjatë hetimeve për kontrabandë. Dosja po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme
TIRANË - Dyshimet për kontrabandë dhe evazion fiskal çojnë në Prokurorinë e Përgjithshme deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi. Dosja hetimore ku dyshohet se është përfshirë politikani biznesmen, ndodhet që prej një muaji në organin qendror të akuzës, ku ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për pozicionin e Neranxit. Burime të sigurta pranë Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan për “Korrierin”, se në janar të këtij viti, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka vendosur të shpallë moskompetencën për një çështje hetimore me objekt shmangien nga detyrimet doganore, që ka nisur pas një denoncimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Argumenti i përdorur për shpalljen e moskompetencën dhe dërgimin e dosjes për hetim të mëtejshëm në Prokurorinë e Përgjithshme ka të bëjë me faktin se gjatë hetimeve gati 10-mujore nga Prokuroria e Tiranës, ka dalë në skenë edhe emri i deputetit Nikollaq Neranxi, i cili për shkak të imunitetit mund të hetohet vetëm nga organi qendror i akuzës, si autoriteti i vetëm që ka kompetencat për hetimin e personave me imunitet. I kontaktuar nga “Korrieri”, deputeti i LSI-së e quajti këtë çështje si presion të ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe kryeministrit Sali Berisha, pasi ai ka denoncuar një sërë skandalesh të kësaj qeverie.
Denoncimi nga doganat
Në prill të vitit të shkuar, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave depoziton në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal, sipas të cilit denoncohej fakti se subjekti tregtar në pronësi të deputetit Nikollaq Neranxi iu është shmangur detyrimeve doganore. Kallëzimi i doganave i referohet periudhës 2003-2004, kohë gjatë së cilës kompania e Neranxit ka importuar mallra të ndryshëm, kryesisht artikuj ushqimorë, pa i deklaruar në doganë, çka do të thotë se u është shmangur të gjithë detyrimeve doganore e fiskale. Në denoncimin e Drejtorisë së Doganave citohen një sërë detajesh që kanë të bëjnë me veprimtarinë e subjektit tregtar në pronësi të deputetit të LSI-së, i cili akuzohet se, duke ushtruar ndikimin e tij, ka bërë të mundur kalimin e mallit në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas burimeve, mësohet se Doganat, në bashkëpunim me Tatimet, kanë mbledhur të dhëna, që sipas tyre vërtetojnë faktin se subjekti tregtar në pronësi të Neranxit, në bashkëpunim edhe me autoritetet doganore të kohës, kanë krijuar në mënyrë të vazhdueshme lehtësira për subjektin në fjalë, duke ngritur dyshime për veprën penale të kontrabandës.
Hetimi nga Task-Forca
Për shkak të dyshimeve se në këtë çështje mund të ishin përfshirë edhe doganierë, kallëzimi penal i Drejtorisë së Doganave i është përcjellë njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila e ka hetuar çështjen për afro 10 muaj. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë për “Korrierin”, se gjatë hetimit të Task-Forcës janë pyetur një sërë zyrtarësh e ish-zyrtarësh të Doganave, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimet abuzive që pretendohen nga Drejtoria e Doganave.
HETIMI
Dëshmitarët kundër deputetit
TIRANË - Grupi hetimor ka marrë dëshminë e punonjësve të kompanisë së Neranxit, të cilët kanë mohuar akuzat e ngritura nga doganat. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe ish-punonjës të këtij institucioni, të cilët pas largimit nga detyra janë vënë nën akuzë nga drejtuesit aktualë, të cilët i akuzojnë ish-doganierët për shpërdorim detyre dhe favorizim të subjekteve të caktuara, që janë në pronësi të ish-pozitës. Duke iu referuar këtyre të dhënave rezulton se dy dëshmitarë kanë përmendur emrin e deputetit Nikollaq Neranxi, si të përfshirë në këtë çështje. Në këtë moment, njësia e Task-Forcës ka ndërprerë hetimet dhe me anën e një vendimi për moskompetencë dhe e ka përcjellë dosjen hetimore në Prokurorinë e Përgjithshme.
KUVEND
Neranxi për Jalin
TIRANË - Deputeti Nikollaq Neranxi ka përsëritur dje akuzat për qeverinë shqiptare, në lidhje me skandalin e Jalës. “Zbulimi i përgjegjësisë së personave të palës shqiptare në lidhje me këtë projekt të Bankës Botërore ka për ta cënuar edhe më tepër imazhin e administratës së qeverisë “Berisha”, brenda dhe jashtë vendit”, - ka thënë Neranxi, duke shtuar se media prestigjioze “Fox News”, por edhe titullarët e Bankës Botërore e kanë në fokus këtë çështje. Ai shtoi se denoncon prej dy vitesh skandalin me tokat në Himarë, për të cilat ka akuzuar kryetarin e bashkisë, Vasil Bollanon, si person të implikuar në këtë aferë. “Akti barbar i ndodhur në fshatin e Jalës tronditi gjithë opinionin publik të vendit”, - shtoi Neranxi dje në Kuvend.
REAGIMI
Neranxi: Akuzat, presion i Bodes dhe i Berishës
No comments:
Post a Comment