Wednesday, June 24, 2009

KENETA SHQIPTARE OSE IK E HAJDET E NANO-BERISHEVE

Andrea Stefani-Gazeta shqip on line

Me rishfaqjen e Fatos Nanos në qarqet politike të Tiranës, rifuqizohet përsëri tendenca për ta kthyer politikën shqiptare në një kënetë liderësh të ndenjur. Kur në korrik 2005, Nano largohej i mposhtur, nuk ishin pak ata që menduan se rrotacioni politik vërtet risillte në pushtet një Berishë të vjetër, të trukuar me "ndryshim", por të paktën, po hapte rrugën për rinovimin e lidershipit në të majtën shqiptare. Një lider historik si Nano dukej se po kalonte në histori. Dhe kjo do ishte një premisë për largimin edhe të Berishës nesër. Koha po i zhgënjen këto shpresa, duke i përqeshur si iluzione. Nano, jo vetëm nuk u largua një herë e përgjithmonë, por edhe rikthehet nga mërgata disavjeçare e qejfit për të shpëtuar "Shqipërinë".

Ndërkaq, edhe Berisha po sfidon hapur rrotacionin e lidershipit që imponon një demokraci normale, duke deklaruar se do qëndrojë në pushtet deri në 2017-ën! Spektakle shumë kërcënuese këto për demokracinë liberale, liritë dhe të drejtat e njerëzve. Sepse për një vend si Shqipëria, me tradita të forta tiranike dhe patriarkale, me institucione të dobëta e të paafta të baraspeshojnë e kufizojnë realisht qeveritë, jetëgjatësia e pazakontë e lidershipëve nuk mund të mos shoqërohet me korrupsion, forma tiranie dhe arrogancë, që shkon deri në despotizëm.


***

Mbështetës të Nanos do nxitojnë të mbrojnë (dhe në fakt kanë nisur) rikthimin e tij me të drejtën dhe lirinë që i jep demokracia, duke i cilësuar kritikat, si tendenca përjashtuese. Nuk ka asgjë të re në këtë reaksion. E vjetra, liderët e saj, janë mbrojtur dhe do të mbrohen duke u fshehur pas demokracisë. Edhe Berisha e justifikon qëndrimin e tij, tejet të gjatë në krye të PD-së, me zgjedhjet "demokratike" në PD kur dihet botërisht, që në sirtarët e asaj partie mund të gjesh çdo gjë, por as edhe një thërrime demokraci.

Mbështetësit e Nanos do të nguten të bëjnë edhe inventarin e vlerave "të pakrahasueshme" të Nanos si lider historik i së majtës që është, as më shumë dhe as më pak, himnizimi dhe idhujtaria e kulteve politike. Por edhe sikur t‘i marrim të mirëqena këto "vlera të pakrahasueshme" të Nanos, ato do të ishin një argument më shumë në favor të kritikëve, që mendojnë se Nano do t‘i shërbente më shumë demokracisë në Tiranë, nëse vazhdonte vakancat në Vjenë. Sepse për demokracinë e vërtetë, që nuk mund të mos imponojë rrotacionin e lidershipëve, bëhet i rrezikshëm edhe ai lider që qëndron pa kufi në krye të politikës dhe pushtetit, ngaqë është "shumë i mirë" për një shumicë njerëzish.

Liderët me simpati masive janë të rrezikshëm për qytetarët dhe institucionet, sepse simpatia e masave është pushtet, është "pushteti popullor" mbi të cilin, në kushtet e shoqërive me opinion publik foshnjor, me institucione lirimbrojtëse të dobëta, bëhet themeli mbi të cilin ngrihet despotizmi dhe tirania. Shqiptarët i kanë provuar mbi shpinë për mbi 40 vjet rrjedhojat e këtij lloj "pushteti popullor".

Por t‘i kthehemi përvojës dhe mençurisë botërore. Grekët e vjetër nuk ishin budallenj, kur që në djepin e qytetërimit europian, të trembur pikërisht nga kultet e ngritura mbi simpatinë popullore, votuan që për ostracimin (përzënien) e gjeneralit dhe politikanit Aristidh nga Athina. Dhe thuhet se e bënë, ngaqë Aristidhi gëzonte një popullaritet të pazakontë si njeri shumë i drejtë. Kjo simpati masive, ky pushtet "popullor" dhe ky kult i trembi athinasit. Dhe shumica e demosit votoi për përzënien e Aristidhit, pikërisht sepse gëzonte simpatinë e shumicës! Paradoks demokratik? Jo, zgjuarsi liridashëse.


***

Por edhe në kohët më moderne, dhe pikërisht kur gërmoheshin themelet e demokracisë në SHBA, u shfaq përsëri i njëjti skepticizëm ndaj kultit të grumbulluar rreth një lideri të suksesshëm. Por këtë herë nga vetë një lider triumfator, që pa asnjë problem, mund ta përjetësonte veten në pushtet, në sajë të mbështetjes masive që gëzonte në popull. Ky lider ishte Presidenti Xhorxh Uashington, i vetmi në historinë e SHBA-së, që ka marrë mbështetjen e 100 për qind të votave elektorale.

Fitimtar i luftës për pavarësi, ai i kishte të gjitha mundësitë të spekulonte, duke e shpallur veten shpëtimtar të kombit, sjellës të lirisë pra, edhe të pazëvendësueshëm.

Por Uashingtoni kish triumfuar mbi një monarki dhe ideali i tij ishte republika demokratike. Ai e kuptonte se një republikë mund të shndërrohet fare lehtë në një monarki të maskuar, në një monarki pa mbret edhe më despotike, se një monarki absolute me mbret, nëse Presidenti nuk ndërrohet pas të shumtën, dy mandate 4-vjeçare. Aq të rrezikshëm e shihte Uashingtoni qëndrimin më shumë se 8 vjet të një presidenti në pushtet, aq të rrezikshëm e shihte për demokracinë atë akumulimi i popullaritetit, por edhe servilizmi njerëzor e nënshtrimi institucional, që sjell një pushtet i pakufizuar në kohë i një lideri, sa refuzoi, me gjithë këmbënguljen e mbështetësve, të kandidojë për një mandat të tretë.

Ky akt i lavdishëm vetëlargimi ka qenë një investim politik me vlera të paçmuara që e ka bërë demokracinë e SHBA-së atë që ajo është sot. Është vështirë të thuash se cila nga dy bëmat, fitorja e pavarësisë nga britanikët apo ky vetëlargim nga lidershipi politik, janë kontributet më të mëdha historike të Uashingtonit. Por është e padyshimtë që pa aktin e tij vetëmohues, akt që është fiksuar më vonë edhe në amendamentin e 22-të të Kushtetutës (që kufizon qëndrimin në Shtëpinë e Bardhë të një presidenti jo më shumë se dy mandate), SHBA nuk do të ishin sot demokracia më vitale, më e fuqishme dhe më e zhvilluar në botë. Madje, ndoshta nuk do të ishin fare demokraci. Dhe e tërë bota do të qe ndryshe. Vështirë ta thuash sesi, por sigurisht me shumë më pak liri. E tillë është vlera historike e vetëlargimit nga pushteti të atij lideri të suksesshëm, që mbetet i pazakontë, jo për nga sukseset, por për mosabuzimin me sukseset për qëllime pushteti.

Duke u vetëlarguar nga politika, Uashingtoni i dha mesazh popullit amerikan ta zhvendosë vëmendjen dhe adhurimin nga lideri i lavdishëm, por fizikisht i vdekshëm, tek institucionet impersonale dhe të pavdekshme, nga lideri i përsosur te institucionet që korrigjojnë dhe përsosin liderët, nga një njeri i gjithëfuqishëm te gjithëfuqia e njerëzve e mishëruar në institucione. Dhe sa meskine, sa mediokre, sa antiliri dhe antishtet është ambicia e liderëve tanë mediokër (që mjerisht nuk janë më vetëm Berisha e Nano), që nuk ngopen së qëndruari në pushtet edhe po të kenë edhe dy jetë, që nuk ngopen së përqendruari pushtet pa futur në xhep gjithë "popullin" dhe vetë Shqipërinë.

Dhe akoma më keq, sa e verbër, sa poshtëruese dhe rrënuese për fatet e shtetit (mjafton të shohësh mjerimin e Shqipërisë) dhe shqiptarëve, sa e prapambetur krahasuar edhe me popujt që hodhën themelet e demokracisë evropiane në lashtësi, sa primitive shfaqet idhujtaria e palodhur e një pjese të shqiptarëve për liderë si Nano e Berisha, që janë bashkautorë të kënetës ku ka ngecur Shqipëria dhe të mjerimit të shqiptarëve.

No comments: