Monday, July 13, 2009

Qeverisja, flirtet mes Berishës, Nanos dhe Metës

ARBEN RROZHANI | 13/07/2009 (Shekulli online)

Kabineti i ri qeveritar me njerëzit që kanë patur pushtetin në duart e tyre prej vitit 1992. Një aleancë mes Berishës, Metës dhe Nanos, me të cilët ka patur një luftë të pafund për të eliminuar njëri-tjetrin, por që kanë bashkëpunuar shumë mirë, kur e kanë dashur momentet, pas kulisave. Bashkëpunimet mes Berishës dhe Metës, Nanos me Berishën dhe mes Metës e Nanos për të qenë bashkë me Berishën në krye të pushtetit

Nuk do të jetë vetëm një bashkëqeverisje Berisha-Meta. Është edhe Nano. Do të jenë si thotë populli "Tre Kamberë në një derë". Një bashkëqeverisje me njerëzit e Berishës, Metës dhe Nanos. Seicili në sinoret e veta që do t'i ndajnë dhëmb për dhëmb në emër të çdo militanti dhe vote të marrë në 28 qershor 2009. Janë në krye të punëve tre njerëzit të cilët prej marsit 1992 kanë kontrolluar punët e Shqipërisë, ato të nëntokës dhe të atyre që ka parë publiku. Kur ishte president në vitet 1992-1997, Sali Berisha thirrej nga bashkëpunëtorët, me nofkën "marshalli", një gradë virtuale ushtarake që ai e mbajti mbi kostumin e presidentit të vendit, por që me pushtetin autokratik që instaloi kontrollonte gjithçka nga qeverisja qendrore, ajo vendore dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
Kur u bë kryeministër në vitin 1999 deri kur dha dorëheqjen nga në shkurt 2002, Ilir Meta thirrej nga bashkëpunëtorët e ngushtë "Kabila", si mbiemri i presidentit të Republikës Demokratike të Kongos, të njohur për luftën etnike mes fiseve tutsi dhe hutu. Prej se doli nga burgu ku e futi Berisha dhe derisa doli nga politika aktive në vjeshtën 2005, Fatos Nano kishte disa nofka. Bashkëpunëtorët në PS apo kundërshtarët e thërrisnin "qorri", për shkak të syzeve optike me xham të trashë, të cilat i hoqi me një operacion lazer në 2003. Por nofka më e njohur brenda dhe jashtë vendit ishte "Padrino" me çka e lidhnin me trafiqet dhe krimin e organizuar që rrjetet shqiptare zhvillonin brenda dhe jashtë kufijve gjatë mandatit të tij më të fundit qeverisës korrik 2002-gusht 2005.

Modeli

Kur iku nga pushteti pas fitores së të majtës në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit 1997, qeveria e PD-së mbeti si etaloni i një ekzekutivi që kishte bërë shumë pak punë publike (përmendej vetëm 5 km superstradë nga kthesa e Kamzës në Vorë), rrënim institucionesh pas kaosit të marsit 1997 nga humbja e 1.2 miliardë dollarëve në firmat piramidale të inkurajuara nga qeveria dhe me hapa mbrapa në rrugën drejt ecjes së vendit drejt eurointegrimit. Në mandatin e tij të parë si kryeministër Berisha nuk bëri asgjë veç kopjimit të modelit të majtë për punët publike, por me një kosto që do të rëndojë për shumë vjet mbi shqiptarët. Rruga patriotike që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe disa akse të tjera rrugore, që ishin të firmosura nga qeverisja e Nanos.
Në përfundim të mandatit të parë qeverisës 2005-2009, Berisha kishte çuar deri në fund kontratat e lëna nga paraardhësi, nga shitja e Albtelekomit deri te TEC-i në Vlorë e Petrolifera. Në mënyrë sfiduese për ish-kryeministrat socialistë ai rishtroi disa prej rrugëve që lanë ata, duke i akuzuar për abuzime, siç ishte rishkrimi i asfaltit në superstradën Tiranë-Durrës, vepër që kishte mbetur krenaria qeverisëse e ish-kryeministrit Meta. Premtoi se do të shtonte edhe dy korsi të tjera në superstradën Milot-Shkodër, e ashtuquajtur "autostrada e vdekjes" për numrin e lartë të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen e qindra njerëzve në vit. Duke mos pranuar se ky ishte modeli i suksesshëm i punëve publike që prej vitit 2000 zbaton në Tiranë kryetari i bashkisë Edi Rama, Berisha punoi dhe ka premtuar se do të punojë me të njëjtën metodë, asfaltimin e mijëra kilometrave rrugë, sipërmarrje elektorale që për tre muajt e fundit para zgjedhjeve rriti ndjeshëm shpenzimet e qeverisë më shumë se të ardhurat, duke futur në kolaps financimet e mëtejshme për punët publike. Aksesorët e tjerë, janë imitime të qeverisjeve të majta, siç janë rritjet demagogjike të pagave dhe pensioneve, rritja e granteve për pushtetin vendor dhe financimi i disa sektorëve prioritarë të jetës sociale si shëndetësia apo arsimi. Duke mos patur ndonjë dallim esencial në programet qeverisëse, bashkëqeverisja e tre kryeministrave të 17 viteve të fundit, shkon njëtrajtshëm në vija të trasha, pavarësisht se ajo mund të cënohet nga lufta e bërrylave, mes njerëzve që ai dinë mjaft mirë dobësitë njëri-tjetrit.

Flirtet

Mes të treve ka patur një luftë të vazhdueshme për eliminim. Berisha kërkoi ndëshkimin e Metës në vitin 1992 duke urdhëruar heqjen e imunitetit të deputetit, në 1993 urdhëroi parlamentin t'ia hiqte mandatin Nanos dhe gjykatën që ta dënonte për falsifikim dhe abuzime me ndihmat italiane në vitet 1991-1992. Kryetari i PS-së përfundoi në burg prej nga doli në mars 1997. Në shtator 1998 Berishës iu hoq imuniteti i deputetit, pas akuzës për grusht shteti në 13-14 shtator 1998, por Nano "harroi" të bënte paditësin. Në nëntor 2000, Meta urdhëroi policinë të qëllonte në Tropojë mbi protestuesit e PD-së, në emër të mbrojtjes së institucioneve, ndërsa në Tiranë policia speciale keqtrajtonte çdokënd që kalonte afër selisë së PD-së. Ndërsa në mesnatën e 28 nëntorit 2000 policia speciale e "rrëmbeu" kryetarin e opozitës, si shprehje të forcës së qeverisë së drejtuar nga Meta. Në zgjedhjet e vitit 2001 e majta sajoi formulën e Dushkut për të krijuar një shumicë fiktive ndërsa zgjedhjet u cilësuan pjesërisht të pranueshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Por pas këtyre luftërave të shumta për të hequr qafe njëri-tjetrin, nuk kanë munguar bashkëpunimet mes tyre, sigurisht në emër të luftës për pushtet për të hequr kryeministrin e radhës.
Meta ka patur një pushtet të madh në PS, nga viti 1992 kur ishte deputeti më i ri, (23 vjeç), ndërsa një vit më pas ishte njëri prej 4 nënkryetarëve të PS-së, post që e mbajti për disa vjet, plus posteve të tjera në krye të FRESSH-it, apo të sekretarit të marrëdhënieve me jashtë të PS. Në kohën e mocionit ishte radhitur në oponencë të grupit të Nanos të përfaqësuar nga Pandeli Majko, por pas dy vitesh vetë Nano do t'i besonte në mars 1998, postin e sekretarit të shtetit për integrimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Prej atëherë dhe deri në shkurt 2002 emri i Metës do të lidhej me qeverisjen deri në postin e shefit të saj, kohë kur do të lindte flirti i parë mes Berishës dhe Nanos për të rrëzuar Metën dhe ai mes Metës dhe Berishës për të mos fuqizuar Nanon.
Në vitin 1999 kur Meta ishte bërë kryeministër në vend të Majkos, opozita e drejtuar nga Berisha ishte në pikë të hallit. Përveç braktisjes nga ish-aleatët, Berisha duhej të merrej edhe me të vetët. Nënkryetari i PD-së Genc Pollo kishte kandiduar për kryetar të PD-së në Kuvendin e 6 të, por telenovela mbaroi me flakjen e ashtuquajturve reformatorë jashtë PD-së, të cilët falë mbështetjes së nëndheshme të qeverisë "Meta" krijuan PDR, madje selia blu akuzoi KQZ-në se kishte vënë qëllimisht siglat e përafërta që zgjedhësit të ngatërroheshin te fleta e votimit.
Përveç një paqeje sipërfaqësore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2001, mes Nanos dhe Metës, ish-kryeministri do të kishte mbështetjen e kreut të PD-së kundër Metës, çka kulmoi me lëvizjen për "katharsis". Meta fitoi shumicën e vota në KPD përballë njeriut të Nanos dhe beteja e radhës mbetej të bëhej në kongresin e ardhshëm të PS-së, ku Meta e kishte të sigurtë kreun e partisë.
Por planet i prishi fushata agresive e Nanos, me mbështetjen e Berishës, duke sulmuar qeverinë "Meta" te pika më e dobët, korrupsioni që lidhej me emra ministrash dhe afera që shushatën publikun dhe median.
Për Nanon Meta ishte një kryeministër që qeveriste me metoda fashiste, ndërsa kryeministri e akuzonte kryetarin e partisë së donte të bëhej «Padrino» i vendit. Në shkurt 2002 me largimin e Metës dhe ardhjen disa mujore të Majkos si kryeministër kalimtar, historia qeverisës së PS-së do të lidhej me qeverinë e kryeministrit Nano që mbeti në pushtet deri në humbjen e zgjedhjeve në 3 korrik 2005, ku e majta PS dhe LSI fitoi më shumë vota popullore por nga përdorimi i skemës së Dushkut, Berisha formoi qeverinë e Xhuvelit, pak a shumë si pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Ishte radha e Metës për filtruar me Berishën. Një muaj pas formimit të qeverisë "Majko" në mars 2002, grupi i madh i deputetëve të Metës do të mbështeste mocionin e PD-së për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, Arben Rakipi. Me oratorinë e vet, Nano u përpoq të përfundonte edhe institucionalisht fushatën për "katharsis", duke nxitur prokurorin e përgjithshëm që të materializonte denigrimin e ish-ministrave të Metës, që e kish nisur gjatë fushatës "komunikim me bazën e partisë" dhe duke e shpallur veten si luftëtar të anti-korrupsionit. Mëngjesin e 18 marsit 2002, me shumicë votash të deputetëve të PD-së dhe të mbështetësve të Metës, parlamenti shqiptar vendosi t'i kërkonte Presidentit të Republikes, shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, me një motiv që e zhvlerësoi koha: "sjellje që cënojnë rëndë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës".
Ishte fitorja e parë publike e aleancës mes opozitës së Berishës dhe shumicës së grupit parlamentar socialist të kontrolluar nga ish-kryeministri Meta. Rakipi u largua me një njollë morale, pse kishte
lidhje miqësore me grupin "Kokaina", edhe pse ai i arrestoi dhe i hetoi ata. Nga ana e vet PD-ja e akuzonte Rakipin se kishte dështuar në hetimin për vrasjen e Azem Hajdarit, kur vetë Berisha mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 do të akuzonte kryeministrin Fatos Nano si urdhërues të ekzekutimit të ish-liderit të dhjetorit. Berisha si kryetar opozite nuk kishte lënë akuzë pa bërë ndaj Metës kryeministër, si
vrasës apo urdhërues të vrasjeve politike, të korruptuar, hajdut apo mafioz. Ndërsa mbështeste Fatos Nanon në fushatën për "katharsis" dhe e inkurajonte atë për të denoncuar korrupsionin e Metës në qeveri, nga ana tjetër kërkonte bashkimin e votave të deputetëve socialistë për të shkarkuar prokurorin e përgjithshëm. Qëllimi? Si ai që kishte në vitet '90 kur ishte president dhe donte ta linte Shqipërinë me një opozitë pa kokë dhe të mbretëronte vetë, por kësaj radhe duke nxjerrë PS-në sërish në opozitë, duke provokuar zgjedhje të parakohshme.
Aleanca fluide mes Berishës dhe Metës do të linte në hije një histori korrupsioni, tashmë të arkivuar.
Bashkimi i votave në kuvend u bë pikërisht kur Prokurori i Përgjithshëm, Rakipi kishte lajmëruar
nisjen e hetimeve kundër disa funksionarëve e ish-funksionarëve të rëndësishëm shtetërorë, që ishin miq apo mbështetës së ish-kryeministrit Meta. Në krye të listës ishte emri i ish-ministrit të Energjitikës në qeverinë "Meta", Dritan Prifti, i akuzuar për shkeljen e ligjit në organizimin e tenderave të blerjes së energjisë elektrike, ku përfitimet, sipas akuza që bënte Fatos Nano, shkonin disa dhjetëra milionë dollarëkapin shifren e miliona dollarëve. U përhapen zera gjithashtu se në listën e të hetuarve ishte edhe emri i Ilir Metës. Siç rrëfente më vonë Arben Rakipi, gjithçka nisi në shkurt 2002, kur PD paraqiti në Kuvend mocionin e debatit për shkarkimin nga detyra dhe me 78 vota ai u shkarkua.

Korrupsioni

Në prill 2002 Komisioni parlamentar i Mandateve dhe Imuniteteve shtynte edhe për dy muaj shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-drejtorit të Korporatës Energjitike, deputetit Dritan Prifti. Vendimi ndikohej edhe nga kërkesa e Priftit, i cili sapo kishte bërë një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale, por që e cilësonte veprim politik kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme. Ish-drejtori i Korporatës Energjitike akuzohej për shpërdorim detyre dhe sipas hetimeve, nga blerjet e energjisë gjatë fundit të viteve 2000-2001, shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej afër 4 milionë dollarësh.
Por një muaj para kësaj, Prifti akuzonte Nanon se kishte qenë ndërmjetes i një grupi amerikan për të bërë pastrim parash në Shqipëri. "Si drejtor i kabinetit të Kryeministrit, menjëherë sapo jam kthyer nga studimet ne Universitetin e Havardit, kam këshilluar Kryeministrin e Shqipërisë kunder disa propozimeve të kryetarit të PS dhe mazhorances, Fatos Nano, për pastrim parash nëpërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Pasi u verifikua dhe pasi të dhënat u konsultuan me agjenci të specializuara, kabineti i Kryeministrit mori përgjigjen se nuk bëhej fjalë për operacion financiar, por për pastrim të mirëfilltë parash",-akuzonte Prifti Nanon.
Kur akuzonte Metën Fatos Nano parapëlqente shifrat dhe emrat e personazheve. Në dhjetor 2003, pak muaj pasi Meta ishte larguar nga qeveria e tij ai i bënte bilancin korrupsionit të ish-kryeministrit: "Gjatë 23 muajve të funksionimit të qeverisë nën drejtimin e Ilir Metës janë bërë 211 tendera publikë me prokurim të drejtpërdrejtë në favor të firmave private, të cilat kapin miliarda lekë". Ndërsa më poshtë akuzonte se këto fonde që ishin marrë në mënyrë abuzive nga buxheti i shtetit, shërbenin për aleancën mes Metës dhe opozitës së atëhershme të drejtuar nga Berisha, e cila protestonte me moton "Nano Ik": "Paratë e shpërdoruara nga niveli vendor deri në nivel qendror ushqejnë me dhjetë mijë lekë protestuesit primitivë të Berishës në sheshin Skënderbej dhe nuk ka aleancë më të qelbur se kjo",-shprehej ai.
Gjashtë vite pas këtyre akuzave, Nano do të jetë me njerëzit e tij në qeverinë "Berisha", e cila në mandatin e parë rezultoi më e korruptuar se ajo që ai ngriti para se të rrëzohej në 3 korrik 2005. Do të jetë bashkë me partinë e Metës, për të cilën në 2 tetor 2004 shprehej se: "Një pikë uji në det na ka humbur". Dhe me katër deputetë në Kuvend, me votat e të majtës, LSI është vërtet një pikë e votave që ka marrë opozita e kryesuar nga PS. Por do të jetë një ujë që do të shkojë në "mullirin" e Berishës, ku do të bluajnë së bashku tre qeveritarët që kanë patur pushtetin prej vitit 1992 në Shqipëri.

Dokumentet

Akuzat, si e denonconte Nano qeveritarin Meta

Më poshtë janë renditur disa prej akuzave që Fatos Nano, kur ishte kryeministër dhe kryetar i PS-së, i bënte Ilir Metës pas largimit të tij nga qeveria, ku kishte patur postin e zëvendëskryeministrit dhe të Ministrit të jashtëm.


"Meta sërish po tregohet i pandershëm edhe me ata që gjasme i mbështet. Ai u shmanget Konferencave dhe ballafaqimit të hapur me ju sepse nuk ka asnjë argument dhe aq më pak kurajo të japë llogari se pse po sulmon kaq ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste, kur deri dje ishte vetë njëri nga protagonistët e saj. A mund t'u përgjigjen këta njerëz pyetjeve të thjeshta si: Pse po sulmoni pikërisht tani kur ekonomia ka nisur rrugën e rritjes së shpejtë dhe të qëndrueshme? Pse po sulmoni pikërisht kur industria kriminale e skafeve pushoi së ekzistuari? Po ndalem pak në këtë moment. Qeveria që unë drejtoj i luftoi skafet me të njëjtët policë, të njëjtat mjete logjistike, të njëjtët prokurorë dhe gjykatës që kishte në dispozicion qeveria e drejtuar nga shoku Meta.... Sulmi brenda nesh është i njëkohshëm me temperaturën e lartë të doktorit të sëmurë, të Berishës, i cili është ngritur sërish, thua se ka të njëjtin trup apo të njëjtën mendje me disa nga ish-shokët tanë. Shokët tanë thyen, siç e dini, maxhorancën e numrave tanë në parlament. Këta të paaftë për të thyer maxhorancën tonë në zgjedhjet e fundit lokale. Ata bashkuan votat e tyre me Berishën dhe e kanë vënë seriozisht në vështirësi proçesin e zëvendësimit të disa vendeve në qeveri".
(Fjala para delegatëve të Konferencës së 11-të të PS-së në Kukës në 2 dhjetor 2003)

***

"Ne po luftojmë duke shfarosur favorizimet që gjetëm për shkak të qeverisë sonë të mëparshme, për evazion fiskal dhe mospagim detyrimesh skandaloze nga grupe, ndërrmarrje, firma dhe sipërmarrës të trajtuar si miq në zyrat e ish-kryeministrit Meta, që të ardhurat t'i paguajnë të gjithë në mënyrë që barra fiskale të mos godasë vetëm një grup sipërmarrësish të ndershëm dhe të suksesshëm. Zgjerimi i bazës së tatim- paguesve sidomos të subjekteve të mesme dhe të mëdha, që në kohën e qeverisë së Ilir Metës dilnin me tepricë kreditore me bilance false të mbrojtura dhe të lejuara nga administrata fiskale tatimore apo doganore e drejtuar nga njerëzit më të afërt të ish-Kryeministrit Meta, sot qetësisht dhe ligjërisht ka krijuar marrëdhënie korrekte me administratën e shtetit. Ata po derdhin dhe do të vazhdojnë të derdhin edhe detyrime të prapambetura që vijnë në shërbim të investimeve prioritare publike, në shërbim të nevojave të arsimit dhe të kujdesit parësor shëndetësor dhe natyrsisht në shërbim të integrimit shoqëror të shtresave në nevojë dhe komuniteteve ende në varfëri. E pra këto gjëra kanë dhe një metodologji politike siç kanë dhe një metodologji administrimi publik pa të cilën nuk mund të pranohemi në BE ashtu siç nuk mund të pranoheshim në IS. Këto gjëra nuk bëhen dot me prokurim të drejtpërdrejtë. Gjatë 23 muajve të funksionimit të qeverisë nën drejtimin e Ilir Metës janë bërë 211 tendera publikë me prokurim të drejtpërdrejtë në favor të firmave private, të cilat kapin miliarda lekë.
Paratë e shpërdoruara nga niveli vendor deri në nivel qendror ushqejnë me dhjetë mijë lekë protestuesit primitivë të Berishës në sheshin Skënderbej dhe nuk ka aleancë më të qelbur se kjo, kur votimi i korruptuar, e ritheksoj, i tre gjyqtarëve, të cilët kanë mbrapa një sistem shumë vulnerabël të drejtësisë. Ky votim i korruptuar festohet nga pesë skraparlinj në hotelin e paligjshëm të Muharrem Kushes mbrapa 15-katëshit. Nga Ilir Meta nga Spartak Braho nga Muç Muçi, nga prokurori i Durrësit dhe Muharrem Kushja vetë. Unë nuk kam nevojë të mbrohem në media apo me badigardë nga akuzat monstruoze, që lëshoi edhe dje i pakorrigjueshmi Ilir Meta. Unë po them se unë nuk kam miq në njerëz të korruptuar, në trupa gjykuese apo vendimmarrëse të korruptuara".
(Fjalimi i Nanos para delegatëve të Konferencës së 11 socialiste të Vlorës në 4 dhjetor 2003)

***

Ne nuk mund të jemi në krizë vetëm sepse bashkëshortja e ish- kryeministrit godet me vezë tabelat e qitjes, që në vend të Brezhnjevit dhe Karterit dikur, sot kanë portretet e dy Kryeministrave, të Fatos Nanos dhe Bashkim Finos. Nuk ishte Berisha që demonstronte përballë selisë së qeverisë suaj, por ishte një dopio Muç, një dopio Prift dhe një dopio Kryemadh. Besoj se të gjithë jemi dakord se me këtë demonstrim ata rivërtetuan publikisht se për kë punojnë dhe ç'dëshirojnë. Për këtë arsye, le të bëjnë detyrën institucionet e partisë. Politikisht unë e konsideroj se ata janë atje ku zgjodhën të jenë: në rrugë dhe kundër nesh, jashtë radhëve tona.
(Fjala e Nanos në qeveri në 12 qershor 2004)

***

Çfarë të tregonte tjetër z. Berisha, pak ditë më parë nëpërmjet fjalës së tij në Këshillin Kombëtar të PD. Ai rikonfirmoi se sa larg është Partia Demokratike prej standardeve dhe parametrave demokratikë te PS-se, që kanë ndjekur ritmin e kohës. Një parti e tillë nuk mund të jetë afruar kaq papritmas me injeksione mediatike apo me ca copra rezolutash që kur votohen me 35 deputetë nga 500 e ca në Asamblenë e Këshillit të Europës, nuk mund të deklarohet papritmas apo të mendohet ndonjëherë se kjo gjë i ka ofruar pushtetin. Për të bërë cfarë? Atë që bëri, kur nuk ka ndryshuar? Opozitat e reja, që kanë dalë edhe nga gjiri ynë, duke u hequr në rolin e oponentëve të inatosur, po flasin me të njëjtën gjuhë. Ilir Meta zbuloi gjurmë "gjaku bullgar" në Berat. Tashmë demokracia shqiptare dhe institucionet tona demokratike kanë nevojë për standarde të tjera, të cilat ne i kemi përqafuar të parët dhe prandaj jemi kaq vulnerabël, sepse një demokraci funksionuese kërkon trasparencë dhe dhënie llogari publike.
Kjo mbledhje e KPD është e para që zhvillohet pas largimit nga PSSH të një numri anëtarësh dhe deputetësh të cilët janë bashkuar në atë që quhet LSI. Si Kryetar i PSSH më lejoni t'ju raportoj se drejt LSI kanë kaluar 9 deputetë nga 75 që ka gjithsej Partia Socialiste, 3 anëtarë të Kryesive të PSSH në rrethe nga 500 të tillëve në të gjithë vendin, 24 anëtarë të KD të rretheve nga rreth 2000 të zgjedhur në forumet e rretheve, 2 kryetarë të KZ nga 400 që janë në të gjithë vendin, 32 kryetarë organizatash nga 4218, vetëm 1 kryetar bashkie, 2 kryetarë komunash dhe 13 anëtarë të Këshillave bashkiake apo komunale në 186 njësi vendore me drejtues dhe maxhorancë socialiste. Pra më lejoni t'ju them se një pikë uji në det na ka humbur
(Pjesë nga fjala e Nanos në Konferencën e PS-së së Tiranës në 2 tetor 2004)

3 comments:

Anonymous said...

HIMARA BLOG, I BENI PIETJE KIRIO BOLLANOU PSE NUK JEP DOREHEQJE NGA OMONIA, PASI PARETIA E TIJ KEAD DHE OMONIA MORI 901 VOTA NE HIMARE.

DHE PIETIA E DITE ESHTE: VANGJEL DULE DOLI ME VOTAT E HIMARES, AVLONES, SARANDES APO DELVINES, SE KUR MER 901 VOTA KEAD NE HIMARE CPIJET TE MARE NE ANEN TJATER DJALO?

KETEJ NGA AVLONA THONE SE VOTAT VANGJEL DULES JA DHA EDI RAMA ME ANE TE KRIETARIT TE BASHKISE SHPETIM GJIKA, JA MORI PSD DHE PDS DHA \E JA FAUTOI DULES. ME THONI KA MARE VALLE DULE 8700 VOTA SAC DUHESHIN APO KA FITUAR VETEM ME 901 VOTAT E HIMARES MANDATIN?

Anonymous said...

bollano te shikoje bashshkine se ja kane rembyer Borshiotet dhe te leri punet e medha se i ka dhjere...ngeli tere jeten servitor i Vangjel Dules. Na more, jemi edhe na qitetare te Himares jo vetem klani i Bollanos Berti, Mihallaqi me shoke,

Kemi nje pietje ketej: ja dha lejen e ndertimit Bollano policit nga Vlora me prone ne "Dhrimadhes" Petrit Carcani? Po Robert Gervenit qe po hap 5 mije metra ne plazhe ja dha lejene, se kendej na behet patriot i madh kyne dhe vellezerve te tije himariot ja ka nxire jeten? as mavro shtepi nuk ka te drejte te ndertoje himarioti xhano...duhet leja nga Leonardi shefi i urbanistikes se himarese nga Borshi.



MAVRE XEIMARIOTES POY FTASAITAE

akroqeravnos said...

Artikulli ku serviren dy comente nuk ka asnje lidhje me komentet. I ftojme komentusit me kurajo te paraqisin pikepamjet e tyre te argumentuara sidomos komentuesi i dyte anonim. Vetem keshtu do te mund te zere fjala vend
Ju falemnderit per dikutimet
akroqeravnos