Wednesday, November 04, 2009

Kur Shteti hedh farën e Konfliktit Civil

Këto ditë, në bregun e detit nga Palasa në Nivicë, ka ndodhur një fenomen. Në mënyrë të heshtur e pothuajse tinëzare, segmente të caktuara, të cilat edhe përgjegjësinë në këtë rast e kanë të shpërndarë e deri diku jetime, kanë filluar procedurën e hipotekimit të tokave, në bazë të shpërndarjes së tokës me Ligjin 7501. Por e veçanta është se këto segmente, të cilat natyrisht që mendohet të kenë edhe një dirigjim nga shtresa të caktuara, që deri diku komandojnë edhe shtetin, po e realizojnë këtë proces vetëm në një fshat të bregut të detit, në Borsh. Dhe natyrisht kjo ka disa shpjegime dhe arsye. Arsyeja më e fortë është se këto segmente mafioze e kanë të qartë se është e pamundur hipotekimi i pronave në fshatrat e tjera të Bregut, për shkak të kompaktësisë që ata kanë shfaqur në drejtim të trashëgimisë së pronës. Në përgjithësi, në këto fshatra, pavarësisht disa mosmarrëveshjesh, trashëgimtarët e kanë ruajtur dhe mbajtur me mënyra të ndryshme vëllazërinë dhe trashëgiminë, duke ua bërë të qartë edhe vetë shtetit se problemet tona me pronën brenda vëllazërisë i zgjidhim vetë. Dhe shteti është tërhequr e nuk ka guxuar t’i shtyjë më tepër urët e zjarrit; për këtë problem shteti nuk ka guxuar të ndërhyjë. Në këto fshatra askush nuk ka kurajë të ndërhyjë për asgjë, le më të guxojë të ndërtojë në pronën e tjetrit. Fshatrat kanë funksionuar pothuajse si hallka të një zinxhiri, derisa kohët e fundit u këput njëra nga hallkat, që bregasit ja kishin frikën: Borshi, i cili edhe në këtë rast luajti rolin e “kolonës së pestë” dhe ua bëri me të pabesë, jo vetëm bashkëfshatarëve, por edhe krahinës. Personalisht, duke punuar për shumë kohë në sistemin e Hipotekës në Sarandë, arrita të njoh psikozën e anëtarëve të komisioneve të Borshit dhe nuk u çudita me këtë që duan të bëjnë. Gjatë gjithë asaj kohe, të vetmit persona që vinin pothuajse në Hipotekë dhe që kërkonin me ngulm të regjistronin tokat ishin nga Borshi. Nuk kishte javë që të mos vinin e të trokisnin në zyrë, herë veç e veç e herë së bashku kryepleqtë, kryetarët e komisioneve, që ndërroheshin shpesh, së bashku me gjeometrin e përhershëm e të famshëm të Borshit, Jakup Xhelilin, zullumet e të cilit me pronat e Borshit nuk do të ketë perëndi t’i zgjidhë. Po të arrijnë borshiotët të zbulojnë se çfarë ka punuar ai me pronat e tyre, i punojnë qindin. Vinin e rrinin aty pas derës së Hipotekës si lypsarë, si servilë, shumë të neveritshëm. Sidomos, për një farë Meleq Marku, për të cilin në zyrat tona filluam të vinim edhe baste, nëse do të vinte këtë të hënë apo jo? Unë e kuptoja se me këtë veprim ata donin të mbulonin edhe maskarallëqet që kishin bërë me pronat e bashkëfshatarëve të tyre, pisllëqe që unë i njoh shumë mirë, i di se si dhe ku janë bërë. Së shpejti do t’i bëj të ditura edhe për opinionin publik, edhe për borshiotët e ndershëm, sidomos ata që fati i largoi nga Borshi, gjatë rrjedhës së historisë. Jo se sot në Borsh nuk ka elementë të pastër, me vlerë, por ata janë pak dhe i ka mbuluar ajo pjesë që përbën llumin e borshiotëve. Fiset më të pastra dhe më të dëgjuara të Borshit, më 1914-n u larguan dhe nuk u kthyen më, dhe i bënë derman vetes kudo ku u ndodhën nëpër Shqipëri e deri në Turqi a në Amerikë. Në Borsh u kthyen vetëm shumica e atyre që nuk mbanin dot poturet e tyre. Dhe, nga fara e tyre, mendoj se janë këta që morën sot në dorë fatet e Borshit. Nga respekti dëshiroj t’u bëj të ditur të gjithë borshiotëve të larguar nëpër Shqipëri se, së shpejti do t’u tregoj për maskarallëqet që janë bërë mbi pronën e tyre; sot mund t’u them se emrat kryesorë, që e gatuan këtë katrahurë në Borsh, janë bërë të ditur edhe më përpara në shtypin e përditshëm disa herë, por midis tyre unë do të veçoja disa. Strumbullari i kësaj katrahure, të cilën e ka filluar qysh kur ka qenë aktivist rinie brekëgrisur i thekur i komunizmit e deri në komisionet e sotme, ka qenë Meleq Marku, i cili zotëron edhe dokumente të të gjitha periudhave. Ndihmës kryesor ka pasur Ardian Matin e më pas shumë elementë e fise të tjerë të Borshit, disa prej të cilëve e paçin haram trashëgiminë nga rrjedhin. Gisht kanë pasur të gjithë kryepleqtë e këtyre viteve, duke filluar nga Bedri Husi, Novruz Hizmo, Fuat Mati e deri te ky i sotmi. Kryetarët e komisioneve kanë qenë të panumërt, ku përfshihen që nga Llahe Hysi, Genc Husi, Sami Mati, Luan Kodhima deri tek ai që i ka vënë vulën e fundit kësaj katrahure, Mejdan Memoaliu. Pa harruar ata që vinin rrotull tyre gjatë gjithë kohës, si pjesëtarë të fiseve Çika, Lala në Shkallë, Hizmo etj. Së shpejti do të shkruaj për shumë nga pisllëqet e tyre, por, mbi të gjitha, do të dokumentoj me fakte se sa sipërfaqe tokë këta zotërinj kanë lënë të pandarë, të fshehur nëpër dokumente dhe me mendimin që ta përdorin më pas. Është pothuajse 30% e sipërfaqes së vënë në dispozicion që mbahet e fshehur, fakt që e vërtetoi edhe Kontrolli i Shtetit. Dhe, së fundi, dua t’u kërkojë ndjesë atyre borshiotëve, për të cilët kam respekt, për titullin në artikull. Nuk e kam me të keq, por dua të shpreh neverinë për këta plehrat që gatuan e gatuajnë akoma këtë katrahurë me pronat e tyre në Borsh. Sepse historikisht, Borshi ka qenë pjesë e pandarë e bregut të detit, gjatë shekujve luftë për mbijetesë, dhe nuk është ndarë kurrë. Pothuajse të gjitha fiset tona himarjote kanë pasur vëllamëri me fise të Borshit, miqësi që ruhet akoma në shumë nga familjet tona në Himarë. Fjalën “turk” po e përdor për ata borshiotë që prenë në besë vëllezërit e tyre. Nëpër familjet tona në Himarë akoma flasin me respekt të veçantë për fiset e Hilajve, Koçiajve, Aliajve, Totajve, Lekajve, Goxhajve, Hoxhajve, Bedajve, Vasilajve, Isufajve etj. Dhe, njëkohësisht, na vjen edhe keq për pabesinë që po ua bëjnë vëllezërit e tyre në Borsh. Por, njëkohësisht, besoj se ata e dinë që borxhin për këtë pabesi duhet ta kërkojnë te palaçot që përmenda më sipër. Dua t’i mbyll këto rreshta me fjalët që një burrë i ndershëm në Borsh, Cano Noga, ua tha bashkëfshatarëve të tij qysh në vitin 1991, kur vendosën të ndajnë tokën me Ligjin 7501: Mos e zbatoni këtë ligj, se do t’i bëni dëm të madh jo vetëm Borshit, por edhe fëmijëve tuaj, do t’i lini me sherr për gjithë jetën. Do ta lini Borshin pa zot dhe do të vijë një kohë që borshioti do të rrihet vendçe në fshat të tij. Borshin do ta gëzojnë të huajt… Kjo kohë erdhi, sepse u bënë disa raste që borshiotët tuaj rrihen dhe hanë dru nga të ardhurit, dhe asnjë nuk ndihet. Ndërkohë që te ne në Himarë nuk guxon kush të ngrejë zërin, dhe jo më dorën kundër himarjotit. Ne nuk pyetëm për dhunën e Enver Hoxhës, dhe jo më për këta legenët sot, që e kanë mendjen vetëm si e si të mundin të marrin ndonjë copë nga pronat tona. Por, për sa i përket Borshit, fjalët e bashkëfshatarit të tyre fatkeqësisht u bënë realitet dhe përgjegjësia është dhe do të mbetet e një grushti borshiotësh, e atyre që përmendëm më sipër. Personalisht, ndihma e vetme që mund t’u jap borshiotëve është botimi së shpejti në gazetë i të gjithë materialeve komprometuese, që kam grumbulluar për komisionet e Borshit. Dhe jo vetëm për Borshin.

Redaksia e Politikës

Artikulli i botuar sot në gazetën “Libertas”, me titullin domethënës “Turqit e Borshit”, nuk do të mbetet i vetëm. “I vetëm”, në këtë rrumpallë 20–vjeçare që, gabimisht na është ngulitur në mendje, si “Reformë e Pronësisë”. Ai është vetëm fillimi i një cikli artikujsh denoncues, të bazuar në fakte dhe të dhëna konkrete, të cilat, me gjuhën e argumentit dhe të dokumenteve do të zbulojnë panoramën e korrupsionit dhe të lojërave që fshihen pas etjes thithëse për tokat e Bregdetit. Aty këtu, autori, dëshmitar i këtyre manipulimeve dhe njohës i mirë i problematikës në Bregdet, përmend emra personash konkretë që, për shkak të detyrave të ndryshme, përfshihen në manipulime të ndryshme, për hir të përfitimit. Por një vështrim më i thellë duhet ta bëjë të qartë për të gjithë se, në të vërtetë, nuk janë këta fajtorët e vërtetë; ata ndoshta janë vetëm pjesë e një ingranazhi të sofistikuar, që zë fill në Tiranë. Është ky mekanizëm që mbjell prej vitesh konfliktin mes qytetarëve të këtij vendi, me ligje dhe akte normative, me vendime që pasojnë njëri–tjetrin, me shpikje nocionesh të paqena dhe që ua kalojnë edhe ëndrrave shpronësuese të Komunizmit, ai, që në mënyrë cinike përbën thelbin e Padrejtësisë, të cilën teorikisht është mandatuar ta luftojë. Pse është i rëndësishëm ky cikël artikujsh atëherë, kur prej vitesh funksionon një shoqatë apo disa shoqata pronarësh, kur ka intervista pa fund rreth këtij problemi? Është një pyetje e natyrshme, por që ka një përgjigje po kaq të natyrshme. Në gjithë këtë lumë qëndrimesh të ndryshme, pak mund të shohësh se ka një denoncim përgjegjësish, aty mund të pikasësh ndoshta edhe mëkatin e negocimit, për përfitim personal. Askush pra nuk flet hapur, lidhur me këtë llurbë 20-vjeçare, që i trajton qytetarët e këtij vendi mbi standarde të dyfishta, të cilat tjetërsohen në vetvete, përmes parimit të një pushteti që operon pa frikë edhe me metodat e banditizmit. Për të folur me gjuhën e një shqetësimi, që ngrihet në artikull, duhet nënvizuar se një nga lëndët e këtij sulmi, që zë fill nga Tirana, është komuniteti njerëzor i migruar në këto vite drejt zonave të Bregdetit. Një bateri sulmi, që shpërblehet dhe vepron pas vellos kushtetuese të Lëvizjes së Lirë. Pa asnjë diskutim që kjo Lëvizje duhet të jetë e tillë, e Lirë, por ajo nuk mund të vijojë edhe sot e kësaj dite, që të përdoret për të Zënë frymën e dikujt tjetër. Pse, përndryshe, ky shtet po shkon drejt formësimit të dy kategorive shqiptarësh, informaliteti i të cilëve apo raporti luajal me institucionet do të duhet të gjejë rrugë të reja.

(Gazeta Libertas)

No comments: