I nderuar zoti Kryeministër Karamanlis
Shkëlqesi ambasadorë
Të nderuar kolegë deputetë
Kam kënaqësinë të pres në këtë parlament personalitetin e parë shumë të lartë që viziton Shqipërinë, pas anëtarësimit të saj në Aleancën e Atlantikut Verior, Kryeministrin e një vendi fqinj e partner, zotin Kostas Karamanlis.
I nderuar zoti Kryeministër
Ju, si përfaqësues i vendit që shënon demokracinë më të vjetër në botë, e dini se parlamenti është tempulli i lirisë, i demokracisë, është shtëpia e popullit, ndaj dhe vizita dhe fjala juaj këtu në emër të popullit grek është shumë e rëndësishme në historinë e lashtë e tradicionale të dy popujve tanë që i kanë rrënjët thellë në historinë e këtij kontinenti.
Kjo bashkëjetesë kaq e hershme sot është shndërruar në një bashkëpunim dinamik mes dy vendeve tona, por mbi të gjitha në një kohë bashkëpunimi në frymën e një epoke të re marrëdhëniesh.
Ju zoti Karamanlis, si Kryeministër i vendit të cilësuar djepi i demokracisë, vini sot këtu në një vend me një nga demokracitë më të reja në Europë pas rënies së regjimit komunist. E ne nuk ka si të mos jemi krenarë që në një kohë kaq të shkurtër kemi arritur të bëjmë reforma të mëdha , hapa galopante, zhvillim ekonomik të jashtëzakonshëm e të jemi krah demokracive më të vjetra në të njëjtën tryezë me kombet e lira , në të njëjtën aleancë të madhe të lirisë, NATO.
Qytetarët shqiptarë janë qytetarë Europianë, ata jo vetëm ndihen si të tillë por janë pjesë e qenësishme e këtij kontinenti. Ndaj dhe vokacioni i tyre europian është shndërruar në një energji të fuqishme për reformat që po shkurtojnë rrugën tonë drejt BE-së.
Unë ndihem mirë për rolin thelbësor të Parlamenteve të dy vendeve për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dua të shpreh mirënjohjen për kontributin e Qeverisë, tuajin personal dhe të Parlamentit grek, për ratifikimet e MSA-së dhe Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Me fazën e re të partneritetit në NATO dhe pas kësaj vizite tuajën në Shqipëri, shpreh bindjen edhe në emer të kolegëve të mi deputetë, se bashkëpunimi ynë do të jetë edhe më i fortë, edhe më intensiv, i orientuar plotësisht mbi bazën e parimeve të fqinjësisë së mirë, miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimit në emër të interesave të dy popujve tanë pjesë e familjes së kombeve të lira.
No comments:
Post a Comment