Thursday, February 26, 2009

Kumi(Nivice): uzurpim i territorit kundër të gjitha normave ligjore

(Libertas)
Intervistë me kryetarin e komunës Lukovë, Vladimir Kumi.
Të gjithë Bregdetin e pret fati i Kakomesë. “Jemi e vetmja zonë ku nuk janë regjistruar as shtëpitë. Të drejtën do e kërkojmë në Strasburg”. Skandali i Jalit dhe ping-pongu i fajit mes qeverisë dhe Bankës Botërore ka nxjerrë në pah synimete qeverisë për të diktuar me tokat në bregdet. Një pasuri me vlerë në rritje që shihet prej pushtetit si pjesa e fundit dhe më e lakmuar e industrisë së ndërtimit dhe turizmit, me fitime që nuk përllogarisin më asnjë normë apo të drejtë. Kakomeja riaktualizohet kështu si kulmi i një skenari ekonomiko-politik që shpalos të vërtetën e madhe të zvarritjes së çështjes së pronave në Shqipëri. Vladimir Kumi, kryetari i Komunës Lukovë sqaron për gazetën “Libertas” situatën e krijuar me fillimin e punimeve në fshatin turisik, të cilin ai e quan uzurpim dhe mohim të së drejtës së pronësisë në toka që janë trashëguar prej banorëve dhe që po vihen në diskutim nga ligji “i më të fortit”.

Z. Kumi si paraqitet aktualisht situata në Kakome? Kam parasysh se pas incidenteve të ndodhura punimet kanë nisur në fshatin turistik?

Që nga data 9 janar, kur u krye futja forcërisht e makinerive të kompanisë “Riviera”, janë duke u kryer punime rrethimi në një territor rreth 70 ha. Është bllokuar lëvizja e lirë dhe me gjithë kundërshtimin e komunitetit dhe të komunës Lukovë për pamjaftueshmërinë e lejeve që dispononte kjo kompani për të kryer punimet, vazhdon, për mendimin tonë arbitrarisht, mbajtja e uzurpuar e të gjithë kësaj hapësire. Këtu kam parasysh që punimet vijojnë të kryhen në të gjithë gjirin e Kakomesë, plazhin përfshirë kodrat, kullotat dhe pyjet përreth, të cilat për momentin janë në pronësi të komunës Lukovë.

Ju flisni për uzurpim të territorit kundër të gjitha normave ligjore. Duke vlerësuar këtë situatë, cilat janë nismat tuaja në cilësinë e kreut të Komunës Lukovë apo si përfaqësues i komunitetit të zonës?

Në radhë të parë unë jam përfaqësues i zgjedhur i komunitetit për këtë çështje dhe nga ana tjetër kam fituar votat e komunitetit edhe për të administruar mbi baza ligjore territorin që unë administroj në cilësinë e Kryetarit të Komunës, që është edhe kryetari i KRT të njësisë vendore. Çdo leje që jepet në zonë bregdetare, në bazë të ligjit duhet të ketë firmat e Kryetarit të Komunës, Kryetarit të Qarkut dhe Kryeministrit. Kështu që Kompania Riviera vetëm me lejen e KRT së Qarkut dhe firmën e kryetarit të saj, nuk mund të kryejë punime të ligjshme. Nismat për momentin kanë pasur të bëjnë me një çështje gjyqësore që Komuna Lukovë ka hapur kundër kompanisë “Riviera” për të pezulluar punimet. Kjo u refuzua para një jave nga Gjykata e Sarandës dhe duke ditur që masat e pezullimit nuk apelohen, ne jemi duke hapur proces gjyqësor në themel për pavlefshmërinë ligjore të aktit të fillimit të punimeve nga kjo kompani. Kodi i Procedurës Civile e ndalon dhënien e një leje ndërtimi ose lidhjen e një kontrate me çfarëdo lloj subjekti në rast se ekziston një çështje civile e hapur në gjykatë. Për Kakomenë ne kemi dy çështje civile; një për pronësinë mbi tokën, që aktualisht është duke u gjykuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë, dhe tjetra mbi pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të dhënë nga KRT e Qarkut të Vlorës.

Cila është baza ligjore e padisë suaj në raport me këto procese?

Kjo e fundit, pra leja e dhënë nga Qarku i Vlorës, bie ndesh me ligjin “Për Urbanistikën” si dhe me masterplanin dhe planet vendore për të cilat Komuna Lukovë është duke punuar për hartimin e tyre. Konkretisht, punimi bie ndesh edhe me termat e referencës për tenderimin e kompanive që do të bëjnë këto plane. P.sh distanca prej 100 m nga buza e ujit nuk është respektuar në këtë projekt në një kohë që ajo është kërkesë themelore e planeve rregulluese. E dyta, rrjeti inxhinierik i zonës ku ndërtohet. Në bazë të ligjit duhet të ishte miratuar më parë në KRTRSH. E treta është respektimi i sipërfaqeve me ullishte, kriter që edhe ky është shkelur.

Përmendët pak më parë se një nga firmosësit e lejeve është edhe kryeministri.. Keni tentuar që të kërkoni ndihmën e Kryeministrit qoftë edhe përmes kontaktit personal?

Kam kërkuar ndihmën e kryeministrit për këtë çështje, por ai i është shmangur pozicionimit hapur për arsye se në kohën kur ishte në opozitë është shprehur “pro” të drejtës së pronarëve. Ndërsa sot, interesa të ministrave të tij, si p.sh të ministrit të Turizmit, Ylli Pango, mund ta kenë bërë të ndryshojë mendim.

Mund të na shpjegoni gjendjen dokumentare të titujve të pronësisë që ekzistojnë mbi këtë territor? Thjesht çfarë dokumentesh dispononi për të vërtetuar pronësinë tuaj?

Aktualisht, çështja e pronësisë është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit. Padia jonë është ndaj vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila në mënyrë krejtësisht të paargumentuar rrëzoi pretendimin e pronarëve. Sipas saj u quajt e padrejtë mënyra e përfitimit të pronës, duke u shprehur se “prona ishte përfituar si blerje nga qeveria otomane dhe meqenëse qeveria otomane qenkësh pushtuese ky vendim është pa vlerë juridike dhe si rezultat i kësaj, ne nuk mund të na kthehej një pronë që është përfituar në këtë mënyrë”. Ndërkohë, ky dokument ka të bëjë me një akt transkriptimi të pronës mbi kullotën dhe pyllin Heremec dhe Brodan,. Për këtë të fundit, në kohën e Mbretit Zog ka pasur një proces gjyqësor në lidhje me prerjen që banorët e fshatit i kishin bërë këtij pylli. Akt garancia që ata duhet të paguanin për prerjen e bërë në pyllin Brodan ka qenë një çështje gjyqësore, të cilën fshati i Nivicës e ka humbur, për arsye se titulli i pronësisë që kishte mbi pyllin në fjalë (komunal privat) nuk i jepte të drejta të prerjes së drurëve për shitje, por vetëm të drejta për nevoja familjare. Qëllimisht nga qeveritë e sotme ky proces gjyqësor i humbur është lidhur edhe me pronësinë që asnjëherë nuk ishte vënë në diskutim mbi kullotën dhe pyllin Heremec. Për këtë ka dokumente të sakta që nga koha që dokumentet e qeverisë otomane u transkriptuan në shtetin e ri shqiptar deri në vitin 1945 kur kjo pasuri u shtetëzua nga shteti komunist.

Sa është numri i pronarëve që gëzojnë tituj pronësie mbi territorin ku aktualisht kryhen punime?

Mbi bazën e dokumentacionit të vjetër (para vitit 1945 që disponohen në origjinal nga pronarët) mbi territorin ku aktualisht kompania “Riviera” ka nisur punimet gëzojnë titull pronësie 129 pronarë. Drejtësia shqiptare është e motivuar negativisht në njohjen e kësaj pronësie, megjithëse në vitin 1996, kur ligji e ndalonte kthimin e kullotave dhe pyjeve në zonën bregdetare, Gjykata e Sarandës ka marrë një vendim për njohjen e kësaj prone dhe pjesët kufitare të çdo pronari. Ky vendim është i formës së prerë. Sot ai nuk merret parasysh pasi, nuk ka të shoqëruar hartën treguese të kësaj prone, megjithëse dihet që Gjykata e Sarandës është djegur në vitin 1997. Dua të theksoj se brenda 70 ha, ku kryhen aktualisht punime, ka edhe 20 ha tokë bujqësore dhe ullishte, e cila është ndarë për 1000 banorë nga 200 m/frymë në bazë të ligjit 7501. Sipas ligjit për vlefshmërinë e titujve të pronësisë, autoriteti që e certifikon këtë ndarje apo vlefshmëri është Prefektura dhe kjo e fundit ende nuk është shprehur, pasi procesi sapo ka filluar.

Në konkluzionin tuaj duke patur parasysh këtë situatë të vështirë ku ndodheni pse dhe ku shpresoni se do të gjeni drejtësinë e cenuar?

Besojmë se i gjithë procesi i administruar nga gjykatat është ndikuar nga politika. Megjithëse nuk kemi asnjë shpresë as nga Apeli, do të vijojmë betejën në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, por shpresa jonë e vetme është Gjykata e Strasburgut. Sapo kemi vendosur kontaktet me këtë gjykatë si përfaqësues të komunitetit. Kemi bërë një letër në këtë institucion dhe nga ana e saj na është kërkuar një fotokopje e dokumentacionit dhe presim një kontakt zyrtar në Strasburg që do të kryhet brenda muajit mars. Padia jonë do të jetë kundër shtetit shqiptar për mohim të së drejtës së pronësisë, duke kërkuar përfitimin edhe për të gjithë dëmin e pësuar nga përdorimi i pronës sonë në mënyrë të paligjshme nga subjekte të tjera.

Në fakt komuniteti juaj të jep përshtypjen se po zhvillon një betejë të vetmuar përballë autoriteteve shqiptare. Cila është gjendja e pronësisë në bregdet duke qenë se çështja juaj nuk mund të ndahet nga problematika e të gjithë zonës që së fundmi ka evidentuar probleme të mëdha?

Konflikti i Kakomesë me të gjitha pasojat e prodhuara nuk mund të ndahet nga e ardhmja e të gjithë bregdetit që nga Ksamili e deri në Karaburun. Kakomeja është guri i provës. Në rast se pronarët, me të gjitha mënyrat e përdorura deri më tani, do të dështojnë në aksionin e tyre legjitim për mbrojtjen e pronës, një fat i tillë e pret të gjithë zonën e bregdetit. Një situatë e tillë është në zonën e Ksamilit, ku pronarët të tokës janë në konflikt me investitorë të ngjashëm. Po kështu kemi zonën e Palermos që akoma nuk është shfaqur si problematikë, por gjithsesi është e piketuar në këto lloj planesh që e kanë burimin nga Tirana. Gjithashtu kemi zonën e Jalit që u bë publike dhe i ka dhënë pasojat e veta, por edhe në zonën e Dhraleut (Dhërmi) e më tej të Palasës. Të gjitha këto, i pret i njëjti fat si Kakomeja. Dua të sqaroj se për ne konflikti nuk vjen nga ligjet në fuqi, por nga zbatimi apo deformimi i tyre për interesa të bizneseve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me politikën. Nëse do të marrim një shembull, procesin e regjistrimit të pasurisë, zona e bregdetit si asnjë zonë tjetër në Shqipëri nuk ka bërë asnjë hap në zbatimin e tij. Vetëm sot, pas përpjekjeve të njësive vendore Lukovë dhe Himarë ka nisur një proces nën mbikëqyrjen e OSBE-së. Pra vetëm përmes këtij fakti mund të kuptohet dëshira e qeverive të derisotme për ta lënë bregdetin pa tituj pronësie. Por edhe banesat tona, megjithëse mund të jenë qindra vjeçare, janë të paregjistruara dhe në rast se ndokujt do t’i tekej, duke shfrytëzuar edhe largimin e një pjese të popullsisë në emigracion, lehtësisht mund ta rrëmbente shtëpinë ashtu sikurse bën në mënyrë abuzive me tokën, pasi ne nuk kemi dokumente të sotme që të provojnë pronësinë tonë. Kakomeja është shembulli më i qartë.

Një pyetje të fundit për sa i përket fatit të banorëve të fshatit Nivicë që u arrestuan nga policia. Si po veprohet me ta?

Klement Baxheri kryetar i fshatit Nivicë, Thanas Vito inspektor i policisë ndërtimore komunale, Sokol Munguli dhe Nevil Papagjika banorë të fshatit Nivicë mbahen në burg për më shumë se 3 muaj. Motivacioni i arrestimit të tyre ka qenë “Për pengim të mjeteve të kompanisë “Riviera” dhe kundërshtim të policisë”, një shkak absurd pasi kompania është njoftuar zyrtarisht nga Komuna për ndalimin e fillimit të punimeve. Pa përfunduar çështjet në gjykatat e Apelit Vlorë dhe Apelit Tiranë, si dhe pa marrë lejen e duhur nga KRTSH nuk mund të fillojnë punimet. Personi që duhet t’i bënte të ditur është inspektori i policisë ndërtimore komunale të Komunës. Për këtë fakt në mënyrë absurde ky person ndodhet në burg pa afat. Personat e tjerë nuk kanë të bëjnë fare me çështjen, por për faktin se u ndodhën aty dhe kanë paralajmëruar punonjësit e kompanisë se po shkelin në pronat e tyre janë arrestuar dhe mbahen në paraburgim. Këtu duhet saktësuar se mbajtja në burg bëhet qëllimisht, për të ushtruar presion mbi komunitetin mbasi edhe rreth 30 persona të tjerë janë në ndjekje penale. Duke abuzuar me procedurat, Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Gjirokastër ja ka dalë mbanë që vetëm me gjykime me procedurë të parregullt të pengojë lirimin e tyre. Kjo deri javën e ardhshme kur mendo

2 comments:

Anonymous said...

shenim: ne 2004 partia demokratike mbeshteti protestat e Kakomese dhe ne 2009 lepiu ate qe peshtitu. Lexoni artikullin e Kumit ne 2004

LARG DUART NGA BREGDETI!
Vladimir KUMI

Me anë të “Shekullit”, gazetës që po denoncon pazaret me pronat në bregdet, pak ditë para se ato t’i kalojnë pronarëve, duam t’i drejtohemi zotit Fatos NANO, kryeminister dhe kryetar i KRRTRSH-se.
si dhe anëtarëve të KRRTRSH –se. Të nderuar zotërinj! Ka mbi 12 vjet që pushtetarë të të gjithë ngjyrave duke shfrytëzuar ndjenjën qytetare të fshatarëve të Nivicës (Sarande),të cilët kanë kërkuar zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokat dhe truallin nëpërmjet ligjit, kanë masakruar me qindra ha tokë, pronë e fshatit tonë në bregdetin e Sarandë - Kakome. Megjithë rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2003 dhe vendimit KM nr.265,date 2.10.2003 “Për ngrirjen e veprimeve me pronat”, Këshilli i Qarkut Vlore me datë 26.4.2004 ka dhënë leje studimi dhe ndërtimi ne favor të shoqërisë “Club Meditrraneo” dhe “Riviera” Sh.p.k. në gjirin e Kakomesë me sipërfaqe 32 ha,nga te cilat 20 ha janë marrë në pronësi sipas ligjit 7501 dhe pjesa tjetër janë pronë legjitime e banorëve të fshatit Nivicë. Me gjithë protestat dhe ndjekjen e rrugëve ligjore nga ana e jonë,grupe të caktuara mafioze nuk duan te ndalen. Ato kanë detyruar dhe kanë arritur që sekretaria teknike e KRRTRSH-se të përgatisë për ta paraqitur para KRRTRSH-së për miratim këtë vendim. Jemi të bindur se ligji po nëpërkëmbet e po shkelet nga ata që duhet ta rëspektojnë, por na shqëteson fakti se ku e gjejnë forcën këto segmente që nuk pyesin për asnjë ligj e rregull të shkruar. Natyrisht ne nuk do të njohim asnjë vendim të paligjshëm të kujtdo qoftë ky dhe antiligjit do t’i përgjigjemi jo vetëm me ligj por me të gjithë mjetet deri në vetëgjyqësi. Ju bëjmë thirrje Juve zoti Kryeministër, anëtarëve të tjerë të KRRTRSH-së që nuk janë të implikuar, të mos miratojnë një projekt të tillë, ndërsa pjesa e implikuar le të vazhdojnë të masin forcat, sot mund të mbrohen me petkun e pushtetit, nesër si qytetarë të lirë do të përballen me reagimin tonë.
Autori është kryetar i fshatit Nivicë. Letra është nënshkruar edhe nga përfaqësia e fshatit:
1.Stefan GURMI

2.Spiro MUNGULI

3.Petraq PAPADHIMA

4.Irakli PAPADHIMA

5.Jani MUNGULI
22/06/2004

Anonymous said...

Jo prona atyre kelyshave qe deklarohen Grek. Ikni ne Gayriiqi...do paguani per poshtersite kelysha do tu shfarosim si komunitet. Nderroni etnine prape