Friday, May 15, 2009

Lufta elektorale Athinë-Tiranë

15 May 2009 (LIBERTAS)

Nga Skerdilajd Zaimi - “Të humbasësh minoritetin”. Një titull shumë domethënës i kolumnsitit të gazetës së njohur greke “Kathimerini”, Stavros Lygeros ofron ndër të tjera edhe një dritare të re për të kuptuar se cilat ishin shtysat e vërteta që sollën daljen e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga koalicioni qeverisës me Sali Berishën. Përmes një komenti, Lygeros përcjell informacione që e plotësojnë kuadrin e veprimeve të fundit në skenën politike shqiptare, e cila, me sa shihet, është e ndërlidhur reciprokisht me atë se çfarë ndodh në Athinë. Duke marrë si fakt parësor firmosjen e aleancës PD-PDI (e njohur si partia e çamëve), analisti grek hedh idenë se ky zhvillim pamundësoi apo nxiti një ndryshim kursi nga ana e Vangjel Dules, i cili ka një përvojë në qeverisje me socialistët. Deri këtu analiza nuk thotë dhe aq shumë për sa i përket kahjes që po marrin koalicionet dhe aleancat në Shqipëri. Ajo që është e re është interpretimi i disa lëvizjeve politike të zv/ministrit të Jashtëm grek, Teodoros Kasimis, lidhur me interferimin dhe udhëzimet e dhëna PBDNJ në rreshtimin e mëtejshëm politik. Kërkesa e Kasimis supozohet të ketë qenë e prerë, duke i kërkuar Vangjel Dules të pezullojë bashkëpunimin me PS dhe të vijojë rrugën politike në aleancë me demokratët e Sali Berishës. Sipas Lygeros, kjo lëvizje e politikanit grek ka thyer unitetin e minoritetit, duke prezantuar ndër të tjera edhe një iniciativë pa shumë takt. Por sulmi i tij ndaj zv/ministrit të Jashtëm grek zbulohet qartë në publikimin e interesave të tij elektorale. Grekët e Shqipërisë së Jugut janë një faktor kyç në zgjedhjen e Kasimisit, për faktin se ata kanë të drejtën e votimit. Manovrat për të orientuar Dulen përkrah Berishës kanë nëntekstin e dyfishtë të afirmimit të marrëveshjeve mes të djathtëve grekë dhe PD në Tiranë, në një kohë që kjo e ekspozon negativisht kreun e PBDNJ ndaj minoritetit. Çështja “Bollano” është një levë diskretituese që rikthen në mendjen e minoritetit imazhin e dikurshëm të Kryeministrit shqiptar.


Emigracioni. Ajo që intereson direkt politikën shqiptare në këtë kuadër kompleks brenda minoritetit, në fakt lidhet me gjetjen e rrugëve për marrëdhënie të mira me pushtetin në Athinë, i cili ka në dorë votën e emigrantëve. Kjo e fundit duket se është një faktor kyç për zgjedhjet e 28 qershorit; atë mjafton që ta manovrosh si duhet. Dhe pushteti në Athinë e ka në dorë këtë gjë në këmbim të të cilit natyrisht që kërkon mbrojtjen e të drejtave të minoritetit. Edhe pse të gjitha këto lëvizje janë inskenime që i adresohen opinionit, gjithsesi, ato thonë shumë, duke qenë se angazhimi për emigrantët është mjaft i pranishëm si te PD ashtu edhe te PS. Ndjesia e largimit nga pushteti e Karamanlisit është një arsye që e ka shtyrë Dulen të afrohet me PS, e rrjedhimisht PASOK-un, ashtu sikurse ka vënë në diskutim një marrëveshje të heshtur mes kreut grek dhe Berishës. Lëvizjet e PBDNJ pra janë njëlloj barometri elektoral, që flet shumë për peshën specifike të votës së emigrantëve dhe qasjes së Athinës.


Apeli. Pak ditë pas largimit të Karamanlisit nga Shqipëria, dy partitë kryesore në vend kanë nisur luftën politike për të influencuar votat e emigracionit shqiptar në Greqi. Me një datë zgjedhjesh, që përkon me sezonin e pushimeve është e qartë se në Shqipëri shtohet një kontingjent i ri votuesish, të cilët me numrin e tyre mund të ndikojnë shumë në kahjen e pushtetit. Premtimet e bëra nga të dyja partitë konfirmon se tashmë ka nisur përllogaritja e këtij faktori.


Zgjedhjet. Përveç Shqipërisë, edhe Greqia mund të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Sondazhet e fundit nxjerrin përpara PASOK-un e drejtuar nga Papandreu, duke hapur kështu premisa politike pozitive për PS. Linja tradicionale e mbështetjes mes PD-Nea Dimokratia dhe PS-PASOK sa vjen dhe rikonfirmohet edhe për shkakun se si minoriteti ashtu edhe emigrantët shqiptarë duket të jenë votues të dyfishtë për shkak të statusit të dubluar që gëzojnë.


Rama drejt Selanikut për votat e emigrantëve. Kreu socialist, Edi Rama, pritet të udhëtojë së shpejti në Selanik, për t’u takuar me emigrantët shqiptarë që banojnë atje. Më saktë me përfaqësues të shoqatave të tyre, çka nënkupton organizimin dhe koordinimin me aleatët e tij të majtë në Greqi. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta greke “Ethnos”, e cila nuk saktëson nëse Rama do të shoqërohet në këtë udhëtim nga aleati i tij më i ngushtë Erion Veliaj. Sipas saj, kreu i PS që aspiron të marrë pushtetin në Tiranë do të zhvillojë një miting përmes së cilit do t’u bëjë thirrje emigrantëve të kthehen më 28 qershor në Shqipëri për të votuar atë që ai e quan “Ndryshimin e Madh”. Ende nuk është e qartë nëse dhe nuk jepet informacion lidhur me praninë e autoriteteve politike socialiste greke në këtë tur të Ramës, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Greqi nuk ka marrë një pritje edhe aq të ngrohtë. Ajo që ka rëndësi në këto lëvizje të fundit para fushatës është fakti se PS, e cila me konsensusin e PD la jashtë votës emigrantët (Kodi i 115 votave nuk garantoi të drejtën e votës aty ku emigrantët banojnë) po e risjell çështjen e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë si pjesë të strategjisë së saj elektorale. Vetëm dy javët e fundit, dyshja aleate Rama-Veliaj nuk ka reshtur së apeluari për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 qershorit, sidomos për emigrantët që banojnë në Greqi.


Në këtë kuadër nuk duhen harruar takimet e deputetit të Qarkut të Korçës, Ben Blushi, në veri të Greqisë, ku është ritheksuar e njëjta gjë. Përkundrejt këtij angazhimi, qeveria e shumicës së djathtë ka kundërvepruar me premtime për pensionet dhe sigurimin, në një përpjekje që synon minimizimin e propagandës socialiste. Këtu duhet nënvizuar se apeli i së majtës shqiptare ka gjasa të prodhojë ndikimin e vet për arsye se një pjesë e emigracionit në Greqi është vendosur atje pas vitit 1997, duke marrë me vete një kujtim dhe imazh shumë negativ për figurën e Kryeministrit aktual, Sali Berisha.

No comments: