Monday, March 09, 2009

FATOS Lubonja: Topi dhe Gopi

Të më falë lexuesi për titullin, por s’mund të mos ndaj me të një histori që mu kujtua duke ndjekur çfarë ndodhi me Ylli Pangon të mërkurën në mbrëmje. Është historia e një ish udhëheqësi, ish partizan, që u dënua nga partia për punë pak a shumë si ajo e Pangos. Duke qarë hallin me një shokun e tij, edhe ai i goditur për të tilla hynere, i tha një ditë: “Atë që nuk na e bëri topi, na e bëri gopi.”
E bukura është se Pango nesër do të thotë: ”Ma bëri Topi dhe gopi.”Kaq sa për humor, por kjo ngjarje më duket shumë interesante për t’u komentuar, sepse e mbarsur me intriga dhe domethënie të hapura dhe të fshehta. Po përpiqem t’i bëj ndonjë koment.Përtej dënimit të Pangos, që besoj se nuk ka nevojë për koment, e para gjë që mund të komentohet ka të bëjë me pyetjen: pse ia bëri Topi Pangos këtë? Dhe pse tamam në atë ditë? Çfarë intrigash mediatiko - politike po luhen? Apo kemi të bëjmë me mllefe personale të gazetarëve të Topit ndaj Pangos?Një përpjekje për shpjegim nuk mund të mos të të çojë tek emisioni Opinion i një dite më parë ku pamë ministrin Pango përballë regjisorit Kujtim Çashku. Aty ai doli si mbrojtësi i shtetit ligjor dhe, për hir të së vërtetës, vështirë të mos i jepje të drejtë në argumentet që sillte. Por atje mësuam, gjithashtu, se sulmi që po i bëhej ambjenteve të Kujtim Çashkut vinte për shkak të Topit, të cilit i qënkësh ofruar ky vend në këmbim të lirimit të Piramidës, gjë që publiku i gjerë nuk e kishte ditur. Ata që ndoqën emisionin nuk mund të mos shtronin, të nesërmen, pyetjen: si ka mundësi që ndodhi kjo kur Pango po punonte për Topin?
Jam në fushën e supozimeve të mija, të kuptohemi. Sipas meje mesazhet që na dha Topi, të nesërmen e atij debati, mund të jenë disa. Mund të hamendësojmë se Topi ose nuk është i kënaqur nga lëvizja nga Piramida dhe mezi po pret zgjedhjet që të mbesë atje ku është, nëse fiton Rama; ose se ka mbetur i zhgënjyer nga debati sepse ndoshta priste që Pango t’i lëshonte edhe ambjentet e shkollës së Çashkut, kurse ky ia la këtij shtegun hapur; ose ky ka qenë një akt i mbështetësve të fortë të Ramës tek Topi që kanë dashur të japin sinalin se Topi nuk i ha karamelet e Berishës.Në fakt, nga i gjithë debati i Pangos me Çashkun mesazhi që mora unë, si qytetar, që ma përforcoi edhe zallamahia që krijoi Topi të nesërmen me videon, është se, pa mbaruar procesi i plaçkitjes së këtij vendi nga ish komunistët që mburren se kanë bërë historinë e këtij vendi, nuk ka burrë nëne të guxojë të flasë për shtet ligjor.
E dëgjova Çashkun të fliste për ullinj njëqind vjeçarë që po u pritkan në Kinostudio, por nuk dëgjova as regjizorin, as ministrin madje as Fevziun, që i përket kategorisë së ish pronarëve, të përmendin qoftë edhe një herë të vetme nëse kanë ish pronarë këta ullinj dhe ajo tokë apo jo. Them “ish komunistë” edhe sepse më tronditi pohimi i Çashkut, kur tha se është krenar për filmat “Ballë për ballë” e “Dora e ngrohtë”, ndërkohë që pretendon se ka ngritur një shkollë ku po edukon të rinjtë. Por edhe ministri me msorreagimin ndaj kësaj deklarate, ndonëse deputet i një partie që, medemek, po na pretendon të bëjë dekomunistizimin.Duke parë gjithë këtë zallamahi të vjen të thuash: të mjerët ish pronarë dhe ish të persekutuar në dorë të kujt kanë rënë, të mjerët shqiptarë!
Komenti tjetër lidhet me linçimin e menjëhershëm që i bëri Berisha dhe PD-ja Pangos, pa i dhënë as mundësinë e dorëheqjes, vazhduar kjo, të nesërmen, nga tërë Parlamenti. Topi, pa dashje, sipas meje, i dha një farë ndihme Berishës dhe PD. Ai u dha rastin të tregojnë moralin e kulluar të PD, mit ky primatin e të cilit e ka Berisha dhe që i kishte rënë shumë kohët e fundit. Reagimi i menjëherëshëm i Berishës, duke e shkarkuar brenda katër minutash Pangon, sikur ia rivendos atij reputacionin në vend. PD-istët që kanë mbi shpinë Gërdecin duket sikur mezi pritën një rast të tillë për të gjetur te Pango alibinë e ndershmërisë së tyre të munguar.
Megjithatë nuk ka se si të mos ngremë disa pyetje: Si ka mundësi që për Mediun Berisha nuk dekretoi shkarkimin, kështu si për Pangon, ndërkohë që dy gjërat nuk kanë të krahasuar për nga pasojat? Si ka mundësi që po pate vrarë njerëz e i ke hedhur në kanal në Parlamentin tonë je shumë, po, shumë i respektuar kurse po të bijesh pre e ngasjeve seksuale të linçojnë?
Të më falin shqiparët e ndershëm, por kjo histeri ndershmërie me rastin Pango në emër të fëmijëve për mua është një hipokrizi e madhe. Këta njerëz kanë 18 vjet që po ndërtojnë një shoqëri ku po nuk prostituove me ta mbetesh në mes të katër rrugëve dhe tani po na u trondiskan kaq shumë nga ky skandal seksual i njërit prej kolegëve të tyre. Dhe po të doni mendimin tim shitja që i bëjnë femrat hireve të tyre seksuale është shumë më e ndershme sesa shumë shitje që u bëjnë vetes shumë burra të pushtetshëm.
Edhe një koment i fundit. Nuk e di pse, por, duke tentuar të imagjinoj atë femrën që ka provokuar Pangon, mendja më thotë se duhet të ketë qënë ndonjë bukuri si ato të velinave të Fiksit. Dhe, të them të drejtën, - mos më kekqkuptoni o njerëz, por njerëz jemi - më erdhi ta justifikoj sadopak të gjorin Pango. Pse na i nxjerrin ne ata në ekran në orën më të shikuar të mbrëmjes? A nuk e bëjnë që t’i mbajmë sytë mbërthyer mbi to që të na lindë tundimi i djallit? Kush është ai që nuk ngaset të ëndërrojë t’i prekë sadopak me dorë ato bythë e gjokse të kërcyeme e barqe të zhveshura. Le më pastaj sikur një ditë të të trokasë në derën e zyrës një bukuri e tillë!
Larg qoftë, e përsëris, mos më merrni për mbrojtës të Pangos, ai maskara është, por pak mirëkuptim të dashur njerëz. Jemi në vendin e Topit dhe gopit ku sikur të mos ndodhnin ngjarje të tila do të ishte skandal, jo kur ndodhin. Shqipëria është e mbushur me raste femrash që punën e sigurojnë dhe mbrojnë vetëm në sajë të hireve seksuale dhe me burra që shfrytëzojnë paratë dhe pushtetin e tyre për të shijuar hiret e tyre. Harruan ata të Topit… lere se nuk po e them.
Gjithsesi Shqipëria po ecën përpara. Së shpejti do të hyjë në NATO. Shenjë e këtij përparimi, madje, po të doni mendimin tim, ishte edhe videoja që na tregoi Topi. A e patë ministrin se me sa mirësjellje iu qas asaj femrës? Vetëm sa e çkopsiti pak dhe i tha: mos ki frikë se nuk jam nga ajo kategori që përdor dhunën. Çfarë doni më tepër ju xhanëm, deri dje hanit dru shpinës? Shikoni sa i duruar është bërë i pushtetshmi sot, nuk t’i heq brekët me dhunë, por pret t’i heqësh vetë. (Korrieri, 6 mars 2009)

No comments: