Thursday, March 19, 2009

Shqipëria jashtë hartës energjetike

Shqipëria jashtë hartës energjetike

19 March 2009 (LIBERTAS)


Editorial nga Plator Nesturi -


Së fundmi, mësohet se projekti i gazsjellësit NABUCO është përjashtuar nga prioritetet kryesore të BE-së, duke i hapur udhë kështu linjës ruse të “Gazprom” për furnizimin me energji të vendeve evropiane. Më shumë se kaq, rrëzimi i NABUCO-s, ka dhe një tjetër domethënie. Atë që Shqipëria humbet të gjitha shpresat për të qenë në hartën energjetike ballkanike. Projekti rus i gazit dhe i naftës, anashkalon në linjat e saj, si Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke preferuar Bullgarinë, Greqinë dhe Serbinë.
Ky dështim, jo thjesht i linjës turke të gazit, por edhe të mundësive të vendit tonë për të qenë pjesë e lojës së madhe të energjisë, sidoqoftë ishte i paralajmëruar. Megjithëse Kryeministri Berisha ishte i angazhuar në krijimin e një lobingu për NABUCO-n dhe në bisedimet e tij me zyrtarët e Brukselit, kjo çështje zinte një vend qendror. Krijimi i lobingjeve për të mundësuar vepra të rëndësishme duke thithur investime shumëkombëshe, jo vetëm në sektorin energjetik, por dhe më gjerë, është detyrë e çdo qeverie jo thjesht për të rritur prestigjin, por dhe se u shërben interesave shtetërore e kombëtare. Por qeveritë shqiptare, për vite me radhë, kanë treguar se nuk dinë të orientohen në këto lloj marrëdhëniesh. Edhe kur ka ndodhur që vendi ynë të ftohet në një projekt, kjo ka ndodhur pasi oferta është bërë nga të tjerët që e vlerësojnë më mirë se ne pozicionin gjeografik të Shqipërisë si transit për gazin dhe naftën në drejtim të Evropës Perëndimore. Rasti konkret, i triumfit të variantit të “Gazprom”, dëshmoi se ne jemi jo vetëm të pa orientuar në politikën globale, por edhe dëshpërimisht të vonuar. Ndërsa bëhej lobing për gazin nga Turqia, në rajon kishin ndodhur të tjera lëvizje, që e kanë mënjanuar realizimin e gazsjellësit nëpërmjet territorit shqiptar.
Italia ka nënshkruar me autoritetet greke për një gazsjellës që daljen në det e ka diku më poshtë Shqipërisë, në Igumenicë. Dhe ky projekt, tashmë i firmosur, kalon tërësisht në territorin grek, pasi lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazsjellësit në Selanik. Por çështja nuk mbyllet me kaq. Në kulmin e fushatës së qeverisë të koalicionit të djathtë kundër projektit AMBO, Kryeministri Berisha dikur deklaroi se nëpër Shqipëri do të kalonte një gazsjellës i “Gazprom”-it. Nuk u mor vesh nëse kjo ishte mundësi realizimi apo Kryeministri thjesht po i bënte thirrje kompanisë ruse të merrte në konsideratë edhe variantin shqiptar. Përgjigjja u mor vesh në Samitin e Zagrebit, ku u diskutuan problemet e energjisë në rajon dhe u morën vendime për një rrjet të tërë veprash për shtrirje tubacionesh nafte dhe gazi, të cilat do të kalonin në vende të ndryshme të gadishullit ballkanik. Por Shqipëria mbeti jashtë kësaj harte. Për arsye ekonomike apo të tjera që lidhen me politikën, këto natyrisht nuk bëhen të ditura. Ajo për çfarë ishim mburrur, pra se zotërojmë një territor të lakmueshëm strategjik, rezultoi i pavlefshëm, përderisa truallin tonë nuk begenisi ta përshkojë asnjë tubacion i këtij rrjeti. Sidoqoftë, faji nuk mund t’i vihet pozicionit të Shqipërisë që shtrihet në Adriatik e në Jon, sesa mos orientimit të shtetit në politikat e strategjisë globale të energjisë. Ne një AMBO kishim dhe s’e lamë rehat. Por njëkohësisht qeveria u tregua miope dhe në ndryshimet e raporteve që po ndodhnin mbi energjinë për rajonin tonë dhe më gjerë, çka natyrisht shoqërohen dhe ndryshime interesash ekonomikë dhe politikë. Arritja e marrëveshjes nga ana e Rusisë me Turkmenistanin dhe Kazakistanin që gazi i Turkmenistanit të pasur me këtë burim natyror, të kalojë në veri të detit Kaspik drejt territoreve ruse e për t’u shpërndarë më tej në vendet e evropiane perëndimore, i ndryshoi balancat në favor të Moskës. Kjo marrëveshje bëri të skualifikoheshin projektet amerikane dhe evropiane që gazi të kalonte nga deti Kaspik në Turqi dhe më tej të drejtohej drejt vendeve evropiane nëpërmjet Greqisë, por ndoshta edhe Shqipërisë si dhe Maqedonisë. Këto projekte tashmë kanë rënë, dhe bashkë me to edhe mundësia e realizimit të gazsjellësit në territorin tonë. Pikërisht në atë kohë edhe AMBO deklaroi tërheqjen nga projekti i saj. Ndoshta pse ky rajon e kish humbur rëndësinë e tij për interesat perëndimore. Shfrytëzimi i gazit të Kaspikut nga rusët, solli një rritje të peshës së tyre dhe Evropa e ndjen veten më të ndërvarur nga gazi që vjen prej Rusisë. Mbase kjo është një arsye që Moskës i lihet dorë më e lirë në rajonin ballkanik, i cili shërben si një plasdarm i mirë për kalimin e tubacioneve drejt Evropës, përderisa rusët duket se po ndikojnë në përcaktimin se cila do të jetë harta energjetike e Ballkanit. Për më tepër që rusët, edhe më parë kishin në zotërim 51 për qind të aksioneve të naftësjellësit Burgas- Aleksandropulos.
Kjo panoramë e gjerë faktesh, që tregon sa dinamike janë lëvizjet dhe luftërat për zotërim të energjisë dhe të shpërndarjes së tyre, dëshmon sesa të pa orientuar jemi në politikën globale dhe sa të vonuar për krijimin e lobingjeve që do të mundësonim që Shqipëria, për hir të pozicionit
strategjik të saj, të ketë peshë në hartën energjetike.

No comments: