Thursday, October 01, 2009

Kryeministri- përgjegjësi i incidenteve të krijuara në organizatën OMONIA


Kreu i PBDNJ-së akuzoi kryeministrin si përgjegjësin e incidenteve të krijuara në organizatën OMONIA, e cila përfaqëson interesat e minoritetit grek në Shqipëri (Gazeta korrieri

Kreshnik KUÇAJ

Kryeministri Sali Berisha cilësohet nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut si përgjegjës direkt për incidentet më të fundit që po ndodhin në organizatën OMONIA, që përfaqëson interesat e minoritetit grek në Shqipëri. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tha dje, se ashtu si për përçarjet në PBDNJ para zgjedhjeve, edhe këtë herë kreu i qeverisë ka gisht në përplasjet e krijuara në minoritetin grek.

Në një intervistë për televizionin “Alsat”, Dule tha se njerëz të mbështetur direkt nga kryeministri Berisha kanë zaptuar në mënyrë antiligjore selinë qendrore të OMONIA-s. “Kur dikush vendos që ta bëjë veten qesharak, nuk kemi mundësi ne që ta ndalojmë këtë gjë. Shpërthejnë zyrat e OMONIA-s, dhunojnë zyrën e kryetarit dhe bëjnë deklarata “duke rrëmbyer” në mendjen e tyre poste drejtuese të OMONIA-s. Janë pesë emërime me dorën e kryeministrit dhe lënë gjurmë, të cilat të çojnë në derën e Kryeministrisë.

Zoti kryeministër emëron njerëz, të cilët dinë të përdorin lloze e kaçavida?! Çfarë do të na përdorin nesër?” - tha Dule në emisionin “Puls” të gazetares Juli Xhokaxhi. Përplasjet brenda radhëve të organizatës së minoritetit grek në Shqipëri erdhën në momentin kur Spiro Ksera, tashmë deputet i Partisë Demokratike e ministër i Punës, u shkarkua nga posti drejtues që mbante në organizatën OMONIA. Kjo solli edhe një mbledhje tjetër të mbështetësve të Kserës, të cilët kërkuan që kryetarit të PBDNJ-së t’i hiqej mandati i deputetit.

Përçarja

Përplasja e parë publike mes Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe kryeministrit Sali Berisha erdhi pas daljes së PBDNJ-së nga koalicioni qeverisës. Krerët e kësaj force thanë se një ndër arsyet e largimit nga koalicioni qeveritar ishte pikërisht diversioni dhe tentativat për përçarjet në parti që ishin krijuar nga kryeministri Sali Berisha. Dhe në fakt, në momentet kur në PBDNJ po diskutohej për bashkëpunimin parazgjedhor me Partinë Socialiste, kundërshtarët më të fortë brenda PBDNJ-së ishin pikërisht prefekti i atëhershëm i Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe ish-ministri i Punës, Kosta Barka.

Vendimi për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste i kushtoi PBDNJ-së largimin e anëtarëve të kryesisë Ksera dhe Barka, të cilët menjëherë u përfshinë në listat e Partisë Demokratike si kandidatë për deputetë. Nga zgjedhjet e 28 qershorit, Ksera arriti të marrë mandatin e deputetit në emër të Partisë Demokratike. Pas këtyre zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha i drejtoi sërish ftesën për bashkëpunim PBDNJ-së, tashmë vetëm me një mandat deputeti, ftesë e cila u refuzua publikisht në mënyrë kategorike nga kryetari dhe deputeti Vangjel Dule.

Ky refuzim u përdor menjëherë nga kryeministri Sali Berisha, i cili emëroi si ministër të Punës Spiro Kserën, ish-anëtar kryesie në PBDNJ-së, tashmë deputet i PD-së. Ky dikaster i ishte dhënë për 4 vite Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, si përfaqësuese e minoritetit në Shqipëri. Në prezantimin e tij, Berisha tha se Ksera u emërua si ministër i Punës, si përfaqësues i minoritetit në Shqipëri, duke kompensuar kështu në njëfarë mënyre dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila përfaqëson politikisht minoritetin. Kjo solli edhe veprimin e menjëhershëm të organizatës OMONIA, e cila e shkarkoi Kserën nga postet që mbante në këtë organizatë, duke sjellë kështu edhe nisjen e përplasjeve të forta brenda radhëve të saj.

1 comment:

Anonymous said...

SYMFONOUMAE. AN THA SYNEHAISY O K. DOULES ETSI, TON YPOSTERIZOUMAE OLI OI BORIO EPYRIOTES, XEIMARIOTES.......TO EGRAFE KAI O K. MARKOS, PANO APO EDO...."COLPO DI STATO CONTRO OMONIA"...


STEFANOS APO ROMA