Monday, December 14, 2009

Në Kërkim të Demokracisë

"Gjysmë përrallës së Rrojit i mungon edhe ajo pjesë ku, pas mbarimit të procesit ligjor, organizatat politike dhe jopolitike dhe institucionet e edukimit në Florida patën sukses në ato kuti votimi për efekt transparence dhe studimi."


Bledar H. Prifti | 14/12/2009 (Shekulli on line)

Pjesa dërrmuese e analizave dhe komenteve që i bëhen sot situatës politike në vend pas bojkotit të parlamentit nga Partia Socialiste janë shndërruar në një konglomerat idesh që hidhen sipas oreksit dhe interesave të autorëve dhe nuk bëjnë një pasqyrim të drejtë të situatës dhe çështjeve të demokracisë shqiptare, duke u nisur edhe nga rëndësia e tyre.


Dhe e gjithë kjo zullumahi ndodh për shkak se, në mënyrë të pavetëdijshme, naive, apo diabolike, shumë analistë ngatërrojnë çështjet ligjore me ato politike, dhe në shumicën e rasteve, në mënyrë të çuditshme, njësojnë çështjet ligjore me ato politike.


Çështjet ligjore kurrë nuk mund të njësohen me ato politike pasi të parat janë atribute të sistemit gjyqësor kurse të dytat janë atribute të forcave politike.
Prej këtej lind pyetja: Cila është çështja ligjore me të cilën po ballafaqohet demokracia Shqiptare pas zgjedhjeve të 28 Qershorit?


Pranohet nga të gjitha krahët e politikës se procesi zgjedhor i zgjedhjeve të 28 Qershorit i ka konsumuar të gjitha instancat ligjore dhe nuk ka as më të voglën hapësirë ligjore që rezultati i zgjedhjeve të ndryshohet.


Të gjithë forcat politike, pozitë edhe opozitë, kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre nga Kolegji Zgjedhor, që është instanca më e lartë ligjore.


Opozita e ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme që e pranon rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht protestave politike. Duke qenë përball këtij fakti, të gjithë duhet ta kuptojnë se situata e tanishme politike nuk përmban asnjë çështje ligjore.


Çështjet që po dominojnë politikën shqiptare aktualisht janë të një karakteri politik, dhe konceptet me të cilat përballemi janë vetëm koncepte politike. Këto koncepte politike që po ndeshim në këtë situatë janë: transparenca e votës, bojkoti dhe protesta.


Si fillim, transparenca e votës është e drejta që gëzon çdo shtetas, institucion dhe grupim shoqëror dhe politik për të parë mënyrën si u votua dhe votat që u hodhën në një proces elektorale.


Transparenca ka karakter ligjor dhe publik. Transparenca e votës ka karakter ligjor kur ajo bëhet përmes instancave të gjyqësorit konform rregullave dhe ligjeve, dhe ndikon direkt në rezultatin zyrtar të zgjedhjeve.


Transparenca publike e votës bëhet atëherë kur procesi ligjor ka përfunduar dhe shtetasit, institucionet, apo grupimet e ndryshme shoqërore dhe politike kërkojnë transparencë të votës për arsye që nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e rezultatit ligjor të zgjedhjeve.


Për shembull, para disa ditësh lexova në shtyp një shkrim të z. Grid Rroji, ish-zëdhënësit të kryeministrit Berisha, mbi precedent të ngjashme në Shtete e Bashkuara. Rastet kryesore që analizon z. Rroji inkludojnë përplasjet Bush vs.


Al Gore në 2000-shin, në Florida dhe Coleman vs. Al Franken në Minesota në 2009-ën. Por z. Rroji, me vetëdije të plotë, tregon gjysmën e historisë dhe në mënyrë tinëzare kërkon ta lidh atë me situatën në Tiranë.


Është e vërtet se Al Gore ju bind vendimit të gjykatës supreme, ashtu si është e vërtetë që edhe Edi Rama e ka pranuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Z. Rroji duket sikur nuk e gëlltit dot këtë fakt dhe nuk ia nxë goja për ta pohuar.


Gjysmë përrallës së Rrojit i mungon edhe ajo pjesë ku, pas mbarimit të procesit ligjor, organizatat politike dhe jopolitike dhe institucionet e edukimit në Florida patën sukses në ato kuti votimi për efekt transparence dhe studimi.


Z. Rroji nuk ia nxë goja as këtë fakt sepse ai e shikon se "privilegjin" e transparencës këtu në Shqipëri nuk po e gëzon një opozitë e tërë dhe jo më një universitet apo ndonjë OJQ. Z. Rroji gjithashtu jeton në përrallën e tij kur mendon se ish-shefi i tij Berisha ka krijuar institucione gjyqësore të pavarura me gjyqtarë të kalibrit si Roberts, Scalia, dhe Alito, apo se Shqipëria paska ndërtuar një demokraci solide si ajo e Shteteve të Bashkuara.


Z. Rroji nuk do të mund ta botonte dot këtu në SHBA një shkrim të atillë gjysmë përrallë. Por ashtu si edhe ish-shefi i tij, ai e ka kuptuar mentalitetin e Shqiptarve dhe përpiqet ta manipuloj atë me gjysmë historira e gjysmë përralla, tamam si ish-shefi i tij.


Por si z. Rroji ka edhe shumë të tjerë.
Në vazhdim, bojkoti klasifikohet si koncept politik pasi kushtetuta e Shqipërisë (edhe kushtetutat Evropiane), nuk shprehet dhe as nuk e ndalon një veprimtari të tillë.


Bojkoti është e drejtë legjitime për t'u përdorur nga grupimi shoqërore apo politik për të arritur qëllimet e tyre. Në shkencat politike, bojkoti dhe peticionet konsiderohen si dy forma paqësore që përdoren gjatë lëvizjeve shoqërore dhe politike. Bojkoti ka qenë metoda më e përdorur gjatë lëvizjeve për të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara në vitet 60-të.


Bojkoti nga grupimet politike është shumë i rrallë në vendet me demokraci të konsoliduar, por është një mjet i përdorur gjerësisht në vendet me demokraci problematike. Me pak fjalë, bojkoti është në përpjesëtim të zhdrejtë me demokracinë dhe parimet e tjera demokratike.


Logjike, në një vend ku ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe ku vota numërohet realisht dhe pushteti bazohet në vullnetin real të popullit, bojkoti nuk mund të konceptohet dhe do të konsiderohej tejet radikal.

Nga ana tjetër, në një vend ku votat vidhen (ose kur perceptohen të tilla për shkak të mungesës së transparencës) dhe pushteti nuk bazohet në vullnetin real të popullit, doemos që bojkoti do të konsiderohej mëse normal. Kjo gjë identifikohet edhe në rastin e bojkotit të parlamentit nga opozita Socialiste.


Në një situatë të tillë, bojkoti do të konsiderohej mëse normal për vet faktin sepse ai është një përgjigje kundër një shkelje flagrante të parimit baze të demokracisë - transparencës së votës së lirë dhe vullnetit të popullit.


Vjedhja e votës dhe manipulimi i vullnetit dhe pushtetit të popullit është akti më barbar që i bëhet një demokracie. Fundja, demokracia nuk është gjë tjetër vetëm një koncept politik i bazuar tek fjala Greke "demokraci"që do të thotë "pushteti i popullit". Në hierarkinë e nevojave demokratike, nevoja për të pasur votim të lirë dhe shprehje të qartë të vullnetit të popullit qëndron mbi çdo nevojë tjetër demokratike.


Në një vend ku vidhet vota dhe tjetërsohet vullneti i popullit do të ishte naive dhe e pakuptimtë që shoqëria dhe elementët e saj të fokusoheshin tek koncepti "bojkot". Kësaj i thonë "fshati digjet dhe ti kërkon krehër për t'u zbukuruar".


Për më shumë, protesta ashtu si bojkoti, konsiderohet si një metodë që përdoret nga grupimet shoqërore dhe politike për të shprehur pakënaqësitë, për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të bërë publike një kauzë që konsiderohet e drejtë dhe jetike për ato grupime.


Në ndryshim me bojkotin, protesta konsiderohet legjitime deri në atë pikë sa ato nuk kërcënojnë rendin kushtetues dhe lirinë dhe të drejtat e mbarë popullit. Kur një protestë aplikon dhunën, atëherë ajo legjitimon shtypjen e saj. Parë nga ky këndvështrim, protesta e opozitës janë demokratike dhe pa asnjë element agresiviteti apo dhune.


Me sa kuptohet deri tani, Berisha me mbështetësit e tij deri më tani kanë arritur t'i mbushin mendjen (duke gënjyer), një pjese të konsiderueshme të popullit dhe organizmave ndërkombëtar se gjoja kërkesa e PS për transparencë të votës është antikushtetuese.


Por në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë antikushtetuese pasi opozita e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe kushtetuta nuk ndalon as bojkotin, as protestat dhe as hapjen e kutive për efekt transparence. Në fakt, opozita ka pranuar me kohë rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkon transparencën e votës me qëllim që të zbardhen procedurat e votimit dhe të numërimit të votave.


Gjithashtu, kur flitet për koncepte politike si "bojkot" dhe "votë e lirë", një pjesë e konsiderueshme e politikanëve pushtetarë dhe analistëve politik fokusohen, në mënyrë naive dhe të djallëzuar, tek bojkoti dhe jo tek vota e lirë.


Është e padiskutueshme që vota e lirë është baza e hierarkisë së nevojës demokratike. Nuk ka nevojë më të madhe demokratike sesa nevoja për votën e lirë.


Një shoqëri që nuk e konsideron votën e lirë si nevojën më të madhe demokratike është një shoqëri që është e destinuar të përpihet nga totalitarizmi dhe autoritarizmi, dhe që kurrë nuk do të mund të jetojë ndonjëherë në demokraci.

No comments: